Dragan Biseniç [i]
Rusia po përgatit depërtimin e saj të ri në Afrikë. Për këtë shërbeu edhe samiti i dytë Rusi-Afrikë i cili sapo u mbajt në Shën Peterburg. I pari është mbajtur në vitin 2019 dhe që atëherë shumë gjëra kanë ndryshuar.
Konflikti mes Rusisë dhe Ukrainës ka ndryshuar rëndësinë gjeopolitike të çdo rajoni, kësisoj edhe të Afrikës. Kontinenti i harruar dhe i lënë pasa dore në kohën e Trampit, është bërë zonë tërheqëse ndikimi në të cilën Amerika garon me të tjerët, në mënyrë të veçantë me Kinën, e cila e ka vënë lart në strategjinë e saj të “Shtegut dhe rrugës”. Sot nuk ka asnjë shtet afrikan në të cilin të mos ekzistojnë investime kineze që ua kalojnë të gjithë të tjerëve.
Dhjetorin e kaluar ShBA-të, në samitin e organizuar prej tyre, u përpoqën të tërheqin në anën e Perëndimit “jugun global”, por shumica e vendeve afrikane hodhi poshtë thirrjen për rreshtimin dhe vënien e sanksioneve Rusisë. Pikërisht ky është edhe motivi i rëndësishëm i rusëve për thirrjen e këtij samiti në Shën Peterburg.
Në kontinentin afrikan gjenden të përqëndruara rreth 40 përqind e rezervave botërore të arit dhe deri në 90 përqind të kromit dhe platinit. Gjithashtu Afrika ka rezervat më të mëdha botërore të kobaltit, diamanteve dhe uraniumit. Përshembull Republika Demokratike e Kongos përbën rreth 70 përqind të prodhimit botëror të kobalitit. Ndërsa në Guinè janë të përqëndruara 35 përqind të rezervave botërore të boksiteve. Krahas kësaj, ka 65 përqind të sipërfaqes botërore bujqësore dhe rreth 10 përqind të burimeve të rinovuara të ujit të ëmbël, gjë që flet për një potencial shumë të madh bujqësor të saj. Pritet që rritja mesatare e ekonomive afrikane në vitet 2023 dhe 2024 të jetë rreth katër përqind.
Në Shën Peterburg shkuan 49 delegacione përfaqësues nga 54 vendet e kontinentit të zi, ndërsa 17 prej tyre kryesoheshin nga zyrtarët më të lartë. Për disa ky ishte shenjë se samiti nuk i’a arriti qëllimit, sepse pritej prania e një numuri më të madh shefa shtetesh. Mikpritësit rusë nënvizojnë se janë të kënaqur me pjesëmarrjen. Kryetari i Komisionit të politikës së jashtme të senatit rus, Konstantin Kosaçevi, vlerëson se “çdo mik që ka ardhur në Shën Peterburg është një dështim për Perëndimin i cili u përpoq të pengojë dhe pamundësojë samitin. Të gjithë që erdhën u dhanë përgjigje këtyre përpjekjeve, sepse e dimë se shantazhi ishte ekonomik dhe moral, por gjithsesi nuk ishte i suksesshëm”.
Samiti i parë i këtij formati është mbajtur në Soçi në muajin nëntor të viti 2019. Rezultati i tij ishte se shkëmbimi i mallrave ruso-afrikane në vitin 2022, arriti në masën 18 miliardë dollarë. Vetëm në gjysmën e parë të vitit 2023 vëllimi i operacioneve import-eksport është rritur me më shumë se një të tretën. Pjesëmarrja e vendeve afrikane në tregtinë ruse është rritur nga 2,3 në 3,7 përqind, deklaroi shefi në detyrë i Shërbimit federal të doganave ruse Rusllan Davidov. Sipas fjalëve të tij, rritja e shkëmbimit tregtar në një masë të madhe është siguruar nga rritja e vëllimit të transportit ndërkombëtar përgjatë koridorit Veri-Jug. Rreth 90 përqind të dorëzimit të mallrave bëhet me transport detar, saktësoi ai. Për pasojë vëllimi i transportit me kontejnerë nëpërmjet Novorosijsk-ut është rritur me 29 përqind në gjysmën e parë të vitit 2023 në raport me të njejtën periudhë të vitit të kaluar, ndërsa vendet afrikane po japin në kontribut me rëndësi në këtë rritje. Davidovi flet edhe për dialogun me partnerët afrikanë mbi njohjen reciproke të statusit të partnerit të privilegjuar ekonomik. Marrëveshjet me Egjyptin dhe Alegjerinë tashmë janë nënshkruar.
Më shumë se gjysma e mallrave ruse që dërgohen në Afrikë janë makineritë dhe pajisjet, prodhimet kimike dhe ushqimore.
Pasiqë doli nga marrëveshja për grurin me Ukrainën, ku si një prej arësyeve u nënvizua edhe ajo se gruri nuk ka shkuar në vendet ku ushqimi është më i nevojshëm por ka përfunduar në shtetet më të zhvilluara dhe më të pasura, Rusia deklaroi se në muajt në vazhdim është e gatshme të furnizojë me grurë falas vendet afrikane te të cilët kjo ndihmë është e nevojshme. Gjatë vitit të ekzistencës së marrëveshjes për grurin, nga Ukraina kanë dalë 32,8 milionë tonë ngarkesë, nga e cila më shumë se 70 përqind ka shkuar në vendet e pasura, dhe më pak se një milionë ton në vendet më të varfëra të Afrikës. Nga 260 mijë tonë pleh kimik rus të bllokuara në Europë, vetëm dy seri të vogla janë dërguar në Malavi dhe në Kenia. Sipas fjalëve të shefit rus të shtetit, heqja e kufizimit të eksportit të grurit rus do të ishte ndihma e vërtetë për vendet më të varfëra.
Putini tha se Rusia e kupton se sa i rëndësishëm është furnizimi i papenguar i vendeve afrikane me ushqime për zhvillimin e tyre ekonomiko-shoqëror dhe ruajtjen e stabilitetit të tyre politik. Ai i siguroi miqtë afrikanë se Rusia do t’i kushtojë gjithmonë një vëmendje të veçantë furnizimit me grurë, thekër, misër dhe drithëra të tjera, përfshirë edhe ndihmën humanitare nëpërmjet programit të OKB-së për ushqimin, duke pohuar njhëkohësisht se Perëndimi pengon furenizimin me grurë dhe plehra kimike, duke akuzuar me hipokrizi Rusinë për krizën globale ushqimore. Presidenti rus Putin premtoi se Rusia do t’i japë falas 25-30 mijë tonë drithëra Burkina Fasos, Zimbabvesë, Malit, Somalisë,Republikës së Afrikës Qenrore dhe Eritresë. Rusia do të japë 100 miliardë dollarë ndihmë për vendet afrikane për shtyrjen e borxheve. Pati edhe gjeste të tjera të natyrës dashamirëse. Putini i dhuroi një helikopter Mi-38 presidentit të Zimbabvesë Emerson Mhangagvit.
Synimi rus është të avancojë dhe promovojë zhvillimin e sovranitetit kombëtar të vendeve afrikane, të sigurojë akses të drejtë në ushqime, plehra kimike, teknologji moderne,. Burime energjetike, ndërsa për Rusinë kanë rëndësi projektet energjetike në 16 shtete afrikane.
Ky samit u mbajt në prag të samitit të ardhshëm të shteteve të BRIKC-it i cili do të mbahet në Afrikën e Jugut. Në këtë kuptim ai kishte rolin e përgatitjes së agjendës për këtë samitin afrikanojugor. Në gjithë këtë dallojmë edhe këmbënguljen për “dedollarizimin” e ekonomisë botërore dhe kalimin në pagesat me valuta të tjera. Lideri rus është i bindur se është e nevojshme që transaksionet të bëhen me valutat kombëtare, përfshirë edhe rublën. Ai deklaroi se Moska është e gatshme të zhvillojë strukturat financiare amerikane, përfshirë edhe lidhjen me sistemin rus të pagesave. Përveç kësaj, Rusia është e gatshme të zgjerojë rrjetin e përfaqësive tregtare ruse dhe të rritë numurin e atasheve dhe specialistëve, komisioneve ndërqeveritare etj në kontinentin afrkian.
Në emër të bankës së sapokrijuar për zhvillim të BRIKS-it, në samit merrte pjesë edhe ish presidentja braziliane, e cila para dhjetë vitesh është rrëzuar nga pushteti nëpërmjet një puçi parlamentar. Ajo deklaroi se kjo bankë dëshiron të rrisë numurin e transaksioneve në valutat kombëtare. Banka e re për zhvillim do të marrë para në tregje dhe valuta të ndryshme, jo vetëm në dollarë dhe euro, por edhe në valuta të tjera të të gjithë vendeve të cilat janë pjesë e konceptit botëror të zhvillimit, premtoi ajo.
