Bruno Rukavina-Gjeopolitika[i]
Paparashikueshmëria shfrytëzohet shpesh si taktikë në politikën e jashtme, dhe kjo bëhet me qëllimin e fitimit të disa përparësive taktike, rritjen e fuqisë personale ose thjesht për trullosjen e kundërshtarit. Kjo taktikë bazohet në atë që institucionet shtetërore ose udhëheqësi politik veprojnë me synim në një mënyrë të cilën është e vështirë t’a parashikosh, në mënyrë që aktorët e tjerë të mbeten të shqetësuar dhe të pasigurtë mbi synimet apo reaksionet e tyre dhe kësisoj nuk kanë mundësi të ndërtojnë një strategji tyren të veprimit sipas çështjeve të paracaktuara të politikës së jashtme ose të sigurisë. Paparashikueshmëria mund të shërbejë edhe si pjesë e taktikës së ndryshimit të mendimit për të ndërmarrë disa lëvizje të caktuara, për të cilat nuk dihet më parë se cila do të jetë përgjigja.
Nga ana tjetër, për bashkësinë ndërkombëtare ekzistojnë edhe rreziqe të shumta nga paparashikueshmëria, siç janë: 1) humbja e besimit te partnerët dhe aleatët nëse bëhen lëvizje pa koordinimin paraprak me ata; 2) përshkallëzimi i konfliktit nëse pala tjetër vlerëson gabimisht konfliktin ekzistues; 3) shkatërrimi i stabilitetit të marrëdhënieteve ndërkombëtare dhe vështirësimi i bashkëpunimit në të ardhmen me cilindo aleat potencial.
Paparashikueshmëria si taktikë mund të jetë armë e fuqishme në politikën e jashtme, por kërkon planifikim strategjik të vemendshëm dhe vlerësim të rrezikut si dhe harmonizim me interesat kombëtare të shteteve dhe ndaj kujt kjo taktikë drejtohet. Është gjithmonë e nevojshme të përcaktohet qartë synimi i paparashikueshmërisë dhe subjektit, me fjalë të tjera aktorit, ndaj të cilat ajo do të implementohet. Realizimi i suksesshëm i saj varet nga konteksti, qëllimet dhe aftësia e aktorëve për të ruajtur ekuilibrin mes mundësisë së frenimit të kundërshtarit (aktori i synuar i paparashikueshmërisë) dhe ruajtjes së besimit mes aleatëve.
Shkolla të ndryshme
Shkolla teorike e relativizmit në marrëdhëniet ndërkombëtare, mendon se shteti dhe udhëheqësit e tij politikë nuk mund të udhëhiqen nga paparashikueshmria, sepse nëse i përcaktojnë qartë interesat kombëtare të shtetit, kjo është një busullë e shkëlqyer për parashikimin e sjelljes së shteteve. Çdo shtet ka vija të kuqe të përcaktuara qartazi dhe interesa kombëtare për të cilët është i gatshëm të hyjë në konflikt.
Për këtë shumë vite më parë se të fillonte konflikti ndërshtetëror mes Rusisë dhe Ukrainës, Xhon Mearshmejer, pjestar amerikan i shkollës realiste, e paralajmëronte këtë skenar, sepse e dinte se përfshirja e Ukrainës në NATO është kundër interesave kombëtare të Federatës Rusë dhe për këtë Federata Ruse ishte e gatshme të futej në një konflikt shumëvjeçar në mënyrë që të mbronte interesat e saj kombëtare, gjë të cilën po e shohim qartë këto pothuajse tre vitet e fundit.
Po ashtu, edhe Shtetet e Bashkuara me siguri do të futeshin në konflikt nëse u kërcënoheshin interesat kombëtare në të dy kontinentet aemrikane, në Lindjen e Afërt (në mënyrë të veçantë në Gjirin Persik dhe aletatin strategjik Izraeli), në Europë (në këtë rast në radhë të pjesën perëndimore të saj, e sipas nevojës edhe në atë lindore), dhe në Pacifik (çështja e sigurisë së Koresë së Jugut, Japonisë dhe Tajvanit).
