Dr. Neven Cvetiçanin-Demostat[i]
Në kohët e sotme të gjithë, që nga strategët e dëgjuar e deri te njerëzit e zakonshëm, shtrojnë pyetjen se kur do të pushojë e gjitha kjo që po ndodh në Ukrainë ose kur ndoshta konflikti do të përhapet jashtë kufinjve të këtij vendi fatkeq. Laikët tashmë shohin këpurdhën bërthamore të luftës së tretë botërore, ndërsa njohësit e lëndës spekulojnë se në një moment të konfliktit do të përdoret edhe të ashtuquajturat armë taktike bërthamore. Pyetje ka shumë, ndërsa përgjigje të besueshme dhe të mirëinformuara pak, sepse rrethanat e luftës janë ideale për atë që çështjet e ndërlikuara strategjike të maskohen me pamflete propagandistike të palëve në konflikt, të cilët si rregull janë të natyrës bardhë e zi që nuk zgjidhin asgjë veçse i hedhin akoma më shumë benzinë zjarrit. Ndërsa në lidhje me luftën dhe paqen nuk ka qënë kurrë e mundur të kesh një përgjigje të thjeshtë të tipit të pamfleteve bardhë e zi, të destinuara për këmbësorinë në terren, por dialektikën e luftës dhe paqes e ka përcaktuar përherë raporti mes palëve të konfliktuara si dhe e tërë gjeneza dhe struktura e konfliktit.
Në lidhje me këtë, ky artikull është përpjekje që konflikti aktual në Ukrainë të analizohet në kontekstin e gjërë historik, sepse ky konflikt lokal është vetëm pasqyrim i një konflikti më të gjërë botëror që zgjat prej tre dhjetëvjeçarësh. Konfikti momental botëror, ku ai i Ukrainës është i fundit, jo detyrimisht episodi përfundimtar, ka më shumë strukturën e „luftës tridhjetëvjeçare“ e cila u zhvillua nga viti 1618 deri në vitin 1648 dhe u mbyll me Paqen e famshme të Vesfalisë, pas së cilës lindi edhe rendi ndërkombëtar modern, sesa strukturën e Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore, sepse të ashtuquajturat luftëra sulmuese në kohën e dronëve ka kohë që janë të tejkaluara. Me rastin e luftës tridhjetëvjeçare në shekullin e 17, palët në konflikt luftonin dhe bisedonin, tamam siç po ndodh edhe tani në Ukrainë dhe në përgjithësi që nga lufta në Siri, fillimi i së cilës, në vitin 2011, mund të konsiderohet si fillim i kësaj „lufte tridhjetëvjeçare“ të re, në dekadën e dytë të së cilës kemi hyrë pikërisht me përshkallëzimin e konfliktit në Ukrainë. Në këtë luftë të re tridhjetëvjeçare mund të pritet që shtete të ndryshme të ndryshojnë palë dhe sjelljen diplomatike në vartësi të rrethanave, tamam siç pati ndodhur edhe në luftën e parë tridhjetëvjeçare. Kësisoj ajo që ka rëndësi sot mund të mos ketë rëndësi nesër, sepse kemi hyrë në periudhën e shpërbërjes së sistemit të përbaashkët ndërkombëtar diplomatik, ekonomik dhe të sigurisë, i cili po shembet pikërisht para syve tanë, në blloqe dhe bashkësi të ndryshme gjeopolitike, në brendësi të të cilëve kanë rëndësi rrathët e mbyllur me koordinata dhe të vërteta të ndryshme. Pjesërisht këtë mbyllje gjeopolitike (geopolitical lokdown) e patëm edhe gjatë pandemisë së Covid 19, gjë që ishte e trupëzuar pak a shumë në atë që u quajt “gjeopolitikë e vaksinave“, ndërsa lufta në Ukrainë me siguri do të përmbyllë këtë mbyllje gjeopolitike edhe në kuptimin strategjik të sigurisë dhe të ekonomisë. Tani pyetja kryesore është se cili dhe në cilën hapësirë gjeopolitike do të reshtohet dhe si do të rreshtohen, gjë për të cilën në fund të fundit edhe luftohet.
