Gjeopolitika[i]
Ndërsa lufta e rusëve në Ukrainë ka shpërthyer me gjithë ashpërsinë e saj, nëpër gazsjellësit e Ukrainës vazhdon të rrjedhë akoma gazi rus i destinuar për tu konsumuar nga antarët e Bashkimit Europian. Që nga dita e fillimit të luftës, me 24 shkurt 2022, Bashkimi Europian i ka paguar me shumë se 35 miljardë dollarë Rusisë për gazin e blerë.
Pa marrë parasysh nevojat e Bashkimit Europian, Ukraina duhet t’ia lërë vetvetes të hapur obsionin e mbylljes së rrjetit të gazsjellësve nëpër territorin e saj. Ndoshta këtë do të duhej ta kishte bërë më parë dhe kësisoj të ndalonte lojërat perverse të biznesit me gazin rus. Ndërsa lufta e rusëve në Ukrainë ka shpërthyer me gjithë ashpërsinë e saj, nëpër gazsjellësit e Ukrainës vazhdon të rrjedhë akoma gazi rus i destinuar për tu konsumuar nga antarët e Bashkimit Europian. Që nga dita e fillimit të luftës, me 24 shkurt 2022, Bashkimi Europian i ka paguar me shumë se 35 miljardë dollarë Rusisë për gazin e blerë. Sipas pohimeve të Bloomberg-ut të datës 22 mars edhe Ukraina, sëpaku deri atëherë, pra një muaj pas fillimit të luftës, është paguar rregullisht prej Rusisë me tarifën përkatëse për tranzitimin e gazit të saj drejt Bashkimit Europian.
Ukraina thjesht duhej ta mbyllte rrjetin e saj të gazsjellësve për gazin rus, sepse nuk ka kurrfarë logjikë lufte që të lejosh nëpër territorin tënd burime transporti të armikut me të cilët ai ushqen makinerinë e tij luftarake, shkatërron dhe vret civilët.
Arësye e shëndoshë
Në prapaskenat e luftës ruse në Ukrainë me pesë milionë ukrainas të shpërngulur dhe me dhjetra mijëra të vrarë e të sakatuar, është duke vepruar, vepron, thënë butësisht, kombinacioni imbecil i gazit të cilin Rusia vazhdon ta eksportojë drejt Bashkimit Europian nëpërmjet territorit ukrainas. Kjo gjë është në kundështim jo vetëm me logjikën politike dhe atë të luftës por edhe me parimet morale dhe gjithashtu fyen arësyen e shëndoshë.
Ndërsa si pasojë e agresionit rus vriten njerëzit, biznesi energjetik dhe i naftës i vendeve europiane me Rusinë vazhdon i papenguar, dhe ky pikërisht nëpërmjet territorit ukrainas.
Thënë në mënyrë tejet të thjeshtë, ndërsa Rusia fiton nga shitja e gazit në Europë në mënyrë që të luftojë kundër Ukrainës, nga ana e saj Ukraina fiton nga pagesa e tranzitimit të gazit në mënyrë që të luftojë kundër Rusisë. Europa paguan Rusinë që ajo të ketë mundësi të vazhdojë luftën kundër Ukrainës dhe që Gjermana të mbajë në këmbë industrinë e saj, përshirë edhe industrinë ushtarake, që ajo të sigurojë fitime dhe ta ndihmojë financiarisht Ukrainën në luftë kundër agresionit rus, por edhe duke e furnizuar Ukrainën me armë dhe pajisje ushtarake, prodhime të kësaj industrie, e cila kuptohet qartë se nuk do të mund të mbijetonte në vëllimin prodhues aktual pa gazin rus. Është fjala për një konstruksion të kotë dhe jo moral e kësisoj Ukraina duhet të jetë konseguente dhe ta mbyllë menjëherë kalimin e gazit rus nëpër territorin e saj drejt Europës.
Për më tepër, gjithnjë e më shpesh nëpër media – pikërisht në të kundërtën e asaj që ta thotë logjika e luftës – po shfaqen informacione sipas të cilëve përfaqësuesit e distributorit ukrainas të gazit në ShBA dhe shtete europiane, po lobojnë që një pjesë e gazit rus e cila transportohet drejt Europës nëpërmejt gazsjellësit gjerman Rryma e veriut 1, të zhvendoset drejt gazsjellësve ukrainas.
