(Sonja Biserko, Buletini nr. 160 i Komitetit të Helsinkit Serbi)
Përktheu për Argumentum.al Xhelal FEJZA
Prej disa vitesh Serbia shënon regres dhe potenciali i saj demokratik gjithnjë e më shumë po bie. Organizatat ndërkombëtare që matin nivelin e demokratizimit, si puna e Freedom House, në raportet e tyre të fundit, flasin për faktin se Serbia tashmë nuk bën pjesë në grupin e shteteve demokratike. Shkatërrimi i institucioneve dhe fushata e vazhdueshme kundër të gjithë zërave kritikë dhe opozitarë flet qartë për autoritarizëm i cili lehtë mund të shndërrohet në diktaturë.
Pushteti aktual i Partisë përparimtare të Presidentit Aleksandër Vuçiç gjatë nëntë viteve të tij ka shkatërruar jetën politike, ka bërë të pavlefshëm pluralizmin, ka eleminuar dialogun në shoqëri. Hapësira mediatike gjithnjë e më shumë po reduktohet në forma tabloidësh dhe në rijaliti shou, përmbajtjet e të cilëve fshijnë kufijtë mes së mirës dhe të keqes. Nëpërmjet relativizimit të gjithçkaje dhe të të gjithëve është asgjësuar sistemi i vlerave që sapo kishte filluar të merrte frymë gjatë dhjetë viteve të kaluara para ardhjes në pushtet të forcës politike aktuale, sepse gjithsesi ishte vendosur një kuadër ligjor pak a shumë në përputhje me vlerat dhe standartet europiane, ishin formuar organet e pavarura rregullatore të cilët me transparencën e punës së tyre kishin fituar respekt në shoqëri.
Partia në pushtet nuk ka opozitë e cila do të mund ta kontrollonte, sëpaku deri diku, gjë e cila i ka lënë hapësirë korrupsionit që ka hyrë në të gjithë sferat e jetës politike, ekonomike dhe shoqërore. Një numur i madh aferash që kanë shpërthyer kohët e fundit (ajo e shitjes së armëve “Krushik”, e kultivimit të bimëve narkotike “Jovanica”, e ashtuquajtura “përgjimi i presidentit”, larja e hesapeve me grupin kriminal të Veljo Belivukut etj) flasin për thellësinë e kriminalizimit të shoqërisë, gjë që lë pak hapësirë për reforma dhe normalizim të jetës politike.
E gjithë kjo nuk do të ishte e mundur në këtë masë nëse edhe opozita nuk do të shfaqte paaftësi jo vetëm për të ofruar një program alternativ, por edhe mungesë gatishmërie për tu organizuar dhe kundërvënë vetëdëshirës gjithnjë e në rritje të Partisë përparimtare serbe (PPS). Megjithëse opozita politike ka disa kohë që po përpiqet të gjejë njëfarë “fytyre të re” opozitare gjithsesi deri tani nuk ka patur sukses.
Pasojat e shkatërrimit afatgjatë të mediave dhe institucioneve, fushatave të vazhdueshme kundër organizatave të shoqërisë civile, mediave profesionale dhe individëve që përceptohen si oponentë të presidentit, fushatat që udhëhiqen nga pozicionet me me ndikim në shtet, u shfaqën në mënyrën më drastike gjatë pandemisë.
Si vend qendror në Ballkan Serbia, e paaftë të bëjë një bilanc dhe hapa reformues, po e mban tërë rajonin peng të aspiratave të saj, të paraqitura tani si “botë serbe”, në mënyrë të veçantë me raportin e saj ndaj Bosnjë e Hercegovinës dhe Malit të Zi.
Ëstë frenuar procesi i integrimit europian, por raportet me Bashkimin Europian ruhen reciprokisht me idenë: Serbia dëshiron të ruajë mbështetjen financiare dhe ekonomike të BE-së, ndërsa nga ana e saj BE-ja këmbëngul ta mbajë Serbinë në kursin europian. Toleranca shumëvjeçare e Perëndimit ndaj Serbisë nuk mban më për shkak të shkatërrimit të përshpejtuar të vlerave demokratike, presionit ndaj mediave, sjelljes gjithnjë e më agresive në rajon, por edhe paaftësisë për të nisur reformat e domosdoshme.