Kësaj pyetje nuk mund ti përgjigjesh duke hedhur fall me filxhan apo nëpërmjet shtypjes dhe publikimit të pamfleteve bardhë e zi në favor të cilësdo palë të kësaj “lufte tridhjetëvjeçare” të re, por nëpërmjet një analize të thellë, e cila detyrimisht duhet të përfshijë në vetvete gjeostrategjinë, gjeopolitikën dhe gjeoekonominë, si edhe filozofinë e historisë dhe shkencave politike në tërë koloritin e tyre të disiplinave të ndryshme. Artikulli para nesh do të tentojë të ofrojë një analizë të tillë të thellë e cila do të mbështetet te e ashtuquajtura Realpolitik, ose më mirë të themi në atë shkollë mendimi e cila nga Hobsi dhe Spinoza, nëpërmjet Hegelit, Marksit dhe Karl Shmidit, deri te Kizinxheri dhe Xhon Mirshmajeëri, mbështetej në përllogaritjen e vektorëve realë që janë në lojë në fushën politike, në mënyrë që të llogaritet rezultantja përfundimtare reale. Ky koncept i politikës si edhe ai i mekanikës, janë lëndë për të cilin autori i këtij artikulli prej kohësh shkruan në librat e tij (“Mekanika politike dhe mjeshtëria e shtetarit”, “Shtetësia në kohët moderne”, “Epoka përtej së djathtës dhe së majtës”, “Rrugët e verbëra të historisë”, etj). Për këtë, këndvështrimi i sjellë në këtë artikull do të jetë “inxhinjerik”, sepse politika, sikurse po tregohet sot gjithandej përreth nesh, nuk është asgjë tjetër veçse një inxhinjering i llojit të vet (sepse është naive të mendohet se të gjithë këto konflikte kanë rënë nga qielli si njëfarë deus ex machina), në përputhje me të cilën çdo aksion ka reaksionin përkatës dhe ku veprojnë forcat strikte të tërheqjes dhe shtytjes.
Në përputhje me këtë këndvështrim real-politik ndaj proceseve politike dhe historike, rrjedha e historisë është ciklike dhe në të faza të ndryshme zëveëndësojnë njëra tjetrën. Çdo rend historik lind në luftën mes interesave të ndryshme dhe forcave historike që janë mbartësit e tyre, në mënyrë që kur të vendoset dhe të kalojë vërehen fazat e tij – faza e stabilitetit, faza e krizës dhe, përsëri, faza e luftës me ndonjë rend tjetër rreth problemit se cili është në anën e duhur dhe cili në anën e gabuar të historisë (gjë të cilën e përcakton rezultati i luftës). Për pasojë në rendet ndërkombëtaro-historike kemi, me variacione të mëdha apo të vogla, kryesisht tri faza – fazën e stabilitetit dhe rritjes, fazën e krizës dhe rënies, dhe në fund, fazën e luftës, gjë që nuk është tjetër veçe faza kur paqen e zëvendëson lufta. Kësisoj luftërat, për fat të keq, janë dukuri krejtësisht “natyrore” e hisorisë dhe është iluzive të presësh se ekzistenca e tyre do të zhduket nga historia në ndonjëfarë fundi të saj utopik.
Paraprakisht fazat e lartpërmendura mund ti shohim që nga fillimi i epokës moderne para gjysëm mijëvjeçari dhe ato janë përsëritur rregullisht deri në ditët tona kur lufta e pamëshirshme në Ukrainë është vetëm pohimi i tyre i përgjakshëm, si tregues i asaj se njeriu për një gjysëm mijëvjeçari të zhvillimit modern nuk ka lëvizur shumë përpara, përveçse ndoshta në cilësitë vrastare të armëve që përdor. Sepse epoka moderne, në kuptimin politik fillon pikërisht pas “luftës tridhjetëvjeçare” të parë me “Paqen e Vestfalisë” në vitin 1648, kohë kur vendoset sistemi modern diplomatik ndërkombëtar. Lufta tridhjetëvjeçare në të cilën morën pjesë të gjithë forcat europiane më të rëndësishme të kohës ishte në të vërtetë luftë për përcaktimin e rendit ndërkombëtar të kohës, meqënëse ai sakral mesjetar ishte shpërbërë dhe kësisoj botës i duhej dhënë një definicion i ri në përputhje me të cilin Shteti ishte mbi Kishën. Paqa e Vestfalisë sjell pikërisht këtë, krijon shtetin modern dhe konceptin modern të sovranitetit, deri në ngjarjet që shënojnë krizën e këtij rendi dhe paralajmërojnë redifinicionin e ri të tij.
