Matija Sheriç-Gjeopolitika[i]
Një nga rastet më të njohura të ndalimit të kafesë ndodhi në shekullin 18 në Prusi. E ndaloi mbreti Frederiku i Madh. Ndalimi u bë për arësyen më të pabesueshme: mbreti dëshironte më shumë që nënshtetasit e tij të pinin birrë me të cilën ai, si edhe shumë prusianë të tjerë, ishte rritur. Megjithatë ndalimi nuk zgjati shumë. Kafeja ishte e ndaluar edhe në Itali në shekullin 16 sepse njerëzit besonin se është djallëzore, por ndalimi u hoq kur Papa Klementi VIII zbuloi se ndjehej mirë kur pinte këtë pije dhe e bekoi. Kafja në Suedi u ndalua pesë herë, ndërsa rasti më i njohur (dhe më i çuditshmi) ishte ndalimi që i bëri mbreti Gustav III në vitin 1746, sepse mendonte se kjo pije ishte vdekjeprurëse. Ndalimi u hoq kur Gustavi u vra.
Shpesh herë të mirat materiale natyore kanë ndikim të madh në zhvillimin e njerzimit. Të gjithë e kujtojmë naftën dhe gazin përdorimi i të cilëve ndryshoi botën, megjithatë ekzistojnë edhe mallra të tjera që kanë ndikuar shumë në zhvillimin global politik, ekonomik dhe shoqëror. Një prej këtyre mallrave është edhe kafeja. Gjatë shekujve të kaluara kafeja (përzierja e thjeshtë e ujit dhe e kokrrave të pjekura dhe të bluara) është bërë një prej pijeve më të dashura të miliona njerëzve. Ndikimi i kafesë nuk është i kufizuar vetëm në industrinë ushqimore dhe hoteleri por është edhe më i gjërë. Pirja e kafesë është bërë pjesë e pazëvendësueshme e jetës së përditëshme të miliona njerëzve, por edhe faktor kyç në zhvillimin historik të shoqërisë. Nga fillimet e saj të thjeshta në rrafshnaltat etiopiane deri në prodhimin global ultra popullor, ndikimi i kafesë është i stërmadh. Në rrugën e saj shumëshekullore për tu bërë pije globale, kafeja ka qënë mjet për ngritjen dhe rrëzimin e perandorive dhe nxitjen e revolucionit industrial. Ndërsa nganjëherë ka qënë edhe fuqi vendimtare për shfrytëzimin e njerëzve, nxitjen e robërisë dhe inicimin e luftërave civile.
Fillimet
Bima e kafesë është rritur përherë në Etiopi dhe ndoshta është përdorur nga fiset nomade me mijëra vite, por njerëzimi vetëm rreth viteve 1400 e kuptoi se mund t’i pjekë kokrrat (farat) e saj. Fermerët kishin vënë re se dhitë që hanin kokrrat e kafesë ishin më energjike sesa të tjerat. Kafeja ishte nxitëse e zhvillimit të tregtisë në fillimin e erës së re. Popullariteti i saj rritej në mënyrë eksponenciale dhe çmimi arrinte lartësi të pabesueshme. Para më shumë se pesë shekujve, kur kafeja ishte kulturë lokale në territoret afrikanolindore të Etiopisë, tregtarët arabë në fillimin e shekullit 16 ishin të parët që njohën potencialin e kafesë dhe nisën ta sillnin në Jemen. Dervishët sufi arabë e përdornin pijen njëlloj si edhe e pinë sot njerëzit, domethënë si nxitje për të qëndruar zgjuar. Qëllimi i tyre ishte të arrinin vetëdijen hyjnore në lutjet e natës. Krahas kësaj është përdorur edhe për qëllime mjeksore. Nga Jemeni kafja pushtoi tërë Lindjen e Afërme, Afrikën Veriore, Turqinë, Persinë dhe në fund kontinentin europian. Ishte pikërisht kafja bima e parë që nisi globalizimin e lashtë që ndryshoi rrymat e tregtisë dhe formësoi dinamikën ekonomike të botës.
