Vllado Vurushiç-[i]
Mali i Zi, ndoshta me 26 tetor, katër muaj pas zgjedhjeve dhe pas shumë oshilacionesh, grindjesh në radhët e taborit fitimtar, tensionesh mes kryetarit të shtetit Jakov Millatoviç dhe të mandatarit Millojko Spajiç (Millatoviçi, deri tani ka arritur fitore ndaj Spajiçit megjithëse mbetet në pikëpyetje sesa të vështirë e kishte) si dhe një sërë kalkulimesh politiko-ideologjike, duhet të ketë qeveri të re dhe kjo deri diku me një përbërje befasuese.
Është arritur marrëveshja sipas së cilës qeveria do të jetë qeveri e pakicës, por me mbështetjen e radikalëve proiserbë dhe prorusë nga radhët e koalicionit “Për të ardhmen e Malit të Zi”, kryetari i të cilit, çetniku Andrija Mandiç, do të bëhet, sipas marrëveshjes, shef i Parlamentit, dhe pastaj pas rikonstruksionit të qeverisë, i cili parashikohet të bëhet pas një viti, ky koalicion do të marrë katër ministri në të cilat njerëzit e tij që tani do të jenë sekretarë shteti.
Por, megjithëse dukej se, për shkak të pjesëmarrjes së obsionit proserb dhe prorus në qeveri, pakicat kombëtare nuk do të bëheshin pjesë e qeverisë, ndodhi njëfarë përmbysje – Forumi shqiptar (në të cilin bëjnë pjesë dy parti me bazë etnike shqiptare) pranoi të jetë pjesë e qeverisë edhe të kësaj qeverie të ardhshme, ndërsa boshnjakët dhe kroatët braktisën bisedimet dhe kaluan në opozitë sëbashku me partitë e tjera pro malazeze.
Hyrja e shqiptarëve në qeveri sëbashku me partinë që është për tërheqjen e njohjes së Kosovës, mohon genocidin në Srebrenicë, kërkon daljen nga NATO-ja, dhe heqjen e sanksioneve që i janë vënë Rusisë për shkak të agresionit në Ukrainë, ka shkaktuar pështjellim në skenën politike malazeze, saqë disa mendojnë se kjo qeveri do të jetë vazhdimisht buzë shpërbërjes, ndërsa hyrja e shqiptarëve në të i jep njëfarë mbulese Millatoviçit dhe Spajiçit para Uashingtonit dhe Brukselit, të cilët kanë shprehur haptazi pakënaqësinë e tyre për shkak të faktit se nacionalistët antieuropianë dhe serbo-prorusë janë pjesë e saj.
Një nga Liderët e partive shqiptare Nik Gjeloshaj është shprehur se vendimi për hyrjen në qeveri “është lehtësuar nga shpirti demokratik dhe properëndimor i të mandatuarit Spajiç”. Por, puna është sesi do të funksiojë kjo qeveri sidomos pas një viti kur këta elementë edhe formalisht do të jenë ministra në qeveri, dhe një prej posteve më të diskutueshme është ai i ministrit të të arsimit, gjë e cila te qytetarët e përcaktuar si malazezë ka shkaktuar njëfarë paniku të lehtë. Por, sëpaku para opinionit publik, sa atij vendor, sa atij botëror, në radhë të parë atij perëndimor, nënshkruesit e marrëveshjes kanë marrë detyrimin që orientimi properëndimor i qeverisë do të bazohet në përkushtimin e plotë të integrimit dhe përshpejtimin e procesit të antarësimit në BE, antarësimin në NATO, i cili nuk duhet diskutuar, dhe zhvillimin e bashkëpunimit miqësor me të gjithë shtetet e njohura nga ana e Malit të Zi, gjë që supozon edhe Kosovën, dhe se nuk do të kundërshtojnë sanksionet ndaj Rusisë për shkak të agresionit kundër Ukrainës.
Megjithësë në politikë gjithçka është e mundur, puna është sesi do të harmonizohen të gjithë ata që mohojnë, me ata që i mbështesin!? Sepse, dikush duhet të bëjë lëshim këtu – ose konservatorët nga radhët e kolaicionit “Për të ardhmen e Malit të Zi” do të heqin dorë nga matrica e tyre ideologjiko-politike ose përfaqësuesit shqiptarë do të heqin dorë nga përcaktimet e tyre proeuropiane. Ose, sikur mendojnë shumë veta, shumë shpejt ka për të ndodhur kriza e qeverisë, me vijim e shpërbërjes së koalicionin qeverisës Lëvizja “Europa tani” në një kohë që konfliktet e brendshme gati sa nuk kanë shpërhtyer.
