Realpolitik “ Flash” Nr. 28
3 – 16 MARS 2021
EKSKLUZIVISHT te ARGUMENTUM, pikat mbi “ i” vetëm me 1000 fjalë mbi 5 ngjarjet kryesore nga diplomati dhe analisti i njohur
Dr. Jorgji KOTE
***
1.Kutitë Kushte! Eshtë fjala për kutitë e votimit të zgjedhjeve parlamentare të 25 Prillit, të cilat do të përcaktojnë ecurinë e mëtejshme demokratike dhe çeljen e negociatave me BE-në. Vërtet mund t’i kemi plotësuar kushtet, por tani kemi një Kryekusht vendimtar, zgjedhjet e liria dhe të ndershme ! Siç përmendet dhe në Përfundimet e Këshillit të Stabilizim – Asociimit në Bruksel më 2 Mars dhe në Projekt-Rezolutën e Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian më 4 Mars. Megjithë rëndësinë, edhe kushtet e plotësuara do të zhvlerësoheshin nëse 25 Prilli zgjedhor nuk do të njihej nga komuniteti ndërkombëtar dhe nuk do të nxirrte një qeveri të qëndrueshme. Sepse te kutitë e votimit janë kushtet përcaktuese të përditësuara për çeljen e negociatave këtë vit.
2.Kur nxiton, vonon! Kjo thënie e urtë i shkon gjendjes së tanishme në Kosovë. Eshtë jo produktiv nguti me të cilin i kërkohet Prishtinës rifillimi i dialogut me Beogradin. Me të drejtë Kryeministri i ardhshëm Kurti e ka renditur këtë dialog pas përparësive jetike për Kosovën. Kjo nuk e nënvleftëson atë, përkundrazi. Sepse dialogu me Beogradin nuk mund të japë produktin e duhur politik pa zgjidhjen e sfidave të brendshme ulëritëse. Ndaj Kosova bën mirë të fokusohet te krijimi i një qeverie të aftë, zgjedhja e Presidentit, përpjekjet për shëndoshjen e ekonomisë, luftën ndaj korrupsionit, etj. Po aq e rëndësishme është dhe kërkimi i konsensusit mbarëpartiak për të gjitha temat dhe dialogun, duke filluar nga ekipi negociator, platforma e tij, etj. Përvoja 10 vjeçare e dialogut dëshmon qartë se “ kur nxiton, vonon”. Ndaj le ta “lenë rehat” Kurtin për ca kohë, dhe le të nxitojnë me Beogradin, pa vazhduar ta “ mbajnë si kanakar” Që kur të rinisë dialogu, ai të çohet në fund, duke filluar me njohjen e Kosovës nga Serbia, si pika e parë e panegociueshme dhe jo të luajnë “ e ka kush e ka “.
3.Qari dhe zarari: Këtë javë Kosova çeli ambasadën në Jerusalem, pas njohjes nga Izraeli dhe në zbatim të dokumentit të 4 Shtatorit në Washington. Bëri mirë, se SHBA-të, sponsorizuesi i nismës janë partneri më i madh strategjik; ndërsa Izraeli është vend me ndikim; bëri mirë dhe për imazhin e Kosovës si partner serioz dhe i besueshëm, që kur vendos firrmën në një dokument e mban fjalën. Problemi qëndron te kostoja politike dhe diplomatike, ose te “ qari dhe zarari”. Ca më tepër se dhe shqetësimet gjeopolitike dhe diplomatike në këtë rast nuk janë të pakta. Konkretisht, duke ngritur flamurin në Jerusalem, Kosova iu kundërvu qëndrimit të Rezolutës së vitit 1980 të OKB-së dhe sidomos të BE-së, si aleate e madhe strategjike me të cilën Kosova ka shumë interesa madhore dhe jetike të njohura. Ndërkohë, flamuri i Kosovës në Jerusalem krijon një krisje jo të vogël me Turqinë, ndër të parat që e kanë njohur Kosovën dhe me Lidhjen Arabe, me mjaft ndikim në vende që ende nuk e kanë njohur atë apo të cilat ka të ngjarë të jenë duke menduar tërheqjen e njohjeve. Veç Palestinës, ky akt vjen në kundërshtim dhe me Shqipërinë, që do të vazhdojë ta mbajë ambasadën e saj në Tel Aviv, duke krijuar kësisoj një ndarje tjetër të padëshiruar në fushën e diplomacisë. Ndërkohë, “ i ngul një gjemb në mish” dhe qeverisës së re, e cila do të duhet të mësohet me këtë realitet diplomatik.
