Realpolitik “ flash” Nr. 31
16 – 30 PRILL 2021
EKSKLUZIVISHT te ARGUMENTUM, pikat mbi “ i” për 7 ngjarjet kryesore vetëm me 1000 fjalë nga diplomati dhe analisti i njohur:
Dr. Jorgji KOTE
***
1. Ndërkombëtarët njohin 25 Prillin! Megjithë dukuritë negative dhe duke kërkuar hetimin e tyre, faktori ndërkombëtar po i njeh zgjedhjet e 25 Prillit. Këtë po kërkon dhe nga opozita plus bashkëpunim për përparimin e vendit. Ndërkohë që Vazhdimësia fituese e PS-së do të shoqërohet me ndryshime kudo dhe në politikën e jashtme – çelja e negociatave me BE-në, forcimi i marrëdhënieve me Kosovën, këndvështrimi i ri për bashkëpunimin rajonal; “kopsitja” e dosjes me detin me Greqinë dhe dërgimi i saj në Hagë, etj janë disa prej sfidave madhore diplomatike. Ndërsa Ndryshimin e dështuar, PD-ja ta fillojë njëherë nga brenda, duke njohur rezultatin e pranuar humbjen, pastaj kismet!
2. Amerika përpara! Kështu u bënë SHBA-të brenda 100 ditëve të para me vetë fjalët e Presidentit Biden në Kongresin amerikan më 29 Prill; nga “ Amerika e para” që me Trumpin po binte nga fundi. 100 ditë plot programe dhe fonde gjigande kundër Pandemisë; 1,8 trilion dollarë për familjet, 2,3 trilion për punësimin, emigrantët, etj; jashtë vendit rikthim në organizatat ndërkombëtare, te partneriteti Euro – Atlantik, demokracia dhe shteti i të drejtës, dekurajim por dhe dialog me Kinën/Rusinë, etj. Ogur i mirë për SHBA-të dhe njerëzimin!
3. Klima bashkon! Kështu ndodhi në Samitin virtual mbi Klimën më 22 – 23 Prill. Ftesës së Presidentit Biden iu përgjigjën 41 kryetarë shtetesh/qeverish, përfshirë Putin dhe Xi Jinping. Samiti konfirmoi rikthimin e SHBA-së te Traktati i Paqes i Parisit dhe në OBSH. Kështu, SHBA po duan të rimarrrin lidershipin botëror me këtë temë planetare pas 4 vitesh të humbura. Samiti tregoi se krahas terrorizmit, pandemive, mbrojtjes së mjedisit, krimit, etj, Klima është e Përbashkëta e madhe ndërmjet shteteve, pavarësisht dallimeve dhe divergjencave gjeopolitike dhe ideologjike. Ja, shihni, ndonëse Biden e quajti Putinin “ vrasës” ndërsa për Xi Jinping tha pak a shumë se nuk ka asnjë kockë demokratike në trup, ai i ftoi në Samit; sepse Klima është sfidë që nuk mund ta përballojë i vetëm as vendi më i madh dhe i fuqishëm në botë.
4. Jo “Kutisë së Pandorës”! Zhurmnaja mbi 2 dokumente jozyrtare ( non paper) me dyshime si burime Sllovene dhe Franko- Gjermane tronditi politikën dhe diploùacinë në rajon dhe në Euro-Atlantik. Dihet se teza e rishikimit të kufijve si zgjidhje për rajonin është hedhur poshtë qysh 20 vite më parë në kuadrin e strategjive të reja të SHBA/BE për Ballkanin Perendimor dhe së fundi vitin e kaluar. Ndaj, mosrealizimi i atyre strategjive sa dhe si duhet nuk ka pse të bëhet shkak për rishikimin e ca më keq denoncimin e tyre, por vetëm përmirësimin brenda statuskuosë së tanishme. Ndryshe, do të hapej, siç thuhet rëndom, “ Kutia e Pandorës” në rajon dhe më gjerë. Në fakt, dokumenta të tilla hidhen në tregun politik “ për të matur pulsin”, “për të trazuar ujrat” diplomatike dhe për të venë në lëvizje politikën; por dhe si kujtesë për t’u marrë seriozisht me këtë sfidë serioze. Komuniteti Euro – Atlantik i tha me zë të lartë “JO” dokumenteve në fjalë, që ndonëse jo zyrtare kanë ndikim diplomatik.