Duhet të themi se në opozitë do të jetë edhe partia Ura e kryeministrit në largim e sipër Dritan Abazoviç, e cila mund të shërbejë si rezervë në rast se shqiptarët do të jenë të padëgjueshëm, si dhe obsionet promalazeze si PDS e ish presidenti Millo Gjukanoviç, socialdemokratët dhe liberalët si dhe partitë e pakicave kombëtare të boshnjakëve dhe kroatëve. Shumë veta mendojnë se është duke u kryer “bjellorusizimi” i Malit të Zi, se vendi do të shndërrohet në “bjellosrpska Gora”, pra do të venitet identiteti i saj kombëtar dhe shtetformues.
Anketimi i kryer gjoja nga Qendra për arsimin qytetrar mbi qëndrimet e qytetarëve, i cili tregon, sikurse shprehet drejtoresha e qendrës Daliborka Uljareviç, se “në qeverinë e ardhshme do të dominojnë pasuesit e mosnjohjes së pavarësisë së Kosovës, të cilët janë në anën e Rusisë në luftën e saj kundër Ukrainës dhe i kundërvihen sanksioneve ndaj Moskës”. Kështu, përshembull, madje 96 përqind e votuesve të koalicionit “Për të ardhmen e Malit të Zi” kundërshtojnë njohjen e Kosovës, 87 përqind mohojnë genocidin në Srebrenicë, rreth 76 përqind syresh mbështet Rusinë në luftën kundër Ukrainës dhe nuk mbështet sanksionet.
Madje edhe 55 përaind e koalicionit “Europa tani” të presidentit Millatoviç dhe të pothuajse kryeministrit të ardhshëm Spajiç, janë për tërheqjen e njohjes së Kosovës, heqjen e sanksioneve kundër Rusisë dhe kundër Deklaratës për genocidin në Srebrenicë. Për këtë me arësye shtrohet pyetja – si do të realizojë një politikë proeuropiane kjo qeveri dhe do të mbahet fort në parimet e e saj politike që ka shpallur Presidenti Jakov Millatoviç në intervistat e tij në mediat e huaja, nëse, sikurse duket qartë si më sipër, edhe vetë, njëlloj si edhe zgjedhëssit e tij, i kundërshton të gjitha dhe më së paku heziton në lidhje me këto çështje. Dikush këtu e ka mizën nën kësulë.
Por, sikur të mos mjaftonte ky problem – në Mal të Zi me 1 nëntor duhej të “startojë” rregjistrimi i popullsisë që është shtyrë dy herë dhe që shfaqet si vendimtar (do të realizohet deri me 11 nëntor). Shumë toksik në këto kushte të Malit të Zi, rregjistrimi është problem ideologjik dhe politik dhe jo më statistikor. Në opinionin publik promalazez janë shfaqur thirrje për bojkotim të rregjistrimit, i cili, sikurse shprehen, është përgatitur dhe stisur (rezultatet ka kohë që janë vënë në zarf) në Beograd dhe me mbështetjen e Kishës ortodokse serbe, ose mitropolia malazeze e Malit të Zi dhe Bregdetit, sepse janë të gjitha gjasat që të dalë se në Mal të Zi ka më shumë serbë se malazezë.
Para pak kohësh edhe Patriarku i Kishës ortodokse serbe Porfirije në Mal të Zi deklaroi se “Podgorica është djepi jonë” (a nuk qënka më Kosova?). Edhe deputetët e parlamentit europian kanë miratuar Rezolutën për Malin e Zi në të cilën propozojnë shtyrjen e “e rregjistrimit të vonuar kaherë të popullsisë dhe banesave dhe ai të realizohet në përputhje me standartet ndërkombëtare të BE-së me të përfunduar frenimi politik në vend”.
Por ekziston frika se rregjistrimi mund të shkaktojë më shumë së grindje dhe konflikte politike. Kësisoj, Mali i Zi po hyn në një fazë të zhdukjes së tij si komb dhe shtet i pavarur. Sikurse flitej në kohën e pandemisë- dy javët e ardhshme janë kyçe.
*Përktheu për Argumentum Xhelal FEJZA
[i] https://www.jutarnji.hr/vijesti/svijet/albanci-sve-sokirali-crna-gora-dobiva-novu-vladu-hoce-li-opstati-kao-drzava-i-nacija-15387218