Nga Ali HOXHA*
Një veçori tejet negative e gjithë aktorëve politik në Kosovë është prioritizimi i interesave personale mbi interesat strategjike dhe afatgjate të shtetit. Siguria kombëtare jo pa arsye cilësohet si një nga shtyllat mbi të cilën pak a shumë mundet dhe duhet në një kuptim obligativ të formësojë sjelljen e aktorëve udhëheqës që jo vetëm se kanë premtime elektorale për t’i përmbushur porse përgjegjësia e tyre morale ndaj mbrotjes duhet të shkojë aq larg sa të udhëhëqë mbi të panjohurën. Pikërisht këtu veçohet karakteri i lartë i udhëheqjes, një i cili është i aftë të parashikojë e mbas analizave përkatëse të këshillojë për hapat vijues, ndërsa në rastin më ekstrem të preventojë rrëziqet që mund ta kaplojnë regjionin në vitet ardhshme. Strategjia e një shteti duhet të tejkalojë mendjeshkurtësitë individuale e partiake. Mjerisht, një ide e tillë që do e konsideroja bazike në shkencat politike, nuk është pjesë përbërëse e mënyrës së të bërit politikë në Kosovë. Një shtet sikur Kosova që luhatet në skenën ndërkombëtare në mes njohjes dhe mosnjohjes, ka detyrimisht dyfish përgjegjësi ndaj politikave standarde e më pak ndaj atyre partiake, sesa një shtet i rëndomtë me njohje ndërkombëtarisht të plotë që gëzon një luks të dembelizimit ose symbylljes strategjike.
Sikur të kishim një mendësi të tillë politike të përshkruar më sipër, pjesërisht e me kohë do ndiheshin zëra se administrata Trump do forconte interesin serb në ballkan sepse natyra politike e tij shkon kah autoriteti absolut me konotacione izolacioniste. Por jo, ushtruesit e opinionit publik në Kosovë e madje edhe në Shqipëri kanë qenë kryesisht të zënë që të luajnë sërish ekzekutuesin e urtë ndaj presioneve ndonëse “ekonomike” të tingëlluara përmes një gjuhe të butë nga ata që i konsideronim miq të përjetshëm. Por çdo rrethanë politike herët ose vonë do të sprovohet nga thënia e njohur se në politikë nuk ka miq por vetëm interesa. Mbi këtë parim u vërejt se intetesat euro-atlantike nuk dukeshin se shihnin më përbindëshin sovjetik si sfidë përderia në lindjen e largët dragoi i kuq vetëm se po rritej me përmasa të pandalshme. Kjo përshtypje mu krijua momentin kur vëreja se të pakjartat mediale dhe jokompetencat analitike shtonin shumë pikëpyetje në opinioin publik. Pse jo fundja, në një vend ku punëtori i zellshëm e imagjinar duhet të bëjë punë jashtë kornizave të shkollimit ndërkohë që pozicionet vendimtare që mbartin fatin e shtetit dhe kombit përfaqësohen nga njerëz që vënë interesin personal mbi atë publik e strategjik.
Një nga veçoritë tjera të politikes shqiptare është edhe fati politik i cili i krijon faktorit shqiptar rrethana të favorshme edhe pse e gjen epiqendrën e stategjizmit dhe politikën e jashtme të tij në gjumë dimëror dhe plotësisht të papërgatitur. Meqë tejkaluam rrëzikun e një administrate qe ishte duke ringjallur aspiratat e kahershme serbomadhe, kemi një përgjegjësi të prognozojmë, qoftë edhe në mënyrë jokuantitative, mbi kahjen që do të merr politika e jashtme e administratës Biden. Nëse fati i lartëpërmendur do, atëherë lidhja emocionale e Biden me Kosovën do të zë vend që të balancohen raportet e dëmtuara Kosovë-Serbi e cila e gjen Serbinë më të fortë se kurrë dhe Kosovën më të përçarë se kurrë. Nuk duhet harruar se kryesimi në Serbi i takon një gjenerate që nuk ndalet së qenuri pretendues i vjetër me ambicie ushtarake për të arritur qëllimet. Vizioni për një ekonomizim të tregut përfshihet në rendin e dytë ose të tretë, diku mbrapa gjuhës raciste, të urrejtjes ndaj shqiptarëve.
Një cilësi tjetër e dobët e fushëveprimit politik në Kosovë është njëherit tendenca e lartë e akuzave dhe shpifjeve brenda subjekteve sesa akumilimi i energjive për të hartuar një platformë që mbijeton vullnetin e përkohshëm elektoral dhe që ka për synim përgatitjen nga rrëziqet e jashtme. Jo vetëm për të përcaktuar fatin e shtetit në dhjetë, njëzet apo pesëdhjetë viteve të ardhme por edhe që të paktën njëherë politikën shqiptare të mos e favorizojë fati gjeopolitik sepse një shprehje tjetër e njohur thotë: nëse diçka mund të shkojë keq, edhe do të shkojë keq. Kësisoji, kemi një përgjegjësi jo vetëm politike por edhe qytetare që të vëmë dritë mbi të panjohura e ardhshme ndërkombëtare që mund të favorizojnë ose rrëzikojnë integritetin territorial edhe sovran të Kosovës ose faktorit shqiptar në tërësi.
