Boshko Jakshić – Politika[i]
Filloi me thirrje, përfundon me konkluzione se Serbisë do ti mbyllet rruga e integrimeve europiane nëse nuk i bashkohet sanksioneve Perëndimore ndaj Rusisë. Beogradi për muaj të tërë e ka refuzuar vënien e sanksioneve, por shtrohet pyetja: a ka ardhur koha që ai të heqë dorë nga ky qëndrim i ngurrtë? Ose Serbia do të rreshtohet në anën e demokracisë dhe kundërshtarëve të invazionit, ose refuzimi i saj do të interpretohet si mbështetje për një agresor autoritar. Më kot Beogradi ishte në anën e kundërt me Moskën në OKB. Sanksionet janë shndërruar në simbol të politikës.
Një koleksion i tërë zyrtarësh perëndimorë, që nga fillimi i luftës, në kohën e shpalljes së paketës së parë të BE-së për masat ndëshkimor ndaj regjimit të Putinit, priste që Serbia tu bashkohej atyre dhe në mënyrë solidare të tregonte se ndan vlerat e tyre. Askush atëherë nuk e kërcënoi me “shkopinj të trashë”, sikurse shkruajnë mediat e këtushme, por gjithsesi ishin të shumta deklaratat: “Sanksionet kundër Rusisë dhe shteti i së drejtës janë kusht për përparimin e mëtejshëm të Serbisë” (Komisioni për punë të jashtme i parlamentit europian). “Goditje ndaj zgjerimit të Bashkimit Europian” (Vladimir Bilçik). “Rusia në këtë situatë vështirë se mund të jetë shembull, nuk është ajo një vend që do të donit ta kishit mik ose aleat” (ambasadori amerikan në Beograd Kristofer Hill).
Nëntë muaj dhe tetë paketa masa ndëshkimi, më vonë edhe deklarata e Aleksandër Vulinit se vënia e sanksioneve Rusisë është “shantazh i kotë” me propozimin që Serbia duhet ta kuptojë sa më shpejt se vendi i saj nuk është në BE, Serbia vazhdon edhe më tej të jetë kandidatja e vetme për antarsim në BE e cila nuk i është bashkuar Unionit. Parlamenti Europian mund të kërkojë nga BE që të ndalen bisedimet për antarsim derisa Serbia të mos i vendosë sanksione Rusisë. Votimi është këtë muaj.
Duke peshuar me vëmendje, a mos vallë Aleksandër Vuçiçi ka ardhur në përfundimin se pushtetit të tij më shumë do ti kushtonte mosvënia e sanksioneve sesa marrja e masave të cilat nuk i mbështet 70 përqind e qytetarëve të Serbisë? A mos është kjo që ka ndikuar në faktin që nga Beogradi kanë filluar të lëshohen sinjale tjera?
Përgatitja e terrenit bëhet me vëmendje jo me zulm. Vuçiçi e lëshoi kryeministren Ana Brnabiç, për befasinë e pakëndshme të Moskës, të deklarojë se Rusia po bën sot atë që disa vende të tjera ia kanë bërë Serbisë në vitin 1999 dhe në 2008. Ose ministrja e deritanishme Zorana Mihajloviç të akuzojë shefin e diplomacisë ruse se po keqpërdor faktin që Serbia nuk i ka vënë sanksione dhe me këtë po përpiqet të argumentojë se Serbia mbështet agresionin në Ukrainë. Analiza thjesht kosto-përfitim ka filluar më përllogaritje të ftohta. Presidenti tha se Serbia “për momentin“ mund ta ruajë pozicionin e tanishëm dhe “tani për tani” nuk do ti vendosë sanksionet, gjë që la të kuptohet se gjithsesi ndryshimi është i mundshëm. Kur? Deri atëherë kur Serbia të kërcënohet ekzistencialisht.
“Deri atëherë kur dëmi që do ti shkaktohet Serbisë të mos jetë aq i madh sa gjithçka tjetër dhe do të na duhet të pranojmë se dikush ka dëshirë të asgjësojë pozitën tonë dhe kësisoj na duhet të pranojmë një realitet tjetër”.
