Editorial
Samiti i BE në Bruksel ka hequr nga axhenda çështjen e integrimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Mesohet se procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian nuk pritet të jetë temë e samitit të BE-së që do të zhvillohet të enjten dhe të premten, ndërsa edhe në takimin e së martës të Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme do të jetë vetëm si temë eventuale jashtë rendit të ditës, apo si “çështjet e tjera”.
Kujtojmë se pak ditë më parë Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme, Maria Adebahr, tha të mërkurën (02.12) në konferencën e rregullt në Berlin se po punojmë me intensitet të plotë për çeljen sa më shpejt të negociatave.
“Këshilli i BE-së tha në mars të këtij viti që të fillojnë negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë, dhe qëllimi ynë mbetet që të fillojmë sa më shpejt me këto negociata. Ne jemi të mendimit se Bashkimi Evropian ka dhënë fjalën dhe këtu kemi të bëjmë me besueshmërinë e BE-së dhe me stabilitetin e Ballkanit Perëndimor, kështu që ajo që di unë deri tani është se ende po bëhen konsulta intensive në Bruksel dhe në nivelin bilateral në vendet anëtare dhe se këto vazhdojnë. Ne nuk po dorëzohemi dhe duhet të arrijmë përparime”, tha Maria Adebahr, zëdhënëse e ministrisë së jashtme gjermane në per DW në Berlin.
Por tashmë është e qartë se BE nuk arriti ti mbante premtimet duke rritur pakënaqësinë jo vetem tek vendet kandidate që presin një dritë jeshile për integrimin e tyre por dhe tek vendet anetare të Bashkimit Europian.
Mediat kanë cituar burimet e brendshme, se presidenca gjermane është shprehur se ka një zhgënjim në radhët e ministrave të çështjeve europiane të vendeve që mbështesin integrimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.
“Jemi të zhgënjyer që nuk arritëm marrëveshje për kuadrin negociues për Maqedoninë e Veriut dhe Shqiperinë. Ne bëmë gjithçka që kishim në dorë për të gjetur kompromise lidhur me kuadrin negociues me Maqedoninë e Veriut. Jemi të zhgënjyer që Bullgaria bllokon.
Kjo e bën të pamundur aprovimin e kuadrit negociues dhe konkluzionet për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
“Gjermania, si kryesuese e radhës e BE-së, është e frustruar, për shkak të këtyre dështimeve”, dhe fajin për këtë ia la Bullgarisë, e cila vazhdon të bllokojë miratimin e vendimit për nisjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut. “Si pasojë e bllokadës së vendimit për Maqedoninë e Veriut, që Bullgaria e ka bërë për shkak të çështjeve bilaterale historike, që nuk kanë vend në procesin e zgjerimit, nuk kemi mundur të vendosim as për Shqipërinë, sepse disa shtete kanë insistuar se, nëse nuk ka vendim për Maqedoninë e Veriut, nuk mund të vendosim as për Shqipërinë”, tha diplomati i lartë evropian.
Bullgaria ka insistuar që obligimet e Maqedonisë së Veriut për të respektuar disa çështje historike, që Sofja i sheh si fakte, të jenë pjesë e kornizës negociuese të BE-së.
Diplomatët evropianë pohojnë se Gjermania ka bërë përpjekje që të arrihet një zgjidhje midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, por ato përpjekje kanë dështuar.
Nëse vertet ekziston një zhgënjim nga gjermania është pikërisht se presidenca gjermane mbyllet për herë të parë pa një rezultat konkret dhe për më tepër që nuk arriti si “kumbara” e Ballkanit Perendimor të kurorëzonte gjithë mbështetetjen dhe përkujdesjen e saj ndaj këtyre vendeve me fillimin e negociatave.
Por nga kush tjetër është e zhgënjyer presidenca gjermane ?
Nga Bullgaria? Anëtare e Bashkimit Europian? Pra nga vete familja europiane që Gjermania drejton?