Vërtet që më 4 Shtator në Washington, Kosova “ nuk dinte kujt t’ia prishte dhe kujt t’ia ndreqte” Por kjo situatë duhej të ishte shmangur me finesë diplomatike; kjo mund të realizohej qoftë dhe me një klauzolë të tillë si “ lidhur me vendin e selisë diplomatike në Izrael,kjo do të vendoset mbi bazën e vullnetit politik dypalësh dhe normave të njohura ndërkombëtare” Kush ka punuar në këtë fushë e di mire se përfshirja e klauzolave të tilla është “ buka dhe gjalpi” i një diplomacie serioze. Tani, si i thonë fjalës, u bë ç’u bë; kryesorja është që politika e jashtme dhe diplomacia e Kosovës të nxjerrin mësime për të ardhmen, që qari diplomatik i çdo hapi të jetë më i madh se zarari. Sipas parimit “ mishi të piqet dhe helli të mos digjet”
4.Kështu Po! Më 10 Mars qeveria shqiptare vendosi të pranojë përdorimin e vaksinës ruse dhe kineze. Vendim i drejtë, dhe pse disi i vonuar. Ai korrigjon “ kundravajtjen diplomatike” siç e quajtëm, kur fund dhjetorin e kaluar ajo e “ priti me këmbët e para” propozimin në parim të Ambasadës ruse; me një gjuhë të drunjtë dhe jashtë çdo etike diplomatike. Gjithsesi, rëndësi ka që u kuptua dhe u riparua shpejt ajo gafë diplomatike; sepse shëndeti mbizotëron mbi çdo gjeopolitikë. Se nuk ka vend për qëndrime ideologjike si ato të Luftës së Ftohtë. Po, ka vërtet shumë shqetësime mes Rusisë, BE dhe SHBA-së, siç ka dhe shumë pika të përbashkëta që i “ dënojnë “ ato të bashkëpunojnë. Gjithsesi, në asnjë rast, nuk ka përse ne të futemi si pykë mes tyre apo dhe të bëhemi “ më katolikë se Papa” Ndaj, themi me plot gojën “ Kështu PO!
5.Raport alarmant: Në fillim të javës, Komisioni Ekonomik i OKB-së për Europën botoi raportin e tij lidhur me Refugjatët për vitin 2020. Në fakt, ai është kambanë alarmi për Shqipërinë, e cila megjithë gjendjen e shkaktuar na COVID – 19, vazhdon të renditet e dyta për frymë të popullsisë në botë me 550 refugjatë/100.000 banorë. Pas saj vjen Turqia por me 100 refugjatë/100.000 banorë. Ajo çka e bën më shqetësues raportin është se në vitin 2015 Shqipëria kishte 350/100.000 banorë. Së dyti, jemi shumë lart mesatares botërore me 307 refugjatë. Së treti, Kroacia, Serbia dhe Kosova kanë shënuar rënie dhe renditen shumë vende pas nesh.
Ky raport i trishtë përgënjeshtron opinionin dhe alibinë qeveritare se e njëjta gjë po ndodh dhe gjetkë. Përballë kësaj situate, Qeveria është dorëzuar dhe nuk merr asnjë përgjegjësi për këtë “ bombë me sahat” Ca më keq akoma, ajo përjashton dhe çdo lloj alternative të opozitës dhe aktorëve të tjerë përkatës. Ndaj, pritet të dëgjojmë shifra dhe më të larta të këtij shpopullimi masiv, të kësaj pandemie sociale që bërtet për zgjidhje.
© Argumentum