Zoran Meter[i]
Marrëveshja rreth strukturës së përbashkët të sigurisë kurrsesi nuk do të thotë normalizim i marrëdhënieve politike Perëndim-Rusi, por vetëm relaksim të tyre në kuptimin e zvoglimit të rrezikut të incidenteve të rrezikshme dhe rritjes së tyre në krizë dhe konflikt ushtarak potencial. Domethënë, të gjithë ata që do të dëshirojnë që të kenë edhe më tej marrëdhënie të këqija me Moskën mund ta bëjnë një gjë të tillë edhe ne rast se arrihet marëveshja e sigurisë. Pikërisht këtu shihet mundësia për sukses përfundimtar të bisedimeve sadoqë shanset për të tani për tani janë të ulëta.
Ka shumë pak mundësi që Senati amerikan të miratojë javën e ardhshme propozimin e ligjit për sanksionet në lidhje me gazsjellësin Rryma e Veriut 2 (RV-2), të cilin e ka propozuar senatori republikan Ted Kruz nga Teksasi, nënvizonte në artikullin e saj të datës 5 janar media amerikane Politiko.
Demokratët në Senat, të cilët më parë kanë mbrojtur me zell idenë e vendosjes së sanksioneve ndaj këtij gazsjellësi rus, paralajmërojnë ndryshime me rëndësi në qëndrimet e tyre. Sipas demokratëve, shkaku i këtij adoptimi, qëndron në mosgatishmërinë për tu përzierë në punët e presidentit Xho Bajden pikërisht tani në prag të bisedimeve me Rusinë dhe pohojnë se miratimi i ligjit të Kruzit do të sillte dobësim të pozitave dialoguese amerikane.
Në lidhje me këtë, supozohet se propozimi i ligjit nuk do ta kalojë pragun prej 60 votash të nevojshme për miratimin e tij. Për miratimin e këtij ligji duhet të fitohet mbështetja edhe e më sëpaku e 10 senatorëve nga partia demokrate. Votimi për këtë ligj në Senat duhet mbajtur më së voni me datë 14 janar 2022.
“Në këtë fazë, ndërsa po ndjekim me vëmendje aksionet e Rusisë në Ukrainë, është më rëndësi të jashtëzakonshme të mbahet bashkëpunimi i afërt me aleatët tanë. Gjermania është një nga aleatët tanë kryesorë. Për këtë, mendoj se kjo iniciativë nuk është në kohën e duhur”, deklaroi senatori demokrat nga Nju Hempshiri Gene Shaheen.
Senatori demokrat nga Konektikati Kris Mërfi, kryesues i Komisionit të Senatit për çështjet e jashtme, theksoi gjithashtu se ligji në fjalë mbi sanksionet do të kishte efekt të dëmshëm për marëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve europianë. Ai mendon se prishja e unitetit është e papranueshme në kushtet kur solidariteti transatlantik është i nevojshëm për t’iu kundërvënë “sjelljes agresive” të Rusisë.
“Nuk është fjala këtu për Rusinë. Flasim për programin Kruz-Tramp për prishjen e partneritetit transatlantik. Ka ardhur koha kur duhet të shfaqim solidaritet me administratën e cila po përdor metodën e shkopit dhe të kulaçit për të penguar invazionin rus”, tha Mërfi, fjalët e të cilit i citon media e mësipërme amerikane.
A është Rryma e Veriut 2 levë mjaftueshmërisht e fortë për zbutjen e pozitave dialoguese të Rusisë?
Këtu do të shtonim edhe këtë: demokratët amerikanë në Kongres, të cilët kanë shumicën në të dy dhomat, me siguri nën ndikimin e administratës Bajden, duket qartë se nisen nga supozimi se gazsjellësi Rryma e Veriut 2 (i cili nëpërmjet Detit Balltik lidh Rusinë me Gjermaninë dhe, përveç saj, duhet furnizojë me gaz edhe vendet fqinjë me të) është një prej elementëve kryesorë të presionit amerikan ndaj palës ruse në bisedimet e Gjenevës që fillojnë të hënën me 10 janar.
Me siguri jo pa arësye (dhe pothuajse me siguri nën ndikimin amerikan), rregullatori i rrjetit energjetik gjerman ende nuk ka marrë vendimin përfundimtar mbi çerfitikimin e Rrymës së Veriut 2 megjithëse këtë duhet ta bënte më së voni deri me 8 janar 2022, në fundin e vitit të kaluar deklaroi se leja e përdorimit nuk do të jetë e mundur të jepet deri në mesin e vitit 2022 duke patur parasysh se duhet të japë mendimin e tij edhe Komisioni Europian (i cili nuk mund ta ndryshojë vendimin e rregullatorit gjerman por mund ta zvarrisë katër muaj dhënien e e mendimit të tij).