Kësisoj Reuters– i në artikullin e saj të datës 20 prill me titull: “Ukraine lobbies for cuts in Russian Nord Stream 1 gas shipments”, pohon: “Ukraina punon pas kuintave që ti bindë aleatët perëndimorë për ti transferuar furnizimet e gazit natyror nga gazsjellësi Rryma e Veriut 1 drejt rrjetit të gazsjellësve ukrasinas, gjë e cila do të rriste ndikimin e Kievit në konfliktin me Rusinë, thonë për Reuters-in zyrtarët e energjisë. Kjo, sikurse shprehen ata, do ta detyronte Rusinë të transportojë më shumë nga gazi i saj të destinuar për Europën nëpërmejt Ukrainës. Kuptohet, kjo do ta detyronte Moskën të paguante më shumë tarifa tranzitimi që mund të ndihmojnë në mbrojtjen e Ukrainës dhe t’ia largojnë mendjen Rusisë nga dëmtimi i gazsjellësve ukrainas, u thanë ata përfaqësuesve dhe zyrtarëve të administratës së Bajdenit javën e kaluar”.
Sipas Reuters-it, përfaqësuesit e distributorit ukrainas të gazit Naftagas, të cilët qëndruan një javë të tërë në Uashington, në takimet që patën me zyrtarë të administratës amerikane dhe përfaqësues të Kongresit, lobuan që ShBA-të të bindin Gjermaninë dhe aleatët e tjerë europianë që të pranojnë një plan të këtillë. Reuters-i në artikullin e tij më tej citon fjalët që tha në Uashington Olga Bielkova, drejtoreshë e sektorit të brendshëm të ofruesit të shërbimeve për tranzit gazi Gas Transit Sistem Operator of Ukraine: “Rusia varet nga fakti se transportojmë gazin e saj në Europë. Kjo është diçka që ne duhet ta shfrytëzojmë në raportet tona me ata dhe Europa mund të na ndihmojë për një gjë të tillë”.
Reuters-i nënvizon më tej: “Zyrtari i Shtëpisë së bardhë dhe ai i ministrisë gjermane të ekonomisë refuzuan të komentojnë sa më sipër. Gjermania të mërkurën deklaroi se do ta ndërpresë importimin e naftës ruse deri në fund të këtij viti, pas të cilit do të ndodhë edhe ndërpreërja e importit të gazit rus, por nuk saktësoi se kur do ta bëjë këtë. Gjermania tashmë ka ndërprerë projektin e gazsjellësit Rryma e Veriut 2, i cili është ideuar për të dyfishuar sasinë e gazit që furnizon Gjermaninë, si sanksion për agresionin rus në Ukrainë në muajin shkurt. Projekti me vlerë 11 miljardë dollarë ka përfunduar së ndërtuari në fund të vitit të kaluar, por asnjëherë nuk është vënë në punë. Transferimi i sasive të gazit që transportohen nëpërmjet gazsjellësit Rryma e Veriut 1 mund të ndikojë negativisht në çmimin e gazit në Gjermani dhe pjesën tjetër të Europës, pohojnë analistët. Nga ana tjetër kjo nuk do të ndihmojë në rritjen e sigurisë së furnizimit të Europës, deklaroi David Goldwin, ish i dërguar i posaçëm i Departamentit të Shtetit”.
