Ekskluzivisht për ARGUMENTUM
Dr. Jorgji KOTE
Sa herë që qeveritarët tanë kritikohen për dukuri negative e kanë « në majë të gjuhës » refrenin « e mo, mirë, se kështu ndodh dhe jashtë » Madje, të « bombardojnë » dhe me tabela/shifra se demek « ja, shihni, jo vetëm te ne, por dhe jashtë vendit po bëhet nami »
Natyrisht, krahasimet statistikore janë të nevojshme, sidomos për institucionet shtetërore. Por, shifrat, sado të sakta qofshin, bëhen të dëmshme kur ato trajtohen si qëllim në vetvehte, jashtë kontekstit politik, ekonomik dhe social të një vendi të caktuar. Ca më keq kur kthehen në « gjethe fiku » për të mbuluar dështimet e rastit, në vend që të shërbejnë për analiza të thella që t’u çelin rrugën masave dhe veprimeve praktike për përmirësimin e gjendjes.
Ja, flitet shumë për rritje dhe indeksim pagash. Mirëpo, sipas revistës së specializuar « Monitor » paga mesatare në vendin tonë është vetëm 30 për qind e mesatares së rajonit. Ndërsa ato të shëndetësisë dhe më të ulta. Të dhënat tregojnë se jemi të parafundit në Europë lidhur me indeksimin shëndetësor! Po, dhe Europa ka probleme me shëndetësinë, e cila i është nënshtruar reformave të thella. Por, ku ata e ku ne ! Raporti më i fundit i OBSH-së evidencoi faktin se Shqipëria ze vendin e fundit në Europë me vetëm 12 mjekë për 10.000 banorë! Na le pas dhe Bosnia me 22 mjekë, Maqedonia dhe vende të tjera të largëta. Ndaj, njoftimi i Kryeministrit Rama tre javë më parë për një rritje të ndjeshme të pagave të mjekve dhe infermierëve është premtues dhe më me vlera se frazat propagandistike!
Duke kaluar në sektorin e tekstileve, vërtet që mund të jenë rritur më shumë se kudo pagat mujore, por faktikisht ato janë 220 Euro ose 10 herë më të vogla se në Europë.
« Çmimet e artikujve ushqimorë e të mallrave te ne janë të larta? Emo, se dhe jashtë e në BE janë rritur !» Mirëpo të dhënat më të fundit të « Eurostat » nxjerrin në pah dallime të mëdha me vende të tjera lidhur me strukturën dhe dinamikën e çmimeve të artikujve ushqimorë ku ne i kemi më të lartat në rajon. Veç mishit dhe peshkut, i jemi afruar shumë BE-së dhe për çmimet e vezëve, qumështit dhe djathit me 97 për qind të mesatares europiane! Akoma më shqetësues është fakti se në vendet e BE-së, falë pagave të larta dhe lehtësive të tjera, produktet ushqimore zenë vetëm 12 për qind të buxhetit familjar, ndërsa te ne 44 për qind, duke dalë sërish të parët në Europë !
« Ekonomi informale ? E mo, se dhe vetë BE-ja po vuan prej saj »! Po, po ama ne kemi vite që mbajmë rekord me mbi 50 për qind, nga 25 dhe 40 për qind që sipas studimeve serioze ishte më 2007 dhe 2015 ! Kur mesatarja e 158 vendeve në botë është 31,9 për qind! Ndërsa Indeksi i Bazelit lidhur me riskun e lartë të pastrimit të parave në biznes gjatë këtij viti e zbriti Shqipërinë dhe 6 shkallë më poshtë ; tashmë vetëm Turqia na e kalon në Europë !
« Edhe jashte vendi ka probleme dhe vështirësi me biznesin, sidomos te shkaktuar nga korona. Po, por « Eucham » na vlerëson në tre vendet e fundit në Europë !
« Dhe jashtë ka borxh të madh publik » bërtasin qeveritarët tanë, « madje më të lartë se ne me 80 për qind ! Po, e vërtetë, borxhi publik gjerman është 62 për qind, ai belg dhe britanik 100 për qind i GDP-së dhe kështu me radhë. Mirëpo, së pari, nuk është e sigurt nëse borxhi ynë publik është realisht 80 apo gati 100 për qind kur shtohen detyrime të tjera të fshehura? Gjithsesi, dallimet kryesore qëndrojnë te përmbajtja, natyra dhe mundësitë e pakrahasueshme të atyre vendeve lidhur me shlyerjen e tyre.! Vendet e tjera hyjnë në borxh për arsye shumë më të qenësishme dhe kanë mekanizma të shumta të shlyejes së tyre ; ndërsa ne marrim borxh për të shlyer borxhet, por veçse i shtojmë ato dhe më tepër!
« Edhe jashtë ka papunësi, jo vetëm te ne » ! E vërtetë, madje ka vende që e kanë më të lartë zyrtarisht nivelin e papunësisë. Mirëpo te ne së pari mungon transparenca ; thuhet se papunësia të rinia është 20 për qind por në fakt është dy herë më e lartë! Veç kësaj, në vendet e BE-së ka leva dhe mekanizma të tilla që i zbusin ndjeshëm efektet e saj dhe që as që mund të krahasohen me masat tona sociale « lilipute ». Ndaj dhe ka një numër të madh që parapëlqejnë të qëndrojnë pa punë, duke vjelur përfitimet sociale që megjithë shkurtimet, janë të pakrahasueshme me tonat! E njëjta gjë vlen dhe për pensionet ku në Europë megjithë kritikat ka një katalog të gjerë masash në ndihmë të pensionistëve të cilët mund të bëjnë një jetë normale, duke u paguar një herë në vit dhe pushimet!
Po zotërinj qeveritarë, dhe në BE ku duam të hyjmë ka krim, drogë, korrupsion, etj, madje në ndonjë vend dhe më shumë se te ne. Por, kjo nuk ka pse të na ngushëllojë; sepse në Raportin 2020 Transparency International na renditi 7 shkallë më poshtë. Ndwrsa Banka Botërore në Raportin e saj « Doing Business 2020 » na uli me plot 19 vende, nga 63 nw 82 Pastaj, ne i kemi ende të mbyllura kufijtë, kurse Europa i ka hapur me kohë. Kryesorja, atje funksionon drejtësia që i ndjek këto dosje, ndërsa te ne në shumë raste nuk bëhet drejtësi, por vetëgjyqësi. Krimi i çdo lloji atje ndiqet e ndëshkohet ashpër dhe nuk bëhet fjalë që bartësit e tij të hynë në Kuvend dhe në pushtetin lokal, si te ne! Mos shkoni më larg, shihni fqinjët tanë ku ka shumë ministra, kryetarë bashkish dhe kryeministra që janë në burg, ndërsa te ne vazhdohet të kapen vetëm « cirronka » Bërtasim me të madhe se reformën tonë në drejtësi nuk e kanë bërë as vende antare të BE-së ; por bëhemi qesharakë, sepse askund në BE nuk ka një vend me një (pa)drejtësi të tillë të korruptuar !.
« Azil, po dhe në vende të tjera, madje dhe të BE-së po ikin njerëzit, e drejtë e tyre lëvizja » Ok, e pranueshme kur bëhet fjalë për flukse normale. Mirëpo Raporti më i fundit i OKB -së tregon se në 30 vitet e fundit janë larguar nga vendi ynë 1,2 milion vetë, shifër rekord, duke u renditur në vendet e para në botë. Dhe, ndryshe nga vendet e tjera, shumica dërmuese e shqiptarëve kanë shkuar për azil të paligjshëm dhe me fëmijë, në pamundësi për të jetuar në vendin tonë; jo vetëm nga ana ekonomike por dhe për shumë arsye të tjera të njohura. Praktikisht zemë vendin e parë në rajon duke lënë pas dhe Kosovën! Edhe të dhënat zyrtare më të fundit tregojnë se nga muaji Qershor e këtej, zemë vendin e parë në Europë për frymë të popullsisë, duke lënë pas vetëm Gjeorgjinë. Në renditjen botërore, na e kalojnë Siria, Libia, Iraku dhe vende të tjera që janë në gjendje lufte, ndërsa ne jemi kandidatë të BE-së dhe në pritje të çeljes së negociatave!
Pastaj, vërtet që ikin jo pak dhe nga Spanja, Greqia, Portugalia, etj ; veçse atje kjo « firo » kompensohet me migrantë nga vende të tjera, ashtu si dhe Polonia ku 1 milion ukrainas janë gati të shkojnë atje si krah pune zëvendësues. Kurse te ne nuk ndodh një gjë e tillë për shkak të pagave dhe kushteve të tjera inferiore ; kësisoj, këto boshllëqe nëse nuk merren masat e duhura me kohë do të kompensohen kryesisht me azilantë nga vendet e Lindjes së Mesme, me problematikat e tyre shqetësuese.
« Tkurje e popullsisë me rënie të lindshmërisë, plakje dhe largimin e rinisë »? Por, por kjo po ndodh dhe gjetkë e jo vetëm në Shqipëri » pohojnë shpejt e shpejt « agjitropët » qeveritarë. Dakord, vetëm se në parashikimet e saj më të fundit « The Economist » tregon se në 3 dekadat e ardhëshme, pas Bosnies me 37 për qind, ritmin më të lartë të tkurjes së popullsisë pritet ta ketë vendi ynë me 26 për qind ! Duke ia kaluar ku e ku Kosovës me 11 për qind, ndërsa Mali i Zi vetëm me 3 për qind!
Ja pse, ka ardhur koha që qeveritë e çdo krahu politik të mos abuzojmë më me « dhe jashtë ndodh kështu » por t’i vihen punës « nga brenda » për të krijuar frymën, vlerat dhe traditat tona, si pjesë e ardhëshme e BE-së.
© Argumentum