Boshko Jakshiç[i]
Ka diçka këtu që nuk shkon! Si është e mundur që Amerika, një pjesë e Europës dhe e tërë Lindja mbrojnë presidentin e Serbisë, meqënëse evitojnë të inkurajojnë protestat studentore, sëpaku moralisht, por edhe i dënojnë si përpjekje për “revolucion me ngjyrë”?
Serbia është amalgamë e aleancave të papritura. Duket si paradoks, por nuk është: Donald Trampin, Vladimir Putinin dhe Aleksandër Vuçiçin i lidh dëshira për pushtet të pakufizuar. Asnjërit prej kësaj tresheje nuk i shkon për shtat kryengritja e cila përpiqet të vendosë shtetin ligjor dhe të godasë themelet e autoritarizmit, populizmit, nacionalizmit, padrejtësisë, pabarazisë sociale. Të gjithë ata nuhasin rrezik kur protestat nga Serbia përhapen në mënyrë virtuale jo vetëm në tërë rajonin, por kërkesa për liri mendimi kanë filuar të qarkullojnë edhe nëpër botë. Kështu ndodhi që një segment i “botës së lirë” të gjendet në anën e autokratëve “jo të lirë”, por edhe në qendër të Beogradit zyrtar.
“CIA po e godet Serbinë nëpërmjet ndërmjetësve! Nuk do të mund ta bëjë për një kohë të gjatë?!”, është titulli i një artikulli në gazetën tabloid më të dashur të Vuçiçit. Si na doli tani kjo punë me CIA-n kur Trampi po spastron sistematikisht radhët e agjensisë dhe “shtetin e thellë” të Amerikës, të cilin e ka në shënjestër prej kohësh presidenti i Serbisë?
Mesazhe të pakëndshme vinë edhe nga Brukseli, Berlini, Parisi. Përse deklarata e zbehtë në mbështetje të Vuçiçit e presidentit francez sipas së cilës ai shpreson se Serbia “do ta gjejë mënyrën për të arritur te dialogu”? Përse nuk deklarohet kancelari gjerman? Nga presidentja e Komisionit Europian (KE) nuk duhet pritur asgjë. Verës së kaluar ajo, kur vizitoi Beogradin, e lavdëroi kaq shumë Vuçiçin, saqë pata përshtypjen se nuk po fliste për Serbinë por për Skandinavinë.
Kërkesat e studnetëve janë po ato që BE-ja i’a bën Serbisë, për të cilat vazhdimisht mban leksione, por europianët me ndikim, në vend që të mbështetin demokratizimin dhe reformat, kanë zgjedhur taktikën “prit dhe vëzhgo” dhe me këtë i kanë lënë Vuçiçit hapësirë për manipulime e kësisoj ai që nga fillimi i bllokadave që u shndëruan në protestë mbarëpopullore akuzon Perëndimin se po e gërryen nga brenda Serbinë dhe pushtetin e saj.
“Tamam kur dolëm nga varfëria e përgjithshme, kur Serbia nisi të ecë përpara, u sulmua përnjëherësh nga jashtë duke investuar para të madhe për të shkaktuar trazira brenda vendit”, thotë Vuçiçi.
Amerikanët dhe Perëndimi sillen sikur këto akuza nuk e pengojnë aspak. Bizenes toleranca mbështetet në qëndrimin se ai duhet shikuar symbyllur përderisa të premtojë se do të përmbushë premtimet: nga Kosova, nëpërmjet municioneve dërguar Ukrainës, e deri te litjumi. Me një fjalë rikthim i stabilokracisë së Anxhela Merkelit.
Përhapja e rrëfimeve mbi “komplotin e jashtëm” e kombinuar me falenderimet për mbështetjen që pushteti merr nga Perëndimi, janë pjesë e taktikës që në Perëndim të inkurajohen aleatët ideologjikë, ndërsa bllokohen kritikët, të forcohet mbështetja për Lindjen despotike dhe të përforcohet besimi i zgjedhësve që duan të besojnë se Vuçiçi është mjeshtër i kombinatorikës. I prirur për deklarata kontradiktore, presidenti vlerëson se konfuzioni e ndihmon. Sikur të ishte kështu, ndoshta do t’i luste partnerët perëndimorë që t’a ndërpresin “luftën hibride” me të cilën e frikëson opinionin publik të Serbisë.
Beogradi zyrtar i gëzohet ngrirjes së financimit të agjensive amerikane për ndihmë jashtë shtetit për të cilat Trampi pohon se kanë shpenzuar para për OJQ-të e “panevojshme” dhe “majtiste”.
“Po vinë kohë më të mira për popujt liridashës në botë”, konstaton me pasion Vuçiçi.
Nuk i fsheh ankimet për shkak të tërheqjes së “organizatës kriminale”, po asaj të cilën protagonistët e pushtetit e falenderonin për shkak të projektit i cili Serbinë “e bëri më të bukur dhe më të begatë”, sikurse shkruan komantatorja e RIA Novosti duke u përfshirë në fushatën e Rusisë në të cilën protestat në Serbi shenjohen si përpjekje për “revolucion me ngjyrë”.
“Teknologjia e protestave – posterat, bllokada e hekurudhave dhe rrugëve – janë marrë nga manuali i ‘revolucioneve me ngjyrë’ dhe këto janë mjetet për të nënshtruar presidentin e Serbisë”, shkruan tekstualisht Elena Ponomareva, profesore e Institutit shtetëror për marrëdhënie ndërkombëtare.
Vuçiçi është dakord me vlerësimin. “Gjithçka që ata bëjnë është përpjekje për revolucion me ngjyrë. Dhe këtu nuk kam aspak dyshime. Të gjitha këto i bëjnë instruktorët e huaj, të cilët vinë më së shumti nga vendet perëndimore”, thotë presidenti i cili paralajmëron librin mbi fitoren ndaj “revolucionit me ngjyrë”.
Krahas “Trampit serb”, Vuçiçi gjithsesi nuk dyshon as te aleatët më të afërt në BE, si puna e italianëve, hungarezëve apo sllovakëve. Nëpërmjet tyre Beogradi përfshihet në luftën memece brenda unionit, e cila vazhdon ende, ndërmjet konservatorëve nga njëra anë, dhe forcave të majta liberale dhe të Gjelbërit në anën tjetër. Presidenti përllogarit se europianët, kësisoj të ndarë, nuk duan përçarje të reja në të cilat mund të ishte shkak Serbia. Kjo, dhe mosvërejtja e Trampit, shpjegon përse burokratët në Bruksel, para të gjithëve Komisioni Europian (KE), evitojnë me këmbëngulje të komentojnë ngjarjet e këtushme dhe heshtin turpshëm. Agjenda reformuese është kërcënuar ndërsa KE eviton të inkurajojë kërkesat e të rinjve të cilat padyshim do të kontribuonin në liberaiziminn dhe normalizimin social. Ky cinizëm dhe utilitarizëm vulgar redukethet në mbështetje për autokratin serb.
Deklarohet vetëm Parlamenti Europian (PE), i cili në muajin tetor të vitit të kaluar u ndau detyrat grupimeve politike, ndërsa përpunimin e raportit për Serbinë i’a ndau grupit të socialistëve dhe demokratëve, forca e dytë në PE. Grupimi më i fortë, Blloku Popullor, në të cilin Partia përparimtare serbe është antare, humbi kësisoj disa pozita komanduese në raport me Serbinë.
Nuk ka më Xhosep Borrel, Oliver Varheli, Vladimir Bilçik apo Miroslav Lajçak. I zëvendësuan ata Kaja Kallasi, estoneze, e cila në PE i përkiste Aleancës së liberalëve dhe demokratëve, Marta Kos nga lëvizja “Slloboda” e liberalo- e gjelbër sllovene, socialdemokrati kroat Tonino Picula dhe racionalisti pragmatik danezi Peter Sorensen.
Këto zgjedhje të personelit në Bruksel dhe Strasburg e shqetësojnë Vuçiçin. Socialdemokratët kanë bërë një deklaratë nëpërmjet së cilës solidarizohen me studentët serbë. Grupi të Rinovojmë Europën, të cilin e përbëjnë përfaqësuesit e partive libreale në BE, dënoi përgjigjen e dhunshme ndaj protestave. Të Gjelbërit gjithashtu mbështesin studentët.
Beogradi menjëherë u hodh në ofensivë diplomatike. Ambasadat e Serbisë në vendet e BE-së u urdhëruan të përhapin narrativin se janë përmbushur kërkesat e studentëve dhe se lufta kundër korrupsionit, ruajtja e shtetit ligjor dhe forcimi i institucioneve janë parimet kyçe ndaj të cilëve pushteti është i përkushtuar. Tingëllon cinike. Sikur të ishte kështu, protesta as do të kishte, e kështuqë eurodeputetët, me kërkesë të socialdemokratëve, ishin të parët dhe të vetmit që shqyrtuan situatën në Serbi. Komisarja Kos deklaron se pjesëmarrja e qytetarëve luan rol me rëndësi në zhvillimin e shoqërisë demokratike. Picula mbështet kërkesat e studentëve “për emancipimin e shoqërisë nga shteti”, gjë e cila tregon për shumë karakteristika të shtetit të robëruar dhe rregjmit hibrid.
Irena Joveva tha se të rinjtë janë forca lëvizëse e Serbisë. “Studentët serbë janë zëri i shpresës dhe ndërgjegjes së tërë Ballkanit”, thotë eurodeputeti Matej Tonin. “Europa nuk guxon të heshtë, por duhet t’i dërgojë apel pushtetit në Serbi që të forcojë themelet demokratike, sepse populli serb meriton një të ardhme në BE”, porosit Vladimir Prebiliç nga grupi i liberalëve dhe i së majtës.
Kritika të pritshme ndaj protestave erdhën nga grupimet djathtiste Patriotët për Europën, në mënyrë të veçantë nga partia hungareze Fides e mikut të madh të Vuçiçit, Viktor Orban.
Me përfshirjen në konfrontimet gjeostrategjike Partia Përparimtare serbe zëvendëson humbjet në terrenin vendor. BE-ja vepron duke kthyer kokën mënjanë, dhe është vetëm çështje kohe se sa gjatë do të jetë në gjendje të tolerojë dhe injorojë thirjet e opinonit të saj publik që të marrë një qëndrim ndaj kërkesave fisnike të rinisë serbe.
Kur Serbia e Vuçiçit do të fillojë të dërgojë pakënaqësi, gjërat kanë për të ndryshuar plotësisht. Bota nuk e dëshiron modelin e stabilitetit që shpie në destabilizim të rrezikshëm.
/Përktheu për Argumentum Xhelal FEJZA
[i] https://www.politika.rs/sr/clanak/661904/pogledi/mla-dez-sr-bi-je-i-eu-bi-znis-tolerancija