Sesa i ka varur shpresat administrata Bajden në levën shtytëse të bisedimeve të “Rryma e Veriut 2” e dëshmojnë edhe fjalët e sekretarit të shtetit Antoni Blinken në takimin me shefen gjermane të diplomacisë Analena Baerbok në Uashington. Ai u shpreh se përparimi diplomatik me Rusinë do të jetë i “vështirë” nëse Moska “ia mban Ukrainës pistoletën e drejtuar në kokë”. E bëri të qartë me dije se vënia në puën e këtij gazsjellësi, i cili tashmë është plotësisht i gatshëm për fillimin e punës, domethënë të dy tubat janë mbushur me gaz deri në maksimum (dhe kjo në një kohë që magazinat europiane të gazit janë të zbrazëta në minimumin e tyre historik), për ShBA-të do të jetë e papranueshme në rast të një sulmi rus mbi Ukrainën (info:AFP)
“E kemi të vështirë ta pranojmë që në të ardhmnen gazi të rrjedhë nëpër gazsjellës nëse Rusia sulmon Ukrainën”, tha Blinkeni, duke shtuar se ky gazsjellës, në vënd që të jetë një mjet presioni ndaj Europës, mund të bëhet mjet europian për presion ndaj rusëve.
Megjithatë, është pyetje e madhe nëse presioni (dhe këtu bëhet fjalë pikërisht për këtë dhe për asgjë tjetër) për vënien në punë të Rrymës së Veriut 2 do të jetë vendimtar për zbutjen e qëndrimeve të ashpra ruse që kanë të bëjnë me kërkimin e garancive për sigurinë e tyre strategjike, ku në radhë të parë mendohet për frenimin e zgjerimit të aleancës së NATO-s, para së gjithash në Ukrainë dhe në Gjeorgji. Për më tepër që tani e kanë të gjithë të qartë se tranzicioni i gjelbër i BE-së ka hyrë në probleme të mëdha dhe që kontinenti europian gjendet në një krizë të thellë energjetike nga e cila nuk ka dalje pa gazin rus qoftë edhe sikur i tërë gazi i lëngshëm amerikan, i destinuar për eksport, të orientohej drejt terminaleve europiane të LNG (pjesa e LNG-së amerikane në eksportin e përgjithshëm europian nuk i kalon 5%, në ndryshim nga pjesa e gazit rus i cili plotëson rreth 40% të tij, domethënë që ndërkohë madje është rritur duke patur parasysh se vitin e kaluar kjo pjesë sillej reth shifrës 35%). Për më shumë, BE-ja në fundin e vitit të kaluar ka bërë një kthesë të madhe duke deklaruar se nuk do të ndalet nga zbatimi i energjisë bërthamore dhe i gazit si energjentë në kohën e tranzicionit të kalimit në burime të pastra energjie i cili duhet të përmbyllet deri në vitin 2050.
Kriza energjetike, pavarësisht se kush qëndron pas saj, është kartë e fortë për palën ruse.
Nga ana tjetër, qeveria gjermane, e cila është duke u përballur me probleme të brendshme të lidhura jo vetëm me qëndrimin rreth Rrymës së Veriut 2, por edhe të përcaktimit të politikës së saj të përgjithshme ndaj Rusisë, ditët e fundit ka theksuar se ky gazsjellës ka për të rëndësi strategjike në kohën e tranzicionit energjetik të vendit. Sepse Gjermania, në ndryshim nga Franca, Polonia dhe Finlanda të cilat kanë paralajmëruar haptazi ndërtimin e centraleve të reja barthamore, ka marrë vendim që të mbyllë plotësisht të gjithë centralet e saj deri në muajin janar të vitit të ardhshëm.
Mungesa e gazit rus në këto kushte ndoshta do të ishte për atë një skenar katastrofal, kryesisht për industrinë së cilës i nevojitet furnizim i sigurtë dhe i lirë me energji për të qënë konkurente në tregun global. Në këtë kuptim këto probleme prekin rrezikshëm jo vetëm ekonominë gjermane por në tërësi edhe atë europiane të tejngarkuar tashmë me rritjen e çmimit të energjisë elektrike por edhe me reduktimet gjithnjë e më të shpeshta të saj (ndërsa për mungesën e komponentëve prodhues për shkak të zinxhirëve të ndërprerë dhe të pasigurtë të furnizimit dhe ku, perveç industrisë së automobilëve, asaj të ndërtimit dhe të industrive të tjera gjithnjë e më shumë po vuajnë edhe zinxhirët tregtarë në të dyja anët e Atlantikut, dhe kjo me siguri ka për tu zgjeruar në mbarë botën, por për këtë nuk po flasim). Kriza ekonomike globale është “zgjidhur nga zinxhirët” e për këtë nuk është çështja kryesore nëse ajo do të jetë si puna e asaj të vitit 1929 apo e vitit 2008 por cili do të dalë prej saj si fitimtar.
