Dragan Biseniç[i]
Përktheu për Argumentum.al: Xhelal FEJZA
Pas një muaji, presidenti Bajden do të mbajë atë që administrata e tij e ka emërtuar Samit për demokracinë, ngjarje e cila ka si qëllim të mbështesë qeveritë demokratike në luftë kundër autoritarizmit të përforcuar dhe të tregojë se ShBA-të mbeten lider i botës së lirë. Në agjendën presidenciale, Bajdeni këtë ngjarje e ka shenjuar si “forcë e shembullit amerikan”, ose “Plani Bajden për udhëheqjen e botës demokratike në përballje me sfidat e shekullit 21”.
Është më se e qartë se kjo mbledhje duhet të rinovojë vendin e lëkundur të Amerikës në botë dhe të hedhë themelet për një tip të ri aleance e cila do të afirmohet përgjatë mandatit presidencial të Bajdenit. Kjo ngjarje e cila do të mbahet me 9 dhe 10 dhjetor, përbën një test për pohimin e kahershëm të Bajdenit, të shpallur publikisht në fjalimin ne tij të parë për politikën e jashtme në postin e presidentit në muajin shkuart të këtij viti, se ShBA-të “do të rinovojnë udhëheqjen globale” gjatë mandatit të tij në mënyrë që “të përballen me forcat autoritare të udhëhequra nga Kina dhe Rusia”.
Debatet mbi vlerën potenciale të samitit për demokracinë, ose të Ligës së demokracive, janë tashmë kahershme dhe të njohura. Ideja se politika e jashtme duhet konceptuar si përplasje mes tipeve të ndryshme të regjimeve e ka origjinën që në kohën e Luftës së Ftohtë, kur tensionimi gjeopolitik kishte realisht një dimension ideologjik. Demokracitë liberale u rreshtuan kundër diktaturave komuniste, gjë në të cilën secila palë përpiqej që pjesërisht edhe të avnaconte interesat e saj nëpërmjet zgjerimit të administratës dhe të interesave të saj ekonomike në mbarë botën.
Duket qartë se Bajdeni i kthehet këtij lloj harmonizimi. Kësisoj vjen puna te mëtimi se kundërshtitë e pastra gjeopolitike mund të zëvendësohen dhe të ngatërrohen me marrëdhëniet e ndryshueshme dhe fluide të politikës së brendshme në shtete të veçanta, gjë e cila mund të sjellë një konfuzion total në raportet ndërkombëtare dhe të shkaktojë deri edhe përkeqësimin, madje edhe bllokadën, e komunikimeve ndërshtetërore.
Para njëzet vitesh, 106 shtete- shumë prej tyre jodemokratike- nënëshkruan Deklaratën e Varshavës, për formimin e Bashkësisë së demokracive e cila kishte si qëllim, njëlloj si edhe Samiti i Bajdenit, të “forconte institucionet demokratike dhe proceset” kyçe për projektin liberalo-demokratik.
Projekti i Prinstonit për sigurinë kombëtare i vitit 2006, që udhëhiqej nga profesorët e Universiteit Prinston, e më vonë nga Drejtorja e Sektorit për planifikime politike e administratës së Obamës, En Mari Sloter dhe profesori Xhonn Ikëllberi, një segment të kërkimeve të tij shumëvëllimëshe që zgjatën disa vite, ia kushtonte krijimit të Ligës së demokracive.
Kjo marrëveshje mes shteteve liberale do të përforconte parimet e qeverisjes përfaqësuese dhe do të skiconte bashkërisht të drejtat kyçe sociale, ekonomike dhe politike si dhe do ti ndihmonte “miqtë dhe aleatët amerikanë për të zhvilluar… një institucion të ri të ideuar për të forcuar bashkëpunimin në fushën e sigurisë në radhët e demokracive liberale”. Anëtarët merrnin si detyrim të mos sulmonin antrët e tjerë, të organizonin zgjedhje të lira dhe të ndërshme, të garantonin të drejtat qytetare dhe politike për qytetarët e tyre dhe të pranonin përgjegjësinë për të mbrojtur qytetarët e tyre dhe popullsinë e kërcënuar në mbarë planetin. Marrë sëbashku, ky institucion do të pasqyrtonte synimet më të mira të OKB-së, por njëkohësisht do të ishte i çliruar nga burokracia e saj e shkuar kohe. ShBA-të për vite me radhë nuk mundën të durojnë fatin që në Komitetin e OKB-së për të drejtat e njeriut të ishin antarë Libia dhe Iraku. Për këtë ShBA-të atëbotë u patën tërhequr nga ky komitet.
