Aleksandër Apostolovski*
Pas disa shtyrjesh, presionesh politike dhe kërcënimeve me bojkot, rregjistrimi i popullsisë në Mal të Zi do të fillojë ditën e dielë me 3 dhjetor 3023. Rezultatet do të publikohen pranverën e ardhshme. Sikurse më tha një mik nga Mali i Zi – ku e gjetën ta fillojnë rregjistrimin në një ditë pushimi.
Numurimi statistikor i popullisë në vendin e Malësisë dhe Bregdetit është shtyrë disa herë sikur të ishin zgjedhje politike. Ndoshta edhe në lidhje me referendumin për ndarjen e Malit të Zi nga shteti i përbashkët me Serbinë nuk ka patur kaq shumë nervozizëm. Polemika u bënë edhe në lidhje me dy softverë specifikë: njërin që da ta administrojë Mali i Zi, ndërsa të dytin- kushedi dhe prej ku. Gjithsesi, për përpunimin e softverëve do të punojnë gjithashtu komisione të përziera shumëpartiake.
Opozita do të ketë përfaqësues në të gjithë komisionet e rregjistrimit, ndërkohë që ekziston edhe mundësia e kontrollimit me dorë. Kontrollorët do të munden të marrin kampionë nga tre përqind e rregjistruesve dhe do t’i kontrollojnë fizikisht me futjen në bazën e të dhënave. Dhe këto për tri çështje kyçe: mbi kombësinë, besimin fetar dhe gjuhën.
Rregjistrimi i popullsisë në teori duket si njëfarë xhindi i tmerrshëm apo politikë e lartë, sepse bëhet fjalë për studimin periodik statistikor i cili ka si qëllim të grumbullojë të dhëna mbi popullsinë e një territori të caktuar. Mbi bazën e tyre formohen politikat publike. Megjithatë, shumë spiunë të traumatizuar dhe autodidaktë ballkanas do të thonë duke përshpëritur se shteti, nëpërmjet rregjistrimit të popullsisë na spiunon dhe ndërhyn në privatësinë tonë. Shtetit i intereson se sa fitojmë, sa shkollë kemi bërë, domethënë nëse jemi pak a shumë të arsimuar. Shteti don të dijë gjithçka për ne. Në çfarë hapësirash jetojmë, a kemi martesë të lumtur apo jemi të divorcuar, kësisoj në formularë shënohet edhe ndonjë detaj pak a shumë i dhimbëshëm në raport me problemin e të gjithë problemeve, i përmbajtur ky në tri pyetje: atë mbi përkatësinë kombëtare, fetare dhe gjuhësore.
Pikërisht këtu përfundon statistika dhe fillon drama. Kjo trio identitare, në çfarëdolloj varianti rajonal të shfaqet, gjithmonë ka prioritet në raport ne formularin e përpiluar pak a shumë në mënyrë burokratike. Gjithçka është politikisht më pak e rëndësishme nga ajo sesi deklarohemi kombëtarisht dhe fetarisht, dhe më tej, në përputhje me këtë, në cilën gjuhë heroike komunikojmë. Si me vetveten, ashtu edhe me botën. Nacionalizimin statistikor, i cili është edhe emërtimi zyrtar i këtij fenomeni, nuk e kanë ideuar heronjtë e këtushëm, të shpërndarë nëpër pjesët e mbetura të shtetit të dikurshëm e cila pati lindur para tetëdhjetë vitesh në Jajcë (Qytet në Bosnjë e Hercegovinën e sotme ku me 29 nëntor 1943, ku u hodhën themelet e Jugosllavisë komuniste. Kjo datë është festuar si Dita e Republikës në ish Jugosllavi. Shën. i përkth.).
Natyrisht, kjo nuk do të thotë se qytetarët e malit të Zi, qofshin ata malazezë, serbë, muslimanë apo shqiptarë, do të vetëdeklarohen edhe si jugosllavë. Kjo është një specie në zhdukje e dinosaurëve të Avnoj-it. Por filizat e tyre më vonë e vunë theksin te fetishizmat nacionalë. Një nga ata është gjithsesi Millo Gjukanoviçi, i cili karrierën politike të briskut fleksibël (Aluzion për fillimet politike në ish Lidhjen komuniste jugosllave të Millo Gjukanoviçit, e patën vënë epitetin: Millo britva- Millo brisku, për shkak të qëndrimeve të tij të rrepta komuniste. Shën. i përkth.) e filloi në Lidhjen e rinisë komuniste të Jugosllavisë, nga ku, sipas nevojës dhe funksionit, u paraqit edhe si malazez edhe si serb.