Revolucioni francez i vitit 1789 shënon krizën e sistemit klasik të Vestfalisë të monarkive absolutiste me hegjemoninë franceze, ndërsa luftërat e Napoleonit pas Revolucionit shenojnë momentin kur rendi ekzistues nga faza e krizës kaloi në fazën e luftës, domethënë konfliktit, në mënyrë që pas Luftërave të Napoleonit, në Kongresin e Vjenës në vitët 1814/1815, lindi një rend tërësisht i ri i ashtuquajtur “Koncerti europian”, parimi bazë i të cilit ishte ishte i ashtuquajturi ekulibër i forcave.
Edhe ky rendi atëbotë i ri i “koncertit europian” kalon si ai rendi klasik absolutist paraardhës nëpërmjet të njejtave faza – fazën e stabilitetit (nga Kongresi i Vjenës deri në Luftën e Krimesë të viteve 1853/56), fazën e krizës (nga Lufta e Krimesë deri në Luftën e Parë Botërore), në mënyrë që pastaj ai, si edhe rendi parardhës, u dogj plotësisht në shtjellat e luftarëve (botërore) në gjysmën e parë të shekullit 20. Periudha mes dy luftarëve botërore ishte qartazi vetëm një periudhë qetësie dhe jo periudhë e ndonjë rendi të ri të vendosur botëror, gjë që do të ndodhë në Jaltë në vitin 1945 me fundin e Luftës së Dytë Botërore, kur bota do të marrë një (ri)definicion të ri.
Bota e Luftës së Ftohtë u vendos në Jaltë dhe, me të gjithë krizat që përjetoi, do të arrijë të ruajë përsëri njëfarë ekulibri për një gjysëm shekulli të tërë, deri në rënien e Murit të Berlinit në vitin 1989, kohë kur shpërbëhet i ashtuquajturi Bllok Lindor dhe kur hyjmë në të ashtuquajturin moment njëpolar në të cilin Shtetet e Bashkuara, për pothuajse dy dhjetëvjeçarë, do të jenë superfuqia botërore e padiskutueshme. Kjo periudhë për disa (ShBA-të, Mbretërinë e Bashkuar, BE dhe aleatët) do të jetë momenti i fitores dhe i shanseve për të ndërtuar të ashtuquajturën paqe globale liberale, po për të tjerët (Rusia dhe aleatët e saj), ky do të jetë moment krize dhe rrënimi sepse, nga pozicioni i sotëm i luftës në Ukrainë, duket qartë se Rusia nuk u pajtua kurrsesi me shpërbërjen paqesore të Bashkimit Sovjetik dhe dëshiron revizionimin e këtij procesi. Momenti unipolar i (gjithë)fuqisë amerikane fillon të dobësohet me krizën financiare të vitit 2008 kur duket qartë se diçka nuk shkon mirë me sistemin global liberal dhe se torta globale është gjithesi tejet e vogël që të jenë të gjithë të kënaqur, dikush do të jetë i pakënaqur në mënyrë që dikush tjetër të jetë i kënaqur.
