Zekerijah Smajiç*
Honi i mosbesimit, madje edhe mosrespektimit reciprok, mes liderve të tanishëm të Europës Perëndimore dhe Shteteve të Bashkuara është gjithnjë e më i thellë. Nuk ka tregues më të mirë për këtë pohim sesa mosuniteti i dukshëm e aleatëve të deritanishëm siamezë rreth kuptimit të Rusisë së Putinit.
Ndërsa liderët e Europës Perëndimore, Veriore dhe në një masë të madhe edhe asaj Juglindore, si edhe liderët e institucioneve europiane në Bruksel te Vladimir Putini shohin perandorin neo-sovjetik i cili dëshiron të nënshtrojë Europën, presidentit amerikan Donald Trump po ky “autokrat keqbërës” nuk i duket kështu. Përkundrazi, edhe në fushatën elektorale si dhe në më pak se dy muaj që nga marrja e detyrës së presidentit, shumë herë ka përsëritur se nuk u beson pohimeve europiane mbi sulmin e Rusisë kundër Europës.
Të njëjtën gjë përsëriti edhe të enjten me 13 mars të këtij muaji, kur pyetjes së një gazetari “nëse është e justifikuar frika e europianëve nga Rusia”, i’u përgjigj shkurt: “Jo, kjo nuk do të ndodhë”, dhe pastaj shtoi: “Do të kujdesemi që kjo të mos u ndodhë aleatëve tanë”.
Nëse pra, presidenti i fuqisë më të madhe të botës madje edhe në praninë e Sekretarit të përgjithshëm të aleancës më të fuqishme të botës (NATO), Mark Rute (i cili atë ditë ishte për vizitë zyrtare në Uashington) thotë se Rusia nuk ka synim ta godasë ushtarakisht Europën, është për t’u besuar se presidenti i një superfuqie të këtillë nuk sillet në mënyrë fëminore, por para së gjithash mbështetet në analizat e shërbimeve të tij të informimit besueshmëria dhe mbifuqia e të cilave gjithashtu nuk janë në pikëpyetje.
Nëse, duke mohuar mundësinë e sulmit rus në Europë, presidenti amerikan mbështetet në të dhënat e besueshme të “rrjetës së merimangave” të shërbimeve amerikane të informimit, e duhet të jetë kështu, dhe nëse këto të dhëna informative ndahen sinqerisht mes aleatëve, e natyrisht që ndahen – cili është pra shkaku i mosbesimit mes aleatëve të deridjeshëm të padiskutueshëm brenda të njëjtit qark civilizues? Përfshirë edhe mosunitetin me Rusinë? Ose më mirë të themi: si është e mundur që Europa befasisht nuk i beson kaq shumë Amerikës kur bëhet fjalë për sigurinë e përbashkët? Apo mos është kjo një shfaqje tjetër për masat të cilat sot janë çdo ditë e më të shumta, dhe gjithnjë e më brutale, si puna e asaj tragjedisë diplomatike shekspiriane në Shtëpinë e Bardhë me Trumpin dhe Zelenskin në rolet kryesore.
Disa hipoteza
Duke u përjekur që t’ia zbardh edhe vetes këtë enigmë atipike gjeopolitike në lidhje me theqafjen reale ose të stisur të aleancës euroatlantike (megjithëse nuk është fjala për njëfarë precedenti historik, sepse aleancat bazohen ekskluzivisht në interesa!), imponohen disa hipoteza në vetë shkakësinë e tyre, ose më mirë të themi në kontekstin shkak – pasojë.
E para, hipoteza më e pranueshme për opinionin tonë global është se Europa dhe Amerika në thelb janë në të njëjtin drejtim, por dallojnë në lëvizjet taktike dhe në narrativat para opinionit publik vendor dhe global.
Narrativi i tyre politiko-ditor nuk ndryshon vetëm për nga sintaksa, tonaliteti apo e folmja e trupi. Narrativi europian përpiqet të mbahet në ezopizmin e hekurosur diplomatiko-politik i cili në gjuhën popullore mund të përcaktohet si “rrumbullak por me qoshe”. Dialektika e re retorike trumpiste është egërsisht e ashpër jo vetëm për veshët hipokritë europianë, por edhe për kuazi-demokratët amerikanë dhe ndoshta është për pjesën më të madhe të akademikëve dhe intelektualëve – nga Kroacia në Groenlandë, dhe nga Panamaja dhe Kanada e deri në Ukrainë dhe në Rusi.
