Editorial
Lajmi i ditës së sotme: “ Një mjek largohet nga Komiteti teknik, ndërsa një tjetër mjek, anëtar i këtij komiteti futet në politikë”
Në mëngjesin e hershëm të kësaj dite, lajmi i fundit ishte një postim i mjekut të njohur, z.Tritan Kalo, anëtar i Komitetit Teknik i Ekspertëve për menaxhimin e Pandemisë Covid-19. Në faqen e tij facebook, z.Kalo njofton largimin e tij nga ky komitet nëpërmjet një mesazhi të gjate, ku ndihej qartë zhgënjimi dhe lodhja nga ndërhyrja e politikes në punën profesionale të mjekeve.
“Më 31 Janar 2020 është krijuar nga MShMS një Komitet prej 11 ekspertësh për Mirëmenaxhimin e Epidemisë së “Sars-Cov2/Covid-19, në të cilin kam dhënë edhe unë kontributin tim modest si MJEK, sepse jam i vetmi që nuk jam drejtues ose funksionar nga të gjithë anëtarët e tij….Si kurdoherë edhe kësaj here “PORDHITIKA” e bëri të mundur t’i përçajë mjekët në qëndrimet dhe në kontributin e tyre, për t’u përballur me këtë “flamë mbarëbotërore”….
Në deklaratën e tij, Kalo u shpreh se nga të gjithë anëtarët e Komitetit Teknik të Ekspertëve që u mblodh për mbajtjen në kontroll dhe mirëmenaxhimin e pandemisë, ai ishte i vetmi mjek pa një pozicion drejtues.
“Turp e kaluar turpit”, kështu e ka konsideruar mjeku ndarjen sipas tij të mjekëve të cilët në këto kohë nuk duhet të ishin përçarë në varësi të interesave politikë por duhet të bashkëvepronin për të mirën e qytetarëve.
Sipas Kalos ishte politika ajo që i përçau mjekët dhe në sajën e saj janë krijuar tre komitete, ai i Qeverisë aktuale, ai i Presidencës dhe ai i Partisë Demokratike.
Me këtë deklaratë e cila akuzonte politikën si shkaktare të “përçarjes së mjekëve” Tritan Kalo hoqi dorë nga bashkëpunimi zyrtar me Komitetin Teknik të Ekspertëve duke theksuar se ai nuk po heq dorë nga kontributi i tij por shërbimin do e bëjë për ata që besojnë në punën, përkushtimin dhe profesionalizmin e tij.
Megjithatë si për të konfirmuar pikërisht atë që pak më heret e parlajmëroi me largimin e tij mjeku i njohur, vetem pak orë më vonë do të shohim që një tjetër anëtar i këtij komiteti, kësaj here do të futej në politikë.
Kryeministri Edi Rama bashkë me Ministren e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manatirliu, kanë prezantuar arritjet e shëndetësisë në 8 vite.
Si duket arritja më e madhe në shëndetsi është “zbulimi” që Kryeministri Rama ka bërë gjatë kësaj kohe, e cila është Shefja e infektivit Doktoreshe Najada Çomo.
Kryeministri Edi Rama ka ftuar shefen e Infektivit, Najada Çomo në programin e tij “Rruga drejt 25 Prillit – SHËNDETËSIA QË DUAM” duke shprehur falënderime për të, e cila punon pa orar për të gjithë të infektuarit me Covid. “Sot jam me simbolin e kësaj lufte, heroinë të vijës së zjarrit me një imazh të mirënjohur për të gjithë ju me profesoreshën, komandantet e spitalit Covid 1, Najadën, të cilën e kam ftuar për të dëshmuar, për të sjellë një dëshmi ndryshe nga vija e zjarrit në kushtet kur solidariteti, mbështetja, mirënjohja e shumicës dërrmuese së qytetarëve për ata që qëndrojnë 24 orë në atë barrikadë, por fatkeqësisht prekin, shqetësojnë e godasin valët e energjive negative.
Pa anatemuar aspak Doktoreshen për zgjedhjen e saj për të hyrë në politike, duhet thëne se Komiteti Teknik tashmë i ka humbur besimi duke u kthyer plotësisht politik .
