Mario Stefanov, [i]
Pas euforisë afatshkurtër të lindur pas rënies së Murit të Berlinit dhe shpalljes fodulle të fitores së demokracisë liberale si fund të historisë, filloi, në më pak se një dhjetëvjeçar, vetëdijësimi i përballjes me realitetin e botës bashkëkohore. Me forcimin e fuqive konkuruese, Kinës dhe Rusisë, si dhe pasojat shkatrrimtare të intervencionizmit të dhunshëm liberal në mbarë botën, u zhduk si një flluskë sapuni edhe iluzioni mbi perandorinë mijëvjeçare të demokracisë liberale dhe fundin e historisë si e profetizonte në librin e tij hit të vitit 1992 “The End of History and the Last Man” (“Fundi i historisë dhe njeriu i fundit), Fransis Fukajama.
Filloi koha e kthimit të realizmit të vjetër dhe me këmbë në tokë. Ndodhi kthimi i madh në skenë i pohimeve klasike gjeopolitike spektakolare tashmë të harruara.
Në kushtet reale të shekullit 21 po vërtetohen mendimet e admiralit dhe gjeostrategut amerikan Alfred Mahan dhe doktrina e tij mbi mbretërimin në detrat botërorë si burim fuqie për shtetet, e bërë publike kjo në vitin e largët 1890 në veprën e tij më të rëndësishme, librin me titull: “The Influence of Sea Power Upon History, 1660-1783”.
Në tërë botën po zhvillohet një betejë e re, beteja për kontrollin e detrave dhe komunikacioneve detare. Ata janë, siç e ka parashikuar Mahani dhe pasuesit e tij, arteria kryesore e ekonomisë botërore, nëpër të cilën rrjedhin lëndët e para, energjentët dhe tregtia. Pothuajse 90 përqind e tregtisë botërore zhvillohet në rrugë detare. Ai që kontrollon linjat detare të komunikimit (Sea lines of communication-SLOC) dhe të ashtuquajturat pika ngjeshjeje të qarkullimit detar, siç janë ngushticat dhe kanalet detare, kontrollon tregtinë botërore. Atlantiku, Oqeani Indian dhe Pacifiku në këtë kuptim janë zonat ku ndeshen dhe përballen interesat e fuqive globale më të mëdha. Luftërat e Lindjes së Afërme, ndërhyrjet ushtarake amerikane dhe europiane rreth Granadës së vogël, rreth Panamasë, Falklandeve dhe dy luftëra botërore kanë treguar rëndësinë e komunikacioneve detare për zhvillimin e luftërave dhe arritjen e fitoreve ushtarake.
Fuqia fituese ka arritur me rrugë detare në cilëndo pikë të globit. Fuqia ushtarake ka ardhur me përbërje flotash të aeroplanmbajtëseve dhe anijeve si dhe me nëndetëse të armatosura me raketa. Fuqia detare është përdorur edhe për rrethimin strategjik të kundërshtarëve, Kinës dhe Rusisë dhe ruajtjen e mundësive të manovrave detare për veten nëpërmjet kontrollit të komunikacioneve detare dhe ngushticave si pika strategjike të kontrollit detar. Pikërisht ashtu siç mësonte krijuesi i teorisë mbi kontrollin e detrave admirali Mahon.
Po ashtu është vërtetuar edhe doktrina gjeopolitike e gjeopolitikanit britanik Sër Halford Mekinder (Sir Halford Mackinder), njërit prej themeluesve të gjeopolitikës, në pjesën më të madhe të definuar në librin e tij të publikuar në vitin 1904 dhe të titulluar: “The Geographical Pivot of History” (“Shtylla gjeografike e historisë”), e cila, fuqinë dhe ndikimin global e lidh me mbretërimin në mjedisin botëror tokësor-Euroazinë dhe kontrollin e zemrës së saj ose Heartlandit, që është Europa Lindore. Mekinderi praktikisht ka parashikuar luftërat që do të zhvilloheshin më vonë për kontrollin e territorit qendror botëror të Eruroazisë dhe “Heartlandit”. Pohonte atëbotë sesi në mesin e Euroazisë gjendet rajoni me burime shumë të mëdha, i cili, nëse vihej nën kontrollin e një fuqie të vetme ose grupim fuqish, do të mund të bëhej “themeli i perandorisë së re botërore”.
Fjalët e Mekinderit: “Ai që kontrollon Europën Lindore, kontrollon Heartland-in; ai që kontrollon Hertland-in kontrollon ishullin Botëror; Kush kontrollon Ishullin Botëror kontrollon botën”, jehojnë edhe sot e kësaj dite nëpër labirintet e fuqive më të mëdha të botës. Në qendër të Heartlandit të Mekinderit që përcakton se ajo që kontrollon “Ishullin Botëror”, ose më mirë të themi tërë territorin e Euroazisë, është Europa Lindore.