Pra, edhe Moska e di me siguri se çfarë ka në dorë madje edhe në rastin kur vënia në funksionim e Rrymës së Veriut 2 të kishte rëndësi strategjike- gjë që me siguri nuk është kështu.
Çfarë mbetet nga “sanksionet e ferrit” amerikane.
Me fjalë të tjera Rusia, me sa duket, duke patur partasysh që Perëndimi, pa marrë parasysh kërcënimet e tij për “sanksionet e ferrit”, nuk ka më mundësi të vendosë të tilla, sepse ato ka kohë që janë “shfryrë” (mbeten vetëm disa sanksione radikale, të cilët gjithsesi kërcënojnë edhe i nteresat e tij, domethënë i bëjnë dëm edhe vetë Perëndimit, si puna e largimit të Rusisë ga SWIFT-i dhe që për më shumë nuk garantojnë arritjen e ndonjëfarë qëllimi pozitiv), ka “në dorë karta shumë të forta për bisedime”.
Kërcënimet e paradokohëshme të Vladimir Putinit se në rast të mossuksesit të bisedimeve mund të ndodhë ndërprerja e plotë e marrëdhënieve amerikano-ruse, disa analistë perëndimorë i marrin me nënqeshje, duke pohuar se me këtë Rusia do të vetëizolohej akoma më shumë nga Perëndimi. Megjithatë, po ta shohim me realizëm, Perëndimi ka kohë që e ka “larguar nga vetja” Rusinë dhe bisedon me të ekskluzivisht nga pozitat e detyrimit të pranimit nga ana e Moskës të interesave të tij kryesore. Me fjalë të tjera ndërprerja e plotë e marrëdhënieve për Moskën nuk përbën ndonjëfarë hapi veçanërisht të rrezikshëm siç ka qënë në ndonjë kohë më të mirë, para së gjithash për problemin e bashkëpunimit reciprok ekonomik dhe financiar (i cili tani, me përjashtim të atij energjetik, dhe ky vetëm për arësyen se energjia i nevojitet Perëndimit, pothuajse nuk ekziston). Rusia, e vetëdijshme për politikën afatgjatë të izolimit nga ana e Perëndimit, tashmë që në vitin 2014, po bën një kthesë gjeopolitike nga Perëndimi drejt Lindjes- në Azi, ku këmbëngul të pozicionet fuqishëm si një prej tre lojtarëve kryesorë në masivin e saj kontinental, krahas Kinës dhe Indisë me të cilët ka marrëdhënie të gjithanëshme strategjike dhe perspektivën e rritjes së madhe ekonomike.
Dje, udhëheqësi i mundshëm i delegacionit rus në bisedimet e Gjenevës, zëvendësministri rus i punëve të jashtme Sergej Rjabkov, në një intervistë për Izvestija-n, tha se pozicioni rus në bisedimet e ardhshme do të jetë “mjaft i ashpër”. Tha gjithashtu se Moska nuk ka marrë qëndrimin e “mohimit të të gjithave dhe gjithçkaje”, por këmbëngul të kërkojë zgjidhje të bazuara në interesat e saj. Ndalimin e afrimit të NATO-s drejt kufinjve rusë, ndalimin e pranimit të antarëve të rinj, mosdislokimin e armatimeve në territore të caktuara, përfshirë edhe Ukrainën, si dhe mos realizimin e stërvitjeve ushtarake provokative i shënjoi si “elementë absolutë përbërës dhe të nevojshëm të marrëveshjes”.
Ndryshimi i paradigmës së përgjithshme
Është interesante sesi disa media amerika mainstream javët e fundit e kanë “zbutur” qëndrimin e tyre të ashpër në lidhje me nisjen e bisedimeve amerikano-ruse (kujtojmë gjithçka ato kanë shkruar në kohën e administratës Tramp kur qëndrime të ngjashme që në fillim u “satanizuan” gjë me të cilën u pengua çdo mundësi e ndonjëfarë dialogu konstruktiv mes dy superfuqive- gjë që për më tepër shpuri në ftohjen akoma më të madhe të marrëdhënieve edhe deri atëherë shumë të këqija Moskë-Uashington dhe, krahas kësaj, edhe faktin se pothuajse rregullisht Trampi etiketohej si “agjent i Putinit”)
Për këtë temë u prononcua edhe The Wall Street Journal, e cila publikoi letrën e profesorit të dëgjuar amerikan Andrew Latham nga McAlester College në Minesota. Ai pohon se paraqitja e marrëdhënieve mes Amerikës dhe shteteve konkurente të saj (Kina, Rusia, Irani) si luftë mes së mirës dhe të keqes nuk sjell asgjë veçse tensione shtesë në situatën ndërkombëtare. Lathami vëren se konceptet “demokraci” dhe “autrokraci”, të cilët përdoren gjithnjë e më shpesh në Shtete e Bashkuara, po fitojnë gjithnjë e më shumë domethënie abstrakte.
