Prof. Lisen BASHKURTI*
Për herë të dytë Kuvendi ndërmerr iniciativën për shkarkimin e Presidentit Meta. Shumë media, analistë dhe opinionistë vëndas dhe të huaj e kanë konsideruar këtë përpjekje të dytë si një taktikë për të larguar vëmendjen e opinionit publik kombëtar dhe ndërkombëtar nga problematika serioze zgjedhore e 25 prillit 2021.
Të tjerë analistë dhe opinionistë e kanë quajtur këtë përpjekje të dytë për të njëjtin qëllim të Kuvendit si orvajtje e dështuar nga një kuvend një partiak, pa legjitimitet, pa kurrëfarë morali dhe me një komision hetimor plotësisht jashtë kohe.
Në numër të shumtë kanë qënë edhe opinionet sipas të cilave një iniciativë e dytë e Kuvendit kundër Presidentit Meta është tërësisht politikisht e motivuar nga mazhoranca për të kapur edhe institucionin e fundit që i ka bërë rezistencë regjimit hibrit të ngritur në Shqipëri mbas vitit 2017.
Nga analiza e përgjithshme rezulton se e vërteta më së shumti është shumatorja e të gjitha vlerësimeve të mësipërme: pra Kuvendi pa legjitimitet, pa moral dhe komisionin hetimor i lamtumirës tërësisht jashtë kohe ndërmarrin për herë të dytë një përpjekje për shkarkimin e Presidentit të Republikës Meta, së pari, për të zhvendosur sa më shumë që të jetë e mundur vëmendjen e opinionit politik, publik e mediatik, kombëtar dhe ndërkombëtar rreth problematikave serioze të zgjedhjeve të 25 prillit 2021 dhe, së dyti, për të bërë përpjekjen e fundit për kapjen e të vetmit institucion shtetëror që ka mbetur rezistent kundër regjimit hibrid që është ngritur në Shqipëri mbas zgjedhjeve të 2017 dhe atyre vendore të vitit 2019.
- Kuvend i përdorur, i shpërdorur dhe i abuzuar
Kuvendi në ikje do mbahet mënd në historinë e pluralizmit shqiptar si një prej institucioneve më të dështuara. Ai nuk ka kryer funksionet themelore të tij që janë pavarësia, legjitimiteti, llogaridhënia e gjithëpërfshirja. Ky kuvend në ikje ka qënë një partiak, ka qënë nën kontrollin absolut të ekzekutivit dhe është përdorur, shpërdorur dhe abuzuar thellësisht politikisht sa dhe si e ka dashur Kryeministri i vëndit.
Ky Kuvend në ikje e nisi me inkriminim të madh dhe përfundoi me sharlatanizëm akoma më të madh. U miratuan dhjetra ligje, vendime e buxhete të paqëndrueshme, një pjesë u hodhën poshtë nga presioni kombëtar dhe ndërkombëtar, shumë të tjerë i rrëzoi koha deri tek të fundit të rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese.
Ky kuvend në ikje miratoi buxhete të dështuara, PPP, Koncesione, projekte e marrëveshje pa kurrëfarë transparence publike dhe kështu me hije të shumta dyshimesh dhe abuzimesh financiare. Ky kuvend në ikje nuk dëgjoi asnjëherë institucionin e lartë të auditimit shtetëror për qindra miliona euro shpërdorime të financave publike nga ekzekutivi. Ky kuvend u bë mashë qorre e pëpjekjeve të ekzekutivit për të shtrirë duart edhe mbi pushtetet e tjera, duke futur nën këmbë pushtetin vendor dhe duke u përpjekur me turlilloj marifetesh për të shtënë nën pushtet edhe sistemin e drejtësisë. Me pak fjalë ky Kuvend në ikje nuk ishte gjë tjetër, vecse vazhdimi partiak sipas modeleve që shqiptarët kanë lënë pas në vitet 90’të.
Një Kuvend i tillë në ditët e fundit të ekzistencës së vet po zhytet akoma më thellë në batakun politik të përdorimit, shpërdorimit dhe abuzimit të tij nga ekzekutivi, lidershipi partiak dhe kreu u Qeverisë. Nga ‘barku’ i këtij Kuvendi doli një komision hetimor hibrid, i lodhur, i dërmuar nën drejtimin e një kryetari që mbeti jashtë listës Rama 3 dhe që po i bën më shumë hysmetin vetes sesa Kuvendit. Është thjeshtë komisioni i lamtumirës. Dhe gjithka po rrjedh jashtë kohës. Kuvendi në ikje dhe komisioni hetimor i lamtumirës po përpiqen në minutat e fundit të ekzistencës ose, më saktë, të mos ekzistencës së tyre, t’i vënë njollën më të madhe të turpit dhe të dështimit veprimtarisë së vet.