Në raportin vjetor të Komisionit Europin mbi përparimin e Serbisë (tetor 2020) në bisedimet me BE-në është shënuar se Serbia ka bërë përparim në çështjet ekonomike dhe fiskale, përparim të matur në luftën kundër korrupsionit dhe reformave në administratën publike, por nga ana tjetër nuk ka patur përparim në procesin zgjedhor dhe në sistemin e drejtësisë. Nënvizohet gjithashtu se Serbia vazhdon të mos e harmonizojë politikën e saj të jashtme me atë europiane dhe vazhdon të bashkëpunojë në mënyra të ndryshme, përfshirë këtu edhe atë ushtarake, me vende të cilët, për standartet e BE-së, mund të konsiderohen të diskutueshëm.
Presidenti Aleksandër Vuçiç reagoi ashpër ndj disa konkluzioneve të Raportit të Komisionit Europian dhe hodhi poshtë ato kritika që kanë të bëjnë me përdorimin tej mase të fuqisë policore gjatë protestave në qershor 2020 të zhvilluara në Beograd, bashkëpunimin dhe blerjen e armatimeve nga vende si Kina dhe Rusia, duke theksuar se Serbia dhe ai, si president i saj, punojnë për interesin më të mirë të qytetarëve të saj, duke mbrojtur jetën e tyre dhe interesat e vendit tonë. Sepse, sikurse nënvizoi ai, të gjithë këto vërejte tregojnë sesi duhet të sillet një vend i pavarur dhe sorvran, vend që është në rrugën europiane, por i cili ka interesat e tij dhe ruan të drejtën që për çështjet me rëndësi të marrë vendime ndryshe.
Raporti i raportuesit të Parlamentit europian Vladimir Bilçik ishte akoma më konkret dhe kritik. Raporti dënon dhe kërkon sanksione për sulmet publike dhe fjalorin e urrejtjes nga foltorja e parlamentit të drejtuara kundër Tanja Fajonit, kryesuese e delegacionit të Parlamentit europian për bashkëpunim me Serbinë, apo eurodeptetëve të tjerë, po ashtu edhe ndaj kundërshtarëve politikë, gazetarëve dhe mediave të lira, duke i konsideruar “shkelje të praktikës demokratike dhe vlerave bazë të demokracisë”, duke u bërë thirrje aktorëve politikë për vazhdimin e dialogut ndërpartiak mbi kushtet zgjedhore.
Edhe ky raport u prit me refuzim dhe kundërshtim nga qarqet qeveritare dhe në këtë kuadër, ministri i punëve të brendshme Aleksandër Vulin deklaroi se “deputetët e BE-së meqë nuk mundën apo nuk dëshën ti dërgojnë vaksina Serbisë, nuk kishin përse ti dërgonin asaj amendamentet e tyre”.
Kritikat ndaj raporteve të mësipërme, të cilët duhej të ishin drejtime për qeverinë se në cilin drejtim duhen orientuar përpjekjet reformuese, flasin edhe një herë për faktin se Serbia as nuk është e interesuar për adpotimin thelbësor me normat europiane dhe, për më tepër, të gjitha këto i interpreton si presion i veçantë ndaj saj. Një refuzim i tillë është edhe pasojë e rrethanave ndërkombëtare të ndryshuara.
Ashpërsimi në linjën SHBA-Rusia-Kina përforcon konkurencën gjeopolitike edhe në Ballkanin Perëndimor. Interesat e ndryshme kanë edhe ndikim negativ për situatën në rajon, ndërsa mungesa e potencialit njerzor dhe e lidershipit në secilin vend marrë në veçanti, i pengon akoma më shumë edhe ato rezultate reformuese edhe kështu të dobëta.