Kafja dhe robëria
Meqënëse pirja e kafesë u bë gjithnjë e më popullore, mbretëritë e kuptuan se mund ta kultivojnë kafenë e tyre duke shfrytëzuar punën e fshatarëve dhe robërve në kolonitë e tyre të largëta. Deri në shekullin 18 sunduesit britanikë, francezë, spanjollë dhe hollandezë e bënë kafenë një prej kulturave bujqësore më të kultivuara koloniale, sëbashku me sheqerin, pambukun dhe duhanin. Nga Indonezia deri në Amerikën Latine dhe në Karaibe, punëtorët robër ishin të detyruar të kultivonin kafenë në plantazhet koloniale. Kolonia franceze e Karaibeve, Santo Domingo kultivonte dy të tretat e sasitë vjetore botërore të kafesë në fundin e shekullit 18 derisa të gjithë plantazhet e ishujve Karaibe u dogjën, ndërsa pronarët u masakruan gjatë revolucioniut të haitianëve të vitit 1791. Duke shfrytëzuar fuqinë punëtore të madhe të robërve, portugezët përshpejtuan proceset të cilët bënë që Brazili të bëhet prodhuesi më i madh i kafesë. Brazili ishte vendi që arriti numurin më të madh të robërve në Botën e re, me pjesën më të madhe të robërve në plantazhet e kafesë. Me krijimin e plantazheve asgjësoheshin edhe pyjet e Amazonës. Pikërisht Brazili ishte vendi i fundit në hemisferën Perëndimore që hoqi robërinë në vitin 1888. Duke u mbështetur te robërit zezakë, Brazili e bëri kafenë damarin kryesor të ekonomisë së tij, sistemit bankar dhe strukturës shtetërore. I përballur me ligjet që u jepnin lirinë pasardhësve të robërve, një anëtar i parlamentit brazilian që kundërshtonte heqjen e robërisë deklaronte në vitin 1880: “Brazili është kafja, ndërsa kafja është zezake”.
Kafenetë- inicuese të ndryshimeve shoqërore
Format e ndryshme të kafeneve të mëdha dhe të vogla u bënë vatër nga ku u nxitën revolucionet kulturore dhe intelektuale. Kafenetë për herë të parë u shfaqën në Perandorinë Osmane sepse muslimanët, të cilët nuk konsumonin alkool, nuk kishin nevojë të grumbulloheshin nëpër birrari. Gjatë shekujve, kafenetë u bënë vendi kyç për formimin e asaj që filozofët e quajnë “sferë publike”, e cila dikur dominohej nga elitat. Kafenetë ishin të vetmet vende publike ku burrat mund të mblidheshin dhe të bisedonin për të rejat, besimin fetar, politikën dhe thashethemet larg syve vigjilentë të pushtetit shtetëror dhe fetar. Në shekujt 17 dhe 18, kafenetë europiane u bënë epicentra të diskutimeve publike, debateve të zjarrta politike dhe manifestimeve kulturore. Njerëzit mblidheshin në kafene për të ndarë idetë, për të diskutuar mbi filozofinë dhe rrjedhimisht nëpërmjet ndryshimeve revolucionare formësuan fatet e kombeve. Kafja u bë simbol i iluminizmit dhe lirisë së shprehjes, ndërsa konsumimi i saj mundësoi krijimin e hapërsirës për mendimin kritik dhe revolucionin.
Kafeja ka luajtur rol kyç në ndryshimet politike dhe shoqërore në pjesë të ndryshme të botës. Përshembull “revolucioni i kafesë” në shekullin 18 në Angli ishte i lidhur me zhvillimin e grumbullimeve dhe diskutimeve publike mbi problemet shoqërore. Në disa vende, vendimet dhe ngjarjet politike shpesh herë dilnin në dritë nëpër kafene, ku njerëzit merrnin vendime me rëndësi. Bursa londineze, Shoqëria e sigurimeve Llojd’s of London dhe Kompania e Indisë Lindore janë formuar nëpër kafene, të cilat në Londër atëbotë njiheshin si “universiteti peni”, sepse çmimi i një filxhani kafeje prej një peni shpesh u mundësonte klientëve akses në diskutimin aktual që po mbahej atë moment në kafene.
