Editorial
Duket se djaloshi kosovar që mori mbi shpatulla diplomacinë shqiptare e çoi deri në fund “detyrën” që i ngarkoi Kryeministri Rama, edhe duke dhënë dorëheqjen si “Ministër i Jashtëm” po Ministrit të Jashtëm de jure dhe de fakto z.Edi Rama.
Pak muaj para zgjedhjeve, një ditë më parë Rama ka njoftuar ndryshime të reja në qeveri. Ai ka larguar Gent Cakajn nga posti i Ministrit të Jashtëm në detyrë dhe ia ka kaluar stafetën Olta Xhaçkës.
“Pas një periudhe intensive pune në kryesimin e OSBE si edhe punës së madhe me përkushtim e profesionalizëm të Gent Cakajt si ministër në detyrë, ky është momenti për t’ia kaluar bashkarisht stafetën Olta Xhaçkës që të kryejë detyrën e ministres për Europën dhe Punët e Jashtme.
Dua ta falenderoj me mirënjohje Gentin jo vetëm për dinjitetin në kryerjen e detyrës së derisotme, po edhe për gatishmërinë e plotë për të vijuar përpjekjen e përbashkët, duke u rikthyer në kabinetin e kryeministrit. Ndërkohë Niko Peleshi do të drejtojë Ministrinë e Mbrojtjes”, shkruan Rama.
Ish-ministri i Jashtëm në detyrë Gent Cakaj, reagoi menjëherë sapo kryeministri Rama lajmëroi se ai kishte dhënë dorëheqjen. Cakaj e justifikon dorëheqjen e tij duke thënë se Shqipëria është në fushatë dhe ai nuk synon të bëhet deputet.
Si duket të gjithë ministrat e Ramës janë të gatshëm vetëm të marrin frytet e punës dhe jo të punojnë për ti arritur ato. Çuditërisht të gjithë largohen se nuk kanë pretendime të bëhen deputet e të dalin në fushatë (!)
Në njoftimin e tij Cakaj shprehej se;
Sot, e martë, 29 dhjetor 2020, i kam paraqitur Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, z. Edi Rama, dorëheqjen e parevokueshme dhe me efekt të menjëhershëm si Ministër në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë.
Pas përfundimit me shumë sukses të kryesisë së OSBE-së, hapjes së negociatave për anëtarësim me BE-në, punës së jashtëzakonshme për të siguruar një ulëse në Këshillin e Sigurimit për 2022-2023, zbatimit të një sërë masash të pashembullta për ngritjen e faktorit shqiptar në Ballkanin Perëndimor, si dhe duke qenë se Shqipëria është në pragfushatë zgjedhore, ku unë nuk synoj të angazhohem si kandidat për deputet, konsideroj që kapitulli i shërbimit tim në krye të diplomacisë shqiptare është i përfunduar.
Të gjitha këto janë në të vërtetë dështime me sukses i të ngarkuarit me detyra më të rënda jo vetem se pesha fizike por mbi të gjitha më të rënda se pesha intelektuale dhe profesionale e Cakajt.
Gent Cakaj ishtë një nga emrat që erdhi nga Kosova edhe si pjesë e një stratetegjie të Kryeministrit Rama për të afruar Kosovën dhe Shqipërinë por që fatkeqësisht sot jemi të larguar më shumë se kurrë nga njëri-tjetri. Gent Cakaj nuk pati ndikim as këtej e as matanë kufirit.
Megjithate nga ana personale ai e pasuroi CV-në e tij në poste të ëndërruara për dhjetra të rinj ekselente të cilët nuk e patën fatin e z.Cakaj.
Cakaj fillimisht ka qenë këshilltar i kryeministrit për politikën e Jashtme dhe posaçërisht, për çështjet e Bashkimit Europian.
Në Korrik të vitit 2018 ai u caktua Kryenegociator i çeljes së negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Evropian për anëtarësim.
Më pas në kabinetin ‘Rama 2’ u emërua në postin e zv.ministrit të Punëve të Jashtme. Ndërsa pas largimit të Ditmr Bushatit si Minsitër i Jashtëm, Kryeministri emëroi djaloshin kosovar të drejtoje diplomacinë shqiptare. Ky emërim sigurisht nuk u dekretua kurrë nga Presidenti Meta i cili nëpërmjet një letre drejtuar kryeministrit në atë kohë, theksonte se “profili i zotit Genti Cakaj, i propozuar për postin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, ka mungesë të qartë të përvojës politike, diplomatike, administrative, shtetërore, në secilin element dhe në tërësi”.