Administrata e Bushit e cila e pranonte platformën e promovimit të demokracisë pohonte se paqa ishte e pamundur pa një revolucion botëror demokratik. Idealizmi liberal ne realizmi neokonservator u bënë plotësisht sëbashku në idenë e invazionit kundër Irakut.
Ftesa e Bajdenit për demokracinë, megjithëse tingëllon si ajo e Bushit, praktikisht nënvizon lëvizje tërësisht të kundërta: nga ato shtete ku dikur Bushi kishte ndërhyrë për të promovuar demokracinë, nga Afganistani dhe Iraku, Bajdeni tashmë po tërhiqet. Përballja me autoritarizmin global është rinovuar pas Pranverës arabe kur kjo ngjarje pati përjetuar një reaksion të fuqishëm negativ në disa pjesë të botës. Për shembull, në analizat amerikane për autoritarizmin global, krahas presidentit rus dhe atij kinez, atëbotë personaliteti udhëheqës autoritar ishte presidenti turk Erdogan, por shfaqeshin edhe presidenti egjiptian Sisi madje edhe kryeministri japonez Abe.
Parashikohet që Bajdeni vitin e ardhshëm të jetë mikpritës i samitit të dytë, “në mënyrë që të shqyrtohet përparimi i arritur” dhe të “ndërtohet rruga e përbashkët”. Nëse lejon pandemia e koronës, ky takim do të mbahet në mënyrë direkte. Parashikohet që vitin e ardhshëm shtetet e pranishme të mbështesin qartazi proceset e forcimit të demokracisë në botë.
Zyrtarët e administratës amerikane deklarojnë se kanë qënë të detyruar “të bëjnë përzgjedhje” që të siguronin shumëllojshmërinë rajonale dhe pjesëmarrje sa më të gjërë. Ftesat u janë adresuar vendeve me “eksperienca të ndryshme demokracie” nga tërë rajonet e botës. “Këtu nuk bëhej fjalë për ndarje të tipit: ‘ju jeni demokraci, ndërsa ju nuk jeni demokraci’”, shprehen ata.
Ata që analizojnë përbërjen e të ftuarve shprehen se ftesa adresuar vendeve me gjendje problematike të të drejtave të njeriut shkakton dyshime në kredibilitetin e kësaj ngjarje, por njëkohësisht edhe ilustron luftën e administratës për ta ekulibruar atë me interesat e gjëra të sigurisë kombëtare të ShBA-ve, siç është kundërvënia ndaj Kinës, me idealet e larta.
“Është e qartë se kanë qënë në lojë idetë strategjike për kundërvënien ndaj Kinës kur janë ftuar demokraci problematike dhe të prapambetura si puna e Indisë dhe Filipineve cilët janë fqinjë të Kinës”, thotë Ejmi Hotorn, drejtoreshë për kërkimet në projektin për demokracinë në Lindjen e Mesme.
“E njëta gjë vlen edhe për ftesën e demokracisë thellësisht të prapambetur në Irak, fqinjë i kundërshtarit amerikan, teokracisë iraniane”, shton ajo.
Ideja e samitit demokratik nuk është formimi i një klubi debatesh. Shtëpia e Bardhë shprehet se aftësia e demokracisë është se njihen dobësitë dhe mospërkryerja e saj, por përballja e hapur dhe transparente me ato, është në shërbim të formimit të një “unioni të përkryer”. Nga pjesëmarrësit pritet të përmbushin detyrimet e marra, ndërsa vendet që nuk janë ftuar do të paralajmërohen që të ndryshojnë praktikat e tyre sepse përndryshe do të përballen me situata të pakëndshme të cilat do t’ua përgatisë bota demokratike.
Nëse ShBA-të do të arrijnë të formojnë dhe ta ruajnë këtë aleancë, nuk ka dyshim se ajo ka për të qënë një prej elementëve themelorë të raporteve të ardhshme globale.
[i] https://www.danas.rs/nedelja/bajdenov-samit-za-demokratiju/