Dragan Biseniç, Danas[i]
Tri dekada pas shpërbërjes së BRSS-së dhe përfundimit të Luftës së Ftohtë, Rusia gjendet në një udhëkryq të rëndësishëm historik, moment në të cilin po ndahet nga idetë dhe ëndërrat për tu bërë ndonjëherë pjesë e Perëndimit. Nëse Rusia e braktisi dhe e shkatërroi perandorinë e saj, me shpresën se në këtë mënyrë do të jetë e pranueshme për Perëndimin, tani ka arritur deri në atë pikë saqë ajo lëvizje vlerësohet si “katastrofa më e madhe gjeopolitike”, ndërsa të gjithë hapat drejt Perëndimit konsiderohen fiksim dhe iluzion rus.
E gjithë kjo ngjet vetëm disa ditë para takimit presidencial mes Putinit dhe Bajdenit në Gjenevë, të cilin Rusia e pret me ftohtësi dhe indiferencë. Është e qartë se ky takim nuk do të jetë ndonjë takim që shënon pikë kthese si puna e takimit Nikson-Brezhnjev apo Regan Gorbaçov, as ndonjë kthesë gjeopolitike si puna e ndonjë tipi të ri Jalte apo Mynihu. Pakënaqësi të madhe ka shkaktuar edhe deklarata e këshilltarit të Bajdenit për sigurinë kombëtare, sipas së cilës Bajdeni shkon në Europë të bisedojë nga pozitat e forcës, gjë që Kremlini e quaji “marrje poze” dhe vlerësoi se forma e tanishme e raportit amerikan ndaj Rusisë përbën “kërcënim për mbarë botën”. Të gjithë këto janë manifestime të indjinjimit të thellë rus me sjelljen e Perëndimit dhe këmbënguljen e tij për ti imponuar Rusisë së pas Luftës së Ftohtë kompleksin e vlerës së ulët dhe të qënit shkallë e dytë. Për këtë raport të ri është shpikur edhe formulimi i veçantë: Perëndimi kolektiv, përdorimi i shpeshtë i të cilit ra në sy në konferencën “Ditët e Primakovit”, konferencë me diskutime ruse akademiko-diplomatike në të cilën diskutohet për zhvillimet në politikën e jashtme, në diplomaci dhe në arenën ndërkombëtare.
Edhe përkundër këtyre, ekzistojnë shpresa te ky samiti i ardhshëm, megjithëse jo shumë të mëdha, sikurse vlerësoi ministri rus i punëve të jashtme Sergej Lavrov.
Rusia është e interesuar për një dialog gjithëpërfshirës, ndërsa SHBA-të vetëm për disa çështje që u përkasin interesave të përbashkëta në lidhje me stabilitetin strategjik.
Disa pjesëmarrës të konferencës i shqetësoi në mënyrë të veçantë vlerësimi i drejtorit të Asociacioni “Kizinger”, Tomas Grejem, sipas të cilit ai e sheh Rusinë si “faktor destabiliteti” në marrëdhëniet ndërkombëtare. Pakënaqësi shkaktoi edhe deklarata e shefit të MI6 britanike sipas së cilës fuqia e Rusisë “objektivisht po dobësohet në kuptimin demografik dhe ekonomik”.
Në fjalimin e tij të muajit prill në Dumën Ruse, Putini, ndoshta për herë të parë, përdori shprehjen “Perëndimi kolektiv”. Në vetvete kjo nuk se është ndonjë frazë e re- figuronte edhe në raportet analitike të think thankëve ruse që nga viti 2016, madje shpesh edhe në fjalimet e Maria Zaharovës. Në konferencën e Moskës kjo fjalë e shpikur u përmend sëpaku dhjetë herë, e përdorën Lavrovi, të gjithë zyrtarët e lartë të ministrisë së punëve të jashtme si dhe këshilltari i Putinit, Juri Ushakovi, gjë që tregon se kjo frazë ka mbështetje të fuqishme, e cila ndoshta do të shndërrohet në kualifikim i paevitueshëm rus në marrëdhëniet e tij me Perëndimin në të ardhmen. Mendohet se e ka shpikur një prej ideologëve kryesorë të Kremlinit, Vlladisllav Surkovi, të cilit i përket edhe patenta për konceptet e “demokracisë sovrane” dhe “populli i thellë”.
Nga ajo që tha Putini me 21 prill 2021, mund të shihet se cilin Perëndim ai e konsideron kolektiv. Mori si shembull Bjellorusinë për të theksuar se sjellja e këtij Perëndimit “po i kalon të gjithë kufinjtë” edhe përkundër faktit se kohët e fundit, praktika e sanksioneve joligjore të motivuara politikisht dhe përpjekjet e disa shteteve të veçantë për t’iu imponuar vullnetin e tyre shteteve të tjerë është bërë dukuri e zakonshme.