Në Amerikën koloniale, mejhanja e Bostonit dhe kafeneja Green Dragon, u bënë të njohura si vendi ku takoheshin drejtuesit e 13 kolonive britanike në Amerikë në mënyrë që të organizonin çajhanen e Bostonit në vitin 1773 dhe të nxisnin idetë revolucionare që çuan në luftën amerikane përpavarësi dhe formimin e ShBA-ve. Shpesh thuhet se pas çajhanes së Bostonit kur kolonistët amerikanë sulmuan anijet britanike me çaj dhe i hodhën ata në det, amerikanët në mënyrë universale kaluan në përdorimin e kafesë. Veprat letrare, gazetat, madje edhe veprat e kompozitorëve të mëdhenj se Bah dhe Bethoven kanë lindur gjithashtu në kafene. Disa historianë si puna e Mark Pendergrastit kanë vënë në dukje me të drejtë se në sajë të kafesë iluminizmi perëndimor dhe heqja e robërisë që ndodhi atëbotë lidhen me momentet kur konsumi i kafesë ishte rritur.
Përpjekje për ndalimin e kafesë
Në vitin 1511, guvernatori i Mekës, Khair-Beg, ndaloi kafenë sepse këshilltarët e tij mjeksorë e paralajmëruan se ajo është e keqe për shëndetin e njerëzve (pikërisht nëpër kafene mblidheshin disidentët politikë) por hoqi dorë shumë shpejt nga ky vendim. Në shekullin 16, Osmanllinjtë që e përhapën kafenë në mbarë botën muslimane, e më vonë edhe në Europë, u përpoqën t’i mbyllnin kefanetë por kjo bëri që ata të përballeshiun me protesta të mëdha që i detyruan t’i hapnin përsëri. Një nga rastet më të njohura të ndalimit të kafesë ndodhi në shekullin 18 në Prusi. E ndaloi mbreti Frederiku i Madh. Ndalimi u bë për arësyen më të pabesueshme: mbreti dëshironte më shumë që nënshtetasit e tij të pinin birrë me të cilën ai, si edhe shumë prusianë të tjerë, ishte rritur. Megjithatë ndalimi nuk zgjati shumë. Kafeja ishte e ndaluar edhe në Itali në shekullin 16 sepse njerëzit besonin se është djallëzore, por ndalimi u hoq kur Papa Klementi VIII zbuloi se ndjehej mirë kur pinte këtë pije dhe e bekoi. Kafja në Suedi u ndalua pesë herë, ndërsa rasti më i njohur (dhe më i çuditshmi) ishte ndalimi që i bëri mbreti Gustavi III në vitin 1746, sepse mendonte se kjo pije ishte vdekjeprurëse. Ndalimi u hoq kur Gustavi u vra në vitin 1792.
Roli i kafesë në revolucionin industrial
Kafja kishte ndikim të madh në produktivitetin e fuqisë punëtore gjatë revolucionit industrial. Vetitë e saj stimuluse (lexo:kafeina) u mundësonin punëtorëve për të qëndruar zgjuar dhe të përqëndruar gjatë orëve të gjata të punës nëpër fabrika. Kjo e ndryshoi dinamikën e punës dhe përshpejtoi prodhimin, gjë që pati efekte afatgjatë në zhvillimin e shoqërive moderne. Të gjithë, që nga osmanllinjtë e deri te intelektualët e iluminizmit, e kuptuan se kafeina rrit energjinë dhe forcon vëmendjen. Në fabrikat moderne ku kërkohet prej punëtorëve të punojnë me tre turne, kafeja mundësoi që punëtorët të punojnë në çdo kohë të ditës dhe të natës. Punëtorët që kishin pauza të gjata gjatë kohës së punës konsumonin kafe gjë që bëri të mundur përhapjen e revolucionit industrial në të gjithë kontinentet.