“Nuk është e nevojshme ti drejtohemi abstraktes për të shpjeguar dëshirën e Rusisë që Ukrainën ta mbajë neutrale, ose dëshirën e Iranit për të zhvilluar armë bërthamore, apo dëshirën e Pekinit për të dominuar në Pacifikun Perëndimor””- shkruan ai.
Ai flet gjithashtu edhe për prirjen e moralizimit në politikën amerikane këto vitet e fundit. “I vetmi funksion i abstraksionit është ta paraqesësh politikën ndërkombëtare si lojë morale në të cilën neve jemi heronjtë, e ata të këqinjtë. Kjo mund të krijojë një dramë të mirë, por nuk ndihmon në zvoglimin e rreziqeve nga lufta e madhe dhe drejtimin me dinamikën e konflikteve dhe konkurencës që janë futur në të gjitha sistemet ndërkombëtare”, thekson profesori. Por ai nuk është i vetmi që kërkon ristrukturimin e politikës së jashtme amerikane këto kohët e fundit.
Konkluzion:
Pra, na presin bisedime shumë interesante në Gjenevë, ku, përveç diplomatëve të spikatur, do të marrin pjesë edhe zyrtarë të lartë ushtarakë të të dy shteteve. Njëlloj do të jetë edhe në takimin e Këshillit NATO – Rusi dy ditë më vonë, ndërsa nuk është e pamundur që në takimin e Perëndimit dhe Rusisë në kuadër të OSBE-së një ditë më vonë në Vjenë të shtrohet çështja e risktrukturimit të plotë të kësaj organizate në përputhje me rrethanat e reja ose më mirë të themi me konstruksionet e sigurisë në raport me kohën kur ajo është themeluar (kujtojmë se, NATO-ja ndërkohë është zgjeruar me shtete që dikur kanë qënë në përbërje të BRSS-së, tani ekziston edhe blloku ushtarak i ri prorus ODKB (anglisht, CSTO- i cili pikërisht kohët e fundit kishte “pagëzimin me zjarr” nëpërmjet ndërhyrjes në Kazakistan me ftesë të shefit të atij shteti pas protestave masive, trazirave dhe përplasjeve me policinë që përfshinë pjesën më të madhe të vendit)
Nëse arrihet një gjë e tillë (gjë që nga perspektiva e tanishme ndoshta edhe është e vështirë të besohet, por kurrsesi nuk është e pamundur, sepse edhe në kohën e kulmit të Luftës së Ftohtë të shekullit të kaluar është arritur një marrëveshje për këtë), kjo do të mund të bëhej themel për vendosjen e arkitekturës së re europiane të sigurisë, gjë e cila, sikurse e kemi theksuar në analizat tona, nuk është e mundur të arrihet pa pjesëmarrjen aktive të Rusisë. Për këtë, nëse nuk dëshirohet të flitet për elementë kyç si ata ushtarakë dhe erkonomikë, e tregon më së miri vetë gjeografia ose një shikim në hartën politike të Europës.
Nga ana tjetër, edhe në kohën e arritjes së marrëveshjeve të këtij lloji në kohën e Luftës së Ftohtë madje edhe pas nënëshkrimit të tyre, kanë vazhduar të funksionojnë strategjitë e bazuara në të ashtuquajturat teori të “heartlandit” dhe të “romlandit” dhe gjithëfarë lloj të tjerash.
Me fjalë të tjera marrëveshja rreth strukturës së përbashkët të sigurisë kurrsesi nuk do të thotë normalizim i marrëdhënieve politike Perëndim-Rusi, por vetëm relaksim të tyre në kuptimin e zvoglimit të rrezikut të incidenteve të rrezikshme dhe rritjes së tyre në krizë dhe konflikt ushtarak potencial. Domethënë, të gjithë ata që do të dëshirojnë që të kenë edhe më tej marrëdhënie të këqija me Moskën mund ta bëjnë një gjë të tillë edhe ne rast se arrihet marëveshja e sigurisë. Pikërisht këtu shihet mundësia për sukses përfundimtar të bisedimeve sadoqë shanset për të tani për tani janë të ulëta.
Përktheu për Argumentum.al: Xhelal FEJZA
[i] https://www.geopolitika.news/analize/z-meter-kolike-su-sanse-za-postizanje-americko-ruskog-sporazuma/