Boshko Jakshiç[i]
Vizita zyrtare katërditore e kryeministrit izrealit në Hungari tërheq vëmendjen jo vetëm për faktin se Viktor Orbani është lideri i parë europian i cili nuk vepron sipas urdhër arrestit të Gjykatës Ndërkombëtare Penale (Gj.Nd.P) për Benjamin Netanjahun, por edhe për vetë natyrën e lidhjeve miqësore të liderit të shtetit hebré dhe atij hungarez i cili akuzohet për antisemitizëm. Hungaria është një prej 124 shteteve nënshkruese të Statutit të Romës, sipas të cilit është themeluar gjykata e cila, Netanjahun, liderin e parë të një vendi me pushtet demokratik, e ka akuzuar për krime lufte kundër njerzimit gjatë luftës në Gaza.
Hungaria kishte detyrimin që t’a arrestonte kryeministrin izraelit me t’u ulur të enjten në aeroportin e Budapestit, por Orbani nuk është i vetmi në refuzimin për të arrestuar Netanjahun. Donald Trampi muajin e kaluar ishte mikpritës për izrealitin, por gjithsesi ShBA-të nuk janë antarë të Gj.Nd.P. Franca dhe Polonia janë, megjithëse nuk janë deklaruar qartazi. Hollandezët do t’a arrestonin. Kancelari i ardhshëm gjerman Fridrih Merc thotë se “do të ishte një ide plotësisht absurde“ që kryeministri izralit të mos mund të vinte për vizitë.
Ftesën inatçore, Orbani i’a dërgoi Netanjahut me 22 nëntor 2024, një ditë pas shpalljes së urdhër arrestit, ndërsa vendimin e Gj.Nd.P. e quajti „absurd dhe të turpshëm“ dhe “fyerje për të drejtën ndërkombëtare”. Shefi i tij i diplomacisë Peter Sijarto përpunoi tezën mbi “turpin e papranueshëm të gjykatës ndërkombëtare”.
Netanjahu e akuzon Gjykatën Ndërkombëtare Penale për antisemtizëm, dhe është kuriozitet se erdhi në vendin kryeministrin e të cilit prej vitesh e akuzojnë për antisemitizëm. Orbani u gjend menjëherë në shënjestrën e kritikave të ashpra për shkak të larjes së hesapeve me ish padronin e tij të dikurshëm filantropin amerikan me prejardhje hebré Xhorxh Soros, të cilin e ka renditur tani në armiqtë e Hungarisë, “të cilët nuk besojnë te puna por spekulojnë me paratë, të cilët nuk kanë atdhe por mendojnë se e tërë bota është e tyrja”.
Përkundër frazave që të kthejnë në Gjermaninë e viteve tridhjetë, Netanjahu e priti Orbanin në Jerusalem në vitin 2018, gjë që shkaktoi stuhi mospëlqimesh dhe u sollën në kujtesë fjalët e falenderimit që kishte thënë Orbani për “shtetarin e jashtëzakonshëm” Miklosh Hortin, liderin hungarez gjatë Luftës së Dytë Botërore i cili zbatoi ligje antisemite, bashkëpunoi me nazistët dhe dërgoi në kampe përqëndrimi gjysëm milioni hebrej. Busti i Hortit është vendosur në parlamentin hungarez. Sipas interpetimit të historisë nga ana e Orbanit, hungarezët kanë “shpëtuar” hebrejtë në Budapest. Fajtorë janë tërësisht nazistët. Fakti që Horti ishte anisemit i thekur dhe që dy organizata progresiste hebré, Bet Orimi dhe Sim Shalom, i nxorri jashtë ligjit, nuk përmendet.
Pas gjithë këtyre Netanjahu e quajti Orbanin “mik të sinqertë të Izraelit”, dhe e falenderoi se lufton kundër antisemitizmit. “Turp”, komentoi atëbotë lideri opozitar Jair Lapid, i ati i të cilit, hebre hungarez, mbijetoi Holokaustin. Para memorialit Vad Jashem u mbajtën protesta të mëdha.