Por në fazën e fundit të qeverisjes tridhjetëvjeçare, Milloja, nacionalisht i larmishëm, u përpoq të rrëmbejë pronat e Kishës Ortodokse serbe, të zhvillojë Kishën Ortodokse malazeze, duke potencuar Mirash Dedeiçin (kreu i Kishës Ortodokse malazeze. Shën. i përkth), krahas gjuhës malazeze dhe ideologjisë neodukliane, e cila malazezizmin e saj e bazon në antiserbizëm. Kjo i kushtoi pushtetin, sepse edhe anëtarët e Partisë së tij të demokratëve socialistë kurrsesi nuk mundën të pajtohen me veptimarinë e Mirashit, sepse kishin Amfilohinë (ish Mitropoliti i Kishës Ortodokse serbe në Mal të Zi, i njohur për lidhje të ngushta me Gjukanoviçin. Shën. i përkth.). Disi mundën të pajtoheshin me gjuhën malazeze sepse kishin Njegoshin, për hir të së vërtetës të harruar. Por gjithsesi, milloistët dhe antimilloistët, Njegoshin e dinë përmendësh që kur kanë qënë fëmijë, sepse e kanë mësuar gjatë shkollimit.
Megjithatë, kur Milloja filloi të synojë Ostrogun, duke synuar që të fronëzojë atje Mirashin, zgjedhësit e tij bënë kryqin. Ishte kjo e tepërt për shumë syresh që e mbështesnin Millon për shkak të pragmatizmit personal. Mes tyre kishte të tillë që ishin besimtarë të Kishës Ortodokse serbe dhe flisnin gjuhën serbe, por deklaroheshin si malazezë.
Këtu e kanë origjinën edhe kërcënimet me bojkot për rregjistrimin e popullsisë të cilët i hodhi në qarkullim Partia demokratike e socialistëve, me liderin e saj të përkohëshëm Danijel Zhivkoviç. Në radhët e filizave të Millos u shfaq frika se mes rregjistrimi mund të tregojë se serbë ka shumë më tepër, jo vetëm për neodukljanët por edhe për shumë ambasada të huaja. Edhe në kohën më të ashpër për serbët, pra në kohën e fuqisë më të madhe të Millos, ata përbënin 30 përqind të popullsisë.
Megjithëse kryeministri Millojko Spajiç e shtyu dy herë brenda një kohe të shkutër rregjistrimin e popullsisë, duke e justifikuar me bojkotin e milloistëve të rinj, PDS më në fund pranoi rregjistrimin, me planin se duke vepruar kështu do të sigurojnë kredi te Spajiçi në mënyrë që, në ndonjë moment të caktuar në ndonjë rikonstruksion të mundshëm të qeverisë, të bëhen përsëri pjesë e saj.
Në ndryshim nga ata, që në kohën e mandatit teknik, kryeministri i atëhershëm Dritan Abaxoviç këmbënguli në mbajtjen e rregjistrimeve në afatin e caktuar, duke theksuar se rregjistrimi nuk është zgjedhje parlamentare. Me rastin e shtyrjes së fundit, Dritani deklaroi shkurtimisht: “Dy presje për shtyrjen e rregjistrimeve ose si PDS-ja poshtëroi Spajiçin, e Spajiçi shtetin”.
Kështu del qartë se, në ndarjen e sotme të kartave në Mal të Zi, rregjitrimi i popullsisë është matje forcash politike e shkallës së lartë. Dritan Abazoviçi, në luftë kundër Millo Gjukanoviçit i cili është tërhequr në ilegalitet por ende nuk e ka humbur shpresën për tu kthyer, lufton për primat në opozitë. Kjo, krahas rregjistrimit, është temë aktuale në Mal të Zi. A mundet Abazoviçi, tani që e ka larguar Millon nga qeverisja, ta shtyjë mënjanë edhe si lider i opozitës, për një larje të ardhshme hesapesh me Spajiçin.
Për shumë veta ishte befasi kur Abazoviçi u shfaq para disa ditësh në pallatin e sportit “Shtark-Arena” të Beogradit të mbushur plot, për të parë ndeshjen e Euroligës mes Partizanit kundër Panathinaikosit. Ka ardhur Dritani edhe më parë në Beograd, por kësaj here u theksua më shumë. Atij i nevojitej publiku i Partizanit më shumë se ai atyre. Kësisoj, para rregjistrimeve, u dërgoi mesazh serbëve në Mal të Zi, me rrezik të vogël që të nervozojë tifozët e Crvena Zvezdës në Montenegro: “Më llogarisni mua, ashtu si ju llogaris unë juve”.
Çfarë do të tregojë rregjistrimi në Malin e Zi të pas Millo Gjukanoviçit, në të cilin kryetari i parlamentit të malit të Zi është bërë edhe formalisht njeriu i dytë ne vend? Deri para disa muajsh ishte e papërfytyrueshme që një serb të arrinte në një funksion kaq të lartë. Por kohët ndryshojnë me shpejtësi, në vendin ku mesazhet nëpërmjet telefonit “skaj” të kohës së Millos, po shkaktojnë kaos dhe po ia tejkalojnë shumë atyre historive nga seria televizive “Familja Soprano”. Sido që të deklarohen qytetarët e Malësisë dhe Bregdetit, me siguri do të kenë parasysh se në tri dekadat e fundit është formuar hidra e klaneve dhe e politikanëve, ndaj së cilës familja Soprano është një familje e nderuar!
*Përktheu për Argumentum Xhelal FEJZA
https://www.politika.rs/sr/clanak/587601/Pogledi/Popisna-saga-u-Crnoj-Gori