Që nga koha e krizës financiare fillon të shkatërrohet sistemi i ndërtuar pas Luftës së Dytë Botërore dhe fillojnë çrregullime nëpër botë, ose më mirë të themi një dialektikë e re- e vjetër – e cila shënohet me intensifikimin e luftës për burime dhe ndikim mes aktorëve të politikës botërore e kësisoj gjeopolitika, hap pas hapi, kthehet plotësisht në rendin e ditës. Kjo bëhet e dukshme qartazi me fillimin e luftës në Siri në vitin 2011 të cilën mund ta konsiderojmë si fillim të “luftës tridhjetëvjeçare” të re, episodi i radhës i së cilës, ndoshta jo i fundit, është lufta në Ukrainë. Lufta në Siri është “lufta e parë e vogël botërore” në të cilën, në një mënyrë apo në një tjetër, përfshihen të gjitha fuqitë udhëheqëse, e për këtë e shënojmë si fillim të “luftës tridhjetëvjeçare” të kohës sonë, sepse ndërhyrja e ShBA-ve në Jugosllavi në vitet 1990 dhe në Irak në vitet 2000 nuk kishin karakterin e “luftë të vogël botërore”, meqënëse u zhvilluan brenda momentit njëpolar të fuqisë amerikane.
Por, ndryshe është puna me Sirinë, e për më tepër tani me Ukrainën, sepse si në njërën ashtu edhe në tjetrën, fuqitë e mëdha, para së gjithash ShBA-të dhe Rusia, luajnë poker të vërtetë strategjik me këto shtete si me zhetone, duke duke ngitur vazhdimisht shumën e luajtur. Për këtë do të thonim se ngjarjet botërore momentalisht ngjajnë më shumë me lojën e pokerit sesa më atë të shahut, ndërsa shuma për të cilën luhet është fati i botës. Gjithçka që ka ndodhur dhe po ndodh në skenën strategjike botërore që nga lufta në Siri, domethënë që nga fillimi i “luftës tridhjetëvjeçare” të kohës sonë, ka veçoritë e pokerit strategjik global, në të cilin njëra fuqi fillimisht ngre shumën, tjetra e ndjek, ndërkohë që asnjëra nuk i tregon letrat, por vazhdon me ngritjen e shumës nëpërmjet një sërë proksi luftërash, e kësisoj erdhëm deri te gjakdedhja e sotme në Ukrainë, me të cilën “lufta tridhjetëvjeçare” e kohës tonë hyri në dhjetëvjeçarin e saj të dytë dhe nuk ështe ende e qartë se kur do të ndalet.
Autori i këtij artikulli nuk dyshon se “lufta tridhjetëvjeçare” e kohës tonë do të përmbyllet njëlloj si edhe të gjitha luftërat në të kaluarën dhe se ekulibri i ri global, ose i ashtuquajturi rend i ri global, do të arrihet përsëri, siç ka ndodhur më parë gjatë historisë, nëpërmjet ndonjëfarë “Jalte të re” të fuqive më të rëndësishme botërore, por mbetet nën shenjën e pikëpyetjes sa do të zgjasë kjo “luftë tridhjetëvjeare” e kohës tonë (natyrisht, nuk është e domosdoshme të zgjasë tridhjetë vjet, për më tepër le të shpresojmë se nuk do të zgjasë) dhe cili do të jetë rezultati i saj përfundimtar. Tani për tani ekziston përshtypja se secila prej fuqive botërore ka llogarinë e saj në këtë “luftë tidhjetëvjeçare” të re. Duket se ShBA-të kanë synim që nëpërmjet cfilitjes së Rusisë me veprime luftarake të presin bankrotimin e saj eventual gjeopolitik dhe ekonomik, ndërsa synimi i Rusisë është, jo vetëm ti mbijetojë këtij momenti për të vendimtar, por ashtu sikurse ka ditur gjithmonë gjatë hitorisë, me çizme dhe me pushkë (raketa), të luftojë për një pozicion sa më të mirë në tryezën e bisedimeve me fuqitë e tjera në ndonjë “Jaltë të re”. Nga ana tjetër Kina e vështron me durim këtë poker strategjik duke mos qënë e detyruar të bëjë asgjë, sepse ngjarjet momentalisht po zhvillohen në favorin e saj, meqënëse fitoret në luftën në Ukrainë, për ShBA-të, mund të jenë vetëm taktike, ndërsa për Kinën, taktike dhe strategjike, ndërsa Rusia është në këtë rast në pozitën më të pafavorshme duke rrezikuar mundësinë (njëlloj si edhe ShBA-të) të jetë fituesja taktike, por humbësja strategjike (sëbashku me faktin që pozita e humbësit strategjik për të mund të ketë pasoja më drastike, sepse është e vendosur në të ashtuquajturtën “zemër të botës”, ndërsa ShBA-të gjithsesi janë matanë detit, të ruajtura në mënyrë natyrore nga dy oqeane nga pasojat drastike të humbësit straegjik).