Paralajmërimi i administratës amerikane se sëbashku me BE-në do të përfundojë “unfinished business” në Ballkan (para së gjithash në Bosnjë e Hercegovinë dhe në Kosovë) është pritur në serbi me pakënaqësi të madhe, me vlerësimin se Serbia është përsëri në tapet. Megjithatë, edhe presidenti Vuçiç edhe një numur i madh politikanësh analistësh politikë nënvizojnë se Serbia përbën problem për Perëndimin sepse “është forcuar, sepse nuk është në NATO dhe se nuk ndjek plotësisht politikën e Perëndimit dhe se Perëndimi nuk dëshiron që një shtet i tillë në rajon të ketë pozitë dominese”. Nga ana tjetër, Rusia dhe Kina sikurse nënvizojë ata, “e ndihmojnë Serbinë që të jetë lider rajonal por ajo nuk është sipas masës së fuqive perëndimore dhe një sërë xhuxhësh rajonalë”.
Duke u mbështetur në ndihmën e Kinës dhe Rusisë, Beogradi në mënyrë gjithnjë e më direkte kushtet e Perëndimit po i përcepton se “kërcënim me pushkë të zbrazët, sepse bota ka ndryshuar shumë”. Ndërsa, presioni gjithnjë e në rritje, sikurse nënvizojnë ata “E shtyn Serbinë akoma më shumë drejt Rusisë dhe Kinës”. Theksohet se Kina dhe Rusia nuk kanë “ndikim malinj” në rajon sikurse pohon Perëndimi, por i tillë është “ndikimi i fuqive neokoloniale të cilave u nevojiten rregjime të bindur dhe jo partnerë”.
Një interpretim i tillë i rrethanave ndërkombëtare, si dhe fakti se Serbia është vetmja në rajon që ka arritur të vaksinojë një pjesë të rëndësishme të popullsisë, ka nxitur edhe “ofensivën e vaksinave”. Ajo është inicuar me dy qëllime: nga njëra anë të tregohet solidariteti i Serbisë dhe paaftësia e liderve rajonalë (gjë në të cilën ia arriti) dhe në tjetrën, të përcjellë mesazhin se ballkanasit duhet ti zgjidhin vetë problemet e tyre pa patur nevojë për bashkësinë ndërkombëtare.
Nëpërmjet kësaj iniciative të ideuar me shumë kujdes, Vuçiçi paraqitet si politikan që beson në fuqinë dhe forcën e popujve të Ballkanit kur ata janë të bashkuar, duke nënvizuar njëkohësisht se “këtu nuk bëhet fjalë për kurrfarë shteti të përbashkët, por kur veprojmë sëbashku, atëherë mund të bëjmë gjithçka. Të përkujdesemi për njëri tjetrin, gjithashtu. Do të jem i lumtur që këto vaksina mund ti përdorin edhe boshnjakët edhe serbët edhe kroatët, pa asnjë dallim dhe do ti ndihmojmë dhe nëse kështu e quajmë, edhe në të ardhmen. Do të jem po ashtu i lirë të kërkoj nga Bosnjë e Hercegovina ndihmë në disa çështje të tjera kur të kemi nevojë. Në këtë mënyrë duhet të bisedojnë miqtë dhe komshinjtë me njëri tjetrin”.
Gazeta “Dnevni Avaz” e Sarajevës në një koment të sajin konstaton se “kjo lëvizje e Vuçiçit është shuplakë fytyrës dhe poshtërim për politikanët e paaftë në Bosnjë e Hercegovinë, por një akt që meriton falenderim për presidentin serb, i cili në këtë mënyrë, sëpaku deri diku, do të zbusë dëmet katastrofale të paaftësisë së vendit tonë”. Presidenti Vuçiç i dhuroi vaksina edhe Malit të Zi në prag të zgjedhjeve lokale në Nikshiq si dhe, më parë, Maqedonisë së Veriut. Nëpërmjet kësaj iniciative presidenti Vuçiç përpiqet të relativizojë presionin e Perëndimit dhe ti kundërvihet zgjidhjeve të paralajmëruara për Bosnjë e Hercegovinën dhe Kosovën.
Në këtë kuptim, ai deklaron: “Nuk mund ta pranoj idenë e eleminimit të Republikës Srpska, jo vetëm, për faktin se kjo është detyrim kushtetues i Republikës së Serbisë, por edhe sepse ai që dëshiron të heqë Republikën Srpska është jo vetëm kundër vullnetit të popullit serb por edhe kundër paqes dhe stabilitetit në Ballkan”.
