Boshko Jakshiç-[i]
Në kohët kur lufta në Ukrainë e ka zhvendosur qendrën e gravitetit në Lindje, ndërsa Europa përballet me ngritjen e së djathtës e cila kërcënon thelbin e identitetit të saj, Polonia filloi misionin për rikthimin e vlerave në të cilat bazohet Bashkimi Europian, gjë që ishte ndihmë kapitale për konsolidimin demokratik të kontinentit. Detyrën për ta rirregulluar vendin i cili deri vonë akuzohej se po shkatërron demokracinë dhe po ndryshk shtetin e së drejtës, e ka marrë mbi vete Donald Tusk, kryeministri i ri dhe lider i Koalicionit qytetar, njëfarë mishërimi në llojin e vet i Solidarnostit. Grumbulloi parti të ndryshme me orietnim prodemokratik të opozitës, nga majtistët te liberalët, të cilat luajtën me kartën e krenarisë kombëtare në versionin liberal. Arriti të fitojë një shumicë të qartë në zgjedhjet për Sejmin, Parlamentin. Me këtë është dhënë fund qeverisjes së Partisë së Ligjit dhe Drejtësisë (PiS), të konservatorëve populistë dhe klero-nacionalistë, tetë vitet në pushtet të të cilëve u shenjuan nga mosrespektimi i ligjit, shkelja e shtetit të së drejtës, kontrolli i bankave, favorizimi i mediave jokritike dhe përbaltja e politikanëve opozitarë si “vrasës tradhëtarë”.
Zgjedhësit polakë treguan se edhe në kushte tërësisht të pabarabarta mundën të fitojnë mbi autoritarët që kishin edhe përparësinë se ishin në pushtet. Shumica i tha mirupafshim liderit të PiS Jarosllav Kacinski, i cili, si puna e mentorit të tij ideologjik Viktor Orban në Hungari, pohonte se BE-ja kërcënonte sovranitetin e vendit të tij, se “fuqitë e huaja” si puna e Gjermanisë diktojnë një politikë ekonomike joliberale e cila do të thotë “okupim i Polonisë”, se nëpërmjet promovimit të të drejtave të LGBT imponojnë “dekadencën” dhe me kërkesën për hyrjen e migrantëve shkatërrojnë vlerat e Polonisë së krishterë. Kaçinski krijoi një Poloni e cila nuk ekzistonte më parë, gjë me të cilën vërtetoi se demokracia është në rrezik edhe në Hungari, nëpërmjet Hoallndës dhe Gjermanisë dhe deri në Itali. Lufta është e hapur dhe nuk është ende plotësisht e njohur nëse shteti më me ndikim i Europës Qendrore do ta rikthejë demokracinë e tij vibruese, pavarësinë e gjyqësorit dhe institucionet që patën lindur me vështirësi në gërmadhat e komunizmit para tridhjetë viteve.
Starti paralajmëron se ndërtimi përsëri i demokracisë mund të jetë më i vështirë se vendosja e saj fillestare. Me tu rikthyer në mënyrë triumfale në parlament, ku në muajin dhjetor u miratua pozita e tij si kryeministër, Tusku ndeshi në akuza të rivalëve të tij të vjetër.
“Nuk e di cili është gjyshi juaj, por një gjë e di mirë: ju jeni agjent gjerman, vetëm një agjent gjerman”, i tha atij Kacinski, i cili përpiqet me këmbëngulje t’i bindë polakët se gjermanët janë rrezik më i madh për Poloninë sesa rusët dhe se “BE-ja nuk është aspak më e mirë sesa versioni vegjetarian i Rajhut të Tretë”. Kacinski thotë se Tusku synon “të likujdojë atdheun tonë si edhe shtetin tonë” dhe për këtë ka mbështetjen e presidentit Andrej Duda, ish anëtar i PiS, i cili do të qëndrojë në pushtet deri në mbyllje të mandatit të tij në gusht të vitit të ardhshëm. Ai ka kompetenca të vërë veto ndaj ligjeve dhe këtë gjë tashmë e ka treguar se do ta minojë agjendën e kryeministrit ku të mundet.
Dallimet mes qeverisë së re dhe kryetarit të shtetit që në javët e para të “bashkëjetesës” u shndërruan në konflikt të hapur. Tusku ka qëllim të rindërtojë seriozisht demokracinë e drobitur, e kjo nënkupton edhe spastrimin nga luajalistët e PiS, të cilët janë shpërndarë në sistemin gjyqësor, prokurori, institucione dhe nëpër media. Kacinski dëshiron të ruajë qendrat e fuqisë që kontrollon dhe kësisoj të vendosë njëfarë pushteti të dyfishtë.
