Editorial
Pandemia Covid-19 që në krye të heres u trajtua si gjendje lufte. Luftë me armikun e padukshëm. Por sot 1 vit nga shpallja e pandemisë Covid-19, jemi njohur mjaftueshëm me armikun, madje duket se është gjetur dhe “arma” për luftimin e tij.
Vaksina kundër Covid-19.
E megjithatë edhe kjo arritje e shkencës për gjetjen e Vaksinës po shoqërohet me rivalitet gjeopolitik ndërmjet shteteve më të mëdha në botë, Amerika, Rusia, Kina .
Le të jemi të qarte kjo nuk është Lufta e Tretë Botërore, ndaj me të drejtë Presidenti serb Aleksandër Vuçiç i ftuar në “ Prva TV ” do deklaronte se: “Sot, është më e vështirë të marrësh një vaksinë sesa një armë bërthamore”.
“Jam krenar që kemi shpëtuar mijëra jetë me politika të zgjuara. Jam i shqetësuar dhe nuk e fsheh, është shumë e rëndësishme se çfarë mund të presim. Në ditët e sotme marrja e një vaksine është më e vështirë se marrja e armëve bërthamore”
Presidenti Serb vertet duket se ka ndjekur politika të zgjuara, madje aq të zgjuara dhe efikase sa është e para në rajon sa i përket vaksinimit të popullatës.
Serbia vetëm një javë më parë mori 1 milion doza të vaksinës Sinopharm kundër koronavirusit të zhvilluar në Kinë.
Presidenti serb Aleksandar Vuçiç së bashku me Ministrin e Shëndetësisë Zlatibor Loncar dhe Ambasadorin Kinez në Serbi Chen Bo morën dërgesën në Aeroportin Nikola Tesla të Shtunën në mëngjes. Ai falënderoi Presidentin kinez Xi Jinping dhe ambasadorin kinez për mbërritjen e dërgesës së vaksinës.
“Me këto doza, ne do të vaksinojmë 500,000 njerëz që është një hap i madh përpara,” tha Vuçiç.
Ndërkohë sot më, 26 Janar Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, njoftoi se një kontigjent tjetër prej 10.000 vaksinash të reja kundër koronavirusit arriti në Serbi këtë mëngjes.
Megjithate Vuçiç tha se 19,500 doza të tjera vaksine të zhvilluara nga Pfizer / BioNTech do të mbërrijnë të hënën, ndërsa 250,000 doza të tjera të vaksinës Sputnik V të Rusisë do të mbërrijnë të martën.
Dhe ja ku jemi, sot ditë e marte 26.01.2021, Vuçiç informon se nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale heret në mëngjes njoftoi se kanë mbërritur 10,000 vaksina të reja në Beograd.
“Shumë takime, shumë biseda të vështira. Bota është si Titaniku sot, të pasurit u përpoqën të siguronin varka shpëtimi vetëm për veten e tyre dhe të na linin ne, të gjithë të tjerët pa asgjë, të zhyteshim së bashku me Titanikun,” ai tha.
E pra lideri serb megjithëse “pasagjer i Titanikut”, duket se ka arritur të siguroje jo vetëm një varke, por disa varka shpëtimi për popullin serb. Një strategji që shkon përtej gjeopolitikës .
Strategji e cila për fat të keq nuk është ndjekur nga shtetet e tjera të Ballkanit përfshirë këtu edhe Shqipërinë.
Tashmë është e qartë, sot jo vetëm Ballkani, por dhe Europa është në krize për vaksinimin e popullatës. Janë qindra kontrata në pritje me kompanitë e BioNTech/Pfizer, AstraZeneca, por të dyja këto kompani kanë deklaruar se do ketë vonesa për shkak të problemeve me kapacitetin prodhues.
Europa është në pritje me qendrat e vaksinimit të cilat janë bosh. Në pritje është edhe Shqipëria.
Nën moton “Shqipëria Buzëqesh”, më 11 Janar filloi fushata e vaksinimit , sikundër ishte bëre e ditur nga Kryeminisri Rama në ditën e parë të këtij viti me lajmin e mirë se kishte arritur marrëveshjen për blerjen e 500 mijë vaksinave nga Pfizer.
Ndërkohë që sipas marrëveshjes në javen e tretë të Janarit pritej ardhja e një sasie të vaksinës nga kompania Pfizer. Sot jemi në javen e fundit të Janarit dhe ende pa vaksina. Vete Kryeministri Rama tha sot se qeveria shqiptare është duke biseduar me kompaninë AstraZeneca dhe së shpejti do jepet edhe lajmi për realizimin e një kontrate, kësaj here pa përcaktuar datë.
Sigurisht nuk mund të fajësohet Kryeministri Rama në lidhje me këtë shtyrje që bën kompania prodhuese pasi siç përmendëm më lart e gjithë Europa është në pritje. Por fajtor mbetet nëse refuzon një plan B apo C për të shpëtuar jetë njerëzish. Sidomos kur shikojmë se disa vende në Europë dhe në Ballkan po zgjedhin edhe alternative të tjera .
Vaksinat nga Kina dhe Rusia janë prezente sot në këto vende. Hungaria ka nënshkruar një marrëveshje me Rusinë për të blerë dy milion doza të vaksinës anti-koronavirus Sputnik-V, duke u bërë vendi i parë i Bashkimit Evropian që merr vaksinën ruse. Budapesti është gjithashtu në negociata edhe me Kinën për të blerë vaksinën e saj Sinopharm.
Po ashtu Turqia, Serbia, Bosnja dhe Hercegovina kanë marrë vaksinën Ruse dhe Kineze.
Duke qëndruar tek politikat e zgjuara të Serbisë, sikundër me të drejtë i thekson Presidenti Vuçiç, shohim se ky vend sot nuk është në krizë për vaksinimin pasi ka arritur të siguroje për qytetarët e saj vaksina nga SHBA-Kina dhe Rusia.
Pra në këtë luftë, ku është më e vështirë të marrësh “një vaksinë sesa një armë bërthamore” , nuk ka kohë për të humbur duke pritur vetëm një kompani, kur ekzistojnë alternativa të tjera që janë aty gati për të na ndihmuar.
Është folur shumë për ofertën që Ambasada ruse i bëri kryeministrit Rama, si mundësi negocimi me kompaninë prodhuese të vaksinës Sputnik V e cila për fat të keq u mor si provokim dhe u refuzua me arrogance por edhe me një besim të verber nga marrëveshja e tij me Kompaninë Pfizer.
Por ende kemi një tjetër alternative. Vaksinën “ Sinopharm”. Në këtë situatë Shqipëria duhet të kërkoje “varken” e shpëtimit edhe në Azi pasi bëhet fjalë për të shpëtuar jetë dhe për t’iu rikthyer normalitetit .
Përkundrejt politikës dhe marrëdhënieve me ulje-ngritje Shqipëri -Serbi, sot është momenti për të ndjekur strategjinë e saj në këtë luftë të pashembullt, e cila rrezikon jetën e secilit prej nesh. Vaksina Made in USA, China apo Russia nuk ka rëndësi, sot me rëndësi është të shpëtohet JETË.
© Argumentum