Janë indikative edhe deklaratat gjithnjë e më radikale dhe fyese të Millorad Dodikut, antarit të presidencës së B e H, kundër përfaqësuesit të ri të bashkësisë ndrëkombëtare, si dhe paralajmërimeve për një angazhim më të madh të SHBA-ve në Bosnjë e Hercegovin, kur pothuajse përditë deklaron: “Këto monstra përfaqësues të lartë, ndër të cilët një numur i madh i tyre kanë qënë idiotë të zakonshëm, të cilët përpiqen të fshihen pas fuqive të mëdha duke shkelur të drejtën ndërkombëtare. Ne tani duam të drejtat tona, të drejtat tona janë të shkruara në Kushtetutën e Bosnjë e Hercegovinës. Ne duam të respektojmë Kushtetutën tonë, dhe jo vullnetin dekadent të përfaqësuesve të lartë dhe budallenjve të zakonshëm që kanë drejtuar shoqërinë tonë prej 20 vitesh”.
Dialogu Beograd-Prishtinë ende nuk është në horizont, megjithëse i dërguari special i BE-së Millorad Lajçaku kryen vizita në rajon duke dhënë deklarata inkurajuese. Beogradi vazhdon të jetë i interesuar që në Kosovë të ruhet konflikti i ngrirë gjë për të cilën ka mbështetjen e Moskës e cila me këtë mbështetje siguron rolin e saj si mbrojtëse e interesave të Serbisë në OKB. Me rastin e takimit të fundit me Lajçakun, Vuçiçi deklaroi: “mendoj se marrëveshja me kompromis nënkupton, asnjërit të gjitha dhe secilit mjaftueshëm. Pa marrë parasysh deklaratat që vinë nga Prishtina, të cilat nuk janë aspak inkurajuese, është detyrimi jonë të jemi të përgjegjshëm dhe të përkushtuar”. Kjo formulë të bën të mendosh se Beogradi ende nuk ka hequr dorë nga ndarja.
Stefan Surliçi nga Fakulteti i shkencave politike në Beograd thotë: “nuk ekziston ai dokument magjik që mund të zgjidhë problemet shumëdekadëshe në terren në Kosmet dhe ti japë përgjigje etaloneve të dyfishtë të Perëndimit sipas të cilëve shqiptarëve u lejohet të kenë dy shtete e gjysëm dhe për këtë Serbisë ti hiqet një pjesë e territorit të saj”. Surliçi konkludon se e vetmja gjë që i mbetet Serbisë është forcimi i partneritetit me vendet që i përmbahen fort qëndrimit të mbrojtjes së rendit ndërkombëtar dhe që nuk duan ta njohin pavarësinë e vetëshpallur të Kosovës.
Është indikative se disa analistë ndërkombëtarë si puna e Tomoti Lesit, i cili isht ndër të parët që mbështeti rikompozimin e Ballkanit, vë në pikëpyetje premtimet e Bajdenit që, sipas tij, janë në kundërshtim me realitetin në terren. Ai dyshon se administrata e Bajdenit mund të realizojë synimet e saj. SHBA-të mund të përpiqen të zgjidhi problemin e Bosnjë e Hercegovinës me shpresë se mund të riformatojnë përceptimin e serbëve për problemin kosovar. Për momentin gjithçka i mbetet së shkuarës. Megjithatë, ajo që mbetet është e qartë se ndjesia deja vù e cila përjetohet tani në Ballkan nuk ka për të zgjatur përherë. Kur në fund të fundit administrata e Bajdenit do të përballet me realitetin politik në rajon dhe të matet me një politikë të parealizueshme, atëherë zgjidhja për problemin kosovar mund të merret në konsideratë.
