Mons. George Frendo O.P.
Në mes të shekullit 19, shkrimtari i famshëm anglez, Charles Dickens, duke shikuar gjendjen e shumë fëmijëve në epokën viktoriane të Anglisë, ka shkruar shumë romane nëpërmjet të cilëve ka dashur të tërheqë vëmendjen e shoqërisë angleze të asaj kohe drejt situatës së fëmijëve në atë kohë. Ndoshta romani më i njohur është Oliver Twist, ku përshkruan situatën e jetimëve në atë kohë. Çfarë do të thoshte Charles Dickens sot duke shikuar që, në këtë botë që mburret me përparimet ekonomike dhe industriale, në shumë vende të botës, shumë fëmijë detyrohen të punojnë për të mbështetur familjen?
Foshnja Jezus na kujton se edhe fëmijët kanë të drejtat e tyre: të drejtën për jetën, për arsimin, për strehimin. Çfarë do të thoshte Charles Dickens duke shikuar shumë fëmijë sot, këtu në Shqipëri, të cilëve u mohohet mundësia të arsimohen sepse nuk guxojnë të dalin nga shtëpia e tyre? Jeta e tyre nuk është e sigurtë, jetojnë gjithmonë në frikë, në rrezik, janë të kërcënuar. Ai që i kërcënon është terrorist. Nuk meriton asnjë titull tjetër përveç këtij: terrorist.
Krishtlindja na paraqet Jezusin fëmijë të shtrirë në një grazhd, në varfëri ekstreme për shkak të egoizmit të atyre që nuk i kanë ofruar shtrehim nënës së tij në orët e fundit të shtatzanisë së saj. Në grazhd Jezusi në këtë orë po qan duke treguar solidaritetin e tij me shumë fëmijë që, në këtë orë, janë duke fjetur jashtë në të ftohtë; me ata fëmijë që janë shtruar në krevat pa ngrënë as një grimcë buke; me ata fëmijë që, para se të jenë shtrirë në krevat, kanë parë babanë e tyre duke hyrë në shtëpi i dehur e pastaj duke rrahur nënën dhe vetë fëmijët. Ja historia tragjike e shumë fëmijëve. E ku është Charles Dickens për të shkruar historinë e tyre? Por ne duhet të jemi gjithmonë mbrojtës të të pambrojturve, zë për ata që janë pa zë. Sepse besojmë në dinjitetin e njeriut, të zbuluar sonte në fytyrën e këtij djali të brishtë.
Sot flasim shumë për të drejtat e disa kategorive personash, por nganjëherë duke harruar të drejtat e fëmijëve. Është shtiracake ajo shoqëri që flet për abortin sikur të ishte një e drejtë e gruas, duke harruar se edhe fetusi e ka të drejtë për jetën.
Një shkrimtar amerikan ka krahasuar situatën e botës së sotme me situatën e një grupi udhëtarësh mbi një avion, të cilët në një moment gjatë udhëtimit vërejnë se në avion nuk ka pilot. Krijohet panik i madh. Nuk dinë kah shkojnë, si do të përfundojnë.
Në jetën tonë kemi nevojë për një pilot. Jezusi është piloti ynë. Me një pilot të tillë nuk do të kemi asnjë frikë. Jemi në duar të sigurta. Ai do të na çojë në tokën e dashurisë, sepse Ai vetë është dashuria e mishëruar. Me Jezusin si pilot do të ndihemi të sigurtë.
© Argumentum