Më tej në këtë artikull nënvizohet: “Rusia momentalisht eksporton 55 miljardë kub gaz natyror në vit në Gjermani nëpërmjet gaqzsjellësit Rryma e Veriut 1. Edhe 40 miljardë metër kub të tjerë Rusia i eksporton nëpërmjet sistemit transportues ukrainas të gazit dhe i paguan tarifën përkatëse të tranzitimit Ukrainës me dollarë amerikanë. Sistemi ukrainas i transportit të gazit ka kapacitet të lirë për më shumë se 100 miljardë metër kub dhe kësisoj shumë lehtë mund ta absorbojë gazin nga Rryma e Veriut 1. Danijel Vajdiç, këshilltar në Naftagas, tha se transferimi i tërë gazit të gazsjellësit Rryma e Veriut 1 do të ofronte më shumë ndikim në Moskë dhe do ti tregonte Kremlinit se Europa e lidh sigurinë e saj me atë të Ukrainës. Propozohet që 40% e kapacitetit të Rrymës së Veriut 1 të transferohet menjëherë në sistemin e gazsjellësve ukrainas, duke e rritur gradualisht deri në 100% në muajin prill 2023. Kjo do ti jepte kohë shteteve të BE-së për të krijuar rezervat dimërore dhe diversifikimin. Zyrtarët ukrainas pohuan se ata gjithashtu kanë kërkuar mbështetjen e ShBA-ve që Ukraina të marrë akses në furnizimin me gaz natyror të lëngshëm (LNG) amerikan në terminalin e Turqisë”.
Fluksi ditor
Një muaj më parë edhe Bloomberg-u publikoi informacionin sipas të cilit, ndërsa në Ukrainë vazhdon lufta e egër, biznesi i gazit mes Rusisë dhe Europës, nëpërmjet territorit ukrainas, vazhdon pa ndërprerje shoqëruar me pagesat e rregullta të çmimeve dhe tarifave sipas kontratave, përfshirë edhe tarifën e tranzitimit nëpër territorin e saj të gazit rus nëpër rrjetin e gazsjellësve të Ukrainës.
Në artikullin e saj të datës 22 mars 2022, me titullin “Lufta vazhdon, por Rusia vazhdon ta paguajë Ukrainën për tranzitimin e gazit” (“War Is Raging, But Russia Is Still Paying Ukraine for Gas Flows”), Bloomberg News nënvizon: “Ka kaluar tashmë një muaj nga fillimi i luftës, por Rusia vazhdon të dërgojë më shumë gaz rus në Europë nëpërmjet Ukrainës dhe Moska ende i paguan tarifat e plota Ukrainës për gazin dërguar në Europë, madje në një moment (mes datës 1-15 mars 2022. Shën. i aut.) tarifa është rritur më shumë se 50% në raport me nivelet më të ulëta të muajit janar, dhe dërgesat që udhëtojnë nëpërmjet gazsjellësve ukrainas janë dyfishuar, sepse kompanitë energjetike kanë shpejtuar të blejnë sasi gazi shtesë pas fillimit të invazionit rus në Ukrainë… Rusia paguan tranzitimin në valutë të fortë, thotë Jurij Vitrenko, drejtori kryesor ekzekutiv i NJSC Naftagas Ukrainy, kompania më e madhe shtetërore ukrainase e gazit dhe e naftës”.
Bloomberg News në vazhdim të artikullit shkruan: “Në fakt kjo është një situatë aspak e këndshme për kreatorët e politikës europiane, të cilët i kanë imponuar disa rrathë sanksionesh Moskës me qëllim dobësimin e qeverisë së Vladimir Putinit nëpërmjet zvoglimit të fluksit të parave të nevojshme për financimin e luftës. Rritja e blerjes së gazit vjen gjithashtu në momentet kur qeveritë europane po zotohen se do të ndërpresn vartësinë nga gazi rus, duke shpallur plane të vazhdimit të përdorimit të termocentraleve bërthamore dhe atyre me qymyrguri dhe importin e sasive më të mëdha të gazit të lëngshëm natyror nga shtete të tjera, përfshirë edhe ShBA-të dhe Katarin. Por gjithsesi kompanitë europiane të gazit shpejtuan të blejnë sasi gazi shtesë nga Rusia menjëherë pasi filloi agresioni rus në Ukrainë”.