5. “Faull” në Tiranë! Ishte votimi i Albin Kurtit më 25 Prill. Ndaj, si nga “të vetët” dhe nga Europa “i tërhoqën veshin” Pavarësisht nga gjithçka, si kryeministër Kurtit nuk i lejohet ky veprim i tepëruar, sikundër nuk justifikohet as prania e Degës së Vetëvendosja në Tiranë. Imagjinoni sikur e anasjellta të ndodhte në Prishtinë! “Ekspansionizmi” dhe oponenca ndaj Tiranës janë të panevojshëm. Boll halle dhe telashe ka Kurti në Prishtinë, në Bruksel për vizat, dialogun me Beogradin e të tjera. Pastaj, ka fusha të tjera ku të tregohet solidaritet dhe mbështetje e ndërsjellë; por kursesi rivalitet, garë dhe konkurim politik me Tiranën! Kujdes, i fituar del vetëm Vuçiç!
6. Genocidi otoman! Më 24 Prill, Joe Biden u bë Presidenti i parë amerikan që e konsideroi “ GENOCID” shfarosjen e 1,5 milion armenëve nga ushtria otomane më 1915 – 1917. Një hap i mirëpritur, i guximshëm dhe i nevojshëm. Sepse, ndërkohë që flasim për Ruandën dhe qortojnë Kinën tani për ujgurët, nuk ke si hesht për këtë histori tragjike të 106 viteve më parë. Ndonëse është më e lehtë për Turqinë ta mbyllë këtë histori që e quan “ masakër”, se sa të krijojë vazhdimisht probleme me shumë vende që e kanë quajtur duan ta quajnë “ genocid” armen. I guximshëm vendimi amerikan, sepse kjo ka pasojat e veta në marrëdhëniet me Turqinë, si partner i saj strategjik. Sidomos pas krisjeve të tanishme në marrëdhëniet e Turqisë me SHBA/BE-në, pas blerjes së raketave ruse S – 400 dhe neutralitetit turk ndaj konfliktit Rusi – Ukrainë. SHBA po tregohen të kujdeshme që “ mishi të piqet dhe helli të mos digjet”, që Turqia të mos bjerë në “prehrin” e Rusisë apo dhe të largohet nga NATO; çka do të cënonte rëndë besueshmërinë dhe kapacitetet e saj politiko/ushtarake. Ndaj, Biden flet për “ genocid” të kryer nga Otomanët, ndonëse dhe kjo nuk e qetëson Turqinë. Gjithsesi, shpresohet shumë që “ gjakrat të ulen” në takimin Biden – Erdogan në Bruksel në Qershor me rastin e Samitit të NATO-s.
7. Fiasko Afganistan! Këtë dëshmoi vendimi për tërheqjen e trupave ushtarake të NATO-s nga ai vend. Plot 20 vjet pas dislokimit të tyre në Afganistan, pas sulmeve terroriste të 11 Shtatorit 2001, që është përcaktuar enkas si afati i fundit për këtë tërheqje. Pavarësisht nga fjalët dhe retorikat, atje nuk u realizuan objektivat madhore të ndërhyrjes më të gjatë ndërkombëtare në asnjë aspekt. Afganistani nuk ka paqe, stabilitet, mirëqeverisje; atje ka përshkallëzim të krimit, drogës dhe korrupsionit; më e keqja janë kërcënimet e talibanëve të gatshëm për aventura të reja, tani që terreni do të jetë i lirë. Shkaku kryesor i kësaj fiaskoje është se nuk diktoi politika ushtrinë, por anasjelltas. U mendua gabimisht se me unitetin e madh të forcave aleate, me supremacinë ushtarake, me vrasjen e Bin Ladenit dhe liderëve të tjerë të IS, talibanët do të bëheshin “ zap” çka nuk ndodhi. Veç shpenzimeve gjigande që fare mirë do të përdoreshin në shëndetësi, arrsim, mjedis, etj. Gjithsesi, kjo tërheqje ishte e keqja më e vogël. Dhe si mësim për të ardhmen, që të mos merren më të tilla vendime pa iu përgjigjur pyetjes strategjike “ what next” ose “ po më pas, çndodh?”
© Argumentum