Misha Brkiç, Danas[i]
Nëse dikur ishte sprint mes dy shteteve, tani duhet të jetë një maratonë me shumë kompani pjesëmarrëse. Në garën e paparë të më shumë se gjashtë dhjetëvjeçarëve më parë ish BRSS-ja i’a pati kaluar për pak SHBA-ve dhe arriti i pari të hyjë në kozmos. Në muajin korrik të këtij viti kemi fillimin e erës së re të garës kozmike në të cilën Riçard Bronsoni, themelues i konglomeratit sipërmarrës Virgin, preku për një kohë fare të shkurtër kozmosin duke ia kaluar kësisoj për pak Xhef Bezosit, themeluesit të Amazon-it. Diçka para këtyre baronëve të Gjithësisë në kozmos hyri thellë edhe Ilon Masku. Këta të tre janë vetëm pararendësit e pionierëve dhe vizionarëve ambiciozë që kaë hedhur idenë për të filluar biznesin në Gjithësi.
Dikur e drejtë ekskluzive e shteteve, Gjithësia tani po bëhet destinacion i dëshirueshëm i kompanive private që meren me mjeksi, telekomunikacion, energjetikë, agrobiznes, bioteknologji, ndërtim të materialeve të reja, mbrojtje mjedisore madje edhe me turizëm. Shkaku i zhvendosjes së biznesit në kozmos nuk është vetëm mbipopullimi i planetit Tokë, mungesa e burimeve, frika nga shkatërrimi i saj dhe historia naive mbi argëtimin turistik, por mbi gjithçka është kërkim aventurierësh biznesmenë për zbulime dhe prodhime të reja shkencore-teknologjike që duhet t’ua lehtësojnë jetën njerëzve në Tokë.
Pikniku veror i Bransonit dhe Bezosit në Gjithësi ndeshi me një stuhi kundërshtimesh dhe kritikash nga ana e politikanëve populistë amerikanë madje edhe nga ata që e konsiderojnë veten progresistë.
Senatori demokrat Berni Sanders me keqdashje politike dhe verbëri ideologjike e akuzon Bezosin se po shpenzon para të madhe në gjithësi ndërsa “njerëzit tanë mezi mbyllin muajin, mezi ushqehen dhe mjekohen me vështirësi” dhe bën thirrje për taksim akoma më të madhe të miliarderëve. Edhe një pjesë e opinionit publik serb i bën thirrje Bezosit “të ulet me këmbë në tokë dhe të shohë sesi jetojnë punëtorët e tij ndërsa ai lundron nëpër gjithësi me një anije kozmike tejet të shtrenjtë”.
Tingëllon komike edhe kritika e majtistes kanadeze Naomi Klajn e cila i këshillon biznesmenët se “fluturimet turistike hapsinore janë një vrimë financiare pa fund”, duke mos e kuptuar se turizmi kozmik nuk është qëllimi kryesor i Bezosit, Bransonit dhe në mënyrë të veçantë jo i Maskut.
Kritizerët e Odisesë sipërmarrëse në kozmos 2021, ia zënë për të madhe pionierëve hapsinorë shpenzimet përrallore për udhëtimin turistik.
Megjithatë, që të tre këta baronë të Gjithësisë kanë qëllim tjetër- për të arritur në kozmos më lehtë dhe me çmim më të lirë. Masku është fokusuar te jeta multiplanetare, për të cilën nevojiten raketa të afta për hedhjen e satelitëve, njerëzve dhe ngarkesave në orbitën e Tokës dhe kolonizimin e planetit Mars. Bezosi synon që me raketën New Glen të dërgojë njerëz për të jetuar dhe punuar në kolonitë orbitale të Gjithësisë. Ndërsa Bransoni konsiderohet lider në prodhimin e raketave të dizajnuara në mënyrë speciale për lançimin e satelitëve të vegjël në Gjithësi.
Si biznesmenë jashtë serie, vlera e neto përbashkët e të cilëve (prej 400 miljardë dollarë) është e njëtë me Prodhimin e Brendshëm Bruto të Irlandës, ata shohin te kozmosi shansin e biznesit që e tejkalon turizmin dhe nga i cili do të kenë përfitime jo vetëm ata por edhe tërë njerzimi. Ata janë mjaftueshëm të pasur për të qënë në gjendje të mbulojnë shpenzimet e mëdha të nevojshme për të hyrë në këtë treg dhe ti bëjnë ballë hendekut financiar që ndan zbulimin shkencor nga komercializimi i tij.