“Por në ditët e sotme kjo praktikë po rritet e bëhet diçka e rrezikshme. Kam parasysh faktet e përpjekjes direkte të organizimit të grushtit të shtetit në Bjellorusi dhe atentatit kundër presidentit të këtij vendi. Është karakteristike se as aksione kaq flagrante nuk dënohen nga i ashtuquajturi Perëndim kolektiv”- tha Putini.
Një Perëndim i tillë për Putinin është pa ndërgjegje dhe moral, grup shtetesh “pa fytyrë” me në krye SHBA-të që sillen si “kaçakë pa ligje”. Ai nënvizoi se ka qënë planifikuar një sulm masiv kibernetik kundër Bjellorusisë, nëpërmjet të cilit është përgatitur bllokada e Minskut, përfshirë edhe infrastrukturën dhe komunikimet qytetëse, si dhe bllokimi i plotë i sistemit të përgjithshëm elektroenergjetik të kryeqytetit të Bjellorusisë.
Për analogji me “Moskën si Roma e katërt”, megjithëse kjo “nuk do të ndodhë kurrë”, filozofi rus Boris Mezhujev supozon se do të jemi dëshmitarë të lindjes simbolike të Perëndimit të katërt në konferencën e G7 që do të mbahet me 11 deri me 13 qershor 2021 në Kornvoll. Gjithsesi, përzgjedhja e vendit për mbajtjen e Samitit G7 flet për simbolikën e këtij shndërrimi. Kryeministri britanik Boris Xhonson, i cili këtë viti kryeson G7, ndoshta ka marrë parasysh faktin se në Kornvoll, në kështjellën në kepin Tintagel, ka lindur mbreti legjendar Artur. Domethënia e këtyre vendeve, megjithëse legjendare, për këtë ngjarje gjendet edhe në faktin se bëhet fjalë për pronarin e kështjellës Kamelot dhe mbretin misterioz të britanikëve i cili në mitologjinë moderne konsiderohet patriark i Perëndimit. Qytetërimi Perëndimor si të thuash, fillon me të- me legjendat e tij për Gralin e Shenjtë, tryezën e rrumbullakët dhe ishullin e mjegullt Avalon. Mendohet se vendet e G7 do të zhvillojnë njëfarë linje të përbashkët sjelljeje ndaj Moskës dhe Pekinit. Me fjalë të tjera, po hiqet një vijë ideologjike e ndarjes mes demokracive më të mëdha në botë dhe atyre vendeve të tjera të cilëve Perëndimi kolektiv ua mohon këtë cilësi. Nga përpjekjet e Uahingtonit duket se bota po rrëshqet drejt një bipolarizimi të ri gjë që, natyrisht, për Rusinë nuk duket skenari më i dëshirueshëm.
Rusia ka ëndërruar se, pas shpërbërjes së BRSS-së, Perëndimi kolektiv do të sillej më me mençuri dhe do ta shpallte menjëherë atë vend Perëndimor, duke krijuar kësisoj një version të ndryshëm të Perëndimit të katërt- me Rusinë demokratike, por pa pushtetin autoritar në Kinë. Meqënëse kjo nuk ndodhi, Rusia dëshironte ta shihte botën me të vërtetë multipolare- me shumë blloqe konkrente ekonomike, siç e ka përfytyruar babai i multipolarizmit rus Jevgenij Primakov.
Të jesh satelit i Kinës në Luftën e Ftohtë me Perëndimin, e akoma më shumë, të jesh satelit i Perëndimit në Luftën e Ftohtë me Kinën, janë perspektivat më të këqija për Rusinë.
Kryetari i Dhomës ruse të tregtisë, Sergej Katin për këtë thekson se mbështetja në forcat e veta sëbashku me modelet e realizuara të multipolariozmit ndaj Kinës dhe Indisë, është gjithsesi një model për ekonominë ruse. Akademiku Aleksandër Dinjkin beson se ekzistojnë dy zgjedhje drejt një bipolarizimi të ri ku Moska dhe Pekini sëbashku do të ishin njëra qendër, ndërsa Uashingtoni qendra tjetër.
Rruga tjetër është gjetja e zgjidhjes të koncertit global të shteteve, gjë për të cilën ekzistojnë parakushtet për të dy drejtimet.
Mezhujevi mendon se asnjë aleancë e plotë e demokracive nuk mund të arrihet: demokracitë liberale dhe konservatore do të ndahen mes tyre në të njejtën mënyrë si patën qenë ndarë vendet socialiste në bllokun sovjetik dhe në atë kinez. Dhe në këtë botë pluraliste demokracish konservatore Rusia mund të gjejë një vend për veten e saj- gjithmonë nëse nuk dëshiron që ti bashkohet pa asnjë rezervë ndonjërit prej taborreve të Luftës së Ftohtë të së ardhmes.