Nga ana tjetër, liberalizmi si drejtim teorik i marrëdhënieve ndërkombëtare, mendon se interesi kryesor e njerëzve dhe individëve është liria dhe konfliktet lindin në radhë të parë për shkak të kësaj lufte për liri. Sipas liberalëve, paparashikueshmëria nuk ekziston. Të gjithë popujt duan të jetojnë në demokraci liberale dhe për këtë do të bëjnë gjithçka që të transformojnë autokracitë dhe tiranitë e tyre në shoqëri demokratike liberale. Konflikti do të ekzistojë gjithmonë, sipas liberalëve, kryesisht mes autokracive dhe demokracive, ose në planin e brendshëm mes masës shumënjerzore liridashëse dhe elitës së pakët në numur të tëhuajsuar nga masa e cila dëshiron t’a udhëheqë përjetësisht popullin.
Konstruktivistët në marrëdhnëiet ndërkombëtare theksojnë se paparashikueshmëria, si dhe gjithçka tjetër në marrëdhëniet ndërkombëtare, është realitet i konstruktuar, i ideuar në kokat tona. Drejtimi teorik konstruktivist, i bazuar në antifundacionalizmin ontologjik, mendon se nuk ekziston kurrfarë realiteti përveç se atij që ndërtojmë ne vetë me kokat tona. Nëse mendojmë se ekziston paparashikueshmëria, ajo do të ekzistojë, nëse nuk mendojmë, ajo nuk ka për të qënë. Mendojmë pra ekzistojmë.
Të gjithë konfliktet, luftërat lindin nga marrëveshja e elitave në dhoma të mbyllura, shpesh të mbushura me aktivitete hedoniste, dhe askush nuk pyetet për asgjë. Sistemet mediatike dhe propaganda do t’i detyrojnë njerëzit të besojnë në atë që shohin dhe e vërteta si e tillë është e pamundur të njihet, perveçse nëse nuk jemi të përfshirë direkt në ndonjë vend apo në ndonjë ngjarje/konflikt, por edhe atëherë shohim vetëm njërën pjesë, e jo pamjen e gjërë. Megjithatë, edhe përkundër këtyre perspektivave teorike paparashikueshmëria si taktikë e politikës së jashtme dhe asaj të sigurisë është shfrytëzuar shumë herë gjatë historisë.
Napoleoni dhe Hitleri e kanë shfrytëzuar paparashikueshmërinë
Udhëheqësi ushtarak dhe shtetari francez, Napoleon Bonaparti, e ka shfrytëzuar shpesh taktikën e paparashikueshmërisë, si në fushën e luftës, ashtu edhe në marrëdhëniet diplomatike me qeveritarët e atëhershëm europianë, duke lidhur marrëveshje të fshehta dhe aleanca të befasishme para se armiku të arrinte të vepronte.
Aleanca të ngjashme madje edhe (paradoksale) të paparashikueshme ka lidhur edhe udhëheqësi i Rajhut të Tretë, Adolf Hitleri, fillimisht me Poloninë, në vitin 1934, që ishte një prej marrëveshjeve të para ndërkombëtare të Hitlerit, gjë që doli të ishte vetëm taktikë e udhëheqësit nazist për të trullosur Poloninë dhe ta bëjë atë të besojë se Gjermania nuk ka armiq, dhe, kur të vijë koha më vonë, Polonia do të binte shumë shpejt në planet imperiale të Rajhut të Tretë.
Shembulli tjetër është pakti Ribentrop-Mollotov i vitit 1939, kur dy armiq natyrorë ideologjikë në mënyrë të befasishme krijuan aleancën (secili prej tyre nisur nga interesa pragmatiste), gjë që çoi në sfida të mëdha në Paktin Tresh, mes aleatëve të Rajhut të Tretë (përshembull: në Japoni)
Gjatë kohës së Luftës së Ftohtë, ka mbetur e njohur në lloj i veçantë i paparashikueshmërisë te Riçard Niksoni dhe teoria e tij e çmendurisë (Madman Theory) me të cilën i’a arriti të bindte BRSS-në dhe Vjetnamin e Veriut se ShBA-të, si i çmendur (madman) janë të gatshëm të ndërmarrin masa ekstreme, përfshirë edhe sulmin bërthamor, nëse nuk arrijnë marrëveshjen. Megjithëse kontraverse, strategjia në fjalë pati ndikim të bisedimet për paqe në Vjetnam dhe tregoi se loja psikologjike mund të jetë element i fuiqshëm në politikën e jashtme.