Instant kafja – nxitje në fushën e betejës
Përdorimi i instant kafesë të bërë nga kristale të kafesë që shkrihen shpejt gjë që eleminoi procesin tradicional deri diku kohëgjatë të zierjes së kafesë, mori zhvillim gjatë Luftës së Parë Botërore. Atëbotë shpikësi amerikan Georg L. Washington gjeti mënyrën e rritjes së prodhimit dhe shitjen e tij ushtrisë, në mënyrë që ushtarëve t’u jepej një nxitje shtesë për të luftuar. “Jam i lumtur edhe përkundër minjve, shiut, baltës, korrenteve të erërave, gjëmimeve të topave dhe fërshëllimës së granatave…” shkruante në atë kohë ushtari amerikan në llogorët e vitit 1918. “Më nevojiten vetëm dy minuta ta ndez çakmakun tim të vogël me gaz dhe të ziej kafenë Georg Washington”. Në këtë luftë ushtarët e quanin instant kafenë “filxhani i Xhorxhit”. Në Luftën e Dytë Botërore ushtarët amerikanë e quanin “filxhani Xho”. Pasi ShBA-të hynë në luftë në vitin 1941, ushtria porositi 140.000 qese me kokrriza instant kafeje në muaj për përgatitjen e kafesë së shpejtë, shifër kjo dhjetë herë më e madhe sesa në vitet që i paraprinë luftës. Zyrtarët amerikanë e kufizuan konsumin e kafesë për civilët për nëntë muaj në mënyrë që ushtarët të kishin mjaftueshëm instant kafe nëpër fushëbeteja. Pas luftës, disa kompani, përfshirë edhe Nescafe dhe Maxëell House, reklamuan fuqishëm instant kafenë duke shfrytëzuar nëpër reklama veteranët e luftës. Kjo ishte një strategji e suksesshme marketingu sepse publiku shumë shpejt fitoi prirjet e ushtarëve ndaj instant kafesë dhe kësisoj popullariteti i saj u rrit akoma më shumë.
Kafja dhe luftërat civile në Amerikën Latine.
Pas vitit 1945 në Amerikën Latine punëtorët banorë të zonave rurale të shfrytëzuar që punonin në fushat e kafesë, bananeve, sheqerit dhe të mirave të tjera materiale u nxitën nga aktivizmi i majtë. Gjatë Luftës së Ftohtë Amerika, me frikën e rritjes së ndikimit të Bashkimit Sovjetik në “oborrin e saj”, dhe për të mbrojtur interesat financiare të korporatave të mëdha, ndërhyri në disa vende të Amerikës Qendrore gjë që ishte një lëvizje me pasoja të tmerrshme: u nxitën grushte shteti dhe u përshkallëzuan luftëra civle të përgjakshme. Grushti i parë i shtetit u krye në Guatemalë e cila mbështetej nga ShBA-të në vitin 1954. Atëbotë CIA nxiti planin për përmbysjen e presidentit të zgjedhur me zgjedhje demokratike Jakob Arbenza Guzman pasiqë ai, me ndihmën e komunistëve, filloi t’u japë kooperativave fshatare me shumë se 100 plantazhe të papunuara. Puçistët vendosën në krye të shtetit Karlos Kastillo Armasin, i cili eliminoi reformën agrare, rinovoi policinë e fshehtë dhe i dëboi fshatarët nga tokat që kishin marrë nga reforma. Vrasja e tij tre vjet më vonë çoi në tre dhjetëvjeçarë represioni dhe dhunë të përgjakshme mes njësive të pushtetit dhe grupeve të guerriljeve. Elita ruajti posedimet e saj si edhe statusin shoqëror. Punëtorët vazhduan të vuanin.
Gajtë viteve 1970 dhe 1980 konflikte të ngjashme u zhvilluan edhe në Nikaraguan dhe El Salvadorin fqinjë. Në El Salvador hunta ushtarake e cila mbështetej nga ShBA-të u përball me kryengritësit majtistë të cilët synonin të rrëzonin qeverinë që bashkëpunonte me amerikanët. Njësitë djathtiste të vdekjes të trajnuara në ShBA i’u bashkuan luftës civile, duke shkaktuar në fshatra 50.000 të vdekur. Eksporti i kafesë, i cili përbënte të ardhurën më të madhe të vendit, u zvoglua në mënyrë drastike. Afro një milion njerëz u larguan nga vendi. Një situatë e ngjashme iu zhvillua edhe në Nikaragua ku gjithashtu vdiqën 50.000 veta.