Vuçiçi është pragmatist përllogaritës dhe kjo gjë në këto kushte është diçka e mirë. Ndryshimi i qëndrimit në këtë rast do të ishte para së gjithash i motivuar ekonomikisht. Rreziku i aksesit të kufizuar në fondet e BE-së, mosardhja e investitorëve të rinj perëndimorë, ose largimi evlentual i atyre që operojnë tashmë në Serbi është makth për presidentin. Kjo do të ishte goditje serioze për rritjen ekonomike e cila – krahas ruajtjes së pushtetit – është qëllimi më i lartë për Vuçiçin. Politikën e tij ai e bazon te arritjet në ekonomi dhe jo në ngritjen e shtetit të së drejtës.
Presidenti do të kishte mundur edhe më parë të vendoste për sanksionet. Me këtë rast do të kishte fituar pikë në Perëndim, por kjo tashmë i përket së shkuarës. Përse u prit kaq shumë? Për shkak të gazit? Për arësye parimore? Për shkak të paralajmërimit nga Moska se vënia e sanksioneve do të konsiderohej akt armiqësor dhe do të përbënte “harakiri politike”? Sikur Moska ta ndalonte furnizimin me gaz ose ti ngrejë çmimet në qiell viktimat do të ishin qytetarët e Serbisë – po ata që në një numur kaq të madh ngrenë lart Vladimirin nga Kremlini. Përse ti kthejë kundër vetes dhe të asgjësojë makinerinë ruse të propagandës?
Mosvënia e sanksioneve nisur nga parimet është në përputhje me përvojat që ka kaluar RF e Jugosllavisë, por ato kanë qënë kohë tjera. Vuçiçi në fillim të muajit tetor deklaron: “Ata të cilëve nuk u vumë sanksione për 230 ditë ne na i vendosën për tri ditë, e askush nuk u pati bërë presion”. Paralajmërimet politko-diplomatike gjithashtu nuk janë argument serioz.
Mbetet frika nga reagimi i opinionit publik në vend. Vuçiçi për një dhjetëvjeçar të tërë i ka kthyer shpinën Perëndimit dhe është kthyer nga Lindja. Tani është i vetëdijshëm se bashkimi në masat ndëshkuese kundër Rusisë do të jehonte negativisht në trupin zgjedhor të PPS. Fakti që është ai vetë që ka kontribuar në mënyrë kolosale për predispozicionin rus është temë më vete. Vuçiçin nuk duhet ta frikësojë ndryshimi i politikës. Së pari ky nuk është ndryshim veçse kthim në orientimin e shpallur gjeostrategjik të Serbisë drejt BE-së. E dyta, Vuçiçi me rezervoarin e madh të votave që ka në dispozicion mund t’ia lejojë vetes luksin e humbjes së disa përqind të tyre. E treta, ndryshimi i kursit do të ishte akoma më i lehtë me angazhimin e mediave që ai kontrollon dhe të cilat brenda natës mund të nisin narativin se sanksionet kundër Rusisë janë në interes të Serbisë.
Është e dëmshme që është humbur rasti i cili në politikë është tejet i rëndësishëm. Në vend që Serbia të reagonte në kohën e duhur, u pranua politika e kokëfortësisë. Imazhi i Serbisë është dëmtuar. Por, në fund të fundit ka rëndësi rezultati, ka qejf të thotë Vuçiçi shpesh herë. Bashkimi me sanksionet ndaj Rusisë do të ishte lëvizje e mençur shtetërore dhe nuk do të thoshte humbje e Kosovës, sikurse pohojnë disa analistë. Fakti nëse vendimi merret nën presion bëhet më pak i rëndësishëm. Do të kujtohej se BE-ja mund të llogariste se te Serbia ka aleatin e saj dhe kjo nuk do të harrohej kur do të na nevojitej ndihmë.
Kësisoj, për një kohë relativisht të shkurtër, arritëm deri këtu kur presidenti thotë me zë të lartë: “Nuk do të përmbahem tu lajmëroj se kemi ndryshuar ndonjë vendim nëse e shohim se thjesht nuk mund të bëjmë më tej dhe më shumë”.
Ky do të ishte një epilog i favorshëm që do të tregonte se përcaktimet strategjike dhe logjika e shëndoshë ekonomike janë më të rëndësishme se parullat mbi vëllazërinë dhe aleancat historike.
Do të gëzohesha nëse Vuçiçi e sheh të ardhmen e tij në Perëndim dhe jo në Moskë.
*Përktheu për Argumentum Xhelal FEJZA
[i][i] https://www.politika.rs/sr/clanak/523624/Pogledi/Sankcije-ah-te-sankcije