Taktika psikologjiko-politike e Donald Trumpit
Paparashikueshmëria ka shërbyer edhe si mjet presioni ndaj rivalëve. Është fjala për një taktikë psikologjiko-politike me të cilën bëhen përpjekje që palën tjetër, qoftë me bisedime ose me konflikte, ta detyrosh të parashikojë në mënyrë të pasuksesshme lëvizje dhe të shpenzojë burime për parashikimin dhe analizimin e skenarëve të ndryshëm me suksesin më të madh, e më së shumti me suksesin më të vogël, pikërisht për faktin se këta skenarë janë të paparashikueshëm. Këtë parim e përdori presidenti i sapozgjedhur Donald Tramp, në sajë të kontekstit të mandatit të parë, ose më mirë të themi aparatit burokratiko-administrativ të Shteteve të Bashkuara të Amerikës i cili ishte i orientuar kundër ideve të tij politike të cilat ai synonte t’i implementonte. Për këtë paparashikueshmërinë e tij e përdori kundër rivalëve të tij të politikës së jashtme, por edhe për kapërcimin e pengesave që i vinin nga aparati i brendshëm burokratiko-administraiv amerikan.
Në politikën e jasthme amerikane, në mandatin e parë të tij si president, Donald Trampi shfrytëzoi taktikën e paparashikueshmërisë në disa raste. E para dhe më e dukshmja ishte me Korenë e Veriut atëherë kur Trampi e kërcënoi atë me zjarr dhe zemërim (fire & fury) gjatë përshkallëzimit të tensioneve në vitin 2017, duke sugjeruar mundësinë e sulmit ushtaral. Më vonë befasoi botën duke u takuar me Kim Jong-unin në samitin historik në Singapor (2018) dhe në Hanoi (2019), duke u bërë kësisoj presidenti i parë amerikën që vuri këmbën në truallin koreanojugor.
Trumpi shtroi një pyetje legjitime
Më tej, Trampi i tërhoqi njëanshëm ShBA-të nga disa marrëveshje ndërkombëtare, si puna e Marrëveshjes së Parisit për klimën në vitin 2017, Planit të përbashkët gjithëpërfshirës me Iranin në vitin 2018. Këto akte natyrisht shkaktuan shok dhe rënie të besimit në radhët e aleatëve Perëndimorë si dhe dobësuan pozicionin e Amerikës në institucionet multilaterale. Megjithatë, Trampi shtroi një pyetje legjitimi, cilat janë interesat kombëtare të ShBA-ve të cilët sendërtohen në këto raporte multilaterale ndërkombëtare?
Megjithëse disa analistë të politikës së jasthme kanë theksuar edhe këmbënguljen e Trampit të rritur ndarjen e 2% të të PBB për mbrojtjen në NATO dhe fokusin te Kina, të dyja këto iniciativa nuk i ka inicuar Trampi, por paraardhësi i tij Barack Obama. Trampi nëpërmjet retorikës së tij këto gjëra i vuri në plan të parë dhe theksoi rëndësinë që asaj që europianët duhet të aftësohen për mbrojtjen e tyre dhe sfidat që vinë nga Kina.
Edhe vetë retorika apo mënyra e komunikimit të presidentit Tramp bëjnë pjesë në taktikën e paparashikueshmërisë sepse informacione të shumta kanë ardhur nga llogaria e tij në Twiter (sot X) nga ku shtetarët botërore bëheshin me dije për sanksione të reja apo lëvizje të rëndësishme të politikës së jashtme.
Përparësia që realizoi Trampi me këtë taktikë të paparashikueshmërisë në mandatin e tij të parë janë: 1) fuqia/përparësia negociuese në planin e brendshëm dhe të jashtëm (në planin e brendshëm në mënyrë që sistemi burokratiko-administrativ i ShBA-ve të mos mundej t’a ndalonte në vendimet që merrte, ndërsa në planin ndërkombëtar të mos e ndalnin aktorë të tjerë dhe rivalë të ShBA-ve); 2) rriti presionin politik dhe përgjegjësinë e aleatëve (në mënyrë të veçantë atyre europianë) që të fillojnë e të investojnë në kapacitetet e tyre mbrojtëse (sepse ShBA-të nuk janë më partner i sigurtë), megjithëse jo në atë shkallë që arriti t’a bëjë këtë konflikti ndërshtetëror ruso-ukrainas; 3) evitimi i kanaleve dhe protokolleve diplomatike, shpesh të ngadalshëm; 4) fokusimi meditiak te politika e tij e jashtme e paparashikueshme e cila ishte shpesh e ndjekur më shumë se duhej nga ana mediatike, gjë që Trampi e shfrytëzoi në mënyrë që të impononte narrativin e tij në agjendën dhe hapësirën mediatike botërore; 5) Krijimi i figurës për veten e tij si shtetar i fuqishëm amerikan i cili ka në qendër të vemendjes interesat kombëtare të ShBA-ve dhe jo interesat e shteteve të tjera ose shoqërinë imagjinare globale, ose akoma në mënyrë më abstrakte- njerzimin.