Kafeja – urë për lidhjen mes kulturave të ndryshme
Konsumi i kafesë është bërë pjesë integrale e shumë kulturave dhe shpesh ka shërbyer si mjet për lidhjen mes kulturave të ndryshme. Prania e saj në ngjarjet kulturore, riteve dhe festimeve ka pasuruar ndërveprimin njerzor dhe ka krijuar lidhje të qëndrueshme mes njerëzve. Përgjatë historisë, bashkësitë e ndryshme kanë ndarë mes vedi ritualet e kafesë. Ura kulturore “e kafenesë” kontribuon për mirëkuptim dhe tolerancë mes njerëzve të qarqeve të ndryshme etnike, fetare dhe kulturore. Bashkësitë e ndryshme kanë zhvilluar rituale të njejta kafeje, që nga kafja turke e deri te ekspresi italian. Kafeja është bërë simbol i mikpritjes dhe bashkimit. Ekspresi italian është përhapuir nëpër botë në saj të Howard Shukcit, drejtor ekzekutiv i marketingut të kompanisë amerikane Starbucs i cili në vitin 1983 vizitoi Milanon dhe u mrekullua nga qindra baret ku shërbehej qumësht dhe kafe ekspres. Kur u kthye në atdhe i bindi pronarët e Starbucs-it ta lejonin të hapte një ekspresso bar. Në vitin 2020 Starbucks-i zotëronte afro 9.00 kafene/restorante në ShBA dhe mund të lavdërohej me më shumë se 30.000 kafene/restorante në mbarë botën. Në shekullin e 20 kafja konsiderohej si pije e intelektualëve në Perëndim, sepse e pranuan shkrimtarët popullorë si Ernest heminguej, F. Skot Ficxheraldi dhe T.S. Elioti. Kjo shpjegon përse kafeja është kaq popullore në popuj të ndryshëm të botës dhe nuk duan ta ndalojnë më as e majta dhe as e djathta.
Shtetet prodhuese më të mëdha të kafesë
Në mbarë botën çdo ditë pihen 2,25 miliardë filxhanë kafeje dhe nevojat e konsumatorëve janë të mëdha. Vendet që kultivojnë kafenë janë vende kryesisht në zhvillim e sipër të shpërndara në të ashtuquajturin “rrip i kafesë” rreth ekuatorit: Brazili, Kolumbia, Ekuadori, Peruja, Panamaja, Meksika, Kenia, Etipia, India, Indonezia, Mjanmari, Vietnami etj. Temperaturat e qëndrueshme, rreshjet e moderuara dhe trualli i pasur përbëjnë kushtet e përkyera për rritjen e drurit të kafesë. Nga Etiopia kafja është përhapur në botën arabe dhe pastaj, deri në fundin e shekullit 17 nëpër Azi deri në ishujt Java dhe Sumatra. Në shekullin 18 dhe 19 kultivimi i kafesë u përhap edhe në Amerikën Latine dhe kësisoj rripi i kafesë fitoi vëllimin e tij përfunidmtar. Dhjetë shtetet kryesore kultivuese të kafesë në vitin 2021 janë: Brazil (2,6 miljon tonë), Vjetnam (1,5 m.t.), Kolumbia (754.000 m.t.), Indonezia (669.000 m.t.), Hondurasi (475.000 m.t.), Etiopia (471.000 m.t.), Peruja (346.000 m.t.), India (312.000. m.t.), Guatemala (254.000 m.t.) i Uganda (209.000 m.t.).
Në botë ekzistojnë sëpaku 25 milionë familje që nxjerrin mjetet e jetesës nga kafeja. Po të merren parasysh edhe anëtarët e familjeve të tyre, vimë të numuri se 100 milionë njerëz sot jetojnë nga kultivimi dhe shitja e kafesë. Në Brazil, ku prodhohet pothuajse një e treta e kafesë botërore, më shumë se pesë milionë njerëz janë të punësuar për kultivimin e më shumë se tre miliardë bimë kafeje. Bima e kafesë është kulturë intensive që kërkon punë, ndryshe nga kulturat e tjera në të njejtat rajone, si puna e panxharit të sheqerit, meqënse kultivimi i saj nuk është i automatizuar dhe kësisoj kërkon vëmendje të madhe njerzore.
Prirjet neokolonialiste në tregun global të kafesë
Sipas studimeve të ekspertëve për tregtinë globale të kafesë, në tre dhjetëvjeçarët e fundit përfituesit më të mëdhenj në tregtinë botërore të kafesë janë përpunuesit në vendet e zhvilluara si Gjermania, Italia dhe Zvicra. Në ndryshim nga këto shtete, kultivuesit e vegjël të kafesë në vendet prodhuese i kanë rritur në mënyrë të pakët të ardhurat e tyre. Fitimi më i madh në zinxhirin global të shpërndarjes së kafesë është realizuar në sektorin e pjekjes së kafesë. Gjatë 30 viteve të kaluara, çmimet dhe sasitë e kafesë së pjekur dhe të prodhimeve të ngjashme të kafesë, siç janë kapsulat për kafe, janë rritur ndjeshëm. Vëllimi i eksportit të kafesë së pjekur është rritur katër herë, ndërsa çmimi i importit deri në gjashtë herë. Në ndryshim nga kjo, sasitë dhe çmimet e eksportit të kefesë së papjekur, kokrrave jeshile të kafesë, është rritur vetëm 60%.
