Realpolitik “ flash” Nr. 21 ; 17 Nëntor – 01 Dhjetor 2020
VETEM te ARGUMENTUM, “ troç” me 1.000 fjalë mbi 4 Kryengjarjet nga diplomati dhe analisti i njohur:
Dr. Jorgji KOTE
***
1.Negociatat “ prapa liste” Pas skepticizmit të shprehur në takimin e Ministrave të Jashtëm të BE-së më 17 Nëntor dhe kundërshtimeve publike nga Holanda, Franca dhe Gjermania, më 30 Nëntor, Kancelarja Merkel, si Kryesuese e radhës, si rrallë here dhe papritur Samitin e BE-së më 10 Dhjetor e tha “ copë” publikisht të vërtetën e hidhur se nuk i kemi përmbushur kushtet ndaj dhe nuk mund të çelen negociatat këtë Dhjetor. Natyrisht na “ngushëlloi” me eufemizmin diplomatik “ shumë shpejt”, dmth më 2020, por që mbetet “rebus” më vehte. Me këtë dështim të madh ne shënuam një mosarritje dhe për Presidencën gjermane; ndonëse bëri gjithçka për ne dhe Maqedoninë e Veriut. E megjithatë, shumica qeverisëse nuk e bën fare “ qejfin qeder”. Madje, të krijon përshtypjen se interesi i saj tani është vetëm 25 Prilli. Ndaj ka shtuar përpjekjet për të hallakatur vëmendjen publike, veç koronës kryesisht te Kosova; po krijohet “ si kofini pas të vjelit” Komisioni për raportin e Dick Marty dhe vazhdojnë shigjetimet ndaj opozitës dhe liderit të saj, sikur ta kishte shkaktuar ai tragjedinë në Kosovë dhe krijimin e Gjykatës në Hagë; kurse Ministri Cakaj është “ ngulur” në Preshevë me jehonën e zhurmës lidhur me titullin “ Qytetar Nderi”; kur në Kukës,
Këshilli socialist i Qarkut i pataksi të gjithë duke ia hequr titullin publicistit të mirënjohur Veton Surroi; dhe pse Rama e ndali “ këtë histeri kolektive” që do thënë se e krijoi vetë, duke sulmuar Bashën që ka shërbyer në UNMIK të OKB-së, sikur të ishte i UDB-së e kështu me radhë. Vetëm fjala“ negociata” nuk dëgjohet askund në mjediset qeveritare, çka është ogur i keq. Më e pakta që mund të themi është se ajo i ka lënë negociatat “prapa liste”.
2. Inatçinj lindorë në BE: Nuk ka term më të butë për këmbënguljen “ si mushka ” të Polonisë dhe Hungarisë për të bllokuar miratimin e paketës së ndihmave prej 750 Miliard Euro dhe Buxhetin e BE-së 2021 – 2027 prej 1,8 trilion Euro. Kjo si hatërmbetje nga kritikat për difektet lidhur me shtetin e të drejtës; ndonëse ky Plan, siç kemi nënvizuar më parë, është më i madhi dhe revolucion i vërtetë për BE-në dhe pavarësisht ndërhyrjeve intensive të Merkel, Macron e të tjerë; megjithë lëshimet e rastit, liderët polakë dhe hungarezë nuk po duan t’ia dinë. Për hir të së vërtetës, muaj më parë dhe Holanda me tre “ kurnacët” e tjerë veriorë bënë goxha rezistencë ndaj kësaj pakete; gjithsesi, pas lëshimeve dhe kompromiseve të rastit ata dhanë “ OK”. Sepse ky është thelbi i BE-së; solidaritet, konsensus dhe tolerancë reciproke. Bllokada, ultimatumi dhe sidomos inati nuk funksionon, sepse neser mund të biesh vetë në kurthet e tij.