Është i pashmangshëm fakti se me ardhjen e Biden si president i SHBA-ve, Kina do të mbetet sfida më e madhe e bllokut atlantik. Për t’i bërë ballë ekspansionit ekonomik të Kinës, perëndimi me gjasë do të mirëpres gjithkë që i bashkangjitet në rezistencë ndaj dragoit të kuq në rritje. Roli i Rusisë është vendimtar në këtë mes. Analizimi i rreshtimit të Rusisë në garën SHBA-Kinë është tregues i mirë i raporteve Kosovë-Serbi në Ballkan. Kuptohet se ka tregues shumë më të mëdha për sferën ndërkombëtare, por neve na intereson vetëm kjo. Nëse ky ndryshim e gjen të përgatitur faktorin shqiptar, atëherë përfaqësuesit tanë politik do parapërgatiteshin që të bëjnë presion dhe të stimulojnë aleatët që ky ripërcaktim i aleancave të fuqive të mëdha të vijë me kushte në favor të faktorit shqiptar. Me favor nënkuptojmë presioni që duhet bërë në njohje të reja dhe rrënjësimin e njohjeve ekzistuese ndaj pavarësisë së Kosovës.
Kur Kisinxheri ka qenë negociator i Niksonit në përmirësimin e marrëdhënieve SHBA-Kinë gjatë luftës së ftohtë; në një kohë kur Bashkimi Sovjetik ka qenë problemi më i madh i vlerave demokratike perëndimore, çuditërisht ai vërejti se kishte një tension në mes BRSS-së dhe Kinës nën regjimin e Mao Cedong-ut. Pikërisht, marrëdhënia e re SHBA-Kinë ka qenë një nga faktorët kyçe që Bashkimi Sovjetik të dobësohet përgjatë viteve para se të shpërbëhet plotësisht. Forca e perëndimit konsiston në aftësinë e të krijuarit aleanca të besueshme. Tani meqë kompasi i gjeopolitikës ndryshon pozicion, mund të sugjerojmë se këtë rradhë Rusia do e cilësojë Kinën si kërcënim të veten ose në rastin më diplomatik, do gjenim një Rusi të luhatshme në mes dy poleve. Sido që të jetë portreti i ardhshëm, sado spekulativ që të jetë, faktori shqiptar duhet të jetë i aftë t’i paralexoj ato e mos të mbetet gojëhapur përballë ndryshimeve të papritshme.
Një problem tjetër që lihet jashtë kontekstit të përkrahjes perëndimore ndaj shtetësisë së Kosovës është edhe mungesa e seriozitetit në ndërtimin e institucioneve demokratike që kanë standard të lartë të transparencës dhe nivel zero të nepotizmit. Duke treguar një shembull të dobët të qeverisjes po vërtetojmë se jemi partnerë jokredibil për Evropën dhe SHBA-të në rrugën drejt ndryshimeve te reja ndërkombëtare. Meqenëse është bërë sadopak progres në ndërkombëtarizimin e fuqisë punëtore që mirëpritet nga shtetet me deficit të fuqisë së kualifikuar punëtore, megjithatë duhet të konsiderojmë se shtetet evropiane gjendën përballë forocave të djatha ekstreme që shikon efektet e globalizimit me sy skeptik. Një temë që meriton hapësirë në vete është rrëziku që Evropa të lë shtetet e ballkanit perëndimor tërësisht jashtë integrimit për shkak të dinamikave të saj të brendshme, daljes së Britanisë, presioneve të Turqisë, dhe ngritjes së brendshme të forcave ndonëse anti-imigruese. Atëherë nëse BE-ja nuk lejon që e vetmja retorikë 20 vjeçare e Kosovës, e cila është integrimi euro-atlantik të mos realizohet, cilat mbesin alternativat për Kosovën?
Cilat atëherë duhet të jenë prioritetet strategjike të Kosovës gjatë administratës Biden:
- Promovimi i vazhdueshëm se shqiptarët mbesin aleatët më të devotshëm të aspiratave euro-atlantike.
- Forcimi i marrëdhënieve Kosovë-Shqipëri në formën e organizimeve të reja në të gjitha fushat e veprimit.
- Përcaktimi i objektivave afatshkurte dhe ndjekja e tyre me përkushtim të plotë, kjo përfshinë nxjerrjen në dritë të studimeve që kanë për qëllim të promovojnë shpjegimet racionale mbi të drejtën ndërkombëtare dhe pamohueshmërisë së pavarësisë së Kosovës.
- Luftimi aktiv i korrupsionit dhe neoptizimit brenda të gjitha institucioneve të Kosovës.
- Krijimin e aleancave ushtarake dhe blerja e teknologjive të reja që kanë për qëllim mbrojten e sigurisë kolektive.
- Bashkëpunimi me faktorët regjional për të forcuar paqen dhe stimuluar tregtinë në Ballkan.
Këto janë vetëm disa nga prioritet, qoftë në vija të trasha, të cilat duhet të merren për bazë nëse synojmë që historia të mos përsëritet dhe faktori shqiptar të mos gjendet i papërgatitur përballë ndryshimeve dinamike në gjeopolitiken globale.
Shpesherë kam përmendur termin “faktori shqiptar” i cili në thelb duhet të nënkuptojë diçka. Me zhvillimet e fundit u vërejt se faktori shqiptar është veçse një terren i lirë ekonomik ku fuqitë mund të ushtrojnë ndikimin e tyre tregtar. Por, për të qenë në gjendje të definojmë diçka si faktor, duhet të krijohen kushtet të forcave që kanë aftësinë të vënë në lëvizje vullnetin dhe vizionin për një shtet ligjor, ekonomi të fortë, dhe fqinjësi të mirë në mes shteteve të ballkanit. Kosova mund të jetë përshpejtues i tyre nëse është në gjendje të përcaktojë sesi ti mbrojë të drejtat e veta.
*Ali Hoxha, ekspert në fushën e sigurisë ndërkombëtare. Prishtinë
© Argumentum