Nëse do të pyetesha unë, gjithmonë do të isha për t’i thënë “të bardhës e bardhë e të zezës e zezë”. Kësisoj kortezia e rremë dhe hipokrizia nuk është ajo nga e cila dallohen ata që mendojmë se janë më të këqinjtë në sojin tonë. Në të vërtetë, të tillët në tridhjetë vitet e fundit janë besueshëm më dominantë sepse revolucioni i internetit dhe mediat globale kanë krijuar hapësirë që “hordhitë e idiotëve të na mbysin me mendimet e tyre, gjë që më përpara e kanë bërë në kafene pas një gote me verë dhe pa shkaktuar dëm për tërë shoqërinë…Tani kanë të njëjtat mundësi mediatike si edhe nobelistët, sepse kjo ështe epoka e idiotëve … për të cilët madje nuk është me vend të thuhet se janë budallenj dhe të paarsimuar. Më e pakta që mund të thuhet është se janë të pangarkuar me dijet e duhura” (Umberto Eko, 1932-2016)
Hipoteza e dytë është se Europa dhe Amerika trumpiste në thelb po largohen pikërisht për arësye strategjike (lufta për të njëjtat sfera ndikimi); arësye realpolitike (kërcënime dhe sfida të dnryshme); dhe arësye ideologjike (Europa përpiqet të ruajë pozitën liberale – neokoloniale sipas së cilës emigrantët janë të mirë se ardhur nëse nga ata ka përfitime, ndërsa Amerika trumpiste dëshiron të legjitimohet si vend konservativo-punëtor, vendi gjithëpopullor i të gjithë qytetarëve legalë të cilët nuk duan ta shfrytëzojnë për vete Amerikën, por duan t’a bëjnë përsëri të madhe dhe akoma më të madhe sipas shembullit të parullës së njohur kenediane “mos pyesni çfarë mund të bëjë vendi juaj për ju, por pyesni çfarë mund të bëni ju për vendin tuaj”.
Hipoteza e tretë na shpie drejt konkluzionit potencialisht më të keq dhe më pak të dëshiruar: që nëpërmjet një mosuniteti në dukje, por në të vërtetë nëpërmjet bashkëpunimit të përbashkët europiano-amerikan nëpërmjet forcimit të NATO-s, Europa të ngrihet me shpejtësi nga ana ushtarako-teknologjike nëpërmjet investimeve të saj (Amerika është tashmë superfuqi) në mënyrë që me një lëvizje, sëpaku edhe shumëvjeçare, të vriten dy miza: Amerika pas tetë dhjetëvjeçarësh të heqë qafe investimet përrallore për mbrojtjen e Europës, dhe pastaj, kur të vijë koha, Europa dhe Amerika të dalin përpara makinerisë ushtarake të nxehur ruse. Dhe kjo për çdo rast, qoftë edhe në rastin e vendimit të aleatëve perëndimorë sipas të cilit në të ardhmen të rimerren territoret, tani për tani të territoret e aneksuara dhe, sipas rusëve, territore të patjetërsueshme në Lindje të Ukrainës. Njëlloj si në Luftën e Krimesë në vitet 1853-1856.
Yryshi i Europës për armë
Ndërsa gjithnjë e më shumë vende europiane po rritin investimet si për industrinë vetiake ushtarake ashtu edhe për aftësinë mbrojtëse të NATO-s, Trumpi nuk heq dorë nga kërkesat e tij të formulara që në mandatin e parë se këto ndarje për mbrojtjen, për të gjithë antarët e Aleancës “nevojitet dhe duhet të jenë shumë më të mëdha sesa ato të deritanishmet”. Këtë e përsëriti edhe të enjten ndërsa, para oxhakut të pandezur në Zyrën Ovale, qëndronte sëbashku me Sekretarin e përgjithshëm të NATO-s. Me plot arësye, sepse Rute momentalisht është “sufleri“ më i besueshëm europian i Trumpit, i cili, menjëhjerë pas marrjes së detyrës vjeshtën e kaluar, shkallën e ndarjes për ushtritë aleate e ka rritur në 3,5 % madje deri në 5 % të buxhetit vjetor – megjithëse kaq në vit nuk ndajnë as vetë ShBA-të. Në të njëjtin rast, Rute u bëri thirrje aleatëve europianë që investimet në pajisjet ushtarake dhe njerëz duhen rritur me “më së paku 130%”.
Disa vende që kufizojnë me Rusinë, si Polonia apo Lituania, premtojnë se çdo vit do të shpenzojnë më shumë se 5% të PBB-së së tyre. Gjermania propozoi krijimin e fondit për raste urgjente dhe fleksibilitet më të madh në politikën e deritanishme europiane të borxhit vjetor në mënyrë që t’u përgjigjet qëndrimeve variabël të ShBA-ve. Por, Spanja dhe shumë vende të tjera lëkunden pak a shumë për të rritur ndarjet për mbrojtjen sepse, si edhe Amerika, ato ngushëllohen me largësinë gjeografike dhe barrierat oqeanike mes tyre dhe Rusisë.
Rritja brutale e shpenzimeve të mbrojtje për europianët është situatë e papritur dhe plotësisht e re pasiqë për dhjetëvjeçarë të tërë për mbrojtjen dhe sigurinë e tyre janë përkujdesur taksapaguesit amerikanë. Në mënyrë të befasishme, Europën e zuri yryshi i pamend për armë, ndjellje nga e cia si gjithkund, do të përfitojnë kartelet industrialo-ushtarake, ndërsa popullsia, në përpjestim të drejtë me fitimet e këtyre të fundit, do të varfërohet.
Javën e kaluar Komisioni Europian propozoi fleksibilitet në normat fiskale, huatë dhe mënyrat e tjera për çlirimin e 800 miljardë eurove, gjë me të cilën i bën karshillëk në mënyrë inatçore ShBA-ve, buxheti ushtarak i të cilit është më i madhi në botë, dhe i cili vitin e kaluar ishte afërsisht kaq.
Libri i bardhë i BE-së
Me të njëjtin synim, me 19 mars, Komisioni Europian publikoi “Librin e Bardhë për krijimin e tregut të ardhshëm të përbashkët për mbrojtjen” (“Libri i Bardhë” në terminologjinë e BE-së është dokument që përmban propozime të aktiviteteve të ardhshme dhe diagramin e realizimit të tyre për një tematikë të caktuar). Në këtë dokument, Komisioni shenjoi shtatë fusha në të cilat vendet e BE-së do të duhet të përcaktojnë prioritetet e tyre të shpenzimeve.
Në projektin e “Librit të Bardhë” i cili u bë i njohur për gazetarët ditën e enjte, Komisioni Europian paraqet vizionin e “Tregut të përbashkët për mbrojtjen”, përfshirë edhe Ukrainën, në mënyrë që të ndihmojë dhe nxisë shtetet antare për të prodhuar dhe blerë reziprokisht më shumë në mënyrë që të mbushin mungesat e deritanishme kritike në operatibilitet dhe të aftësitë ushtarake. Komisioni identifikon mungesat kyçe, propozon ndërtimin e rezervave strategjike, bën thirrje për integrimin e industrisë ushtarake mbrojtëse urkainase në industrinë europiane të mbrojtjes, dhe gjithashtu përshkruan në mënyrë të detajuar planet për thjeshtëzimin e rregullave të biznesit në sektorin e mbrojtjes.
Njëlloj si me modelin e furnizimit të Europës me vaksina kundër Kovidit 19 në kohën e pandemisë se Corona-virusit, pushteti ekzekutiv europian mbështet idenë e “përgjigjes së përbashkët ndaj krizës”, përfshirë edhe furnizmin e përbashkët të teknologjisë, teknikës dhe pajisjeve ushtarake. Qëllimi prioritar është të mbulohen shumë mangësi kritike në aftësitë e vendeve sikurse janë avionët pa pilot, mbrojtja antiajrore dhe municionet, dhe të evitohet vartësia nga furnzuesit jashtëeuropianë. “Vetëm sëbashku, shtetet antare mund të bëjnë dallimin”, shkruhet në projektin e Librit të Bardhë i cili do të përpunohet ende deri këtë të mërkurë, ditën e prezantimin zyrtar.
Nëse shkon gjithçka sikurse është ideuar, përveç rolit të Shtabit të përgjithshëm (sepse, përveç komandës ushtarake në Bruksel për herë të parë kemi edhe komisar për çështjet e mbrojtjes), Komisioni do të ketë gjithashtu edhe rolin e tregtarit ushtarak dhe logjicienit. Një rol i tillë e kënaq shumë Ursula von der Lajenin dhe nuk ka dyshim se kështu do të jetë. Për më shumë që kohët e fundit po i referohen edhe eksperiencës së saj shumëvjeçare në krye të Ministrisë gjermane të mbrojtjes në të cilën nuk është se ka bërë ndonjë gjë të madhe.
Natyrisht, edhe në këtë, deri tani dokument pune prej 20 faqesh, urgjentisht dhe në mënyrë të pashembullt armatosja mbështetet kryesisht për shkak të “përballjes së Rusisë”, por edhe për shkak të “kërcënimit kinez”, “largimit të Afrikës nga Europa”, por edhe për shkak të “arritjes teknologjike të rivalëve europianë përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara”.
Më shumë nën presion, Gjermania, javën e kaluar i propozoi Komisionit pesë ide për çlrimin e rrjedhave financiare në mënyrë që disi të arihet te buxheti 800 milirdë euro për rritjen e prodhimit të industrisë së mbrojtjes dhe furnizmin me armë në pesë vitet e ardhshme.
Në tekstin e Librit të Bardhe gjithashtu nënvizohet se BE-ja do të jetë në gjendje të rimilitarizojë Europën në mënyrë të frikshme, ta bëjë më të madhe dhe më të rrezikshme sesa në kohën e nazizmit “të ndihmojë mbajtjen, forcimin dhe promovimin e kapaciteteve industriale në mbarë BE-në; nëpërmjet sigurimit të furnizimeve me inpute industriale kritike dhe zvoglimin e vartësisë; eleminimin e pengesave në qarkullimin e prodhimeve dhe shërbimeve të mbrojtjes në tregun e përbashkët; thjeshtëzimin e rregullave ekzistuese dhe zvoglimin e burokracisë; nxitjen e kërkimeve dhe zhvillimin për nxitjen e inovacioneve; dhe promovimin e novatorizmit, shprehive punuese dhe ekspertizës në sektorin e mbrojtjes”.
Në përpjekje për të bindur shtetet antare se politika e mbrojtjes mbetet kompetenca kyçe nacionale, Komisioni mendon se “shtetet antare do të mbeten forcat lëvizëse për mbrojtjen, ndërsa roli i BE-së për ata në këtë fushë, si edhe tregu i tij i përbashkët, do të jetë vetëm vlerë e shtuar në forcimin e kapaciteteve kombëtare ushtarako-industriale.
Nëse bëhet fjalë vetëm për lëshimin pjesor dhe të kujdesshëm të “frerëve” financiarë, nëpërmjet të cilëve prej më shumë se shtatë dhjetëvjeçarësh është ruajtur dhe mbajtur përparimi ekonomiko-shoqëror europian, apo mos bëhet fjalë për një derregullim të rerzikshëm, shumë të rrezikshëm dhe të nxituar të sistemit të tregut europian – këtë do t’a shohim së shpejti.
Ajo që mund të pohohet edhe pa dyshimin më të vogël është se realiteti në të cilin Bashkimi Europian heq dorë nga vlerat e tij më të mëdha, e këto janë paqa, qytetarët e lumtur dhe të paprobleme, përparimi shoqëror dhe solidariteti ndaj të tjerëve, të kërcënuarve dhe të varfërve në mbarë botën. Nuk do të jetë më kështu. Me qindra e qindra milardë euro do të thithen çdo vit nga ushtritë europiane, do të shkojnë të gjithë ato euro të cilat deri tani, me respekt të madh kanë shkuar në bashkësitë lokale, organizatat humanitare, madje edhe deri te shkëmbimet studentore dhe mësimi i gjuhëve të huaja. Të gjithë këtyre u ka ardhur koha t’u themi “Mirupafshim”.
/Përktheu për Argumentum Xhelal FEJZA