Editorial
Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç u takua me ambasadorët e vendeve të Quintit në Beograd. Ai takua me Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Anthony Godfrey, Shan McLeod të Britanisë së Madhe, Jean-Louis Falconi të Francës, Carlo Lo Caso të Italisë dhe Thomas Schieb të Gjermanisë, si dhe shefin e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Serbi, Sem Fabrizi.
Në këtë takim Presidenti serb para ambasadorëve e vendeve të Quintit është përpjekur të luaje rolin e një lideri global nëpërmjet lojes “ngriva-shkriva”.
Vuçiç u tha atyre se konflikti i Nago-Karabakut ka dhënë një shembull se si është një konflikt i ngrirë dhe se kur dikush e shkrin atë, ai mund të përshkallëzohet në një katastrofë të vërtetë.
Ai bëri një deklaratë të tillë duke hequr një paralele ndërmjet konfliktit Kosovë-Serbi dhe Armeni-Azerbajxhan, pavarësisht se nuk takohen në asnjë pikë ndërmjet tyre. Më pas ai duket sikur shpalos para ambasadorëve strategjinë e Beogradit. “Beogradi duhet të punojë për të arritur një zgjidhje përmes kompromisit me Kosovën. Serbia duhet të vazhdojë të forcohet ekonomikisht dhe ushtarakisht në mënyrë që të jetë në gjendje të mbrojë veten në çdo moment nga agresorët e mundshëm”, shprehet Presidenti serb.
“Déjà vu”! Kjo deklaratë e Vuçiç para ambasadoreve, të sjell në kujtese fjalimin famëkeq të Gazimestanit nga Ish-presidenti serb Sllobodan Millosheviç që u mbajt para një turme të madhe në sfondin e një tensioni të fortë etnik midis serbëve etnikë dhe shqiptarëve në Kosovë .
Kujtojmë se Fjalimi i Millosheviçit i 28 qershorit 1989 në Gazimestan, vendin ku në vitin 1389 u zhvillua Beteja e Kosovës, një ngjarje që konsiderohet kyçe në mitologjinë serbe, ushqeu retorikën nacionaliste dhe përkeqësoi raportet ndëretnike në Kosovë.
Millosheviçi foli për mundësinë e “betejave të armatosura“, në të ardhmen e zhvillimit kombëtar të Serbisë. Ky fjalim do te vinte pas votimit për revokimin e autonomisë së Kosovës si krahinë e Jugosllavisë më 23 mars 1989 ishte një moment vendimtar që ngjalli rezistencën politike, ndezi përplasjet ndëretnike dhe i hapi rrugën konfliktit të armatosur të viteve ’90. Pjesa tjetër është histori e përjetuar nga secili prej nesh 20 vite më parë.
E pra Vuçiç na riktheu 31 vite pas për të na rikujtuar se asgje nuk ka ndryshuar nga mendësia serbe. Foli për një konflikt të “ngrire” duke kërcënuar hapur për një luftë tjetër në Ballkan .
Padashur Presidenti serb foli për strategjinë e tij ushtarake, një strategji që Kosova e ka raportuar here pas here. Pikërisht blerjet e vazhdueshme të armeve nga Rusia e Kina.
“Blerjet e fundit shfaqin kërcënim direkt për paqen dhe stabilitetin e shteteve të Ballkanit Perëndimor, një rajon që është i përcaktuar për rrugëtimin euro-atlantik”, ka shkruar Haradinaj muaj më parë.
Serbia po armatoset fuqimisht nga aleati i saj historik, Rusia, me armë moderne. Në nëntor të vitit të kaluar Rusia solli në Serbi një sistem të sofistikuar të raketave. Kjo qe kundërshtuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pasi cënon sigurinë e rajonit.
Në anën tjetër Serbia vazhdon ende të mbajë një buxhet të madh për mbrojtjen prej 500 milionë eurosh. Ndërkohë që, ajo vazhdon të mbështesë edhe një industri të zhvilluar armatimesh, e cila vetëm gjatë vitit të kaluar ka eksportuar 483 milionë dollarë armatime e municione.
Pra, Serbia, armatoset gjer në dhëmbë, kërcënon me “përmbytje” nga shkrirja e “akujve “ dhe në fund flet për agresorë.
Por kush jane agresoret nga të cilet ndihet i kërcënuar Presidenti serb Aleksandër Vuçiç?
Kush po e kërcënon Presidentin serb vetem 2 muaj pas marreveshjes ne Uashington (pasi u puthet dhe u perqafuat me palen kosovare në zyren ovale në Shtepinë e Bardhë, siç pohon vete “dëshmitari”, Presidenti Trump)
Mos vallë nëpërmjet kësaj deklarate po hedh poshtë vete marrëveshjen e 4 shtatorit?
Po në këtë takim Presidenti serb tha se ambasadori i SHBA në Beograd, Anthony Godfrey, ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara në zbatimin e Marrëveshjes së Uashingtonit.
“Pavarësisht se si do të përfundojë kjo telenovelë që po shikojmë,” theksoi Vuçiç duke iu referuar sondazhit presidencial në SHBA rezultatet e të cilit e kanë shpallur Joe Biden si fitues.
Ndoshta ky ishte dhe një mesazh për presidentin e ri amerikan, i cili është protagonist për bombardimin e Beogradit nga NATO?
Megjithatë një gjë është e qartë, përcaktimi i situatës Kosovë-Serbi si “konflikt i ngrirë” hedh poshtë;
– Marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike e nenshkruar, me Kryeminisitrin e Kosoves Avdullah Hoti në prani të Presidentit të SHBA më 4 shtator të këtij viti.
-Procesin e integrimit europian.
-Minishengenin Ballkanik
Mbi të gjitha, deklarata të tilla jo vetëm minojnë të gjitha përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, por dhe për vete stabilitetin e rajonit.
Një deklarate e rrezikshme që nuk ngrin e as nuk shkrin por djeg e përvëlon./m.doda
© Argumentum