Nga Ardit Gjinali
Gazi lotsjellës është kthyer në një aperitiv helmues që serviret nga shërbëtorët e përdorur keqas të keqqeverisjes ndaj qytetarëve protestues; kjo sjellje nuk është aspak një risi e zezë e hasur në këtë stinë protestash të këtij Dhjetori të trishtë. Gazi lotsjellës ka qenë bashkëshoqëruesi i protestave të vitit të shkuar të ndërmarra nga opozita e bashkuar dhe i secilës protestë qytetare apo aksioni paligjshmërie të shtet-pushtetit kundrejt qytetarëve dhe interesit publik, gjithashtu.
Vala e protestave në rrugët e Tiranës dhe të qyteteve të tjera të Shqipërisë janë treguesi i pikës që po derdhet, i zullumit të tepruar qeverisës, i durimit qytetar që ka tejkaluar kufijtë e kalitjes, i intelektualëve që nuk pranojnë të fyhet inteligjenca e tyre nga gënjeshtrat “ditën për diell”, i publikut qytetar që ndjen të përplasur në fytyrë pabarazinë dhe diskriminimin në secilën ditë të trishtë të së përditshmes që po kthehet në makthin e një jete që po behet e pamundur, i të rinjve që nuk pranojnë tu mvishet një realitet i gënjeshtërt që serviret plot shkëlqim nga makineria e propagandës qeverisëse, e tilla që funksionon mbi përdorimin e parasë publike për të hedhur hi syve publikut dhe duke cënuar interesin publik përmes hymnizimit të keqqeverisjes; -shfaqja e propagandës fiton neverinë qytetare prej përmbajtjes së munguar dhe recitimit të aktorëve bajatë qeverisës që servirin filmin e njëjtë me metrazh të shkurtër , i tilli që është njëjtë i shkurtër me këmbët e shkurtra të gënjeshtrës qeverisëse;- kur dallgët e neverisë shndërrohen në një uragan qytetar, gazi lotsjellës është instrumenti i përdorur nga keqqeverisja për të shuar, zbehur dhe ndaluar reagimin kombëtar të të rinjve kundër keqqeverisjes.
Të rinjtë nuk përloten prej gazit lotsjellës të hedhur me tepri nga qeverisja e turpit; loti i të rinjve është pamundësia për një jetë normale në vendin e tyre; loti i tyre është pamundësia e një punësimi normal dhe zhvillimi pozitiv profesional; loti i tyre është përpjekja sizifiane e prindërve të tyre biologjikë që nuk arrijnë të përmbushin pritshmëritë e tyre minimale; loti i tyre është përjetimi i arrogancës së sejmenëve të pushtetit që i trajtojnë qytetet si feude dhe qytetarët si numërorë statistikorë që frymojnë; loti i tyre është për një shtet dhe trupë qeverisëse që nuk evokon drejtësi shoqërore, por inkurajon pabarazinë përmes propagandës së drejtësisë; loti i tyre është zëri i padëgjuar që kumbon nga thellësia e një shpirti të drobitur nga enumeracioni i pamundësive; loti i tyre është shndërrimi dhe transformimi i qyteteve ku janë lindur, rritur dhe jetojnë në fjetina urbane; loti i tyre është shfaqja e shëmtuar e shpenzimeve shtetërore të luksit që fillojnë me luksin e zyrave që ekzekutojnë padrejtësinë shtetërore vijon me kërpudhën që parathotë helmin e keqqeverisjes dhe përfundon tek bredhi festiv i talljes me qytetarët, të tillëve që nuk u ofrohet as transparenca për jetën.
Shqipëria ka nevojë për një ndryshim rrënjësor dhe mentalitet të ri qeverisës, i tilli që do të shënonte fundin e errësirës shoqërore që shkaktohet nga aliazhi i korrupsionit, dhunimit të të drejtave dhe lirive individuale, shoqërore dhe ekonomike, gjithashtu. Zhvillimet e këtyre ditëve janë treguesi i nevojës së një bashkimi të madh për ditë më të mira që do të sillnin një qeverisje normale dhe një Kryeministër normal, gjithashtu. 25 Prilli është zgjidhja politike dhe përgjigja për shumëçka nga pamundësitë që do të bëhen të mundura për shkak të një vullneti pozitiv politik për të qeverisur dhe jo për të sunduar.
Koha për një bashkim të madh dhe për një shpresë të re është tani! Bashkë sepse ka ende shpresë…
© Argumentum