Orbani përsërit me këmbëngulje se qeveritë e tij kanë tolerancë zero ndaj antizemitizmit dhe racizmit, por në praktikë gjithçka ngjet me një lojë të dyfishtë. E dinte se në 2019 kishte dhuruar 3,4 milionë dollarë për luftën kundër antisemitizmit dhe një ditë më pas, revista që kontrollon avokati i tij, publikoi në faqen e parë liderin e organizatës më të madhe hebre në vend Andrash Hejlser, të mbuluar me monedha. Gjatë një fjalimi në zonën rumune Transilvani, e cila ka një bashkësi të madhe hungareze, Orbani deklaroi: “Nuk duam të bëhemi njerëz me raca të përziera”. Komiteti ndërkombëtar i Aushvicit deklaratën e quajti “budallaqe dhe të rrezikshme”. Duke kritikuar planet e BE-së për të ulur konsumin e gazit, Orbani tha: “Nuk e di si mund të imponohet një gjë e tillë, megjithëse ne, e kaluara na tregon se gjermanët ishin përpara në këtë lëmë”. Një këshilltare e Orbanit dha menjëherë dorëheqjen për shkak të këtij “teksti të pastër nazist”.
Orbani për vite me radhë ka hedhur idenë se forcat e errëta nga skena globale punojnë kundër tij dhe Hungarisë. Gjatë fushatës anti-BE dhe antisemite të vitit 2023, përdori pankartat me pamjen Ursula fon der Lajenit dhe Aleks Sorosit, djalit të Xhorxhit, me mesazhin për mbrojtjen e sovranitetit: “Nuk do të vallzojmë sipas muzikës së tyre”.
Si është e mundur që Netanjahu i cili përsërit vazhdimisht se është viktimë e komplotit të së majtës, ka gjithashtu marrëdhënie të mira me politikanë me predispozicion antisemit në mbarë botën, nga Hungaria deri në Poloni, e deri te ish presidenti filipinas Rodrigo Duterte i cili e krahason veten ne Hitlerin?
A është Orbani antisemit. Netanjahu gjithsesi mendon se nuk është. Po ashtu thotë edhe Robert Frolohu, rabini i Sinagogës së madhe në Budapest, njëkohësisht edhe tempulli me i madh hebré në Europë. Ndoshta kanë të drejtë. Lideri hungarez përdor një gjuhë të koduar antisemitizmi në mënyrë që të animojë zgjedhësit dhe të vendosë hegjemoninë e tij politike. Po këtë taktikë përdor edhe Netanjahu.
Ndajnë shumë gjëra të përbashkëta këta dy konservatorë, nacionalistë djathtisë dhe populistë. Një lidhje e tyre është lufta kundër Islamit dhe mbrojtja e qytetërimit judeo-kristjan. Orbani, gjatë krizës së emigrantëve të vitit 2015 e paraqiti veten si kampion të Europës së krishterë, ndërsa Hungarinë si vendi që është digë kundër sulmit të “hordhive islamiste”.
Që të dy shfaqin tendenca autoritariste dhe kundërshtojnë liberalizmin kozmopolit. Orbani si krijues i tezës “demokraci joliberale”, si edhe Netanjahu, është akuzuar se po kërcënon normat demokratike dhe të drejtat e njeriut. I pari gjykatat dhe mediat i ka vënë nën kontrollin e tij, i dyti vazhdon të përpiqet për të sendërtuar të njëjta ambicje. Që të dy janë të dashurit e Donald Trampit në procesin e krijimit të një internacionaleje djathtiste. Orbani ishte i vetmi lider i huaj që u deklarua për Trampin gjatë kohës së fushatës elektorale në ShBA.
Ndërsa i shtyjnë vendet e tyre në izolim dhe konflikte, këta sovranistë të thekur e paraqesin veten si patriotë mesianikë dhe shpëtimtarë të kombeve të tyre. Si njëri ashtu edhe tjetri nuk e fshehin përbuzjen ndaj BE-së dhe “vlerave të saj dekadente”, megjithëse e pranojnë me të dyja duart ndihmën e saj.
Këto janë lidhjet e vërteta të cilat ndikojnë që Budapesti të mbështesë fuqishëm Izraelin në forumet ndërkombëtare dhe në NATO. Për këtë, në mesin e situatës së nderë në Lindjen e Afërme dhe ndërprerjes së pushim zjarrit me Hamasin palestinez dhe Hesbollahët libanezë, Netanjahu vendosi që katër ditë të plota t’i kalojë në Hungari – në shenjë mirënjohje për “pastërtinë morale” që ka shfaqur Orbani duke quajtur urdhër-arrestin e Gj.Nd.P. si “hap të turpshëm”.
/Përktheu për Argumentum Xhelal FEJZA
[i] https://www.politika.rs/sr/clanak/671326/promocija-desnicarske-internacionale