Garimi për kontrollin e Heartland-it të Mekinderit dhe Europës Lindore është themeli gjeopolitik i luftërave që janë bërë në këto territore tërë shekullin 20 dhe po vazhdojnë të zhvillohen edhe në shekullin 21, pikërisht ashtu si e ka parashikuar Sër Halford Mekinderi.
Pasues i tij ishte edhe gjenerali dhe gjeopstrategu gjerman Karl Ernst Haushofer, praktikisht kreator i doktrinës gjeopolitike të Rajhut të Tretë. Ai, duke u nisur nga tezat e Mekinderit dhe mësimet e teorive gjepolitike japoneze, përcaktoi konceptin e hapësirës jetike gjermane “Lebensbraum” dhe teorinë e depërtimit në Lindje “Drang nach Osten”, të cilat në thelbin e tyre janë synime për kontrollin e “Ishullit Botëror” të Mekinderit. Huashoferi luajti edhe rolin kyç në lidhjen strategjike mes Gjermanisë dhe Japonisë. Këto dy fuqi aleate, në rast fitoreje, do të kontrollonin qendrën botërore tokësore, Euroazinë dhe me këtë edhe mbarë botën. Gjermania dhe Japonia e humbën luftën, ndërsa Karl Haushofeëri dhe e shoqja, në natën e 11/12 marsit të vitit 1946, kryen vetëvrasje në fermën e tyre në Hartschimmelhof.
Deri në momentin e rënies së Murit të Berlinit dhe shpërbërjes së Traktatit të Varshavës, Rusia kontrollonte Europën Lindore dhe me këtë edhe Heartland-in– gjë që asaj i jepte një fuqi globale gjeopolitike, në një masë të madhe në përpjestim të zhdrejtë me fuqinë e saj reale ekonomike dhe politike. Pas rënies së komunizmit dhe shpërbërjes së BRSS-së, Rusia humbi ndikimin mbi Europën Lindore dhe Perëndimi, i udhëhequr nga ShBA-të dhe Britania e Madhe, me asistencën e aleatëve kontinentalë europianë të grumbulluar në NATO, përpiqet që me ndikimin e tij të mbushë hapësirën boshe dhe të realizojë kontroll mbi Europën Lindore, ndërsa Rusia e kundërshton një gjë të tillë. Në thelbin e raporteve në dukje të ndërlikuara mes Perëndimit dhe Rusisë nuk ka asgjë tjetër veçse luftë të re dhe të egër për kontrollin e Europës Lindore dhe Hearland-in e Mekinderit. Lufta është sot në anën europiane të Euroazisë, për Ukrainën, Bjellorusinë, Moldavinë dhe unazën e shteteve rreth Rusisë-Azerbejxhanin, Gjeorgjinë dhe Kazakistanin. Heartland-i i Mekinderit, është pjesa qendrore, zemra e masës kontinentale, me konfliktin rreth Ukrainës është shndërruar sot në qendrën e ballafaqimit të fuqive më të mëdha të botës moderne. Pikërisht në atë vend që në fillim të shekullit 20 e pati përcaktuar Mekinderi.
Profesori strategjisë në U.S. Naval War College, Xhejms Kurt (James Kurth) në artikullin e tij për “Foreign Affairs” pohon se “u deshën dy luftëra botërore dhe një luftë e ftohtë për ta penguar këtë profeci të Mekinderit (mbi një fuqi ose grup fuqish që kontrollon Euroazinë. Shën. i autorit) që ajo të bëhet realitet. Kurtin mund ta plotësonim. As dy luftëra botërore dhe as një luftë e ftohtë nuk e penguan ballafaqimin në skenën euroaziatike të Mekinderit. Pikërisht tani po zhvillohet një luftë e re e ftohtë për kontrollin e “Heartland-it” dhe “Ishullit botëror”.
Sipas tezave të teorive klasike gjeopolitike të Sër Halford Mekinderit dhe admiralit Alfred Thayer Mahan të fundit të shekullit 19 dhe fillimit të shekullit 20, sot po zhvillohen dy luftëra periferike të fuqive globale dhe aleatëve të tyre. Po vërtetohet edhe teoria e Mahanit në lidhje me kontrollin e detrave, njëlloj si edhe ajo e Mekinderit për kontrollin e qendrës së kontinentit botëror- Euzroazisë.