Në këtë situatë pasi presidenti i Shqipërisë Ilir Meta refuzoi kandidaturën e Gent Cakajt, në janar të vitit 2019, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kishte marrë drejtimin e Ministrisë së Jashtme, Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, një ditë pas betimit në postin e ministrittë Jashtëm ia delegoi kompetencat për këtë post Cakajt.
Në fjalën e tij të shkurtër, kryeministri Edi Rama tha se i delegon drejtimin e ministrisë zv/ministrit Gent Cakaj, duke i dorëzuar atij dekretin e Ilir Metës. “Është fjalë më e shkurtër në jetën time. Unë në funksionin tim si ministër i jashtëm i delegoj zotit Gent Cakajt drejtimin e kësaj Ministrie dhe përfaqësimin në institucionet ndërkombëtare”, u shpreh Rama.
E pra përpos lajmit të dites duhet thene se Gent Cakaj dorëzoi një funksion që nuk e ushtroi kurrë pasi nuk ishtë kurrë një Ministër por i ngarkuar me disa detyra, herë të brendshme e herë të jashtme nga Minisitri i Jashtëm i dekretuar nga Presidenti z.Edi Rama.
Këtë do e pohonte dhe vetë presidenti Meta kur u pyet për zhdekretimin e ministrit të jashtëm,
Presidenti Meta tha se kemi të bëjmë vetëm me largimin nga detyra të një zv.ministri dhe për emërimin e ministres së re, në këtë rast, Olta Xhaçka, duhet zhdekretimi i ministrit të jashtëm që është kryeministri Edi Rama. “Për rastin konkret, kemi të bëjmë me një zv.ministër, i cili ka dhënë dorëheqjen dhe nuk ka lidhje me ministren e Jashtme në rastin konkret. Duhet të vijë kërkesa për zhdekretimin e ministrit të jashtëm Edi Rama, i cili është ministër i jashtëm dhe emërimi i ministres së re është i lidhur me zhdekretimin e tij si ministër i jashtëm. Nuk ka lidhje me detyrën e zv.ministrit. Ai është një akt vullnetar“, u shpreh presidenti Meta për “Tempora”.
Më shumë se sa largimi i Cakajt si i ngarkuar me punë, surprizë ishte reagimi i Ambasadores Yuri Kim
Duhet thënë se në rrethin mediatik largimi apo dorëheqja e z.Cakaj nuk ishte surprizë pasi 7 muajt e fundit ai ishte vërtetë i jashtëm për qeverinë Rama.
Dukej se Kryeminsitri Rama e kishte “postuar” në Luginën e Preshevës, dhe herë pas here vinin lajmërime për disa takime të tij me përfaqësuesit e Medvegjes, Bujanovcit e Preshevës. Por edhe këto takime duket se ishin në kuadër të lëvizjes së tij të radhes për të kandiduar si deputet në Kosovë.
Ajo që na surprizoi ishte reagimi i vetë ambasadores së SHBA-së,Yuri Kim .
Jemi mësuar tashmë të shohim ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë të ndjeke hap pas hapi çdo lëvizje të qeverisë Rama sa i përket implementimi të reformës në drejtësi, duke qenë se SHBA janë edhe si gardiane të saj, por kohët e fundit ambasadorja nuk kursen komentet e saj pas çdo postimi dhe lajmërimi të shefit të qeverisë.
Aq u emocionua për largimin e z. Cakaj ambasadorja Yuri Kim sa e vuri peshen e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve tona në shpatullat e udhëheqësve si Cakaj. Apo e kishte fjalën për dorëheqjen z. Rama?
Përmes një postimi në “Twitter”, ambasadorja Kim falënderon ish-ministrin e Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj, duke thënë se marrëdhënia mes dy vendeve vazhdon, për shkak të udhëheqësve të tillë.
“Faleminderit Gent Cakaj për të gjitha përpjekjet tuaja për të forcuar marrëdhëniet, përfshirë NATO dhe aleatët. Miqësia mes dy vendeve tona vazhdon, për shkak të udhëheqësve si ju. Ju urojmë suksese në të gjitha përpjekjet tuaja të ardhshme, shkruan në twitter Yuri Kim.
Nuk e di se çfarë ka bërë Cakaj për SHBA dhe NATO-n, por di që në Shqipëri do të mbetet në histori për dështimet me sukses si përfaqësues i politikës së jashtme shqiptare, qoftë ai si i ngarkuar apo dhe Ministri i Jashtëm de jure.
E megjithatë sikundër thotë Zonja Kim, Cakaj si Ministër në tentative u përpoq deri në fund…
© Argumentum