Mons. George Frendo O.P.
Kush është Papa Françesku? Përgjigjet i vetë: “Jam një mëkatar. Ky është përkufizimi im më i qëlluar. Nuk them vetëm për ta larë gojën, nuk është figurë letrare. Ndoshta më duhet të pranoj se jam pak dinak, di si të lëviz, po ama është e vërtetë se edhe jam dhe pak naiv. Unë jam dikush të cilit Zoti i ka hedhur sytë”.
Dhe çfarë është shenjtëria sipas Papa Françeskut? Thotë ai: “Unë e shoh shenjtërinë te populli i Hyjit që ka durim: një grua që rrit fëmijët, një burrë që punon për të sjellë bukën në familje, të sëmurët, meshtarët e moshuar që ndonëse kanë shumë plagë, prapë janë të buzëqeshur se i kanë shërbyer Zotit, motrat që punojnë shumë e që jetojnë një shenjtëri të fshehur. Kjo është për mua shenjtëria e zakonshme… Kjo ka qenë shenjtëria e prindërve të mi: babait tim, nënës sime, gjyshes sime që më ka bërë aq shumë të mira”.
Françesku: Papa i mëshirës, lajmëtari i mesazhit të shpresës dhe të dashurisë. Vazhdon: “Shërbëtorët e Kishës duhet të jenë para se gjithash shërbëtorë të mëshirës… Mbarështuesit e Kishës duhet të jenë plot dashuri, të përgjegjshëm ndaj njerëzve, duke i shoqëruar ata si një samaritani i mirë që lan, pastron dhe e ndihmon të ngrihet përsëri të afërmin a tij”.
Më 13 mars 2013, Kardinalët zgjodhën Kardinalin Gjergj Bergoglio si Papë, i cili zgjodhi emrin “Françesku”. Shumë njerëz u habitën për zgjedhjen e tij: nuk ishte ndër Kardinalët më të përmendur. U habitën më shumë me zgjedhjen e emrit “Françesku”. Por ky emër tregon mirë programin që do të zbatonte si Papë. Që nga fillimi ai tha që dëshironte një Kishë më të thjeshtë e më të varfër, dhe më afër të varfërve. Edhe si ipeshkëv në Argjentinë ai kujdesej shumë për të varfrit.
Në vitet 70 shumë popuj mendonin se ateizmi një ditë do ta sundojë mbarë botën. David Bentley Hart, një teolog ortodoks, tha se kanë mjaftuar vetëm 10 vjet e pontifikatit të Gjon Palit II për të provuar se besimi fetar është më i fortë sesa banaliteti i materializmit dialektik.
Në vitet 2006-2012 disa profetë të rremë paralajmëruan një “agoni” për Kishën Katolike, për shkak të disa skandaleve që u zbuluan në ato vite. Por kanë mjaftuar vetëm 10 ditë për të zbuluar falsitetin e kësaj profecie! Papa Françesku është një dhuratë e paçmueshme për mbarë botën, ashtu siç ishte Papa Gjoni XXIII. Të dy kanë parapëlqyer një stil jetese të thjeshtë, të dy kanë treguar një shpresë të veçantë për të ardhmen e Kishës, dhe kjo shpresë u dha të dyve një kurajë të jashtëzakonshme për të nisur reformat e duhura në Kishë, pasi Zoti u dha një urtësi të madhe për të lexuar shenjat e kohërave dhe të bëjnë atë pyetje: “Çka kërkon Zoti prej Kishës, sot?”
© Argumentum