Realpolitik “ flash” Nr. 18
1 – 16 TETOR 2020
EKSKLUZIVISHT për ARGUMENTUM “ shqip” dhe vetëm me 1.000 fjalë nga diplomati dhe analisti i njohur; Dr. JORGJI KOTE
- BE për Ballkanin:
Më 6 Tetor Komisioni Europian miratoi Planin Ekonomik dhe të Investimeve prej 9 Miliard Euro për periudhën 2021 – 2027 për vendet e Balkanit Perendimor.
Siç e theksoi dhe në Tiranë më 7 Tetor Komisioneri Europian për Zgjerimin, Oliver Varhalyi, ky Plan « Marshall » përfshin 10 komponentë, sidomos : rimëkëmbja ekonomike, nxitja e investimeve, rritja e punësimit, inkurajimi i dijes, mbështetja e fuqishme për rininë, lidhja dhe ndërveprimi efikas në rajon, me qëllim final përshpejtimin e konvergimit ekonomik me BE-në.
Projektet e tij të mëdha infrastrukturore, transporti, energjitike dhe tregtare do të shtrihen në Jug – Veri, Lindje – Perëndim, Zonat Bregdetare, etj. Ka dhe dy axhenda të tjera për rajonin – kalimin drejt Ekonomisë Dixhitale dhe të Gjelbër, që do të prezantohen në Samitin BE – Ballkani Perendimor në Sofie më 10 Nëntor.
Ky Plan konfirmon dhe konsolidon përparësinë e BE-së ndaj Ballkanit Perendimor, duke e konsideruar atë tanimë si « oborr i brendshëm e jo i pasëm » BE-ja e dëshmoi këtë me « Trinomin » e saj madhor : Strategjia e re për zgjerimin e BE-së, në Shkurt; vendimi i Këshillit të BE-së më 25 Mars për çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe tani Planin Ekonomik e të Investimeve. Veç 1,15 Miliard Euro për shmangien e pasojave të Tërmetit të 26 Nëntorit 2019 të mbledhura në Konferencën Ndërkombëtare të Donatorëve në Shkurt në Bruksel dhe 3,3 miliard Euro për Rajonin në kuadrin e masave anti Covid – 19.
- Jo “ krushqi” por Kushte!
Në Konferencën për shtyp me Komisionerin Verhalyi më 7 Tetor në Tiranë, Kryeministri Rama habiti dhe vetë mysafirin e lartë europian, kur i pyetur lidhur me çeljen e negociatave tha “ ne pritëm, por krushqit nuk erdhën. Sapo të vijnë të na marrin, ne gati jemi, me kostum e kollaro” Kësisoj, Kryeministri shpalli “ kapitullimin pa kushte” duke ia lënë “ kopilin në derë” “ krushqve” europianë. Në fakt, fajësimi i të tjerëve, brenda dhe jashtë vendit, ka qenë strategji e hershme e Ramës. Deri dy vite më parë ai justifikohej se “ i kemi kryer detyrat” ndonëse punët e shtëpisë i kishte “ çorap” Më 18 Shtator në intervistën për DW pretendoi për të disatën herë se “ fajin e kanë “dinamikat e brendshme” në vendet e BE-së, kur kjo vetëm vjet mund të qëndronte deri diku, mbasi Europa ishte plot zgjedhje gjithfarëllojëshe.
Gjithashtu, tani Rama nuk i krahason më negociatat si të gjithë me një “ndeshje futbolli” ku ka kohë që “ topi” i Brukselit luhet në portën tonë në Tiranë, por me një krushqi martesore! Në fakt, me BE-në nuk bëhet fjalë për krushqi, por për partneritet, që fillon me plotësimin e 15 kushteve të njohura që presin ende përgjigje thjesht me një ‘Po’ ose ‘Jo’. Më shkoqur: A kemi Gykatë të Lartë? Po Kushtetuese? Po reforma zgjedhore me konsensusin e opozitës? Po hetimi ndaj zyrtarëve të lartë, a ka nisur apo vetëm me disa “cironka”? Mirëpo, gjykimin e rastit e japin “arbitrat” në 27 vendet e BE-së. Ndërsa nga ne si “ lojtarë” kërkohet vetëm “ ta luajmë topin” sa më mirë e sa më shpejt. Ndryshe, krushqitë, kostumi, kollaro, sado firmato të jenë janë pa vlerë përballë KUSHTEVE të paplotësuara! Ca më tepër tani që sa më shumë afron Dhjetori i shumëpritur, aq më e largët po duket çelja e negociatave.
- Rusia dhe Kina zgjidhen në KDNJ
Në zgjedhjet e 13 Tetorit në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, Rusia dhe Kina u zgjodhën me shumicë votash antarë të Këshillit të të Drejtave të Njeriut me seli në Gjenevë. KDNJ u krijua më 2006 me synim nxitjen dhe promovimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut. Ai ka 47 antarë që zgjidhen me mandate tre vjeçare. Në vitin 2014 u zgjodh për herë të parë dhe Shqipëria. Ra në sy shtimi i ndjeshëm i votave për Rusinë krahasuar me vitin 2009.
Ky sukses diplomatik për këto dy vende në këtë fushë me ndjeshmëri të madhe publike u prit me kritika nga disa organizata për të drejtat e njeriut. Ndërkohë, duke paraqitur modelin dhe këndvështrimet e saj për të ardhmen, Rusia kërkoi që kjo fushë të mos politizohet apo të justifikojë ndërhyrjet në punët e brendshme.
Bashkë me Kinën, ajo ua tha troç disa javë më parë dhe liderëve të BE-së se secili vend ka standardet, ligjet dhe përqasjet e veta në këtë fushë dhe askush nuk duhet të imponohet e të kushtëzojë marrëdhëniet e tjera me to.
Për pasojë, në kushtet kur SHBA-të u larguan nga Këshilli vitin e kaluar, si dhe dhe të nevojave, lidhjeve dhe interesave të mëdha politike, ekonomike e të sigurisë me këto dy vende, zgjedhja e Rusisë dhe Kinës në KDNJ do të theksojë më tej prirjen e tanishme që gradualisht, të drejtat e njeriut në marrëdhëniet ndërkombëtare të mos jenë më universale e për pasojë, të dalin “ prapa liste”
- Mirë bëri Berlini!
Më 7 Tetor, Presidenti i Malit të Zi, Milo Gukanoviç ishte për vizitë zyrtare në Berlin. Pati disa kritika përse e mirëpriti Berlini zyrtar fill pas humbjes së ngushtë të partisë së tij dhe akuza të njohura të mëparshme. PO, nga pikpamja e Realpolitikës, Berlini bëri mirë që e priti mysafirin e lartë malazez. Sepse, Gjukanovic vazhdon të jetë President i një vendi antar të NATO-s dhe kandidat në BE, me kontribute të vlerësuara Euro – Atlantike, pa mohuar kusuret dhe gjynahet e tij.
Ai mbetet aktor dhe faktor madhor kyç në proceset e mëtejshme politike në atë vend. Gjithashtu, Gjermania dhe Perëndimi në përgjithësi tregojnë se partneriteti nuk shfaqet vetëm në “ditë me diell por dhe me shi”. Diplomacia e sotme, sidomos ajo gjermane dallohet pikërisht nga dialogu dhe angazhimi real e jo izolimi apo largimi prej partnerëve. Së fundi, distancimi dhe refuzimi për të pritur Gjukanoviç në Berlin nuk do të sillte asgjë të dobishme për askënd.
© Argumentum