Ajo që po ndodh sot në luftën e madhe për kontrollin e Europës Lindore- tani për tani Ukrainës dhe Bjellorusisë, e shumë shpejt edhe Moldavisë, si dhe tërë masës tokësore euroaziatike nuk është gjë tjetër veçse pohim, për herë të tretë në njëqind vitet e fundit, i doktrinës gjeopolitike të Mekinderit. Ajo është zemra e Heartland-it të Mekinderit- Europa Lindore. Qëllimi i politikës amerikane është zotërimi i Europës Lindore dhe shtyrja tej e Rusisë nga këto territore. Po ashtu nevojitet të bëhet e pamundur çfarëdolloj lidhje e forcave në territorin tokësor euroaziatik, në mënyrë që të pengohet “profecia e Mekinderit”, siç e quan Xhejms Kurt nga U.S Naval War College. Pykat e ndarjes duhen ngulur fort në mes të Europës nga njëra anë, e cila sëbashku meë pjesën e saj lindore duhet mbajtur në integrimin euroatlantik ose në lidhje të forta me të, dhe Rusisë nga ana tjetër. Është e nevojshme të pengohet çfarëdolloj lidhje e fuqive euroaziatike, kryesisht fuqive më të mëdha tokësore, Rusisë dhe Kinës. Çdo lidhje politike, ekonomike dhe ushtarake mes Rusisë dhe Kinës shkakton shqetësim në radhët e kreatorëve të politikës aktuale amerikane. Lidhja mes tyre konsiderohet haptazi armiqësore dhe kërcënuese ndaj interesave dhe pozicioneve gjeopolitike të amerikanëve dhe të aleatëve. Nga ana tjetër ka përpjekje, deri tani pa sukses, nëpërmjet mesazheve indirekte drejtuar Kinës, të arrihet përballja e saj me Rusinë. Me ardhjen në pushtet të administratës së presidentit Bajden, përpjekjet për ndarjen e Rusisë dhe Kinës janë gjithnjë e më të shprehura. Kjo në fakt mund të konsiderohet kthim në satretegjinë e vjetër të Kizingerit dhe Niksonit, e cila pati sukses gjatë Luftës së Ftohtë, por sot, në kushtet tashmë të ndryshuara, duket qartë se nuk ka efektivitet. Në thelbin e saj edhe kjo strategji është degë e mësimeve të Mekinderit mbi shpërndarjen e fuqisë dhe ndikimit në territorin e Euroazisë.
Në anën aziatike të territorit qendror euroaziatik po zhvillohet beteja në botën detare të Pacifikut mes ShBA-ve dhe aleatëve në njërën anë dhe Kinës në anën tjetër. ShBA-të, si përherë fuqi botërore dominuese detare, përpiqen të kufizojnë ose ta ndalojnë plotësisht rritjen e mëtejshme të Kinës, e cila po shfaqet gjithnjë e më shumë si një fuqi e re konkuruese në nivel global. Kjo në territoret detare të Pacifikut do të thotë shtyrje tej e Kinës nga drejtimet e saj detare të projektimit të interesave të saj gjeoekonomike dhe gjeopolitike në kuadër të “Rrugës së re të mëndafshit” dhe vendosje e kontrollit në komunikimet detare në Oqeanin Indian dhe atë Pacifik me të cilët Kinën e lidhin energjentët dhe rruga drejt tregjeve botërore të prodhimeve industriale.
Lëvizjet e amerikanëve, aleatëve dhe të kinezëve si dhe përballja mes tyre, realizohen sipas tezave të doktrinës gjeopolitike të Mekinderit. Për herë të dytë në këto njëqind vite ShBA-ve i duhet ta mbrojë pozitën e saj si fuqi udhëheqëse në Pacifik. Herën e parë ishte në vitet 30-të të shekullit të kaluar kundër Japonisë, gjë e cila kurrsesi nuk mund të mbyllej pa luftë, e tani kundër Kinës, e cila në sytë e strategëve amerikanë përfaqëson Japoninë e re, gjë e cila përsëri lehtë mund të përmbyllet me luftë. Për dreq është bërë publike edhe fantazia e admiralit amerikan në pension Xhejms Stavrdidis (James Stavrdidis), ish komandant i përgjithshëm i forcave aleate në Europë, mbi fillimin e Luftës së 3-të Botërore nga konflikti detar mes ShBA-ve dhe Kinës në detin e Kinës Jugore, e paraqitur në librin e tij të ri me titull “2034: A Novel of the Next World War”. Admirali Stavrdidis me bashkëautor Eliot Akermanin (Elliot Ackerman) në romanin e tyre politik, ngjarjet e të cilit zhvillohen në vitin 2034, përshkruajnë garat për kontroll të territoreve detare, që përfundojnë me mbytjen e kryqëzorit amerikan USS John Poaul Jones nga ana e forcave detare të Kinës dhe fillimin e luftësë së madhe, paralajmërojnë se ShBA-të de Kina gradualisht po rrëshqasin drejt një konflikti luftrarak me pasoja të paparashikueshme.
