Boshko Jakshiç-Politika [i]
Serbia, pas një pritje të gjatë rekord, nën firmën e kontinuitetit, më në fund ka një qeveri, e cila shumë lehtë mund të përfundojë në diskontinuitet, sepse nga ajo priten vendime që deri tani me dhjetëvjeçarë apo muaj të tërë janë shtyrë për më vonë dhe veprojnë si orë me zile që e shenjojnë pushtetin e Partisë përparimtare.
Aleksandër Vuçiçi thotë se qeveria “duhet të mbijetojë këtë dimër e ndoshta edhe atë tjetrin. Dhe kaq”.
Kur formohen kabinetet qeveritare nuk planifikohet që ata të “mbijetojnë”, por me një mandat të plotë të përpiqen të kryejnë punët e tyre. Çdo ekipi i nevojitet kohë për të marrë situatën në dorë, e në mënyrë të veçantë këtij aktualit në të cilin ka mjaft fytyra të reja. Në këtë situatë i bie që, pikërisht atëherë kur do të fillojnë të bëjnë diçka, u mbaron afati i përdorimit. (Është rënë dakord, me propozimin e presidentit Vuçiç që qeveria serbe në përbërjen aktuale me kryeministren Ana Brnabiç do të funksionojë vetëm dy vite, pas kësaj kryeministër do të jetë Millosh Vuçeviç, aktualisht ministër i mbrojtjes. Shën. i përkth.)
Është në natyrën e çdo qeverie kalimtare që të zgjidhë problemet e vështira. Si puna e një kabineti të luftës që ia lëshon vendin atij paqesor të pasluftës kur konflikti përfundon. Vërtetë që Serbia nuk është në luftë, por ama është në një konflikt prej shumë dekadash në lidhje me Kosovën i cili gjithnjë e ma hapur kërcënon të ardhmen europiane të vendit.
Vuçiçi refuzon njohjen e ndërsjelltë, është kundër hyrjes së Kosovës në OKB. E di mirë se çfarë nuk dëshiron, por shumë shpejt do të duhet ta marrë vesh se çfarë dëshiron, sepse në të kundërt do të kërcënohet pozita e tij. Meqënëse humbja e pushtetit është herezia më e madhe, presidenti në prapaskenë përpiqet që në qeveri të mbeten të hapura të gjithë obsionet, përfshirë edhe ata që ende anatemohen zyrtarisht. Ngushticën në manovrime politike ku e ka shpënë veteveten, presidenti synon ta kalojë mbi shpatullat e kabinetit të ri të mbushur kryesisht me luajalistë që mbështesin gjithëpushtetin e tij autoritar. Koha për marrjen e vendimeve kapitale është e kufizuar, për këtë edhe mandati i everisë është shkurtuar.
A mos është kjo përgatitje terreni për të zgjidfhur jo vetëm problemin kosovar por edhe atë tjetrin i cili ndërkohë ka rënë mbi shpatullat e pushtetit: çështja e sanksioneve kundër Rusisë? A është kjo pjesë e planit që presidenti e pati paralajmëruar menjëherë pas zgjedhjeve. Qeveri njëpërdorimshe. Si puna e zahiréve për dimër.
Meqënëse çdo mëngjez lexon informacionet e agjensive që studiojnë se çfarë jehone ka çdo fjalë e shqiptuar prej tij, Vuçiçi e di shkëlqyeshëm se opinioni publik i Serbisë është në shumicë kundër çfarëdo marrëveshje që nënkupton pavarësinë e Kosovës dhe nuk miraton sanksionet kundër Rusisë.
Por nëse ekziston “kërcënimi ekzistencial” i vendit ndërsa analiza krahasuese thotë se vazhdimi i politikës së deritanishme do të sjellë dëme të mëdha, zoti “Njet” mund ta lusë direkt kryeministren të inicojë një proces ndreqje të kontinuitetit të deritanishëm. Ai nuk do të merrte pjesë në këtë. Presidenti nuk dëshiron që emri i tij, e le më pastaj nënëshkrimi i tij, të jetë në fund të ndonjëfarë marrëveshje eventuale të cilën e kundërshton më së paku 70 përqind e qytetarëve. Kjo të kujton kohën kur Millosheviçi mezi arriti të gjejë ndonjë gjeneral i cili, sikurse më vonë e muar vesh duke iu ofruar një shpërblim të majmë, që të nënëshkruante Marrëveshjen e Kumanovës.