- Presidenti Meta-Asnjë akt dhe dekret antikushtetues
Kuvendi në ikje dhe komisioni i pamoralshëm dhe i dështuar hetimor i lamtumirës në gjithë daljet e tyre publike po rreken në mënyrë groteskte të paraqesin si ‘fakte’ dhe si ‘prova’ për antikushtetushmëri të Presidentit Meta disa deklarata publike të bëra nga ky i fundit gjatë fushatës elektorale të 25 prillit 2021. Në asnjë nen të Kushtetutës së Shqipërisë Presidenti nuk ndalohet për të shfaqur mendimet e opinionet e veta politike për zhvillimet në vënd. Në mënyrë të vecantë në situata të komplikuara sic ishin ato të zgjedhjeve të prillit 2021, Presidenti në gjithë daljet e tij publike ka shpalosur shqetësimin e tij vetëm e vetëm për garantimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme si rruga e vetme për hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE.
Asgjë më shumë dhe asgjë më pak Presidenti nuk ka bërë. Madje edhe përdorimi i metaforave ’cfurqe”, ‘sëpata’ dhe ‘hanxharë’ ka pasur vetëm e vetëm kuptim tërësisht pezhorativ me qëllim sensibilizimin e opinionit publik shqiptar për pjesëmarrje në votime dhe për mbrojtjen e votës. Stili metaforik dhe ngjyresat pezhorative, që i ka kaq për zemër edhe Kryeministri i timonit dhe tepsisë, të përdorura nga Presidenti Meta nuk janë akte dhe veprime konkrete të ndërmarra nga Ai.
Metaforat dhe pezhorativizmat e përdorura nga Presidenti Meta janë stilistë e tij personale vetëm e vetëm në kuadër të retorikës gjatë fushatës zgjedhore. Metaforat dhe pezhoristika e Presidentit Meta nuk bartin asnjë akt e veprim konkret antikushtetues, por vetëm lirinë e shprehjes së tij me qëllimin madhor për zgjedhje të lira e të ndershme, për tërheqjen masive në zgjedhje dhe për mbrojtjen e votës nga vetë qytetarët. Zgjedhjet e lira e të ndershme, votimi masiv dhe mbrojtja e votës kanë qënë qëllimi i Presidentit Meta, ndërsa metaforat dhe pezhorativizmat kanë qënë mjetet gjuhësore për arritjen e qëllimit. Asgjë anikushtetuese nuk ka këtu.
Një prej funksioneve themelore të Presidentit të Republikës në Shqipëri është komptenca e Tij ligjvënëse për dekrete ligjore. Presidenti Meta ka qënë tejet aktiv në dekretimet e tij gjatë tërë kohës. Dekretet e tij janë bazuar në Kushtetutën e ligjet themelore të vëndit. Natyrisht në kushtet e mungesës së Gjykatës Kushtetuese për afro tre vjet, dekretet e Presidentit shpesh herë janë hedhur poshtë nga Kuvendi në ikje dhe janë injoruar nga ekzekutivi, madje edhe duke mos i botuar në Fletorën Zyrtare.
Përplasja President-Kuvend-Qeveri ka shoqëruar gjatë edhe procesin e reformës në drejtësi, përplasje e cila është bërë objekt gjykimi në opinione të Komisionit të Venecias, i cili dukshëm ka mbështetur në sugjerimet e tij qëndrimet e Presidentit Meta. Pra politikat dekretive ligjore të Presidentit Meta kanë qënë dhe janë tërësisht kushtetuese dhe ligjore. Asnjë dekret dhe akt juridik antikushtetues nuk ka firmosur Presidenti Meta gjatë ushtrimit të detyrës së tij edhe përgjatë fushatës zgjedhore të Prillit 2021.
Pra, Kuvendi në ikje dhe komisioni hetimor i lamtumirës nuk mund të gjejnë asnjë akt, veprim, dekret apo ligj të Presidentit Meta, si provë faktike e konkrete antikushtetuese të Tij. Kuvendi në ikje dhe komisioni hetimor jashtë kohe duan të rreken rreth retorikës metaforike dhe pezhorative të lirisë politike të shprehjes së Presidentit të Republikës. Po qe për gjykimin e metaforave dhe stilit pezhorativ të retorikës politike në Shqipëri, Kuvendi në ikje dhe shumë komisione hetimore duhej të ngriheshin në Shqipëri për Kryeministrin e ‘timonit e tepsisë’, që i ka aq shumë për zemër metaforat dhe stilin pezhorativ në retorikën e Tij dhe që e ka futur Shqipërinë në rrugën e një regjimi hibrid.
*Prof.Dr. Lisen BASHKURTI, Ambasador, Dr. Profesor i Asociuar, Publicist i spikatur, dhe anëtar i Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë.