Dr.sc. Jadranka Polloviç[i]
Propozimi rus i marëveshjes për garancitë e sigurisë që ka dinamizuar bisedimet diplomatike mes ShBA-ve, Rusisë dhe NATO-s, është sfida më e nxehtë për Bashkimin Europian i cili, pavarësisht nga fakti se është fjala për aspekte të një krize që kanë të bëjnë direkt me të, nuk merr pjesë në to. Sepse, gjendja e sigurisë në Europë, në pritje të invazionit rus në Ukrainë të paralajmëruar zhurmshëm, i cili përfshin veprimtari ushtarake dhe hibride, është pasqyrim i krizës shumëvjeçare në raportet e Rusisë dhe NATO-s, ose më mirë të themi Rusisë dhe Perëndimit të udhëhequr nga ShBA-të. Në muajt e fundit Moska ka forcuar dukshëm praninë ushtarake përgjatë kufirit me Ukrainën, megjithatë, forcat ushtarake ende i ka të stacionuara brenda territorit të saj. Nga ana tjetër Ukraina, ka mundësi që po përgatit aksione ushtarake ofensive në Donbas me mbështetjen e NATO-s dhe të vendeve të saj antare të cilët janë të gatshëm të armatosin qeverinë në Kiev duke i ofruar asaj ndihmë informatike, sajber, diplomatike dhe çfarëdo lloj ndihme tjetër në mëyrë që të pengojë Rusinë ta sulmojë Ukrainën “nga Jugu, Lindja dhe Veriu, nëse Vladimir Putini vendos kështu”.
Në kontekstin e luftës së nxehtë informative (dezinformimet kanë pushtuar plotësisht hapësirat mediatike), presidenti rus befas kërkoi garanci me shkrim, juridiko detyruese, nga ana e Perëndimit në të cilat kërkon ndalimin e zgjerimit të NATO-s në Lindje të Europës në drejtim të kufinjve rusë, ndalimin e instalimit të bazave ushtarake në territorin e ish republikave sovjetike, të bashkëpunimit ushtarak me ta si edhe ndalimin reciprok të shpërndarjes së raketave me rreze të shkurtër dhe të mesme në largësihedhjen reciproke. Bisedimet për këtë temë zhvillohen në nivelet: Rusi-ShBA dhe Rusi-NATO, ndërsa si zëdhënësi i BE-së, tashmë të përçarë, është imponuar Gjermania së cilës as ShBA-të dhe as Gjermania nuk i besojnë plotësisht. Frenimi ushtarak dhe ekonomik i Rusisë (strategjia e containement-it) është bërë qëllim strategjik i Shteteve të Bashkuara, por vetëm pjesërisht edhe i aleatëve të të saj europianë. Deklarata e ngutshme dhe e papërgatitur si duhet në samitin e NATO-s në Bukuresht në vitin 2008, mbi antarsimin e Ukrainës dhe Gjeorgjisë në NATO, doli se ishte gabim i madh strategjik të cilin e shtyu përpara administrat e Bushit edhe përkundër kundërshtimit gjerman dhe francez. Tani BE-ja ka në territorin e saj një krizë me potencial konflikti global. Bisedimet që zhvillohen nëpërmjet diplomacisë ushtarake konfrontojnë të dyja palët- amerikanët kërcënojnë me sanksione “që bota ende nuk i ka parë”, Rusia paralajmëron “pasojat më serioze për Perëndimin”.
“Garancitë e sigurisë” në raportet mes Lindjes dhe Perëndimit nuk është se janë diçka e re. Sepse, nga ana arkivore, bazuar në dokumentet ndërkohë të deklasifikuar, shihet qartë se garancia me gojë e sigurisë për moszgjerimin e NATO-s drejt kufinjve rusë ka qënë lëndë e bisedimeve të presidentit të fundit të Bashkimit Sovjetik, Mihail Gorbaçov dhe presidentit amerian Xhorxh Bush i vjetri, por edhe me zyrtarërët e lartë gjermanë Helmut Kol dhe Hans Ditrih Gensher, presidentin francez Fransua Miterand, si dhe me kryeministren britanike, të fuqishmen Margeret Theçer. Pikërisht, gjatë viteve 1990 dhe 1991, çështja e pranimit të mundshëm të vendeve të Traktatit të Varshavës (i cili pushoi së qëni zyrtarisht në vitin 1991) në NATO ka qënë shpesh temë e bisedimeve mes Gorbaçovit dhe liderve Perëndimorë (shih: NATO Security Archive, NATO Expansion: What Gorbachov Heard, 2017). Kjo problematikë është aktualizuar në mënyrë të veçantë në rastin e procesit të bashkimit të Gjermanisë, meqënëse bashkimi nënkuptonte njëfarë “aneksimi” të Republikës Demokratike Gjermane, pasi me festime të mëdha, ajo u bë pjesë e Republikës Federale Gjermane, e cila ishte antare e NATO-s që nga viti 1955. Për këtë është e kuptueshme që qëndrimi i Gorbaçovit si president i ish BRSS-së i interesonte jashtëzakonisht shumë Perëndimit. Shumë analistë mendojnë se Grobaçovi vetë ishte ai që kontribuoi më së shumti në shpërbërjen e bllokut sovjetik. Duke u nisur nga supozimi themeltar se në atë kohë ishte e vështirë të bashkëpunohej me çdo politikan tjetër sovjetik të kohës, qëllimi kryesor i politikës Perëndimore ishte ta mbante atë në pushtet me çdo kusht. Gorbaçovi me reformat e tij programore ta bazuara te Perestrojka- rikonstruksioni ekonomoik i shoqërisë sovjetike dhe gllaznost- liberalizimi politik, e shpuri shoqërinë sovjetike në shpërbërje sepse qëllimet e larta i tejkalonin mundësitë reale. Megjithatë, Perëndimi ishte më se i kënaqur, e kësisoj Henri Kizingeri konkludonte se Gorbaçovi realizoi “një prej revolucioneve më të rëndësishme të kohës në të cilën jetoi”.
Megjithëse Gorbaçovi mbështeste idenë e Gjermanisë së bashkuar si shtet neutral, nën ndikimin e politikës amerikane, por edhe nën ndikimin e shumës së madhe të parave të dhëna nga Helmut Koli, lideri sovjetik e zbuti qëndrimn e tij. E gjithë kjo në kontekstin e kundërshtimit ndaj Margaret Theerit, kryeministres konservatore britanike që mendonte për mundësinë e ruajtjes së RDGj-së së pavarur, ndërsa presidenti francez Miterand mendonte se, me bashkimin gjerman, Bashkimi Europian (asokohe Bashkësia Ekonomike Europiane) do ta humbiste ekulibrin e tij. Megjithatë, ngjarjet do të zhvilloheshin shumë shpejt- Gensheri i premtoi Gorbaçovit se ndryshimet në Europën Lindore dhe bashkimi i Gjermanisë nuk do të dëmtonte interesat sovjetike të sigurisë dhe se NATO-ja do të hiqte dorë nga ideja e “zgjerimit territorial në drejtim të Lindjes, ose më mirë të themi drejt kufinjve të BRSS-së”. “Nëse e ruajmë Gjermaninë në NATO, juridiksioni i Aleancës nuk do të zgjerohet asnjë centimetër drejt Lindjes”, ishte premtimi që dha edhe Xhejms Bejkeri, gjë pas së cilës ndodhi tërheqja e trupave sovjetike nga Europa Lindore dhe Gjermania e bashkuar. Pra, pikërisht në sajë të “garancive të sigurisë” ose marrëveshjes gojore Gjermania e bashkuar u bë kësisoj antare e NATO-s.
Në gjysmën parë të viteve nëntëdhjetë të shekullit 20, Rusia u mbërthye nga varfëria dhe mjerimi, ndërsa pakënaqësia në rritje e qytetarëve shpuri në trazira të mëdha sociale por edhe në përmbysje në skenën politike ruse. Problemet e shumta që lindën gjatë realizimit të reformave ekonomike dhe tranzicionit të shoqërisë ruse patën ndikimin e tyre negativ edhe në politikën e jashtme të qeverisë. Politika e jashtme properëndimore e Boris Jelsinit ishte e limituar nga veprimet e Perëndimit i cili, edhe përkundër partneritetit strategjik të shpallur, asnjëherë nuk e trajtoi Rusinë si aktor të barabartë politik dhe ekonomik në arenën ndërkombëtare. Autorja kanadeze, Naomi Klein pohon se lëshimi kryesor ose më mirë të themi qëllimi i synuar i politikës amerikane të administratave të Bushit dhe Klintonit ndaj Rusisë ishte pikërisht mosekzistenca e ndonjë plani për të ndihmuar Rusinë. Me shpërbërjen e Basshkimit Sovjetik politika laisses faire e çoi Rusinë në një situatë politike dhe ekonomike kaotike, pa mundësi të stabilizimit dhe mëkëmbjes ekonomike.
E pakënaqur me politikën e Perëndimit, Rusia gradualisht filloi të braktisë orientimin properëndimor dhe filloi të glorifikojë përsëri të kaluarën, kulturën dhe religjionin e saj si dhe pozitën e dikurshme në marrëdhëniet ndërkombëtare. Ndryshimi i qëndrimit rus rezultoi me kërkesën e një streategjie adekuate amerikane ndaj Rusisë. Ishte pikërisht çështja e zgjerimit të NATO-s në Lindje të Europës ajo që i ftohi raportet e Rusisë me Perëndimin. Që në vitin 1994, gjeostrategu amerikan Zbignjew Brzezhinski, paraqiti propozimin për përshirjen sa më të shpejtë të shteteve europianolindore në NATO dhe vendosjen e lidhjeve të afërta me Ukrainën dhe republikat e tjera joruse të ish BRSS-së. Paralajmërimi i zgjerimit të NATO-s drejt Lindjes së Europës në vendet postsocialiste, antare të ish Paktit të Varshavës nuk u prit me entuziazëm në Moskë. Rusia vazhdonte ta përjetonte edhe më tej NATO-n në prizmin e marrëdhënieve së Luftës së Ftohtë- si një aleancë kundërshtare ushtarako-politike, ndërsa ndiikimi gjithnjë e më i madh i ShBA-ve në “fqinjësinë e afërt” me Rusinë përjetohej si goditje ndaj statusit të saj si shtet me ndikim në marëdhëniet ndërkombëtare.
Me vendosjen e Partneritetit për Paqe (PfP) si formë e parë e bashkëpunimit institucional ushtarak të pas Luftës së Ftohtë mes aleancës së NATO-s dhe demokracive të reja në territorin e Europës Lindore dhe Qendrore, Rusia nuk është se ishte e kënaqur, megjithatë, e interesuar për t’iu përbashkuar, kërkoi status të privilegjuar dhe marrëveshje speciale në zonën e marrëdhënieve të sigurisë me Perëndimin. Programin individual PfP, i cili respektonte pjesërisht kërkesat e kësaj superfuqie, Rusia e nënëshkroi në vitin 1995.
Politika amerikane ndërmorri një qëndrim të vendosur në lidhje me pozicionin e shteteve Balltike të cilat filluan të parët rrugën e integrimit në NATO dhe në Bashkimin Europian, por gjithashtu vendosi lidhje të afërta edhe me Ukrainën dhe një sërë shtetesh të Azisë së Mesme me synim krijimin e raporteve të reja për sigurinë në territorin e Europës Lindore. Pas një sërë bisedimesh në vitin 1997, u nënëshkrua Marrëveshja Themeltare për marrëdhëniet reciproke, të bashkëpunimit dhe sigurisë mes NATO-s dhe Federatës Ruse me të cilën u hodhën bazat për zhvillimin e partneritetit dhe bashkëpunimit. Dokumenti në fjalë kënaqte në mënyrë të padyshimtë qëllimet e NATO-s, sepse theksonte rëndësinë e sovranitetit, pavarësisë dhe integritetit territorial të të gjithë shteteve në tranzicion dhe të drejtat e tyre për zgjedhjen e modelit të sigurisë për veten e tyre (lexo, antarsimin në NATO), por gjithashtu edhe të Rusisë. Sepse me këtë marrëveshje Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj i mundësonin Rusisë vëzhgim në proceset e sigurisë në kufinjtë e saj Perëndimorë, gjë me të cilën u evitua kundërshtimi rus për përfshirjen e shteteve të reja në NATO. Marrëveshja formoi edhe Këshillin e Përhershëm të përbashët Rusi-NATO (NATO-Rusia Permanent Council), brenda të cilit duhet të diskutoheshin të gjithë problemet e hapura.
Pas periudhës së viteve nëntëdhjetë të presidencës së Boris Jelsinit gjatë së cilës pranimi i normave perëndimore demokratike ishte “must have”, Vladimir Putini, që nga viti 1999 vendosi ta ndalë rënien e mëtejshme të Federatës Ruse. Nën drejtimin e Putinit Rusia filloi ti lante llogaritë me oligarkët e orientuar properëndimit, Hodorovskin, Berezovskin dhe Gusinskin. “Roli jo i thjeshtë që i është dhënë shtetit tonë në historinë botërore nuk na lejon neve largimin nga kjo skenë ose pozicionin e figurantit në të por urdhëron karakterin e ndërlikuar të shtetësisë tonë”, nënvizonte bashkëpuntori i afërt i presidentit rus, Vladisllav Sukrovi (Sukrov, 2019), dhe thekson se shtetësia moderne ruse ose “shteti i tipit të ri” është formuar në mesin e viteve 2000. Sukrovi mendon se sistemi politik që është krijuar nën Putinin nuk është i adoptuar vetëm për “përdorim brenda vendit”, por ai ka edhe një potencial eksportues me rëndësi. Sepse, përfaqëson kompromisin mes patriotizmit dhe liberalizmit në ekonomi, mes euro-azizmit dhe europeizmit në politikën ndërkombëtare dhe mes konservatorizmit dhe progresivizmit në vlerat orientuese.
Me aksionin ushtarak të vitit 2008, i cili erdhi si përgjigje ndaj Gjeorgjisë për të vendosur kontrollin e saj mbi Osetinë e Jugut dhe Abhazinë separatiste, më tej me njohjen e pavarësisë së tyre, Rusia shfaqi kundërshtim të qartë ndaj zgjerimit të NATO-s në Ukrainë dhe në Gjeorgji. Me këtë akt, i cili ndodhi për herë të parë pas Luftës së Ftohtë, kjo ish superfuqi demonstroi jo vetëm fuqinë e saj ushtarake të rinovuar, por edhe vendosjen e kontrollit strategjik në Kaukaz (sferë tradicionale e interesave të saj) duke i siguruar kësisoj vetes një pozicion të ri në raportet ndërkombëtare. Disa vite më vonë, ngjarjet në Ukrainë politika ruse i përjetoi si shprehje e presionit të fuqishëm ekonomik dhe politik që u krijua në kuadër të doktrinës së re/të vjetër të politikës së jashtme të frenimit. Për këtë, doktrina ushtarake ruse e vitit 2014, veçoi në mënyrë të qartë kërcënimin kryesor për sigurinë e Rusisë: zgjerimi dhe forcimi i potencialit ushtarak të NATO-s drejt kufinjve të Rusisë, gjë për të cilën, pretendimet territoriale të Perëndimit ndaj Rusisë si dhe instalimi dhe fuqizimi i kontingjenteve të NATO-s në fqinjësisë e afërt të Rusisë, u gjend në listën e kërcënimeve të jashtme për sigurinë e Rusisë. Në mënyrë të veçantë pas aneksimit të Krimesë në vitin 2014, politika e jashtme ruse përjeton një kthim të fuqishëm që manifestohet nëpërmjet një raporti konfrontues ndaj Perëndimit. Ukraina kësisoj imponohet si epiqendër eë “Luftës së re të Ftohtë në Europë, gjë e cila ndikoi ndjeshëm në ftohjen e marrëdhënieve mes Perëndimit dhe Rusisë.
Rrjedha e ngjarjeve në Ukrainë u zhvillua në mënyrë progresive – Rusia aneksoi Krimenë (gadishull strategjikisht i rëndësishëm në bregun Perëndimor të Detit të Zi), gjë që ndikoi në vendosjen e sanksioneve nga ana e BE-së, ShBA-ve dhe e vendeve të tjera, ndërsa konflikti u zhvendos në territorin e pjesës Lindore të Ukrainës ku u themelua edhe Novorosija e vetëshpallur.
Në muajin qershor të vitit 2017, parlamenti ukrainas miratoi ligjin i cili e vendoste si prioritet të politikës së jashtme të Ukrainës antarsimin në NATO, gjë që nxiti tensionet gjeopolitike në Lindje të Europës. Sepse, pozita gjeografike e Ukrainës (“boshti gjeopolitik” ose “vendi kryesor”), si dhe burimet energjetike, sëbashku me rëndësinë e saj për raportet e Rusisë me Perëndimin, tregojnë qartë se kriza që po përshkallëzohet ka një prapavijë të fortë gjeopolitike. Që në vitit nëntëdhjetë Zbignjew Brzezhinski rigjallëroi të famshëm “teori Heartland” të Sër Halford Mekinderit sipas së cilës Euroazia është “fitimi më i madh gjeopolitik” dhe territor kryesor për primat global të ShBA-ve. Kontrolli mbi Euroazinë tërheq pas vetes edhe nënvartësinë e Afrikës, ndërsa Hemisfera Perëndimore dhe Oqeania, shndërrohen në zona periferike në raport me “kontinentin qendror botëror” (Euroazinë). Për këtë themeli i imperativit amerikan strategjik dhe ideologjik është ruajtja e ndikimit mbi Euroazinë, e cila përbën për atë fushën e shahut në të cilën vazhdon të luhet loja për primatin botëror. Shtetet e Bashkuara duhet medoemos të pengojnë lojtarët e tjerë gjeopolitikë për të vënë nën pushtetin e tyre kontinentin euroaziatik.
Brzeshinski e njeh rolin me rëndësi të Ukrainës në lojën gjeopolitike në “fushën aziatike të shahut”. Sepse, Rusia pa Ukrainën nuk mund të ketë statusin e shtetit imperialist. Nëse Rusia rinovon kontrollin mbi Ukrainën dhe burimet e saj të jashtëzakonshme natyrore, sëbashku me këtë edhe aksesin në Detin e Zi, atëherë Rusia do të bëhet “perandori euroaziatike”. Për këtë, pa Ukrainën, qëllimet strategjike gjeopolitike ruse që përfshijnë edhe statusin e hegjeomonisë rajonale të bazuar në Bashkësinën e Shteteve të Pavaruara (BShP) ose Platformën euroaziatike, ndoshta nuk do të jetë e mundur të përmbushen. Brzezhinski ka treguar qartë rëndësinë tejet të madhe të Ukrainës për konfliktin e interesave të fuqive të mëdha në Euroazi, gjë që më pas është vërtetuar edhe me përfshirjen në të, por edhe në intensitetin e krizës.
Aneksimi i Krimesë, sigurimi i bazave detare në Sevastopol, si dhe kontrolli i Abhazisë, i kanë mundësuar Rusisë kontroll efektiv ndaj një pjese me rëndësi të Detit të Zi, në mënyrë të veçantë në Ngushticën e Kerçkit dhe në Detin Azov, që janë pika tejet të rëndësishme nga pikëpamja gjeostrategjike. Rusia ka vendosur kontrollin ndaj një pjese të madhe të territorit bregdetar që përmban rezerva të mëdha nafte. Deri në momentin e ndërtimit të gazsjellësit Rryma e Veriut 2, Ukraina ishte vend kyç për tranzitin e gazit drejt Europës, për këtë në “lojën e re gjeopolitike”, në të cilën Rusia e ka shfrytëzuar vartësinë energjetike si instrument të politikës së jashtme, ka ndërprerë disa herë furnizimin me gaz (dimri 2005-2006, 2007-2008 dhe 2008-2009), gjë që ka patur ndikim të madhe në politikën energjetike jo vetëm të Ukrainës për edhe të Europës Perëndimore.
A ekziston zgjidhje?
Në momentin që po shkruhet kjo analizë arrijnë lajme joformale se ShBA-të, si përgjigje ndaj kërkesave maksimaliste ruse (ku arrihet madje edhe në kërkesën e largimit nga NATO të Rumanisë dhe Bullgarisë) planifikojnë të identifikojnë rajonet në të cilët problemet mund të zgjidhen. Është interesante se amerikanët kërkojnë nga Moska për të mos e bërë publike përgjigjen e tyre me shkrim. Ndërkohë, ShBA-të po dislokojnë një kontingjent forcash ushtarake në Europë dhe, sëbashku me disa vende të tjera, po tërheqin diplomatët nga Ukraina. Megjithëse kjo është pjesë e luftës hibride që tashmë ka shpërthyer, vështirë se mund të vijë puna deri në konflikt me përmasa të mëdha mes NATO-s dhe Rusisë, megjithëse duhet të priten provokime dhe një përshkallëzim i kufizuar i konfliktit në Donbas.
Zgjidhja e mundshme do ti lihet në dorë diplomacisë. Pikërisht, konturet e një zgjidhje i publikoi para pak kohësh në revistën The National Interest (The National Interest, 1/2022), autori Stephen Szabo, i cili sjell në kujtesë se pas Luftës së Dytë Botërore, Austria si edhe Gjermania, ishin të ndara në zona influence mes fuqive Perëndimore dhe Bashkimit Sovjetik. Kriza u zgjidh me nënshkrimin e marrëveshjes në vitin 1955, e cila rezultoi me bashkimin dhe neutralitetin e Austrisë. Kjo solli tërheqjen e fuqive sovjetike dhe perëndimore nga Austria. Duke analizuar tensionet shumëvjeçare, autori mendon se një zgjidhje e ngjashme mund të ishte kyçe për këtë “vend kryesor” të Euroazisë. Për këtë, Shtetet e Basshkuara dhe partnerët e tyre perëndimorë mundet që në përgjigjen që pritet ti ofrojnë qeverisë ruse të jetë e tillë që të dyja palët ti garantojnë Ukrainës neutralitetin, gjë me të cilën automatikisht do të binte poshte edhe ideja për antarsimin e këtij vendi në NATO. Krimeja, si edhe rajoni i Donbasit, të cilët tashmë janë të humbura për Ukrainën, mund të integrohen në Rusi si pjesë e marrëveshjes. Nëse kjo zgjdhje e mundshme diplomatike mund të përfshijë edhe tregtinë që ka të bëjë me territorin e Ballkanit Perëndimor (Bosnjë e Hercegovina dhe Serbia në NATO pa kundërshtimin e Rusisë, njohja e Kosovës nga ana e Serbisë), kjo mbetet të shihet.
Megjithëse askush nuk dëshiron të flasë për sfera ndikimi, është e qartë se si pozita gjeografike ashtu edhe ajo strategjike e Ukrainës janë në favorin e Rusisë dhe se, as ShBA-të dhe as aleatët e tyre të NATO-s, nuk do të donin të përfshiheshin në një luftë për Ukrainën. Kjo do të ishte njëfarë ekuivalenti i krizës kubane, vetëm se kësaj here me role të ndërsjellta. Është më shumë se e besueshme që presioni i tanishëm rus ka si qëllim arritjen e një zgjidhje diplomatike dhe jo ushtarake. Çmimi i një invazioni rus në Ukrainë do të ishte tejet i lartë dhe do të asgjësonte të gjitha shanset për një të ardhme paqesore të Europës dhe do të rriste rrezikun e një lufte me përmasa globale. Për ShBA-të lufta është një biznes i jashtëzakonshëm, megjithatë, hapja e konflikteve në Europë, invazioni rus apo përshkallëzimi në Ukrainë do të rriste tejet shumë ngarkesën e Amerikës e kësisoj do ta dobësonte pozitën e saj në Azi, në territorin Indo-Pacifik.
Përktheu për Argumentum.al: Xhelal FEJZA
[i] https://www.geopolitika.news/analize/jadranka-polovic-nato-i-rusija-od-strateskog-partnerstva-do-neprijateljstva/