Nga Redion LULI*
Përballja aktuale midis fuqive botërore mund të përshkallëzohet në 2021. Dështimi për të luftuar pandeminë do t’i bëjë Shtetet e Bashkuara të Amerikës të paaftë të përqendrohen në politikën e jashtme për një kohë të gjatë, ndërsa Kina konsiderohet gjithnjë e më pak si një “superfuqi miqësore”. Sidoqoftë, konfrontimi do të zhvillohet në një fushë të re – ekspertët parashikojnë përshkallëzimin e “Lojës së Madhe Dixhitale”.
Çdo vit Instituti Ndërkombëtar i Londrës për Studime Strategjike (IISS) analizon tendencat kryesore gjeopolitike. Këtë herë IISS ka publikuar një studim që parashikon se si do të duket politika globale në 2021. Perspektivat janë të zymta: koronavirusi e ka kthyer botën përmbys dhe konfliktet serioze ndërshtetërore ende nuk janë shuar. Disa nga këto konflikte, parashikon instituti, madje mund të përshkallëzohen.
Pavarësisht nga fakti që pandemia e koronavirusit në vitin 2020 la në hije problemet e tjera, ato kanë mbetur aty të pazgjidhura. Shqetësim shkaktojnë kryesisht tensionet në rritje midis superfuqive botërore. Marrëdhëniet SHBA-Kinë po kalojnë periudhat e tyre më të këqija që nga vitet ’60. Gjithashtu periudhën më të vështirë po kalojnë dhe marrëdhëniet Rusi-SHBA që nga vitet ’80. Situata mes Kinës dhe Indisë është po aq e rrezikshme sa ç’ishte në 1975. Pas katër viteve të presidencës së Donald Trump, në marrëdhëniet midis Europës dhe Shteteve të Bashkuara mbretëron për herë të parë që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore një pasiguri e këtyre përmasave.
Me ardhjen e Joe Biden në pushtet në Shtetet e Bashkuara, marrëdhëniet Europiano-Amerikane duhet të përmirësohen sërish, të paktën atmosfera e tyre. Për sa i përket marrëdhënieve midis pjesës tjetër të fuqive botërore, IISS nuk sheh perspektiva të ndritshme.
Sipas IISS është rritur gjithashtu edhe aventurizmi i politikës së jashtme të sundimtarëve autoritarë: në Azerbajxhan dhe Turqi kundër Armenisë, në Rusi kundër Ukrainës dhe në Siri, në Kinë në Detin e Kinës Jugore. Në të kaluarën, dominimi i SHBA ka parandaluar përshkallëzimin e shumë konflikteve, duke ushtruar një presion pak a shumë të butë. Por ky dominim, nuk ka gjasa të kthehet as nën presidencën e Biden, i cili së pari duhet të “shërojë plagët e politikës së brendshme” përpara se të kalojë në politikën e jashtme. Përveç kësaj, SHBA-të ekspozuan dobësitë e tyre në luftën kundër pandemisë, duke i shkaktuar një dëm afatgjatë reputacionit të tyre. Në të njëjtën kohë, sistemi shumëpalësh, baza e të cilit është OKB, është tronditur gjatë vitit 2020.
Nga ana tjetër, Kina nuk po ndjek gjurmët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kina po bëhet një superfuqi, por, ndryshe nga SHBA, Kina “nuk arriti të krijojë aleanca të forta”. Rruga e Re e Mëndafshit kuptohet nga vendet “jo aq sa një ofertë e partneritetit të ndershëm, por si një përpjekje për të rritur ndikimin në shumë pjesë të botës”. Sjellja gjithnjë e më e guximshme, ndonjëherë agresive, i ka kushtuar Pekinit humbjen e shumë simpative, nga fqinjët e tij në Azinë Lindore e deri në Europë, Afrikë dhe Amerikën e Jugut. Dhe nuk ka kaluar pa u vënë re që Kina po përdor pandeminë për të “shtrënguar vidhat brenda vendit”, nga Hong Kongu në Tibet dhe Xinjiang, rajoni ku jetojnë ujgurët muslimanë. Gjithnjë e më pak vende e shohin Kinën si një “fuqi globale miqësore”.
Megjithatë, vendi i Perëndimit në hartën gjeopolitike nuk do të përcaktohet me mjete ushtarake. Ekspertët e IISS parashikojnë një “Lojë të Madhe Dixhitale”. Në këtë lojë ende nuk ka rregulla të përcaktuara, ndërsa pjesëmarrësit në këtë lojë vijojnë të veprojnë në mënyrë jashtëzakonisht të vrazhdë. Fituesi nuk është përcaktuar ende.
Një gjë është e sigurt: “Përballja midis fuqive botërore është një barrë e rëndë për botën”. Zgjidhjet për konfliktet aktuale janë po aq të vështira për t’u gjetur, sa edhe qasjet e përbashkëta në luftën kundër pandemisë apo ndryshimit të klimës. Në vitin 2021 tensionet gjeopolitike ka të ngjarë të intensifikohen. Kjo është e rrezikshme, sepse herë pas here, tensioni mund të shkarkohet “me bubullima dhe vetëtima”.
© Argumentum
* Lektor i së Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë