Boshko Jakshiç[i]
Studentët po protestojnë kundër një qeverie të tjetërsuar dhe të korruptuar, kundër kultit të personalitetit, institucioneve të nënshtruara dhe gjyqësorit të pushtuar. Kjo është arsyeja pse maratonistët u mirëpritën si çlirimtarë përgjatë gjithë rrugës.
Nuk mund t’i zgjidhim problemet duke u mbështetur në të njëjtën mënyrë të menduari me atë që i kemi krijuar ato, ka thënë Albert Ajnshtajni, por pushteti serb nuk po e kupton këtë mesazh e vazhdon të përdorë të njëjtët instrumente që çuan në kryengritjen studentore e më pas në atë mbarëpopullore. Energjia e bllokadave, e cila si një orë e madhe me zile, zgjoi Serbinë e përgjumur dhe tërhoqi si magnet me mijëra qytetarë që rrëzuan barrierat e frikës të gatshëm që me pauza në jetën e tyre të përditëshme të kontribuojnë në realizimin e një qëllimi të lartë dhe të drejtë: shoqërinë e vlerave, të së vërtetës, dijeve dhe përgjegjësive.
Marshimi i madh i studentëve nga Beogradi deri në Novi Sad ishte ngjarje epike e katarsisit kolektiv moto e të cilit mund të ishte i njëjtë me atë të kohës së revolucionit francez të vitit 1789: Liri, barazi, vëllazërim. Me ecje të shpejtë ata pushtuan kilometrat e rrugës së vjetër dhe e detyruan Frushka Gorën që t’u bashkohet në Novi Sad bashkëluftëtarëve të cilët bllokuan tri urat mbi lumin Danub në ditën që përkujtohej tremujori i tragjedisë në stacionin hekurudhor dhe vrasja e 15 njerëzve të pafajshëm.
Studentët protestojnë kundër pushtetit të tjëtërsuardhe të korruptuar, kundër kultit të personalitetit, institucioneve të nënshkruara, drejtësisë së pushtuar. Për këtë, gjatë gjithë gjatësisë së rrugës, maratonistët u pritën si çlirimtarë. Çfarë shkëmbim energjie – për shock-un e pushtetit në vendet që deri dje ishin bastione të Partisë përparimtare në pushtet. I mbushën bateritë popullit pa qënë nevoja të gërmohet asnjë gram lijtum (aluzion për demostratat e para pesë muajve kundër nxjerrjes së litjumit në Serbi. Shën. i përkth). U nisën si studentë nga Beogradi dhe në Athinën serbe (sikurse është quajtur Novi Sadi në historiografinë serbe. Shën. i përkth.) arritën si nobelistë të nominuar. Nëse ka drejtësi, duhet t’a fitojnë edhe këtë çmim.
Bllokadat, shetitjet protestuese dhe Marshi i Madh janë shprehje e patriotizmit të shëndetshëm dhe bashkimit sikurse është parë edhe në të shkuarën. Në kolona bëjnë pjesë të rinj flokëgjatë dhe majtistë me kapele të tipit shajkaça. Besimtarët janë besimtarë dhe jo shtetas të Kishës. Kënduan himnin e shtetit dhe të Shën Savës. U’a mbyllën gojën atyre që i shpallnin si tradhëtarë. Janë shumë të vetëdijshëm nga ana kombëtare, por nuk e kanë atë shovinzimin e gjeneratave paraardhëse. Si të tillë janë të njohur në tërë rajonin.
Studentët ngritën në këmbë emotivisht Serbinë. Në mënyrë të pabesueshme shpejt shpërbënë një sistem të shpërfytyruar. Nëse nuk përmbushet kërkesa – që të zbulohen mekanizmat e korrupsionit që po gërryen vendin – rregjimi kërcënohet të zhduket në këtë kohë emocionesh luftarake. Vetë është përgjegjës për fatin e tij.