Nisur nga ky fakt, tani e kemi të qarte mesazhin e z. Kalo: “Si kurdoherë edhe kësaj here “PORDHITIKA” e bëri të mundur t’i përçajë mjekët në qëndrimet dhe në kontributin e tyre. Në një kohë kur duhet bashkëveprim tej përkatësive partiake, ne MJEKËT jemi të vendosur në tre llogore…turp dhe shkuar turpit…”
***
Mesazhi i plotë i Mjekut Tritan Kalo:
Kohë kovidiane….4 Mars 2021….Mjek dje, sot dhe në çdo kohë….Mjek në ditë të mira POR edhe në ditë të vështira për vendin….Thjeshtësia, Përkushtimi, Puna dhe Profesionalizmi të nxjerin të DENJË e të papërlyer në bregun e lumit të jetës profesionale….”Maturia nis të shfaqet kur merakosemi më shumë për të tjerët se sa për veten” – shprehet mëndja më brilante e shekullit të 20-të Albert Ainshtain….
Si mjek, si prind, si qytetar dhe si atdhedashës, më është dashur dhe më duhet të bëj shumë e shumë sakrifica…. Vendi i mjekut-qytetar është aty ku ai, për çdo çast duhet të kontribuojë në rrallë të parë për mirëqënien shëndetsore të bashkëkombasve të tij…..ATDHE quhet vendi ku ke lerë, ku ke ndarë të mirat dhe të këqijat e tij e tij me bashkëkombasit e tu….
AI duhet në përjetësi JO VETËM kur i mjel atij të mira e tij përmes projekteve ojëqëiste apo përmes bashkpunimeve me “QEVERIUN” e rradhës….Këshillat nga larg në rehatinë e Berlinit, Austinit, Nju Jorkut, Romës, Madridit, Londrës, Athinës, Ankarasë apo të Parisit, kanë më shumë vlerë KUR ideshprehësit e tyre u bëhen krahë kolegëve mantelbardhë, të cilët sot venë edhe jetën e tyre në rrezik, për “të çliruar shëndetin e bashqytetarëve të tyre” nga kjo murtajë e shekullit të XXI me emrin “Sars-Cov2/Covid-19”…NËSE një pjesë e juaja kanë marë premtime post-elektorale për poste administrative, për projekte ta majme me fondet e BE, OBSH, USAID apo të Qeveriut të pas 25 Prillit 2021, ju mirëkuptoj…NËSE veproni nga lajtmotivi ndërshekullor, se “Nuk ka armik më të egër për shqiptarin se vetë shqiptari”, JU mëshiroj….
Më 31 Janar 2020 është krijuar nga MShMS një Komitet prej 11 ekspertësh për Mirëmenaxhimin e Epidemisë së “Sars-Cov2/Covid-19, në të cilin kam dhënë edhe unë kontributin tim modest si MJEK, sepse jam i vetmi që nuk jam drejtues ose funksionar nga të gjithë anëtarët e tij….Si kurdoherë edhe kësaj here “PORDHITIKA” e bëri të mundur t’i përçajë mjekët në qëndrimet dhe në kontributin e tyre, për t’u përballur me këtë “flamë mbarëbotërore”….Kemi ekzistencën e njëkohëshme të tre Komiteteve Zyrtare apo jo: 1- atë të Qeverisë aktuale, 2- atë të Presidencës/LSI-së dhe 3- atë të Partisë Demokratike, ose Opozitës në një term më të gjërë….Në një kohë kur duhet bashkëveprim tej përkatësive partiake, ne MJEKËT jemi të vendosur në tre llogore…turp dhe shkuar turpit…
Nuk e imagjinoja kurrë se kariera dhe makutëria do të mbrinte në një pikë të tillë, që edhe përballë një sfide ekzistencialiste kombëtare do të ishim të ndarë në “tre stane”….Gjithologët dhe Anal-istët na mbinë kudo dhe ngado, brënda dhe jashtë KUFIJVE gjeografikë të Trojeve Arbërore….Tollovija e krijuar në mëndjet tona kurrë nuk ka qënë më e madhe…QOFTË kjo edhe e fundit në udhën e demokratizimit dhe të mbrothëzimit të trojeve arbërore, atdheut të përbashkët të të gjithë shiptarëve kudo që ato sot frymojnë…..
4 Marsi shënon edhe fundin e bashkëpunimit tim zyrtar me këtë grup të emërtuar: “Komiteti i përhershëm për Infeksionin e përhapur nga Coronavirusi i ri”….Ju jam shumë mirënjohës për mirëbesimin që treguat ndaj eksperiencës dhe përkushtimit tim….NËSE dikush nga kritizerët e gjithologët e ka dëshiruar këtë vend ai/ajo e ka atë tashmë të lirë….unë këtu jam dhe kurrë nuk do heq dorë nga kontributi, për tu shërbyer atyre që besojnë në Punën, Përkushtimin dhe Profesionalizmin tim, por edhe për të dhënë ndihmesën time në mbarëvajtjen e punëve për t’u përballur me këtë Pandemi, nëse një gjë e tillë do vijojë ende të më kërkohet….Together forever!
© Argumentum