Ekzistojnë me qindra ide në mbarë SHBA-të të cilat janë të fokusuara te biznesi kozmik. Astra Space dëshiron që satelitët e saj të fluturojnë në orbitë çdo ditë. Planet Labs përdor me qindra satelitë për të fotografuar çdo ditë tërë masën tokësore të planetit Tokë dhe t’u shesë blerësve të dhëna mbi gjendjen e të korrave buqësore, emetimin e gazrave të dëmshëm dhe prerjen e pyjeve. Firefly Aerospace ka raketë e cila pret vetëm miratimin për lëshimin në hapësirë. OneVeb hedh rregullisht satelitë që e mbulojnë planetin me internet të shpejtë. Rocket Lab planifikon misione në planetin Mars dhe Venera.
Pjesa më e madhe e meritave i përket Ilon Maskut dhe kompanisë së tij SpaceX e cila si pionier i komercializimit të Gjithësisë po thyen rekorde, po krijon historinë dhe po arrin synime që më parë konsideroheshin të parealizueshme. Masku ka meritën për zhvillimin masiv të industrisë së raketave, e cila, disa dhjetëvjeçarë para daljes në skenë të SpaceX-it, ishte pak a shumë në gjendje stanjacioni dhe konsiderohej një fushë disi jo interesante.
Ajo pjesë e opinionit publik që aresyeton me logjikë mendon se gara kozmike e biznesmenëve super të pasur përmirëson të ardhmen e njerzimit. Si argument shfrytëzohet edhe fluturimi i Sputnjik-ut në kozmos në muajin tetor të vitit 1957, gjë e cila e ndryshoi botën në mënyrë dramatike. Roki Kolbi, profesor i astronomisë dhe astrofizikës në Universitetin e Çikagos, mendon se “sipërmarrësit që zhvillojnë prodhime në gjithësi do ta bëjnë këtë teknologji të aksesueshme për të gjithë njerëzit”.
Si tregues për kontributin e kërkimeve hapsinore për jetën e njerëzve të zakonshëm përdoret shpesh deklarata e Ernst Stalinxherit, një prej drejtorëve të NASA-s, nga polemika e kohës së tij me një murgeshë afrikane e cila e pyeti përse shpenzohen miliarda dollarë për kërkime hapsinore, ndërsa një numur i madh fëmijësh në mbarë botën vuajnë nga uria.
“Çdo vit marrim afro 1.000 novacione teknike të krijuara nga programi hapsinor- që nga aparatet më të mirë shtëpijake, mjete për fermat bujqësore, makineri më të mira qepëse dhe aparate radioje, anije dhe avionë më të mirë, përcaktimi i saktë i parashikimit të kohës dhe paralajmërimet për uraganet, komunikime më të mira dhe pajisje mjeksore më të mira”.
Në këto prodhime të reja bëjnë pjesë edhe panelet diellorë me efikasitet të lartë, termometra me rreze infra të kuqe për veshët, gjyzlykë rezistente ndaj gërvishtjeve, teknologjia e gjymtyrëve dhe e zemrës artificiale, pompa insuline, duar robotike për operacione në tru por edhe këpucë Nike Air, pastrimin e ujit pa kimikate dhe sensorë për matjen e presionit të ajrit në gomat e automobilëve”.
“Mundësitë janë të jashtëzakonshme. Informacionet satelitore shfrytëzohen për rritjen e kontributit në bujqësi pra parandalimin e urisë në botë, për lehtësimin dhe ofrimin më të shpejtë të ndihmës së urgjencës në raste katastrofash, për ndjekjen e gjendjes shëndetsore në planet dhe informacione për zgjidhje klimatike. Të gjitha këto janë të lidhura ngushtë me synimet për zhvillimin e qëndrueshëm të OKB-së, ndërsa të gjithë qëllimet në mënyrë direkte apo indirekte mbështeten në teknologjinë hapsinore dhe satelitore”- thotë profesor Alen Dafi, Drejtor i Institutit për teknologji dhe industri hapsinore Svinburn në Melburn.
Por jo të gjithë mendojnë në këtë mënyrë. Los Anxhelos Tajms-i citon kolumnistin Majkell Hilcik: “Gara hapsinore Bezos-Branson-Mask është harxhim i stërmadh parash dhe shkencërisht e padobishme”. Por eksperienca ka treguar se kjo as është shpenzim i stërmadh parash dhe shkencërisht është e dobishme. Shumë firma konsultuese pohojnë se nxitësit kryesorë të shpërthimit të tregut orbital do të jenë zgjerimi i transportit hapsinor dhe zhvillimi i lokacioneve të lira për lançimin e raketave.