Sa i besueshëm është ky zhgënjim? Janë disa pikëpyetje që lindin nga kjo pritje e gjatë e Ballkanit Perendimor për të parë një dritëz në fund të tunelit.
Bullgaria. Vertet ky shtet anetar i BE-së ka përdorur në mënyrë abuzive veton europiane kundrejte Maqedonisë së Veriut. Them se ka abuzuar me këtë të drejte pasi mosmarrëveshjet historike dhe kulturore ndërmjet Bullgarisë dhe Maqdonisë së Veriut ishin dakordësuar me Marrëveshjen e Miqesisë së Mirë në 2017, që këto çështje do trajtoheshin me një komison të veçante me ekspertë të fushes nga të dyja palet dhe nuk mund të ishin kurrsesi si kusht i integrimit të Maqedonisë së Veriut në BE. I vetmi kusht ishte ai i Emrit që u zgjidh me Marrëveshjen e Prespës ku pas kësaj u premtua integrimi i menjëhershëm i RMV-së në BE.
Nga ana tjetër është vete BE. Bashkimi Europian që nga 3 vitet e fundit e ka humbur busullen e orientimit dhe është në kërkim të vetë stabilitetit të saj.
Macron, presidenti francez është ai që po prej 3 vitesh kërkon reformimin e Europës duke përjashtuar ose më sakte duke lënë pezull zgjerimin e mëtejshëm të Europës me vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, dhe që atëhere është bllokuar disa herë vijimësia drejt rrugës së integrimit europian.
Kjo u theksua dhe nga Presidenti i Maqedonisë së Veriut i cili tha se nga zyrtare të lartë të BE kishin marrë një oferte për t’u bërë anëtar i Komunitetit Ekonomik Evropian.
“Disa nga ne në rajon, unë mund të flas vetëm për Maqedoninë e Veriut, kam marrë një ofertë nga zyrtarë shumë të lartë për t’u bërë anëtar i Komunitetit Ekonomik Evropian. Unë menjëherë e refuzova këtë ofertë sepse ky lloj i të menduarit është katastrofik në planin afatgjatë,” deklaroi Pendarovski.
“Integrimi ekonomik nuk është i mjaftueshëm nëse nuk ka integrim politik, është e rëndësishme që ato të shkojnë paralelisht, ajo që mungon në Bruksel është një angazhim praktik për një qasje të përkushtuar që do të provojë se Ballkani Perëndimor është një përparësi e madhe strategjike dhe gjeopolitike”, tha Presidenti i Maqedonisë.
Pendarovski nuk tregoi se nga kush ka ardhur një ofertë e tillë, por theksoi se këto propozime kanë qarkulluar gjatë kohës së përgatitjes të metodologjisë së re për anëtarësim në BE. Presidenti paralajmëroi se të gjitha alternativat, rajonale ose rreptësisht ekonomike, janë të rrezikshme për vendet e rajonit sepse ato nuk kanë një traditë të gjatë demokratike dhe shumë lehtë mund të bien përsëri pre e regjimeve autokratike
Megjithse nga qeveria shqiptare nuk është nuk përmendur një ofertë e tillë , duhet thëne se iniciativa e Shengenit Ballkanit nënkupton pikërisht këtë oferte për të cilen flet Pendarovski.
Kujtojmë se Komuniteti Ekonomik Evropian përfshinë bashkimin doganor, i cili realizohet përmes katër lirive themelore të Tregut Unik të BE-së, pra lëvizjen e lirë të mallrave, personave, shërbimeve dhe kapitalin.
Gjithashtu në këtë pjesë janë të parapara politikat e përbashkëta bujqësore, konkurrenca, bashkimi ekonomik monetar, arsimi, kultura, mbrojtja sociale, mbrojtja e konsumatorit, politikat e azilit dhe Traktati i Shengenit.
Pra me shumë se sa e zhgënjyer, BE është konfuze, ndërsa Ballkani Perendimor në udhëkryq./m.doda
© Argumentum