Polonia është thellësisht e përçarë. A është kjo njëfarë paralajmërimi i rrugës drejt anarkisë, kaosit dhe ndoshta edhe trazirave? Bëhet fjalë për përplasje të dy vizioneve të kundërta, e kësisoj tranzicioni i dytë drejt demokracisë që në fillim të muajit janar ndeshi në barikada kur ish ministri me ndikim i PiS e shpalli vetveten “i burgosur politik” dhe lajmëroi grevë urie në shenjë proteste me akuzën e keqpërdorimit të pushtetit, gjë pas së cilës është dënuar me dy vite burgim.
Konfrontimi në pallatin presidencial u mbyll paqesisht, por pasoi një konflikt i ri kur ministri i drejtësisë Adam Bodnar ndërmori iniciativën për të ndryshuar mënyrën e përzgjedhjes së gjykatësve dhe bllokimin e reformës gjyqësore të ish rregjimit. Pushteti i ri, por edhe Gjykata Europiane për të drejtat e njeriut si dhe Gjyqi i drejtësisë i BE-së, edhe më parë kanë vënë në dukje parregullsitë e procedurave zgjedhore, gjë për të cilën Polonisë iu bë i pamundur aksesi prej miliarda eurosh nga fondet europiane të cilët Brukseli i ngriu duke u përpjekur që rregjimin e PiS ta detyrojë për respektimin e normave demokratike. Po duket se kjo gjë nuk ecën lehtë sepse një të pestën e gjyaktësve e përbëjnë simpatizantët e PiS. Plani i qeverisë për të mbyllur radion shtetërore, TV dhe agjensinë e lajmeve PAP, të shpallura si zëdhënëse të ish rregjimit, u hodh poshtë nga Gjykata kushtetuese. Ministria e kulturës këtë gjykim menjëherë e shpalli të pavlefshëm për shkak të gabimeve proceduriale. Opozita e djathtë ia ktheu me thirrje për demonstrata. Po kjo gjykatë bllokoi ndryshimin e prokurorit të shtetit të cilin ministri i ri i drejtësisë e akuzon për politizim të sistemit juridik të vendit.
Tusku ishte kryeministër i Polonisë që në vitin 2007 pas fitores së Platformës qytetare dhe përsëri në vitin 2011, por në vitin 2014, para përmbylljes së mandatit të dytë, u tërhoq nga politika polake në mënyrë që në Bruksel të merrte funksionin e rëndësishëm të Presidentit të Këshillit të Europës. Shumë veta e kritikuan që u largua sepse një vit më vonë PiS mori pushtetin. Megjithatë, ish gazetari i Solidarnostit në Gdansk, i cili veten e përshkruan si “socialist liberal konservator”, pas shtatë vitesh braktisi punën fitimprurëse në Bruksel dhe u kthye në atdhe në mënyrë që, si europian i përkushtuar, të përpiqet të ndalojë ecjen prapa të demokracisë në Poloni.
Roli është i madh dhe për Perëndimin, sepse çdo destabilizim i Polonisë do të ishte dhuratë për Vladimir Putinin i cili tani në kufirin perëndimor ka një armik të vendosur që i kundërvihet hegjemonzimit neosovjetik dhe një prej aleatëve më luajalë të Ukrainës, 1,5 milionë refugjatë të së cilës i ka pranuar në territorin e saj.
Polonia do të jetë një nga shtetet i cili kufizohet me Rusinë dhe që në territorin e tij, gjatë muajit maj, do të mbahen manovrat më të mëdha se kurrë më parë të NATO-s, me pjesëmarrjen e 90.000 ushtarëve, 80 avionëve gjuajtës, helikopterë dhe dronë, 50 anije luftarake dhe aeroplanmbajtëse dhe 1.000 tanke dhe makina luftarake.
Polonia u kthye në gjirin e Europës dhe përbën një shembull të frenimit të dallgës së asaj që analistët e quajnë “recesion demokratik” në mbarë botën. Fitorja e Tuskut do të duhet të izolojë Orbanë të ndryshëm dhe të gjithë nxënësit e tij të “demokracisë joliberale”.
Për këtë duhen ndjekur me vëmenjde ngjarjet në Poloni sepse befasira të ndryshme përherë janë të mundshme.
*Përktheu për Argumentum Xhelal FEJZA
[i] https://www.politika.rs/sr/clanak/597242/Pogledi/Poljska-brani-demokratiju-EU