Bota serbe
Serbia edhe pas një sërë dështimesh ende nuk e ka mbyllur të ashtuquajturën çështje serbe. Në këtë kuptim, Serbia veçohet si vend që nuk është i gatshëm të pranojë realitetin e ri në rajon, ose më mirë të themi refuzon të njohë ekzistencën e shteteve të reja dhe ti trajotojë ato si partnerë të barabartë. Kjo shikohet në raportin e saj të përditshëm ndaj fqinëve që nuk i ka pranuar i shtete të pavarura dhe ndaj të cilëve ka ende pretendime territoriale. Kjo ka të bëjë në radhë të parë me Bosnjë e Hercegoviën, Malin e Zi, Kosovën, madje edhe e Maqedoninë e Veriut. Në vend të normalizimit të marrëdhënieve, Beogradi, me politikën e tij të “mbrojtjes së popullit serb” dhe pengimin që i bën integrimit të tyre në vendet ku jetojnë, në thelb nxit tensionet nëpërmjet fjalorit të urrejtjes dhe demonizimit të të gjithë popujve fqinjë. Kjo është edhe arësyeja kryesore që na bën të themi se Serbia i ka kthyer shpinën BE-së, sepse uniteti i kombit vihet para demokratizimit dhe zhvillimit gjë që do të zvoglonte shanset për realizimin e “botës serbe”.
Si vend i cili ka një pozitë qendrore në Ballkan, Serbia përpiqet të shfrytëzojë maksimalisht kontekstin ekonomik dhe politik që mendon se është i përshtatshëm për atë vetë. Në këtë kuptim, Beogradi shfaq një vetëbesim të lartë dhe mendon se mund të përparojë nëpërmjet diversifikimit të raporteve me Kinën dhe me Rusinë.
Që të kuptohet sjellja e Serbisë duhet marrë parsysh sesi i sheh ajo interesat e saj gjeostrategjike. Fakti se cili obsion është në pushtet është një faktor i dorës së dytë, sepse qeveritë ndryshojnë vetëm nga metodat, por thelbi mbetet i njëjtë. Pushteti aktual e ka zhveshur deri në fund këtë strategji dhe me këtë u ka hapur sytë të gjithëve, si fqinjëve ashtu edhe Perëndimit.
Raporti ndaj fqinjëve
Interesi gjopolitik i Serbisë në Bosnjë e Hercegovinë është ruajtja e Republikës Srpska (RS) dhe bashkimi i saj me Serbinë. RS konsiderohet fitorja e vetme serbe e viteve nëntëdhjetë dhe për këtë trajtohet si prioritet i politikës së jashtme, gjë që është shënuar edhe në strategjië për siguroinë që Aleksandër Vulini, në kohën që ishte ministër i mbrojtjes, e paraqiti në parlamentin e Serbisë. Ajo është gjeopolitikisht e rëndësishme për Serbinë për shkak të synimit të lidhjes me detin Adriatik dhe presionit gjeopolitik ndaj Malit të Zi (që është bërë më se i dukshëm në dy muajt e fundit), pengimit të projektit neoosman, zotërimi i bregut tjetër të lumit Drina dhe zhvendosja e “kufinjve civilizues”drejt Perëndimit gjë që rrit ndikimin serb. Realizimi me mjete të tjera në kushtet e paqes nënkupton pranim të Marrëveshjes së Dejtonit si zgjidhje optimale në rrethanat aktuale.
Mali i Zi në këndvështrimin gjeopolitik të Serbisë konsiderohet si “çështje e brendshme” dhe i jepet “rëndësi e pamatë historike”. Mali i Zi kurrë nuk është pranuar si shtet i pavarur dhe për këtë trajtohet si territor, ose më mirë të themi, si një shtet tjetër serb. Kundërshtohet gjuha malazeze, ndërsa identiteti malazez konsiderohet hibrid. Në përputhje me këtë, forcohet pozita e popullit serb, ndërsa Kisha Ortodokse Serbe (KOS) ka që tani statusin e shtetit në shtet. Interesi i Serbisë është që në krye të Malit të Zi të jetë një “lider politik shtetëror” që respekton interesat gjeopolitike serbe. Për këtë Millo Gjukanoviçi përceptohet si pengesa kryesore e realizimit të interesave serbe. Qëllimi përfundimtar i Serbiosë është rikthimi i Malit të Zi në kuadrin shtetëror të saj, sepese vetëm kështu Serbia dhe Mali i Zi fitojnë rëndësi gjeopolitike. Vetëm dështimi përfundimtar i projektit të Gjukanoviçit, sikurse nënvizohet, është parakushti më i rëndësishëm për rikthimin e Malit të Zi atje ku ka qënë gjithmonë, në botën serbe.