Lojëra të moralit dhe përfitimit
Rritja e shpejtë e importit europian të gazit rus nëpërmjet gazsjellësve ukrainas filloi që 48 orët e para pas fillimit të luftës, për të arritur kulmin në gjysmën e parë të muajit mars. Ky është një fakt i cili është tejet i pakëndshëm për kredibilitetit moral dhe politik të shteteve më të fuqishme të Bashkimit Europian dhe Europës në tërësi. Ndërsa trupat ruse shkelin pa mëshirë Ukrainën në luftën e shpallur kundër vetë ekzistencës së kombit dhe shtetit ukrainas, kompanitë energjetike nga Bashkimi Europian as që interesohen fare se çfarë ndodh në terren por rritin vëllimin e furnizimit me gaz nga shteti agresor krahas mbështetjes së njëkohëshme pompoze mediatike Ukrainës së sulmuar. Për më shumë, edhe kompanitë ukrainase që ofrojnë shërbimet e transportit të gazit vazhdojnë të paguhen rregullisht nga Rusia agresore.
Bloomberg News –i nënvizon më tej: “Gazpromi ukrainas PJSC ka deklaruar se dërgesat e gazit janë rritur për shkak të kërkesave më të shumta të blerësve europianë, madje në të njëjtën kohë janë rritur edhe dërgesat e sasive të gazit nëpërmjet gazsjellësit tjetër të madh që kalon nëpërmjet Bjellorusisë dhe Polonisë dhe përfundon në Gjermani. Rritja e importit nga Rusia pasqyron vlerësimin e kompanive energjetike europiane se në të ardhmen dërgesat e gazit nga Rusia do të ulen dhe ata nuk do të jenë në gjendje të plotësojnë kërkesat dhe se çmimi i gazit në një të ardhme të afërt do të rritet, paralajmëruan analistët e JP Morgan Chase & CO në raportin e javës së kaluar. Ukraina më parë deklaroi se Gazpromi paguan gati dy miljardë dollarë në vit për shërbimet e transportit të gazit”.
Natyrisht, as Europa nisur nga shkaqe thjesht materiale dhe kundër të gjithë parimeve morale, nuk dëshiron të heqë dorë nga gazi i shtetit që po kryen agresion në Ukrainë, nga ana tjetër as vetë Ukraina nuk heq dorë nga marrja e pagesave të tarifave ruse për transportimin e gazit nëpërmjet territorit të saj. Ndërsa vazhdon kjo lojë e moralit dhe e përfitimit në kontinentin europian e cila pasqyron qartësisht tërë perversitetin e politikës, marrëdhënieve reciproke dhe pozitave të shteteve udhëheqëse, si edhe vetë Bashkimit Europian, e cila nuk shpie askund veçse në rrugë qorre, eksportuesit amerikanë të gazit fërkojnë me kënaqësi duart.
Ukraina duhet ta ndërpresë biznesin pervers europian të gazit me Rusinë
Bashkimi Europian dhe shtetet e tij udhëheqëse duhet t’ia pranojnë vetvetes situatën në të cilën u gjendën për shkak të bashkëpunimit energjetik me Rusinë dhe ta ndërpresin menjëherë blerjen e gazit dhe të naftës ruse. Për këtë ata do të jenë të detyruar duan apo nuk duan, herët apo vonë. Meqënëse ato deri tani nuk duan, sepse nuk kanë dëshirë të humbasin asnjë cent, megjithëse e paraqesin veten si miq dhe aleatë të mëdhenj të Ukrainës së sulmuar, këtë nyje gordiane duhet ta presë vetë Ukraina. Nëse nuk dëshiron kush tjetër, atëherë ajo duhet të marrë vetë iniciativën dhe në masën më të madhe duhet ta ndërpresë këtë plan pervers biznesi të gazit me Rusinë nëpërmjet mbylljes së tubave të gazit që kalojnë nëpër territorin e saj. Kjo është logjika e çdo lufte. Gjendja e tanishme është në kundërshtim jo vetëm me logjikën e luftës dhe çfarëdo logjike tjetër, por ajo është gjithashtu e panatyrshme dhe e çuditshme.
Ylli i ri
Ka filluar një “boom” i vërtetë importi nga Amerika të gazit të lëngshëm natyror (LNG). Ndërsa Europa po mbytet në kombinacionet e saj iracionale dhe po dyzohet mes moralit dhe parave, amerikanët arritën atë që deshën. Kompanitë amerikane po marrin në dorë tregun europian të gazit. Portali i specializuar Oil Price në artikullin e datës 14 prill 2012, me titull “Boom i vërtetë i importit të gazit të lëngshëm nga Amerika – rritja e gazit të importuar amerikan”, deklaron se Europa është bërë ylli i ri i industrisë amerikane të gazit.
