Kryeministri Edi Rama konfirmoi sot atë që po përflitet prej do kohësh se do të ketë ndryshime në qeveri, porse në një kohë më të vonshme.
“Jo për momentin”, iu përgjigj Rama pyetjes së drejtuar nga Top Channel nëse do të ketë ndryshime në qeveri.
Sinjali i parë i Edi Ramës për pakënaqësi ndaj kabinetit që ai drejton ishte kur në një mbledhje të paralajmëruar të grupit parlamentar të PS-së, ai shpërndau të deleguarit nëpër qarqe në kuadër të përgatitjeve për zgjedhjet e ardhshme, duke ia besuar më shumë punën dhe koordinimin e strukturave, ish-ministrave të tij pesë vjeçar.
Vetëm dy ministra Bledi Cuçi dhe Olta Xhaçka dhe një tjetër pa portofol Erisa Spiropali janë angazhuar drejtpërdrejt në drejtimin e fushatës në disa qarqe të caktuara.
Rama la të kuptohet shumëçka edhe gjatë fjalës së mbajtur para deputetëve, kur ndër të tjera nënvizoi se tërmeti dhe pandemia kishin goditur themelet e kësaj qeverie. A lidhet kjo edhe me drejtuesit që u angazhuan drejtpërdrejt në përballimin e dy ngjarjeve të pazakonta për vendin? Kjo pritet për tu parë.
Rama nga ana e tij u përpoq të sfumojë çdo hamendje që kanë si burim në fakt vetë lëvizjet e tij.
“Kur vjen puna tek drejtimi qarqeve dhe këtu nuk flasim njëherë për udhëheqjen e fushatës, fushata është akoma larg. Këtu flasim për ata që janë kujdestarë në këtë fazë por kjo është për t’u parë në proces dhe kush do të lodhet do të kalojë në vijën e dytë dhe mund të shkojë në stolin e rezervave. Kush do të ketë energji do të shkojë në sulm deri në fund. Kështu që nuk është përfundimtare as nuk ka lidhje je ministër apo s’je ministër. Të qenit ministër ose jo ministër nuk lidhet me këtë sepse varet se ku të kërkon partia siç i thonë”, tha ai për TCH.
Rama u përpoq të mos i japë rëndësi faktit se ai kësaj here do të drejtojë Durrësin.
Në zgjedhjet e kaluara, Rama kishte emrin në listën e kandidatëve për deputet në qarkun e Vlorës.
“Se kam udhëhequr unë fushatën elektorale të Vlorës asnjëherë as më përpara. Udhëheqësi i fushatës elektorale ka qenë dhe është Damian Gjiknuri. Kështu kjo është fake neës. Unë kam marrë përsipër të kujdesem për Durrësin sepse është një zonë me rëndësi të posaçme në këtë fazë kur ne na duhet të ndërtojmë aty një shembull spektakolar të ndërtimit pas gjithë asaj tragjedie që kaloi Durrësi.
Është pjesa më e dëmtuar dhe pjesa më sfiduese e rindërtimit pasi aty do të duhet të bëjmë një punë shumë të madhe.
Kemi ecur shumë me projektet. Siç dihet ose për atë që se dinë e përsëris se për rindërtimin në Durrës ne kemi një marrëveshje që unë e kam bërë me princin e Emirateve të Bashkuara. Janë Emiratet e Bashkuara që do të na mbështesin financiarisht dhe me ekspertizë teknike në mënyrë që të arrimë të bëjmë diçka fantastike në Durrës. Pastaj unë jam edhe nga Durrësi dhe nga Vlora jam edhe nga Shkodra madje…”, tha ai./h.e