Bojana Despotiviç[i]
Muhamed Alabar, aksioneri kryesor në projektin “Beogradi buzë ujit”, hyri në Mal të Zi nga dera e vogël – si blerës i plazhit të madh në Ulqin, në mënyrë që brenda natës të promovohej si investitori i projektit më të madh në historinë e shtetit malazez.
Shans historik apo mashtrim, kjo është dilema para së cilës u gjendën qytetarët dhe opinioni publik malazez pasiqë pushteti aktual bëri publike historinë për kapitalin arab dhe investimet me vlera dhjetra miliardë euro, të cilët janë gati për t’u investuar në Ulqin por edhe në pjesët e tjera të Malit të Zi.
Bërja publike e projektit, i cili duhet të realizohet mbi bazën e marrëveshjes për bashkëpunim ekonomik dhe bashkëpunim në fushën e turizmit dhe zhvillimit të pronave të patundshme mes qeverisë së Malit të Zi dhe Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA), ka shkaktuar reaksione të furishme dhe ndarje të mëdha në shoqërinë malaze. Marrëveshjet e mësipërme i nënshkruan me 28 mars në Dubaj kryministri malazez Millojko Spajiç dhe zyrtarët e EBA-së, ndërsa për ratifikimin e tyre në këtë moment do të vendosin deputetët e Parlamentit të Malit të Zi. Veçanërisht problematik është marrëveshja mbi bashkëpunimin në fushën e turzimit dhe zhvillimin e pronave të patundshme sipas së cilës, krahas tjerash, parashikohet që trualli i zgjedhur për projektet të sigurohet “pa nevojën e realizimit të furnizimeve publike, tenderëve publikë apo procedurave të tjera të përshkruara nga kuadri ligjor për pronën shtetërore”.
Kjo gjë, sikurse deklarojnë përfaqësuesit e opozitës, të sektorit të shoqërisë civile dhe aktivistët qytetarë, lë hapësirë për korrupsion, keqpërdorim të burimeve shtetërore, por edhe pastrim parash. Nëse deputetet e votojnë këtë marrëveshje, ajo do të ketë fuqinë e leks spicijalis dhe do të jetë mbi ligjet e vendit në rast konflikti.
Rezistenca e qytetarëve
Parashikohet që investorët të propozojnë dhe për ata të garantojë qeveria e EBA-së, ndërsa Mali i Zi të sigurojë truallin, infrastrukturën, dokumentet e planeve dhe lejet e nevojshme. Si investitor kryesor është deklaruar Muhamed Alabari, njohur për ndërtimin e Burxh Kalifës në Dubaj dhe kompleksit “Beogradi buzë ujit”.
Alabari hyri në Mal të Zi nga dera e vogël – në fillim të muajit mars u shfaq si blerës i truallit në “Plazhin e madh” të Ulqinit, në mënyrë që brenda natës të promovohej në investitor të “projektit më të vlefshëm në historinë e Malit të Zi”. Spajiçi e paraqiti para publikut si njeriu që do t’a bëjë Ulqinin si Dubaj dhe do të investojë 20 miliardë euro, në mënyrë që më vonë këtë shumë t’a ngrejë në 35 miliardë euro.
Këto deklarata, por edhe dyshimet për korrupsion dhe keqpërdorim të burimeve shtetërore, ndeshën në rezistencë të madhe nga ana e ulqinakëve. Kryetari i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu deklaroi se “Ulqini nuk është në shitje”, ndërsa parlamenti lokal e hodhi poshtë dy herë këtë projekt. Brenda një dite, 5.000 qytetarë të Ulqinit nënshkruan peticionin kundër marrëveshjes të inicuar nga sektori civil. Ndër kritikët më të zëshëm të marrëveshjes është edhe drejtoresha ekzekutive e Rrjetit për Afrimimin e Sektorit Joqeveritar, Vanja Çalloviç Markoviç, e cila shkoi edhe një hap më tej dhe akuzoi kryeministrit për përzierje në kontrabandë cigaresh, duke nënvizuar se marrëveshja do të mundësojë që cigaret që vinë nga EBA të magazinohen përkohësisht në Tivar, gjë që Spajiçi me mohoi.
“Në këtë biznes nuk ka mënyra që Mali i Zi të mbrohet nga kapitali i pisët. E dimë se cili ka investuar deri tani në Mal të Zi dhe dimë se ka patur pastrim parash nga tonat dhe kriminelëve të botës. Mendoj se kjo është marrëveshje mes PES (Lëvizja Europa Tani- Pokret Evropa Sad, koalicioni në qeverisje në Mal të Zi. Shën. i përkth.) dhe DPS-së (Partia Demokrate e Socialistëve – përti opozitare, e cila ka qënë në pushtet deri në vitin 2020. Shën. i përkth.)”- nënvizoi Çalloviç Markoviçi në seancën e komisionit parlamentar për ekonominë.
Në shënjestër janë edhe vendndodhje të tjera
Përkundër rezistencës në rritje, kryeministri Spajiç pohon se “terë qeveria mbështet marrëveshjen” dhe se klubet e deputetëve dhe Komuna e Ulqinit duhet t’a pranojnë në mënyrë që të mos jenë të detyruar më vonë t’u shpjegojnë fëmijëve dhe nipërve sesi humbën shansin për 35 milirdë investime. Përveç Ulqinit, ditët e fundit, si lokacione të investimeve nga EBA-ja kanë filluar të përmenden edhe Jaz, Buljaricë, një pjesë e Herceg Novit-Llustice dhe veriu i Malit të Zi.
Ndërkohë Alabari duke folur në shumë televizione malazeze nënvizoi se nuk ka një projekt të gatshëm për biznes në Mal të Zi, por është i gatshëm të investojë dy miliardë e gjysëm euro, dhe se efekti kumulativ i këtij investimi është 35 miliardë euro.
[i] https://radar.nova.rs/global/crna-gora-velika-plaza-milijarde-interesi/
/Përktheu për Argumentum Xhelal FEJZA