Në këtë bazë ideologjike ndoshta mund të shfaqet ndonjë diçka e ngjashme me një lëvizje të re të paangazhuarve, presupozon Mezhujevi.
E gjitha kjo do të thotë se Perëndimi i katërt edhe përkundër hapjes deklarative ideologjike, sikurse shprehet Bajdeni, që tani do të duhet të konfigurojë disa orientime të reja që shpien në të vërtetë në mbyllje civilizuese. Në të kundërt Perëndimi i katërt mund të shndërrohert në një det domokracish, dhe këto jo përherë liberale. Inovacionet shoqërore të Perëndimit kolektiv, që nga legalizimi i martesave gej deri në “imponimin obsesiv të problemit të transgjinorëve dhe perspektivave të rehabilitimit juridik të të ashtuquajturave poliamorije, domethënë bashkëjetesa e shumë partnerëve”, janë vetëm disa prej shembujve të modeleve të papranueshme sociokulturore që do ta kufizojnë gjërësinë e Perëndimit të katërt dhe do ta bëjnë kësisoj të papranueshëm për Rusinë.
Bazat për një zhvillim të këtillë i ka vendosur Konstantin Bogomolovi në tekstin e tij programor “Rrëmbimi i Europës 2.0” (Novaja Gazjeta 10 shkurt). Në këtë tekst ai dënon etikën e re që ka ndryshuar Europën drejt së cilës ndërkohë ka ecur Rusia dhe për të cilën ëndërron dhe bën thirrje për rinovimin e “personit të shëndetshëm të Europës” me formulimin e një “ideologjie të re të djathtë”. Ndër tezat që ai formulon është edhe dëshira e Europës që të “elemonijë personin e ndërlikuar”. Konkludon se “nazizmi është bërë Çernobili njerzor”, duke u çliruar nga kjo, Perëndimi ka vendosur që në të ardhmen të “sigurohet” nga ai dhe të “kastrojë individin e ndërlikuar” të cilin regjizori në fjalë e krahason me heronjtë e Dostojevskit, të cilët janë “shpirtërisht të lartë dhe të ulët, ëngjëj dhe djaj, që dashurojnë dhe urrejnë, besojnë dhe dyshojnë”. Ai mendon se “Perëndimi modern po formon një Rajh të ri etik me ideologjinë e tij- etikën e tij”.
Për këtë, megjithë dëshirën e zjarrtë, Rusia nuk do të mund të bëhet vend Perëndimor, siç është gjithashtu me e besueshmja se nuk mund të bëhet as India, gjë që natyrisht, nuk përjashton mundësinë e aleancës pragmatike me Perëndimin si të njërës ashtu edhe të tjetrës. Gjithë kjo nuk do të thotë se Rusia nuk është e gatshme për një raport pragmatik me SHBA-të dhe me Perëndimin e katërt.
Eksperti më i spikatur rus për Perëndimin, Andrej Kurtunov, është i mendimit se askush nuk dëshiron që takimi të jetë mossukses i plotë dhe të përsëritet skenari i Helsinkit i vitit 2017, kur u patën takuar, pa asnjë sukses, Trampi dhe Putini. Ai nënvizon se një sërë karakteristikash të stilit të politikës së jashtme të administratës aktuale amerikane bën të mundur që samiti i qershorit të konsiderohet me optimizëm të matur dhe të kujdesshëm.
Bajdeni mbetet mbështetës i vendosur i kontrollit të armatimeve, gjë që e ka vërtetuar tashmë me vendimin e tij për zgjatjen e marrëveshjes START III. Ekzistojnë arësye të shpresohet se liderët në Gjenevë ndoshta do të fillojnë të bisedojnë për një agjendë të re në këtë fushë. Bajdeni jo vetëm që përherë thekson rëndësinë e multikulturalizmit, por edhe e kupton në mënyrë të vetëdijshme se në shumë konflikte dhe kriza rajonale nuk mund të anashkalohet interaksioni me Rusinë
Për këtë në Gjenevë është i mundur edhe dialogu për Afganistanin, për marrëveshjen bërthamore iraniane, për po të njëjtën me Korenë e Veriut, madje dhe për Sirinë, mendon Kurtunovi.
Mendimi i tij shprehet edhe në qëndrimin e këshilltarit rus për sigurinë kombëtare, Nikollaj Patrushev, i cili nënvizoi “natyrën dhe përmbajtjen konstruktive të konsultimeve ruso-amerikane në linjën e Këshillit të Sigurimit” dhe deklaroi se në një sërë çështjesh mund të llogaritet në “zhvillimin e zgjidhjeve të pranueshme për të dyja palët”.
Përktheu për Argumentum.al: Xhelal FEJZA
[i] https://www.danas.rs/nedelja/na-korak-do-ruskog-oprostaja-od-zapada/