Zgjedhjet e vitit të kaluar në Mal të Zi me mbështetjen e KOS-it, Beogradit dhe Rusisë (nga prapavija) sollën në pshtet një qeveri proserbe dhe proruse. Megjithëse Partia demokrate e socialistëve (PDS) e Millo Gjukanoviçit vazhdon të jetë e vetme partia më e rëndësishme, po krijohet atmosfera mbi domosdoshmërinë e largimit të saj nga skena politike dhe në mënyrë të veçantë e largimit të kryetarit të saj- Millo Gjukanoviç, i cili është politikani që ka meritën më të madhe jo vetëm për pavarësinë e Malit të Zi, por edhe për antarsimin e saj në NATO dhe orientimin drejt BE-së. Mediat serbe kriminalizojnë me këmbëngulje sovranitetin e Mali të Zi, ndërsa pushteti i ri malazez punon me shpejtësi për zhvlerësimin e sovranitetit të tij.
Strategët serbë e kanë trajtuar gjithmonë çështjen maqedonase si problem kryysor gjeopolitik në Ballkan. Historiani serb Millorad Ekmekçiç ka theksuar shumë herë se “kush kontrollon Luginën e lumit Vardar, kontrollon gjithë Ballkanin”. Parë nga këndvështrimi strategjik, Maqedonia ka qënë përherë në një paketë me Kosovën, gjë e cila, në një masë të madhe, shpjegon edhe ndërhyrjen e NATO-s sepse mendohej se Millosheviçi me politikën e tij kërcënonte sigurinë e tërë krahut Jugor të NATO-s. Beogradi është përzier në ngjarjet maqedonase që nga pavarësimi i saj. Pushteti i Shkupit është kritikuar shumë për njohje e Kosovës, por edhe në përmbysjet e brendhme ka mbështetur Nikolla Gruevskin i cili flirtonte me Moskën. Beogradi gjithmonë i ka llogaritur marrëdhëniet shqiptaro-maqedonase si “konflikt latent”. Megjithatë, bashkësia ndërkombëtare e Perëndimit, pikërisht për shkak të brishtësisë së Maqedonisë dhe rëndësisë së saj gjeostrategjike, ka arritur të ndalë të kohë konfliktin dhe ka mundësuar “Marrëveshjen e Ohrit” duke i hapur kështu rrugën përfshirjes së Maqedonisë në NATO.
Megjithëse shteti serb është dëbuar nga Kosova që në vitin 1999, Serbia vazhdon ta përceptojë Kosovën si hapësirë me rëndësi gjeopolitike. Potecohet teza se shqiptarët nuk janë popull shtetformues se shteti i Kosovës është shtet mafioz i cili pa faktorin e jashtëm, mbi të gjithë, NATO-n dhe SHBA-të, nuk do të ishte i qëndrueshëm. Beogradi është i vetëdijshëm se shqiptarët e Kosovës janë një aleat me rëndësi për Perëndimin dhe se popullsia e saj është e orientuar në mënyrë dinamike drejt integrimit euroatlantik, gjë që ka bërë të zvoglohet thelbësisht ndikimi serb. Për këtë tani Beogradi vepron për ndarjen e serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë, ose më mirë të themi për ndarjen e Kosovës gjë së cilës nuk ia arriti, megjithëse në një moment kishte mbështetjen e presidentit kosovar Hashim Thaçi dhe, ç’është më e rëndësishmja edhe të kryeministrit shqiptar Edi Rama. Strategët serbë mendojnë se “Kosova pas ndërhyrjes së NATO-s është bërë jashtëzakonisht e rëndësishme dhe një pozitë e favorshme gjeografike dhe gjeopolitike”, gjë që Serbinë e detyron sikurse mendojnë ata, “për tu marrë në mënyrë të vazhdueshme me çështjen e Kosovës nëpërmjet përzierjes në proceset politike në Kosovë”. Lista serbe (Srpska Lista) është kësisoj një instrument me rëndësi për realizimin e aspiratave serbe në Kosovë.