Ky qëndrim inatçor tradicional në Ballkanin Perendimor u shfaq ditët e fundit kur Bullgaria kryeneçe rrezikon të bllokojë çeljen e negociatave me Maqedoninë e Veriut, megjithë trysninë e “më të mëdhenjve të BE-së.” Tani, dhe sikur Bullgaria të ketë 100 për qind të drejtë, ajo fare lehtë mund të thoshte “Po”; sepse Metodologjia e re e Zgjerimit e lejon atë që nëse një vend kandidat nuk plotëson kushtet e caktuara, negociatat bllokohen në çdo moment. Por dhe Maqedonia e Veriut nuk sillet si vend kandidat prej 15 vitesh, duke mos venë mend nga bllokada greke; ajo mund të hapte pak rrugë dhe jo “ majë me majë” sepse “uthulla e fortë prish enën e vet” Këto shernaja po shfaqen këto ditë dhe në “ krizën e ambasadorëve” midis Serbisë dhe Malit të Zi por në Shqipëri, me vonesa fatale në çeljen e negociatave. Kujdes, integrimi europian kërkon “ takat, jo inat” !
3. Pse s’ka “Dayton 2”?: Më 21 Nëntor u përkujtua 25 vjetori i nënshkrimit të Marrëveshjes historike “ Dayton” për Bosnie&Hercegovinën, me “arkitekt” ambasadorin e ndjerë emblematik Richard Holbrooke. Me këtë rast, nisur nga situata e nderë në atë vend vazhdojnë të hidhen kritika, ide dhe sugjerime për hartimin e një ujdie tjetër më të mirë dhe funksionale. Mirëpo, përvoja e 25 viteve dhe sfidat serioze me të cilat ndeshet Bosnia dëshmojnë qartë se faji nuk qëndron te Dayton por te zbatimi i tij, në “ frymë” dhe në “ gërma”. Ajo Marrëveshje u nënshkrua me shumë mundime në minutat e fundit për t’i dhënë fund luftës e për paqe ndonëse jo-perfekte; hartuesit e saj me të drejtë mendonin se palët e përfshira do të punonin me përkushtim, për të lënë pas të kaluarën e hidhur, për demokraci, të bashkuar drejt integrimit Euro-Atlantik, si një “ urë dhe kurë magjike”.
Mirëpo shumë pak është bërë kryesisht për mungesë të vullnetit politik e që nuk duket ende në horizont. Kësisoj, kur dhe peisazhi politik ndërkombëtar e sidomos ai rajonal është përkeqësuar ndjeshëm, të mendosh për realizimin e një Marrëveshje “Dayton 2” është thjesht “ dëshirë e mirë” ( wishful thinking”; ca më keq akoma, në vend që t’i “verë vetullat, mund t’i nxjerë sytë” Bosnie – Hercegovinës.
4. RCEP kineze pa TPP amerikane: Krijimi dy javë më parë i Partneritetit Ekonomik Rajonal Gjithëpërfshirës mes 10 vendeve të Paqësorit ( RCEP) ishte shuplakë e fortë politike ndaj SHBA-ve dhe doktrinës “ exit” të Presidentit Trump; po aq sa he sukses diplomatik për Kinën, e cila e konsideroi “ fitore të multilaterizmit” RCEP është tregu më i madh me mbi 2 miliard banorë dhe 30 për qind të GDP-së botërore. Aty bëjnë pjesë dhe 4 vende të mëdha partnere të SHBA-ve – Japonia, Korea e Jugut, Australia dhe Zelanda e Re.
Nëse për BE-në ajo nuk është dhe aq problematike, falë bashkëpunimit reciprok, RCEP është sfidë e madhe ndaj SHBA-ve. Rikujtojmë se në vitin 2013, ish Presidenti Obama filloi tentativat për krijimin e një grupimi të ngjashëm ose TPP ( Partneriteti Trans Paqësor) me qëllim që të spostonte Kinën prej tij.Por, sapo hyri në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti Trump e hoqi nga lista TPP-në. Një minus i madh shumëpalësh për politikën amerikane në Paqësor, e që nuk dihet se si do ta rikuperojë Administrata e re e Joe Biden.
© Argumentum