Vendet e rripit të kafesë eksportojnë afro 70% të prodhimeve nga kafja, por 87% e saj është në formën e kafesë jeshile të papjekur. Kjo nuk është befasuese meqënëse pjekja e kafesë kërkon investime të shtrenjta dhe është kërkuese edhe nga pikëpamja teknike në mënyrë që të arrihet shija e qëndrueshme e kafesë. Përpunimi e kafesë e kryejnë kryesisht kompanitë e pasura në vendet e zhvilluara perëndimore si puna e Gjermanisë, Italisë dhe Zvicrës. Krahas kësaj, është shumë më e vështirë të transportohet kafeja e pjekur në largësi të mëdha nga p.sh. Brazili, Mjanmari, Etiopia deri të konsumatorët fundorë, kryesisht në Amerikën Veriore dhe në Europë, pa humbur cilësinë e saj. Për këtë pjekja e kafesë në vendet ku ajo kultivohet për tregun perëndimoir është e kufizuar në disa produkte. Për këtë disa kompani kafeje në Perëndim që dominojnë tregun (Lavazza, Illy, Nespresso, Douëe Egberts, Julius Meinl, Tchibo) kanë përgjegjësi tejet të madhe shoqërore ndaj vendeve ku kultivohet kafeja, përshembull për kultivim të qëndrueshëm të kafesë, kushte të mira pune, pagë të ndershme dhe përdorim i matur i teknologjisë së makinerive në fushat e kultivimit. Për fat të keq këto kompani sillen në mënyrë neokolonialiste.
Kur kultivohet kokrra e kafesë Arabika (e cila zakonisht përdoret për prodhimin e kafesë së pjekur), kultivuesit janë në gjendja t’i rritin vetë të ardhurat e tyre nëpërmjet përmirësimit të cilësisë së kokrrave. Në të kundërt me këtë, për kokrrat Robustavake ( të cilat përdoren kryesisht për prodhimin e instyant kafesë) vendet kultivuese mund të blejnë teknologjinë e përpunimit. Për këtë instant kafeja mund të transprtohet në largësi të mëdha dhe është më e lirë dhe më pak e ndërlikuar për ta prodhuar. Vietnami dhe Ekuadori, përshemull, kanë arritur me kalimin e kohës të krijojnë sektorin përkatës të prodhimit të instant kafesë. Cilësia e politikës shtetërore mund të mbështesë prodhimin dhe eksportin e instant kafesë nëpërmjet kushteve atraktive për ardhjen e investitorëve dhe përmirësim cilësor të infrastrukturës.
Konkluzion
Kafja edhe në shekullin 21 është mall kryesor për shumë vende në zhvillim si puna e Brazilit, Indisë dhe Vietnamit. Të varura nga kafeja, këto vende realizojnë të ardhura dhe sigurojnë mjetet financiare për arsimin, shëndetsi dhe projekte infrastrukturore. Ndikimi i kafesë në ekonomitë e këtyre vendeve është i stërmadh dhe ndihmon në zbutjen e varfërisë dhe nxit zhvillimin. Kafeja është më shumë se një pije e thjeshtë, ajo është fenomen që ka formësuar rrjedhën e historisë së njerzimit. Nga rrugët e hershme tregtare deri te kafenetë moderne në çdo cep rruge, kafeja është shtampuar në kulturën, ekonominë dhe shoqërinë e popujve dhe shteteve nga më të ndryshmit. Kafeja është simbol i të qëndruarit zgjuar dhe inovacioneve, ndërsa ndikimin e saj do të vazhdojë t’i japë formë së ardhmes së njerzimit.
*Përktheu për Argumentum Xhelal FEJZA
[i] https://www.geopolitika.news/analize/m-seric-utjecaj-kave-na-politiku-ekonomiju-i-drustvo-u-povijesti-i-sadasnjosti/