Nga ana tjetër, kritikët e këtij qëndrimi apo taktikës së paparashikueshmërisë në udhëheqjen e politikës së jashtme do të theksonin uljen e besimit të aleatëve, rrezikun nga përshkallëzimi i konflikteve, mungesën e konsistencës dhe fokusimin te rezultatet afatshkurtër në politikën e jashtme.
Megjithatë, çfarë rëndësie do të ketë paparashikueshmëria gjatë mandatit të dytë të Trampit në kontekstin e sotëm pra dhe në këtë botë kaotike që na ka lënë si trashgimi së shpejti ish presidenti Xh Bajden me fokusimin e tij te bashkëpunimi multilateral i cili rregullisht rezulton me konflikte të reja në botë?
Ndryshime dramatike
Bota ka ndryshuar në shumë gjëra në këta katër vitet e fundit, në mënyrë të veçantë në Lindjen e Afërt dhe në Europë. Është fjala për njëfarë lloji të kaosit kuazi të kontrolluar i cili u përshkallëzua në mënyrë konstante deri te pika e sotme e vlimit. Parë nga ana gjeopolitike më shumë është goditur rajoni i Detit të Zi i cili përbëhet nga katër vatra zjarri:
1) në lindje të Detit të Zi: Kaukazi (konflikti Azerbejxhan-Armeni 2020-2021 rreth Nagorno-Karabahut dhe kryengritja e tanishme euroatlantike gjeorgjiane);
2) në veri të Detit të Zi: konflikti ruso-ukrainas (ri)përshkallëzimi i konfliktit ndërshtetëror në vitin 2022;
3) në jug të Detit të Zi: Lindja e Afërt (konfliktet rreth Izraelit: Palestina, Libani, Siria krahas goditjeve raketore mes Iranit dhe Izraelit dhe roli shtesë i Turqisë si lojtar kryesor me interesa kombëtare të përcaktuara qartazi);
4) e vetmja hapësirë paqesore rreth Dett të Zi është ajo Perëndimore (gadishulli Dinarik ose Europa Juglindore ose më saktë: Ballkani) i cili në krahasim me sa më sipër është shumë më stabël sesa pjesa tjetër e rajonit të Detit të Zi. Megjithatë, po ashtu ekziston potenciali për konflikte rreth çështjes së Kosovës, Bosnjë e Hercegovinës dhe tensionet e deri para pak kohëve në Rumani për problemin e zgjedhjeve presidenciale.
Krahas këtij konteksti gjeopolitik të Detit të Zi, në shkallë botërore ka rëndësi të ndahet më vete tërheqja amerikane nga Afganistani dhe vazhdimi i provokimeve kineze rreth Tajvanit me manovra ushtarake (fillimisht me taktikën e bllokimit të ishullit, e cila në mënyrë shumë reale edhe mund të realizohet duke marrë parasysh synimet kineze rreth Tajvanit)
Në këtë situatë të marrëdhënieve ndërkombëtare kthehet Donald Trampi, i cili ka shumë mundësi të jetë një Tramp të cilin nuk kemi patur mundësi ta shihnim më parë. Në mënyrë jozyrtare mund të thuhet se është fjala për një emërtim të ri Tramp 3.0 (Tramp 1.0 ishte gjatë kohës së mandatit të parë presidencial, Tramp 2.0 ishte në opozitë dhe po përgatitej për rikthim deri në zgjedhjet presidenciale të vitit të kaluar). Themeli i taktikës së re të paparashikueshmërisë qëndron në faktin se një paparashikueshmërie shtesë në emërtimin e ri Tramp 3.0, i cili në këtë mandat të ri presidencial me ekipin e ri të këshilltarëve të motivuar do t’a rritë paparashikueshmërinë e tij. Kjo mund të ketë si pasojë përshkallëzimin e mëtjeshëm të disa konflikteve (përshembull në Lindjen e Afërt, nëpërmjet mbështetjes dhënë Izraelit në pushtimet e tij dhe neutralizimin e të gjithë armiqve të Izraelit, përfshirë edhe Iranin). Po ashtu mund të ketë efekte në hapat e negocimit përshembull në lidhje me çështjen e Ukrainës, sepse, megjithëse është pak e mundur, Trampi mund t’a rritë ndjeshëm mbështetjen për Ukrainën në mënyrë që t’a detyrojë Rusinë për bisedime pse ose lëshime për çështje të caktuara (teoria e çmendurisë e Niksonit).