Dinamika aktuale në rajon dhe në mënyrë të veçantë sinkronizimi i ngjarjeve ë Mal të Zi dhe në Bosnjë e Hercegovina flasin qartë për faktin se është në veprim e sipër tentativa për krijimin e një realiteti të ri (thirrjet për referendum e Bosnjë e Hercegovinë dhe përzierja permanente në Mal të Zi) i cili do të destabilizonte tërë rajonin). Serbia bën të njëjtën politike në rajon me atë që bën Rusia në mjedisin e saj rrethues (Ukrainë, Gjeorgji, Moldavi). Sjellja e Rusisë në Ballkan ka si qëllim të komprometojë BE-në dhe NATO-n dhe kështu nëpërmjet Serbisë destabilizon rajonin.
Ballafaqimi: proces gjeneratash.
Edhe pas më shumë se dy dekadash, proceset e ballafaqimit me të kaluarën dhe pajtimit rajonal vazhdojnë të jenë në pikën e nisjes, edhe përkundër fakteve që janë zbuluar dhe publikuar, jo vetëm para gjykatave të ndryshme ndërkombëtare, por edhe brenda përbrenda secilit prej vendeve trashëgues të ish Jugosllavisë. Përveç faktit që ballfaqimi me të kaluarën është një proces i ndërlikuar dhe shumëdekadash, një prej pengesave kryesore në raportet ndërrajonale është edhe interpretimi i luftërave në territorin e ish Jugosllavisë. Pa objektivizim të kontekstit jugosllav dhe ndërkombëtar, si dhe rolit të elitës serbe në gjenerimin e luftës, vështirë se në një të ardhme të afërt do të kemi ndryshime cilësore.
Në këtë proces në një masë të madhe ka kontribuar edhe bashkësia ndërkombëtare e cila, kur vjen puna për ballafaqimin me të kauarën, e ka reduktar problemin vetëm te përgjegjësia penale. Gjykata ndërkombëtare penale për ish Jugosllavinë (GjNP) kishte rol të dorës së parë në bërjen pblike të fakteve, jo vetëm në kuadër të gjykimeve, por edhe për shpejtësinë e pabesueshme për mbledhjen e fakteve, dëshmive, filmave dokumentarë etj. GjNP nuk dispononte një mekanizëm i cili mund të detyronte vendet e rajonit të merreshi seriozisht me trashëgiminë e tyre. Një qëndrim i tillë i mundësoi Beogradit që interpretimin e tij, sipas të cilit “Serbia nuk ka marrë pjesë në luftë” ta impononte si qëndrim zyrtar. Elitat serbe jo vetëm e pranuan një interpretim të tillë por, në mënyrë të veçantë qarqet akademike, nëpërmjet një numuri të madh librash dhe tribunave publike kontribuan që një interpretim i tillë të pranohet gjërësisht.
Përveç kësaj, të gjithë shtetet e reja të formuara në rajon kaluan nëpërmjet procesesh të rëndësishme transformuese. Konsolidimi i shtetit nuk u krye deri në fund. Tranzicioni pak a shumë ishte i pasukseshëm, ndërsa transforimi i shoqërive në drejtim të përvetësimit të vlerave të reja, si të thuash, as që filloi fare. Për këtë shkak janë duke u krijuar identitete të reja kombëtare që kanë komponenten e brendshme dhe të jashtme. Për fat të keq gjithçka flet në favor të faktit se këto procese vetëm janë duke thelluar tensionet në rajon, sepse në këto identitete mbivendosen edhe komponente dhe stereotipe që nuk i shërbejnë mirëkuptimit por vetëm sa thellojnë keqkuptimet.