Vuçiçi mund t’ia lërë qeverisë të marrë vendimet, pikërisht ay ku, sipas kushtetutës krijohet politika e jashtme, e kësisoj ky do të ishte një rast tejet i rrallë në dhjetëvjeçarin e fundit ku ai i përmbahet kompetencave kushteuese. Kur kryeministrja dhe ministrat ta kryejnë punën, ndërsa presidenti paraprakisht të kalojë në mbrojtje duke ofruar dorëheqjen, do ta ketë më të lehtë më vonë për një fitore të re. Ajo që thekson Vuçiçi se edhe dorëheqja mund të ekzistojë, është një marketing i paparë. Mund ta ofrojë në mënyrë që të lërë përshtypjen se vendimet e marra ai nuk “i mbulon” e kësisoj të grumbullojë pikë politike te naivët. Atëherë autobuzat do të transportonin qytetarët naivë që ti përgjëroheshin për tu rikthyer. Ai me siguri nuk do të ketë zemër ti refuzojë. Nëse skenari i dorëhejes vërtetë ndodh, Vuçiçi, pas një mungese të shkurtër, do të kthehej me kurorën e dafinave në kokë. Do të evitonte të merrte përgjegjësi për pasojat e fitores së tij. Njëlloj si ata gjeneralët të cilët pas Kumanovës, festuan triumfin kundër NATO-s.
Ky kabineti i ri i kryeministrës Ana Branbiç punëson 25+3 ministra, gjë që interpretohet si dëshirë e mandatarit të parë – Vuçiçit pra – që të kënaqë orekset e antarëve të Partisë përparimtare serbe (PPS) dhe partnerëve në koalicion. Ministritë e fuqisë mbeten fort në duart e Partisë përparimtare. Punët e brendshme i përkasin shefit të deritanishëm të Shërbimit sekret Bratisllav Gashiç, ndërsa ministrinë e mbrojtjes e ka marrë kryebashkiaku i deritanishëm i Novi Sadit Millosh Vuçeviç.
Nëse diplomacia, ndoshta puna më delikate në këto kohë lufte në Ukrainë, ajo i është dhënë socialistit Ivica Daçiç, sinjal i dëshirës së mirë ndaj Moskës, atëherë ministret e reja, ajo e eurointegrimit, Tanja Mishçeviçm dhe ajo e energjetikës Dubravka Negre, mund të jenë sipas dëshirës së Perëndimit. Ministria për integrimin europian paralajmëron se qeveria do të merret plotësisht me këtë tematikë e cila formalisht ka qënë e pranishme në retorikën e përditëshme, por pa reforma të vërteta. Ministrja e re është eksperte me eksperiencë shumëvjeçare, e kjo tregon se ingranazhi i ndaluar do të vihet në punë përsëri. Qeveria e ka vënë si prioritet energjetikën, gjë që është veprim racional në kohët e krizës globale dhe tani pas fiaskos së elektroindustrisë serbe. Ministrja e re me biografinë e saj të jep besim.
Emërimi i tyre do të duhet të balancojë largimin e ministres për minerat dhe energjetikën Zorana Mihajlloviç, mbështetësja e rrallë e politikës properëndimore në kabinetin e deritanishëm. Pohohet se ajo është mënjanuar pas një serie deklaratash në të cilat shprehej haptazi për vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë dhe dënonte “egërsitë” ruse në Ukrainë. E ardhmja politike e ish ministres Mihajlloviç është e panjohur, ajo tashmë ka marrë një paralajmërim nga shefi partiak që të mos bëjë lojëra: “Çfarë dëshironi, që të gjithë të jenë të lidhur pas kolltukut për 25 vite, që askush të mos ndryshohet? Secili tregon fytyrën e tij, mendoj se njerëzit e kanë parë këtë”.
Lideri i PPS-së nuk i ka qejf dallgëzimet në partinë në të cilën ai mban pushtetin e paprekur, e kësisoj me rokadat personale dëshiron të pamundësojë që ndonjë antar i vjetër i qeverisë të fillojë të ndjehet i sigurtë, madje edhe i pavarur. Mesazhi sipas të cilit “Serbisë i duhet një PPS e fortë, ndërsa PPS-së një lider i fortë” tingëllon si e kopjuar nga Kongresi i PK të Kinës në të cilën është fronëzuar pushteti i pakufizuar i Si Gjinpingut.
Vuçiçi është nën presionet e forta të Perëndimit për të zgjidhur problemin kosovar dhe për t’iu bashkuar masave ndëshkuese të Perëndimit ndaj Rusisë. Presidenti nuk dëshiron as njërën dhe as tjetrën, e kësisoj përbërja e qeverisë dëshmon për dëshirën e tij të vazhdojë “ta dredhë”, sikurse ai vetë e ka përshkruar politikën e tij të deritanishme. Por “të dredhësh” mund të thotë edhe se kontinuiteti mund të zëvendësohet me diskontinuitetin për të cilin ai, natyrisht, nuk ka për të qënë përgjegjës.
*Përktheu për Argumentum Xhelal FEJZA
[i][i] https://www.politika.rs/sr/clanak/522691/Pogledi/Vlada-kao-zimnica