Shkruan:Vllado Vurushiç, Jutarnji List 26. Maj 2021[i].
Përktheu për Argumentum.al: Xhelal FEJZA
Në bregun qetësindjellës të Liqenit të Gjenevës, të mërkurën me 16 qershor, megjithëse është përmendur edhe 15 qershori, do të mbahet takimi i parë i presidentit të ri amerikan Xhozef Bajden dhe kolegut të tij rus Vladimir Putin.
Ata të dy tashmë janë dëgjuar nëpërmjet telefonit kur u morën vesh për takimin. Për herë të parë janë pas takuar që në vitin 2011, kohë në të cilën Bajdeni ishte zëvendëespresident i Barak Obamës dhe atëbotë i pati thënë disa fjalë të cilat të gjithë tani po i nxjerrin nga arkivat: “Mendoj se ju nuk keni shpirt”. Ju kujtojmë se Putinit iu desh një muaj e gjysëm kohë për ta uruar Bajdenin për fitoren e zgjedhjeve.
Dy presidentët do të takohen në një moment kur marrëdhëniet mes dy vendeve dhe në përgjithësi raportet ruso-perëndimore janë në nivelet më të ulëta që nga koha e shpërbërjes së Ish-BRSS-së dhe kur ministri rus i punëve të jashtme përmend se Lufta e Ftohtë mund të përsëritet pa u ndalur. Që të dy vendet e kjanë shpallur njëri tjetrin “armikun kryesor” si në “kohët e bukura të vjetra” të ndarjeve në blloqe, sepse me sa duket në kësi ujërash ata dinë të notojnë më mirë. Nga Shtëpia e Bardhë u shprehën menjëherë se takimi është i rëndësioshëm sepse duhet “diskutuar për një sërë problemesh në situatën kur këmbëngulin të rinovojmë parashikueshmërinë dhe stabilitetin e raporteve tona”, ndërsa nga Kremlini vjen mesazhi qetësues se takimi i dy liderve “është me rëndësi në mënyrë që raportet e Rusisë me SHBA-të të dalin nga pozita e mjerë dhe e trishtuar në të cilën gjenden sot”.
Temat e takimit
Dihet se me siguri do të bisedohet për pasojat e pandemisë së koronavirusit, por gjithsesi takimi në Gjenevë nuk ka për të qënë aspak i lehtë, sepse tensionet në raportet mes dy shteteve vetëm rriten. Sapo u qetësuan pasionet rreth grumbullimit të trupave ruse afër kufirit ukrainas, ndodhi “rrëmbimi shtetëror” i avionit të pasagjerëve në Bjellorusi dhe arrestimi i gazetarit opozitar Roman Protasheviç, i cili ishte si pasagjer në këtë fluturim, e tani gjithnjë e më shumë po flitet se Rusia është përzierë në këtë aferë. Ka dalë se bjellorusët i kanë informuar rusët për synimin e tyre, sepse “Komersanti” i Moskës shkruan se Minsku me këtë akt “e ka vënë Rusinë në një situatë të pakëndshme”. Shefi i komisionit për politikë të jashtme në Bundestagun gjerman Norbert Rötgen, nga Unioni Kristjan-Demokrat i Anxhela Merkelit, ka deklaruar se “nuk duhet përjashtuar përzierja e Moskës” në uljen me detyrim të avionit madje edhe “mbështetja e saj operative” në gjithë këtë.
Kësisoj tani vetëm sa po rritet numuri i temave që mund të gjënden në tryezën e të dy presidentëve. Përveç ndreqjes së marrëdhënieve dypalëshe, hamendësohet se pala amnerikane do të shtrojë edhe çështjen e Bjellorusisë, ndërsa Kremlini kurrsesi nuk dëshiron që ajo të jetë temë e bisedimeve. Bajdeni para pak kohësh i shprehu mbështetje protestuesve antillukashenko në “luftën e tyre të drejtë për liri”, ndërsa Putini është shumë i ndjeshëm në lidhje me Bjellorusinë që e konsideron domen të tij për të cilën nuk mund të bisedohet, e aq më shumë të dialogohet. Përveç kësaj Kremlini këmbëngul të evitojë edhe bisedimet për Aleksej Navalnin dhe në përgjithësi të bisedohet për probleme të të drejtave të njeriut, të drejtave qytetare dhe politike në Rusi. Gjoja rusët paskan si kundërpërgjigje temën e Black Lives Matter.