Kësisoj mbetet që koha ta tregojë se llogaria e cilit prej këtyre aktorëve kryesorë të kohës tonë do të jetë më e mira dhe më afër asaj që do të jetë fatura përfundimtare. Deri atëherë ne na mbetet që në të gjithë këtë lojë të jemi thjesht vëzhgues – gjë që nuk ka të bëjë vetëm me shtetet ballkanike, por me tërë BE-në, së cilës kjo luftë në Ukrainë ia shterroi edhe atë mundësi të vogël strategjike që kishte – na mbetet në dorë të bëjmë gjithçka që të mos tërhiqemi në këtë “luftë tridhjetëvjeçare” të re dhe të mos jemi dëmi i saj kolateral, megjithëse për hir të së vërtetës, kjo edhe nuk varet fort nga ne. Sepse si dhe kur do të përfundojë kjo “luftë teridhjetëvjeçare” e re e kohës tonë, varet në radhë të parë nga ShBA-të dhe Rusia, por në një masë të madhe edhe nga Kina, e cila për momentin është rojtare e balancës botërore me mundësi të ndryshme, akoma të hapura, për veprim dhe pikërisht për këtë Kina është variabli kryesor i panjohur i situatës strategjike botërore nga e cila varen shumë gjëra. Derisa të mos shihet se në cilin drejtim do të shkojë përmbyllja e kësaj “lufte tridhjetëvjeçare” të kohës sonë, neve në Ballkan e sidomos në Serbi, na mbetet që të “mos zëmë ndonjë vend” të papërshtatshëm sikurse bëmë në vitet 90 të shekullit 20, por sikurse edhe na ka ndodhur shpesh gjatë historisë kur ishin në zhvillim e sipër ndryshime të mëdha, dëmi kolateral i të cilave kemi qënë tejet shpesh.
Ballkani dhe Serbia shpesh, madje tejet shpesh, kanë qënë dëmi kolateral i rrënimeve strategjike botërore, dhe për këtë është e nevojshme të bëhet gjithçka, megjithëse në fund të fundit nuk varet plotësisht nga ne, në mënyrë që ky rrënim botëror, që momentalisht ka filluar në Ukrainë, të na anashkalojë. Për këtë nuk ka rrugë më të mirë sesa diplomacia profesionale, “zgjuarsia shtetërore”, investimet në burimet strategjike, institute dhe think-thanke si dhe në zhvillimin tërësor të kulturës strategjike, në mënyrë që ajo të jetë më afër dubrovnikasve të vjetër nga koha e Republikës së famshme të Dubrovnikut, të cilët ditën ta ruajnë paqen në kohën e shakullimave historike, sesa gjeneratave të tëra të paraardhësve tanë të famshëm heroikë të cilët u vranë heroikisht, shpesh si zhetonë në lojën e të mëdhenjve.
Vështirë që këtë në situatën e re të krijuar në botë të jesh i zgjuar, por ama duhet këmbëngulur që të mos jemi budallenj. Për këtë duhet ti lëmë mënjanë fjalët e mëdha dhe veprimet e vështira dhe të hyjmë me mençuri në këtë vorbull erërash ku pozita jonë kontinentale dhe mjedisi gjeografik na shpien në mënyrë të natyrshme.
Dr Neven Cvetićanin, Kryetar i Forumit për studime strategjike dhe bashkëpunëtor i lartë shkencor në Institutin e shkencave shoqërore-Beograd
*Përktheu për Argumentum Xhelal FEJZA
[i] https://demostat.rs/sr/vesti/dijalog/poker-velikih-ulog-sudbina-sveta/1483