“Mjaft me heshtjen“ është mesazhi që i adresohet pushtetit të cilin ai nuk dëshiron t’a dëgjojë, mesazh i cili ka depërtuar deri në zemrat e njerëzve që kanë marrë vesh se është duke u zhvilluar një luftë e përbashkët për drejtësinë dhe të vërtetën, për moralin dhe përgjegjësinë. Në vend që të analizojë sesi ka kontribuar vetë në këtë pakënaqësi masive, Partia përparimtare serbe zgjedh rrugën e konfrontimit. U bëhet presion profesorëve dhe prindërve që t’i ndajnë nga të rinjtë. Ka nisur një ofensivë e re bot-esh. Radio Televizioni i Serbisë akuzohet për “informim skandaloz“ nga grumbullimi në Novi Sad i cili “gënjen opinionin publik në mënyrë të padëgjuar“. Janë të sëmurë nga maksimalizmi dhe kërkesa për dëgjueshmëri absolute. Të gjithë mediat janë nën të njëjtin kontroll. Nëse pushteti mendon se totalitarizmi agresiv ka për t’a zgjdhur kirzën, atëherë gabon në mënyrë katastrofale dhe i’a shkruan vetes dënimin.
Presidenti ndoshta e kujton atë fjanë e urtë serbe: “Ne daj bozhe da se Srbi slozhe, a kad se slozhe, onda pomoz’ bozhe“ (Mos e dhëntë Zoti që serbët të bashkohen, dhe nëse bashkohen, atëherë Zot ndihmë). Ai përsërit se ka pas vetes shumicën. Ndoshta, por nuk është punë numuri zgjedhësish kjo. Është ngjarje popullore. A e sheh presidenti këtë? A dëshiron edhe në të ardhmen të jetë president nëse nuk arrin të përmbushë një prej funksioneve të tij qendrore: tërësinë e shtetit sëbashku me të gjithë dallimet? Presidenti vazhdon të përsëritë të njëjtën mantra sipas së cilës dikush nga jashtë dëshiron të shkatërrojë Serbinë. Nuk e kupton se duke thënë kështu u ngre lapidar të huajve sepse del se ata na qënkan në gjendje të nxisin masën e të rinjve dhe të tjerëve që i ndjekin. Nuk është pakënaqësia mall eksporti, është prodhim Made in Serbia. Përpjekja për të vjedhur autenticitetin e lëvizjes studentore është fyese.
Duke folur në Trstenik, presidenti tha se nuk do të lejojë as qeveri të përkohëshme dhe aq qeveri ekspertësh, por qeveria e re do të jetë vetëm serbe e cila nuk ka për të qënë shërbërore e askujt. “Unë t’u jap qeveri ekspertësh… që disa hajdutë të drejtojnë Serbinë pa zgjedhje dhe pa vullnetin e popullit“. Harron se qeveria serbe duhet të jetë shërbëtore – e popullit të saj. Ndërsa populli në mënyrë gjithnjë e më masive i jep mesazhin se është i pakënaqur, madje edhe i zemëruar.
Na thotë presidenti se vullneti i popullit verifikohet në zgjedhje. Kush e kundërshton këtë? Studentët nuk kërkojnë ndryshim të pushtetit, nuk duan angazhime politike, por pas tyre kërkesa për normalitet sjell pritmërinë për zgjedhje të lira e të ndershme. Përse presidenti nuk premton? Përse përmend demokracinë, ndërsa forcon autokracinë politike dhe të biznesit si dhe kleptokracinë? Përsërit presidenti një e dy se është i gatshëm të bisedojë me të gjithë për të mandatuarin e ri, madje edhe për atë për të cilin mendon “gjithë të këqijat“. Kjo është detyra e tij dhe jo vullneti i mirë. Studentët vazhdojnë t’a injorojnë. Presidenti pohon se i ka përmbushur kërkesat e tyre, se u ka paguar bursat, e menjëherë më pas përpiqet të imponojë teorinë e “komplotit nga jashtë“ i cili po e “kthen Serbinë prapa”.
Të rinjtë nuk po e sulmojnë Serbinë. Përkundrazi, po përpiqen t’a mbrojnë. Studentët nuk shkatërrojnë, por duan të ndërtojnë vendin të cilin ky pushtet nuk e dëshiron. Ky është thelbi i konfliktit sipas të cilit këto protesta ndryshojnë në mënyrë cilësore me ato të 5 tetorit 2000. Atëherë rrëzohej pushteti, e tani të rinjtë, me një dozë të theksuar patriotizimi fisnik, përpiqen të ndërtojnë sistemin.
Ka kohë që studentët kanë deklaruar se me presidentin nuk kanë asgjë për të biseduar sepse kërkesat e tyre janë jashtë kompetencave të tij kushtetuese. Përse dëshiron të ulet përballë me ata kur manifestimet e tyre dinjitoze i përshkruan si “atmosferë pazari”? Sa e nervozojnë seriozisht njerëzit Kryetaren e parlamentit kur në një deklarim publik tha me vërbëri se “ne nuk kemi krizë politike” dhe se e “vetmja krizë që ekziston është kriza e opozitës”.
Dëshira e presidentit për fuqi përpiqet të mbytë kërkesat për drejtësi, por po tregohet se rruga është me e mençur se pushteti i cili me lëvizje irrituese gjithnjë e më shumë po zhytet akoma më thellë dhe po e dënon vetveten me rënie. Pushteti po përpiqet të organizojë njëfarë dialogu të imponuar, sikur ka pas qënë asokohe ai për Kosovën, por nuk po i ecën, madje as në Çiçevac.
Presidenti thirri për bisedime kolegjumin e rektorëve të Universitetit të Beogradit, por jo të atyre të Novi Sadit dhe të Nishit, në një përpjekje më se të dukshme që të fusë ndasi dhe t’a marrë mbi vete drejtimin e dialogut. Përgjgija që mori ndoshta e ka nevrikosur akoma më shumë: nuk ka nevojë për dialog në të cilin do të merrnin pjesë vetëm dy palë të cilat nuk kanë mandat për të diskutuar mbi kërkesat dhe se këto kërkesa nuk u janë drejtuar atyre.
Nuk ekziston besimi? Si na është puna që prokuroria në Novi Sad, pas tre muaj hetimesh rreth korrupsionit, argumenton se kjo është bërë “si pasojë e interesimit të madh të publikut”! Kush është ulur në karriket e asaj prokurorie që të shkruajë kësi frazash imbecile dhe shpjegime farsisoide?
Pushteti nuk ka gatiuëshmëri të zbulojë korrupsionin dhe të gjithë ata që janë të përfshirë në të. Të gjitha bllokadat e deritanishme të hetimeve kanë patur si qëllim ekskluziv të pengojnë ngritjen deri në kreun e piramidës. Për këtë kërkesa kryesore e studentëve nuk është përmbushur. Tre muaj ishin më të të mjaftueshëm që të nxirreshin disa konkluzione. Fenomeni i studnetëve, i cili në mënyrë ngjitëse – për krenarinë tonë – po përhapet në tërë rajonin por edhe botën, është më shumë se inkurajues dhe nxitës. Të rinjtë në një shoqëri që ishte buzë apatisë kolektive po përhapin energji pozitive. Ndërsa po i çjerrin maskën sistemit të ngurrtësuar, janë të çliruar nga autoriteti. Ajo që është frika jonë, është forca e tyre.
Të rinjtë, me dashuri dhe solidaritet, po përpiqen të pastrojnë botën që e kemi ndotur ne. E kemi detyrim t’i mbështetim, të pastrojmë ndërgjegjen tonë dhe t’u mundësojmë atyre të jetojnë në një shoqëri të cilën neve e kemi pas ëndërruar, por nuk patëm kurajon dhe as vullnetin për t’a bërë.
Pushteti kishte mjaft kohë që të tregonte se ekziston shteti dhe ligji. I humbi të gjitha shanset me kokëfortësi. Nëse nuk e kupton thelbin e kërkesave studentore, do të thotë se nuk është pjekur për kohën dhe sfidat me të cilat po përballet. E njëjta gjë vlen edhe për opozitën e cila ka shumë gjëra për të mësuar nga e gjitha kjo për shembullin e unitetit i cili u zgjua në këtë shoqëri të ndryshkur.
Studentët i befasuan të gjithë. Neve na mbetet t’i përgjigjemi pyetjes së dhimbshme: si erdhi puna që jetuam me dhjetëvjeçarë të tërë dhe nuk u përpoqëm t’i njihnim të rinjtë që kemi përreth? Përse pranuam kaq gjatë te jemi pengje e vjen puna tani që studnetët t’i presim si çlirimtarë? Kemi pritur me dakada, të mos lejojmë që nëpërmjet presioneve nga nëntoka t’i shpërndajnë ndërsa të gjithë neve po na bëjnë zbor.
/Përktheu për Argumentum Xhelal FEJZA
[i] https://www.oslobodjenje.ba/dosjei/kolumne/velicanstveni-veliki-mars-1018636/