Rusia mund të luajë “teorinë e çmendurisë” dhe Jalta 2
Natyrisht, ka kohë që Rusia është mësuar se nuk mund të mbështetet në asnjëfarë premtimi të Perëndimit të përbashkët, madje as atëherë kur ekzistojnë marrëveshje të nënshkruara me Perëndimin (përshembull Marrëveshja e Minskut e cila ishte fjalë e vdekur në letër dhe e cila, sipas ushëheqësve politikë gjermanë dhe francezë, kurrë nuk do të duhej të implementohej). Nisur nga kjo Rusia gjithashtu mund të luajë me teorinë e çmendurisë thjesht duke mos i’a vënë veshin presioneve Perëndimore sepse çmimi i sigurisë ruse tashmë ësdhtë paguar me gjakun e rusëve, dhe për këtë çmim i’a vlen të neutralizohen të gjithë kërcënimet që ekzistojnë sipas percpetimit rus. Për këtë takitka e paparashikueshmërisë mund të përshkallëzohet për një kohë të shkurtër akoma më shumë dhe të rritë kësisoj destabilitetin ekonomik, ose më mirë të themi t’i shtojë benzinë zjarrit të kaosit aktual.
Megjithatë, nga ana tjetër, ekziston edhe një mundësi, e cila përbën sfidë të madhe për aleatët europianë. Nëse Trampi do të udhëhiqet nga kanalet sekondare diplomatike, dhe jo nga ato klasike, shtrohet pyetja interesante nëse do të jemi dëshmitarë të njëfarë konference Jalta-2, në llojin e saj, tashmë mes ShBA-ve, Rusisë dhe ndoshta edhe Kinës? A do të vendosen kufinjtë e rinj në Europa mes lojtarëve të mëdhenj të sotëm, e ndërkohë që europianët të mos i pyesë askush, sikurse europianët me qindra vite kanë ndarë kolonitë mes tyre nëpër kontinentet e tjera e për këtë as që i kanë pyetur popujt e atjeshëm? Ndoshta historia nuk përsëritet pa një dozë të vogël ironie. Si do të sillen atëherë aleatët europianë dhe nëse disa institucione ndërkombëtare si puna e Aleancës së NATO-s, do të përjetojnë një skenar të tillë që europianët të kundërshtojnë çfarëdolloj ndyrshimi kufinjsh (megjithëse jo bash gjithmonë dhe jo gjithkund, Kosovë) dhe këtë t’a bëjnë me një justifikim mjaft të argumentuar (sepse çfarëdolloj ndryshimi kufinjsh hap kutinë e Pandorës së pretendimeve territoriale të shumë shteteve europiane)?
Për këtë taktika e paparashikueshmërisë së Donald Trampit, edhe vetë pak a shumë të paparashikueshëm, në mandatin e ri presidencial, ka potencialin t’i hedhë benzinë zjarrit të kaosit aktual në botë, por gjithashtu potencialisht është edhe një fije kashte për shpëtim, nëse taktika e paparashikueshmërisë do të shfrytëzohet për tejkalimin e pengesave që qëndrojnë në rrugën e ndërtimit të maqes së vyer dhe bashkëekzistncës paqesore të fuqive kundërshtare botërore (dhe rajonale).
Në fund, sikurse ndodh përherë në marrëdhnëiet ndërkombëtare, vetëm në retrospektivë do të kemi mundësinë për kuptimin e së sotmes nga ndonjë pikë e së ardhmes në të cilën do të vlerësojmë më qartë edhe paparashikueshmërinë e Trampit duke u nisur nga parimi ungjillor Biblik: “Do t’i njihni nga frytet e tyre”. (Ungjilli sipas Mateut 7, 15-20)
/Përktheu për Argumentum Xhelal FEJZA
[i] https://www.geopolitika.news/analize/trumpova-nepredvidljivost-teorija-ludila-i-jalta-2-s-rusijom-i-kinom/