Komenti i shumicës së analistëve gjeopolitikë, sipas të cilëve Stavrdidis, vërtetë i ka vendosur ngjarjet në romanin në fjalë në vitin 2034, por kjo mund të ndodhë edhe në vitin 2024, është sa cinik aq edhe shqetësues. Është mbresëlënëse gjithsesi ngjashmëria mes Kinës së sotme dhe Japonisë së dikurshme në vizionet amerikane të raporteve në rajonin Indo-Pacifik dhe metodologjia e përgjigjes së politikëes amerikane ndaj fuqisë konkuruese. Bllokimi i rritjes nëpërmjet sanksioneve tregtare dhe kërcënimi i rrugëve të furnizimit me naftë për Kinën, nëpërmjet realizimit të kontrollit mbi rrugët detare të furnizimit me energjentë është instrument identik si në rastin e garimit me Japoninë në shekullin e kaluar. Qëllimi është bllokimi detar i Kinës në rast të një konflikti të mundshëm luftarak detar. Lufta tokësore në truallin kinez hidhet poshtë edhe teorikisht. Beteja me Kinën për kontrollin e detrave ështy doktrina burimore e Mahanit në veprim.
Mekinderi dhe pasuesit e tij siç është Nikolas J. Spajkman (Nicholas J. Spykman), po ashtu eëdhe admirali Mahan, si pasojë e pohimit të teorive të tyre, janë edhe sot e kësaj dite yje jashtëkohore të doktrinës së mendimit gjeopolitik. Vështirë të gjesh ndonjë analizë politike apo ushtarake e cila, sëpaku në mënyrë indirekte, të mos mbështetet te Mahani apo Mekinderi. Për njohësit e gjeopolitikës kjo nuk është aspak e papritur.
Megjithatë të befason diçka krejtësisht tjetër. Është e habitshme sesa pak ndikim kanë në raportet bashkëkohore ndërkombëtare doktrinat moderne dhe politike dhe theksimi në mënyrë të tepruar i shpeshtë i zhvillimit shoqëror dhe përparimi në sistemin e arsimit. Doktrinat e vjetra gjeopolitike kanë lënë plotësisht në hije zhvillimin qytetërues shpirtëror dhe intelektual. Jo vetëm që e kanë lënë në hije, por edhe ia kanë nënështruar plotësisht vetes dhe i kanë përfshirë në formulimin e doktrinave të politikës së jashtme të fuqive të mëdha dhe të vogla në skenën botërore. Idetë e mëdha të demokracisë dhe ato të të drejtave të njeriut, ideologjitë, përcaktimet etnike dhe fetare të tërë religjioneve të botës janë vënë në shërbim të gjeopolitikës. Janë vënë jashtë kategorive të orientimeve të rëndësishme të politikës së jashtme dhe praktikisht janë vënë në funksion të doktrinave të vjetra gjeopolitike. Është në veprim e sipër kthimi i madh i gjeopolitikës. Të gjitha luftërat e fundit të shekullit të kaluar dhe fillimit të shekullit 21 janë zhvilluar sipas formateve të teorive gjeopolitike të Mahanit dhe Mekinderit.
Në dukje paradoksale, në kushtet gjeopolitike të shekullit 21, doktrinat e vjetra gjeopolitike të shekujve 19 dhe 20, kanë vërtetuar vlerën e tyre të plotë dhe gjithëkohore. Kështu është vërtetuar në mënyrë direkte se edhe sot, në kohën e botës së globalizuar, të zhvillimit të paimagjinueshëm më parë të sistemeve të armatimeve dhe të rritjes së shpejtë të transportit- orientimet e vjetra gjeografike dhe demografike vazhdojnë të përcaktojnë edhe më tej politikën e aktorëve udhëheqës ndërkombëtarë.
Historia kështu ka vërtetuar se, në skenën ndërkombëtare, përcaktimet gjeopolitike janë ruajtur për dekada dhe shekuj. Kështu historia, për hir të së vërtetës nuk është se përsëritet, por sëpaku rimon në mënyrë të përkryer me të tashmen dhe të ardhmen. Ndryshojnë vetëm aktorët, teknologjia dhe doktrinat politike pas të cilave fshihen interesat gjeoekonomike dhe gjeopolitike. Pas të gjithë ideologjive fshihet gjeopolitika që nuk jepet.
Përktheu për Argumentum.al: Xhelal FEJZA
[i] https://www.geopolitika.neës/analize/mario-stefanov-povratak-geopolitike/