Në anën tjetër, Kryesuesi i Unionit afrikan, presidenti i Unionit të ishujve Komorre, Azali Asumani, pohoi se shtetet e kontinentit janë të gatshëm të punojnë me Rusinë në të gjitha fushat dhe se e shohin Moskën si partner të veçantë të vendeve të kontinentit. Sipas fjalëve të tij, samiti mbahet në një moment të veçantë për Afrikën, sepse para pak kohësh është krijuar zona afrikane e tregtisë së lirë.
“Zhvillojmë edhe agjendën afrikane për periudhën deri në vitin 2063. Dhe të gjitha këto, të gjithë këta projekte duhet të rezultojnë me mundësi të reja si për sipërmarrjet vendase ashtu edhe për ato ndërkombëtare që janë të gatshme të investojnë në Afrikë”, deklaroi presidenti i Unionit Afrikan.
Presidenti rus Vladimir Putin nga ana e tij tha se duhen krijuar mekanizma të përherëshëm për konsultime mes Rusisë dhe Unionit Afrikan mbi një sërë çështjesh urgjente.
“Krijimi i një mekanizmi të ri të dialogut të përherëshëm për konsultime mbi tema kaq urgjente siç janë ato të luftës kundër terrorizmit, siguria ushqimore, informimit dhe mjedisit jetësor mund të plotësojë në mënyrë cilësore mjetet për ndërveprim mes Rusisë dhe Unionit Afrikan”, tha ai.
Putini përmendi se ndër organizatat rajonale, Unioni Afrikan është partneri kryesor i Rusisë. “Sot do të miratohet një plan i madh aksional Rusi-Unioni Afrikan deri në vitin 2026”, tha ai. Dokumenti parashikon intensifikimin e problemeve të paqes dhe sigurisë dhe zgjidhjes së situatave të krizës.
Presidenti i Ugandës Musaveni deklaroi se Uganda, me ndihmën e armëve ruse është bërë “ishull stabiliteti”. Në këtë mënyrë shtrohet problemi i vendit të Rusisë në çështjet e sigurisë së kontinentit. “Vagneri” i Prigozhinit në këtë fusha ka fituar reputacionin e tij afrikan. Pikërisht në kohën që mbahej samiti u krye një grusht shteti në Nigeri, ecuria përfundimtare e të cilit ende nuk dihet, kur ku humbës të mundshëm, sipas mediave afrikane, cilësohen Franca dhe “Vagneri”.
Në samit mori pjesë edhe patriarku i Kishës ortodokse ruse, Kirill. Rusia deklaroi se në Ugandë do të ndërtojë një qendër ortodokse-fetare, ndërsa gjatë samitit u paraqit maketi i saj. Është interesante se gjatë samitit u bënë publike rezultatet e anketimit të madh mbi religjiozitetin e rusëve. Më shumë se gjysma e rusëve, 66 përqind e tyre, deklaron se beson te Zoti. Por, më shumë se 47 përqind e qytetarëve, deklarohet se beson në ekzistencvën e djallit- ndërsa 44 përqind përkundër 56 përqind të cilët besojnë se ekzistojnë ëngjëjt. Në radhët e grave ka më shumë besimtarë, 73 përqind, ndërsa ndër burra 56 përqind.
Në Rusi shumica e popullsisë e quan veten besimtarë ortodoksë- 57 përqind. Në vitin 2017, të tillë kishte më shumë se 60 përqind, ndërsa pesë përqind e të anketuarve e quajnë veten ndjekës të islamit, ndërsa gjashtë përqind u deklaruan se besojnë te Zoti jashtë çdo emërtimi. Shtatë përqind lëkunden mes besimit me ateizmit, ndërsa 19 përqind e quajnë veten ateistë.
Patriarku Kirill në fjalën e tij e quajti Putinin “Vladimir Vasiljeviç Putin” gjë që shkaktoi të qeshura te të pranishmit.
*Përktheu për Argumentum Xhelal FEJZA
[i] https://www.danas.rs/svet/samit-rusija-afrika-priprema-za-briks-ovu-dedolarizaciju/