Në pjesën hyrëse të artikullit jepet shkurtimisht drejtimi i zhvillimit të ngjarjeve: “E tani njiheni Europën, yllin më të ri në skenën e LNG-së. Europa është në fazën e rishqyrtimit të pozitave të saj në dritën e sanksioneve ndaj Rusisë dhe nevojës për zvoglimin e vartësisë së saj nga gazi rus dhe mundësive të shpërthimit të një krize energjetike të paparë deri tani. Prodhuesit amerikanë të gazit të lëngshëm natyror janë të gatshëm të ndihmojnë me shumë kënaqësi. Qeveritë e shteteve të Bashkimit Europian po diskutojnë prej javësh për mënyrat e zvoglimit të vartësisë nga gazi dhe nafta ruse. Ka pohime se BE-ja mund ta shtyjë këtë verë edhe nëse e zvoglon shumë importin e gazit nga Rusia sepse ka mjaftueshëm gaz nëpër depozitat e magazinimit. Megjithatë, Brukseli tani për tani ka hequr dora nga vënia e embargos ndaj gazit rus, ndërsa Gjermania pranoi se nuk mund t’ia lejojë vetes këtë gjë. Kanë ekzistuar edhe plane për zvoglimin e vartësisë nga gazi rus nëpërmjet gjetjes urgjente të furnizuesve alternativë, përfshirë edhe gazin nga Afrika e Veriut dhe gazin e lëngshëm natyror nga Katari dhe ShBA-të. Por në fakt vetëm ShBA-të mund ta ndihmojnë”.
Oil Price nënvizon më tej se tashmë janë bërë hapat e parë në planin e furnizimit amerikan të Europës më gaz natyror: “Presidenti Bajden ka premtuar se këtë vit Amerika do të eksportojë në Bashkimin Eropian 15 miljardë metër kub gaz natyror shtesë, ndërsa BE-ja ka marrë detyrimin se do të blejë sasinë vjetore prej 50 miljardë meër kub gaz të lëngshëm deri në vitin 2030, me mundësi edhe për një periudhë më të gjatë. Edhe para kësaj marrëveshje reciproke preleminare, Europa që në fillim të këtij viti, është bërë blerësi më i madh i LNG-së amerikane, duke blerë shifrën rekord prej 12,5 miljardë metër kub gaz të lëngshëm”.
Amerikanët përfitojnë
Oil Price konkludon: “Sanksionet kundër Rusisë do të vazhdojnë të jenë në fuqi; BE-ja dhe ShBA-të e kanë theksuar qartë këtë, pa marrë parasysh faktin sesi do të shkojnë punët me luftën në Ukrainë gjashtë muajt e ardhshëm. Në mos për gjë tjetër, deri atëherë do të ketë akoma sanksione ndoshta edhe nga ata që synojnë industrinë ruse të hidrokarbureve. Kjo sugjeron se kërkesa për gaz të lëngshëm nga ShBA-të do të jetë akoma më e madhe”.
Ndërsa në momentet kur Bashkimi Europian dhe dhe shtetet e tij më të fuqishme në kulmin e luftës së Rusisë kundër Ukrainës, e cila lehtë mund të përhapet në tërë Europën nëpërmjet mbështetjes verbale për Ukrainën, vazhdon edhe më tej me këmbëngulje të blejë gaz dhe naftë ruse, gazi amerikan, mbi bazën e vlerësimeve të zhvillimit të ardhshëm të ngjarjeve, po fiton primat në tregun europian të energjisë. Ndërsa tradicionalisht fuqitë europiane po dyzohen mes parimeve morale që ia kanë faturuar vetvetes dhe parave – amerikanët fitojnë para pa shumë filozofi dhe moralizime.
Përktheu për Argumentum Xhelal FEJZA
[i] https://www.geopolitika.news/analize/m-stefanov-perverzija-plinskog-biznisa-s-rusijom/