Në tapet do të gjendet edhe Ukraina së cilës Bajdeni i ka shprehur garancinë e pavarësisë, sovranitetit dhe integritetit territorial. Krahas kësaj, ndoshta do të preken edhe tema lidhur me Lindjen e Afërt dhe Magrebin (Siri, Palestinë dhe Libi), por edhe fati i megaprojektit të gazsjellësit Rryma e Veriut 2. Xhozef Bajdeni ka thënë që në fillim se është kundër këtij projekti, por gjithsesi hoqi dorë nga sanksionet e reja në lidhje me këtë gazsjellës, i cili është afër përfundimit- kanë mbetur ende rreth pesë përqind të punimeve deri në përfundim të tij- sepse (sanksionet) në këtë fazë do të ishin kontraproduktive. Senatori republikan Ted Kruz u shpreh ironikisht se kjo është “një dhuratë shpirtmadhe prej një miljardë dollarësh për Putinin”, duke pyetur nëpërmjet llogarisë së tij në Tviter “a do të vijë për këtë presidenti rus me tortë në Gjenevë”.
Balkani nuk është ”në meny”
Tani për tani nuk ka shenja që edhe Ballkani mund të jetë në menynë e bisedimeve, por nuk është e pamundur sepse edhe SHBA-të kanë vendosur të jenë më të pranishëm në këtë rajon. Ka mundësi, sëpaku në mënyrë të tërthortë, të përmenden edhe Bosnjë e Hercegovina dhe Kosova, sepse SHBA-të dhe BE-ja i kanë vënë vetes detyrë që Bosnjë e Hercegovina të ecë në rrugën drejt antarsimit në NATO, dhe çështja e Kosovës të zgjidhet nëpërmjet njohjes së ndërsjelltë mes Prishtinës dhe Beogradit.
Të gjitha sa më sipër janë tema që rëndojnë raportet amerikano-ruse, por puna është nëse do të vijë radha të diskutohet për ta sepse Uashingtoni dhe Moska tani për tani këmbëngulin vetëm, në temën e “rinovimit dhe stabilizimit të raporteve të ndërsjellta”.
Xhozef Bajdeni vjen për herë të parë si president në vizitë në Europë. Para takimit me Putinin, nga 11 deri me 13 qershor, do të takohet me aleatët në takimin e B7 në Britaninë e Madhe, dhe me përshtypjet dhe sugjerimet nga këto takime do të shkojë në takim me presidentin rus. Presidenti francez Emanuel Makron paralajmëron se BE-ja duhet të marrë një pozicion strategjik ndryshe ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë sepse, sikurse thotë ai, “duket qartë se politika e tanishme e sanksioneve nuk po jep rezultatet e pritshme”, dhe për këtë, “neve na duhet të hartojmë një strategji afatshkurtër, afatmesëm dhe afatgjatë të marrëdhënieve tona me Rusinë” të cilën paralajmëroi se do ta bëjë publike deri në kohën e mbajtjes së samitit të BE-së me 25 qershor. Bajdeni në Europë do të bisedojë edhe me liderët e vendeve antare të NATO- s dhe në selinë e BE-së për rinovimin e bashkëpunmimit transatlantik, të cilin e ka shkatërruar Donald Trampi, dhe i cili do të ripërtërijë lidershipin e SHBA-ve në Perëndim.
Në Moskë i frikësohen veprimit të përbashkët përsëri të SHBA-ve dhe BE-së dhe për këtë Moska duhet të vendosë së çfarë i përshtatet më shumë në këtë moment: qetësimi apo ashpërsimi i mëtejshëm i raporteve, për më shumë në këtë situatë të pafavorshme ekonomike. Pyetja është se çfarë do të zgjedhë Kremlini si më të përshtatshme në këtë moment. Në muajin shtator do të mbahen zgjedhjet parlamentare shumë të rëndësishme për Putinin i cili dëshiron të ketë dominim absolut në Dumën ruse, e për pasojë është brutal ndaj çfarëdo lëvizje antiregjim. Pikërisht tani Duma ka miratuar vendimin se të gjithë ata që shenjohen si “ekstremistë” nuk do të mund të kandidojnë në zgjedhje, dhe ngjitja e kësaj etikete është pak a shumë e lehtë.
Deri në kohën e takimit të Putinit me Bajdenin kanë mbetur pak më shumë se dy javë dhe është interesante të ndiqet situata nëse tensionet do të përshkallëzohen apo do të ecet në rrugën e zbutjes, për shumë sepse duket sikur të dyja palët, sëpaku në reaksionet e para që vinë nga Kremlini dhe Shtëpia e Bardhë, dëshirojnë që takimi gjithsesi të jetë një hap drejt normalizimit. Për këtë shtrohet pyetja- dhe në ditët në vijim do ta dimë përgjigjen- cilat tema do të trajtohjen gjatë bisedimeve nën zhurmën e ëmbël të valëve të Liqenit të Gjenevës.
[i] https://www.jutarnji.hr/vijesti/svijet/ruska-glavobolja-uoci-sastanka-koji-ceka-cijeli-svijet-uvalili-su-nas-u-nelagodnu-situaciju-15076108