Zbatimi i raketave shumëpërdorimshe, mund të ulë shpenzimet e lançimit nga 60 në më pak se 6 milionë dollarë. Qëllimi është që të arrihet sa më lehtë në gjithësi dhe pastaj do të jetë më e lehtë të merremi me punë inovative dhe me përfitim. Sikurse tha Bezosi në CNN: “Misioni im është të ndërtoj rrugën drejt gjithësisë për gjeneratat e ardhshme të cilët do të bëjnë atje gjëra të pabesueshme, dhe këto gjëra kanë për të zgjidhur problemet këtu në Tokë”. Është e pritshme që në të ardhmen do të ideohen dhe konkretizohen një numur i paimagjinueshëm prodhimesh, patentash dhe apliklacionesh që do ti përdorin banorët në Tokë. Në kozmos do të prodhohen ilaçe të reja, mallra industriale të lira dhe ushqim me metoda të reja.
Vendqëndimi i integruar orbital që po ndërton kompania Sierra Space (Sierra Nevada Corporation) është projektuar për të lehtësuar kërkimet mjeksore dhe farmaceutike, prodhime në gjithësi, bujqësi dhe turizëm. Ky vendqëndrim duhet të jetë gjithnjë e më shumë i vetëmjaftueshëm, jeta në kozmos duhet të jetë e qëndrueshme në të nëjtën mënyrë si edhe në Tokë.
E njëjta bioteknologji për prodhimin e ushqimeve, ilaçeve dhe materialeve për banorët e gjithësisë duhet të zbatohet për krijimin e tyre edhe në Tokë. Biologjia shihet si platofrma teknologjike më me perspektivë për arritjen e vetëmjaftueshmërisë, për këtë pritet që përparimi në bioteknologji do të jetë revolucionar.
Përparimi në metagenomi (studimi i ADN-së) tashmë jep një tabllo për shumëllojshmërinë molekulare pa marrë parasysh faktin nëse bëhet fjalë për kërkimin e një ilaçi për sëmundjet ngjitëse apo materiale të ngjashme me fijet sintetike shumë të forta. Shkencëtarët pohojnë se procesi i fermentimit realizohet mirë edhe në gjithësi sepse mbështetet në të njëjtën pajisje pa marrë parasysh nëse prodhohet ushqim, ilaçe apo polimere. ADN-në në mikrobet e fermentuar shkencëtarët e konsiderojnë materie të programueshme.
Kompanitë Air Protein, Orbital Farm dhe NovoNutrients përdorin NASA-n për teknologjinë e prodhimit të mishit nga ajri, gjë që mund të ndihmojë për të ushqyer miliona njerëz të uritur në botë, por edhe për të promovuar prodhimet ushqimore pa emetim karboni. NASA po zhvillon prodhimin e vitaminave në gjithësi- projekti BioNutrients teston prodhimin e antioksiduesve nga tharmi i brumit të bukës. Prodhimi mund të shfrytëzojë mikrogravitacionin në orbitën e poshtme tokësore për të shtampuar gjithçka- nga kristalet e insulinës deri te organet e njeriut.
Kërkuesit shkencorë para pak kohësh njoftuan për suksesin e kombinimit të bioplastikës dhe shtampuesve 3D për prodhimin e materialeve në Gjithësi, të cilët pastaj mund të investohen në shtampues 3D dhe të bëhen materiale që mund ti përdorin astronautët, qoftë nëse bëhet fjalë për hardverë, materiale për ndërtime mbrojtëse apo pajisje mjeksore. Kontrata aktuale SpaceX me NASA-n përfshin shtampimin 3D të shtyllave metalike për përdorim në raketat hapsinore.
Maratona e saponisur e baronëve të Gjithësisë mund të shpjerë në zbulime dhe teknologji që nuk janë vetëm të rëndësishme, por absolutisht vitale për jetën në planetin tonë mëmë.
Kjo është ajo që nuk arrijnë ta shohin kritizerët e verbuar ideologjikisht të ekonomisë së Gjithësisë. Turizmi në kozmos, aktivitet për të cilin sot flitet me përçmim, është vetëm një eksperiment dhe hallkë e vogël tregu e Odisesë së sipërmarrësve 2021 kapitalizimi i së cilës në vitin 2030 do të jetë 3 mijë miliardë dollarë.
Për këtë Majkell Strejni, bashkëputor i Institutit amerikan për sipërmarrjen, nëpërmjet sajtit Blumberg e këshillon Berni Sandersin: “Senator, ju lutem! Bezosi është pionier që po bën histori. Komercalizimi i Gjithësisë na shërben të gjithëve dhe jo vetëm të pasurve. Komercializimi prej pionieri i Gjithësisë nga Bezosi dhe bashkëkohësit e tij krijojnë trashëgimi që do të zgjasë më shumë sesa kujtesa për shqetësimet e kritizerëve të tyre. Të mirat e zhvendosjes së kufinjve drejt Gjithësisë do ta transformojnë jetën për më mirë, në një mënyrë të tillë të cilën ne sot as që mund ta përfytyrojmë”.
Përktheu për Argumentum.al: Xhelal FEJZA
[i] https://www.danas.rs/nedelja/preduzetnicka-odiseja-2021/