Shumica e aktiviteteve është zhvilluar brenda konceptit të paqes tranzitive me synimin që të ndërtohet një paqe e qëndrueshme dhe të ndihmohet demokratizimi i shteteve të sapoformuara. Përpjekjet e drejtësisë tranzitive në ish Jugosllavi në fillim ishin të fokusuara në ndjekjen penale të kriminelëve të luftës. Ndërkohë janë inicuar edhe mekanizma të tjerë për ndriçimin e së vërtetës, Komisioni rajonal për ndriçimin e së vërtetës-RECOM si dhe shumë iniciativa të tjera.
Megjithëse përballimi me të vërtetën është një proces transgjeneracional, mund të konstatohet se rajoni është në regres në çdo këndvështrim, e në këtë kuadër edhe në përballjen me të kaluarën. Nuk ekziston as minimumi i gatishmërisë që faktet të objektivizohen dhe të shkohet drejt mirëkuptimit të përbashkët të së kaluarës së afërt. Elitat rajonale janë të fokusuara kryesisht në krijimin e narrativave për viktimizimin e tyre, gjë e cila i merr hapësirë çfarëdolloj përgjegjësie. Lufta vazhdohet nëpërmjet “kulturës së kujtimeve” dhe krijimit të narrativave që thellojnë akoma më shumë antagonizmat.
Elitat dominuese serbe (politike, fetare, ushtarake, akademike dhe kulturore) angazhohen në mënyrë sistematike për riformatimin e së kaluarës, në përputhje me synimet prej të cilëve ende nuk është hequr dorë. Kështu, Miro Lompar, profesor universiteti, me shumë ndikim në procesin e formimit të narrativave të reja mendon: “Në mënyrë që të ecim në rrugën gjithë dredha, plot të panjohura dhe me gjëmba të rinovimit pas humbjes së rëndë historike në shekullin XX, është e domosdoshme të gjejmë një përgjigje produktive ndaj sfidës historike perëndimore. Në këtë përgjigje, në qendër të saj duhet të jetë populli serb, si grumbull vendimesh që nënkuptojnë egoizmin e ashpër nacional, nga i cili do të mund të dalë kultura politike serbe si baza më e gjërë e vetëdijes kombëtare”.
Revizionimi i historisë.
Përveç konfuzionit të përgjithshëm që krijohet me qëllim në lidhje me faktet e së kaluarës së afërt, është në proces e sipër edhe revizionimi i historisë së tërë shekullit XX, gjë e cila krijon një kaos shtesë në mënyrë të veçantë te të rinjtë. Rishikimi i historisë vetëm nga pozitat e viktimës, bën të pamudur një dialog mbi të kaluarën. Përveç kësaj potencohet edhe trauma dhe mëkohet synimi për hakmarraje gjë që në rajon mban gjallë në mënyrë të vazhdueshme tensionet. Një rol me rëndësi në këtë proces manipulativ luajnë shifrat që rriten në mënyrë të vazhdueshme. Fokusi është në mënyrë të veçantë te Lufta e Dytë Botërore (LDB).
Jasenovaci është shembulli tipik ku shifrat e viktimave janë rritur në mënyrë të vazhdueshme Numuri që përdorin propagandistët serbë është 700.000 serbë, hebrenj dhe romë të vrarë në këtë kamp përqëndrimi. Megjithëse shifrat janë të njohura, ky numur ka mbetur simbol i viktimizimit të serbëve. Ka shumë analiza që japin në mënyrë objektive një mesatare të viktimave në LDB. Dy demografë të pavarur (njëri serb e tjetri kroat), kanë numëruar 70.000-83.000 viktima. (Vladimir Zherjaviç në librin “Obsesioni dhe megallomania rreth Jasenovacit dhe Blejburgut. Humbjet e popullsisë gjatë Luftës së Dytë Botërore”, Zagreb, revista “Globus” 1992 dhe Bogoljub Koçoviç “Viktimat e Luftës së Dytë Botërore”, Sarajevë, “Svjetlost”- 1990).
Jasenovaci ishte tema kryesore në procesin e përgatitjes së luftës në Kroaci në vitin 1991, dhe tani është përsëri aktuale me qëllim justifikimin e luftës së viteve nëntëdhjetë, e cila në mediat serbe trajtohet si hakmarrje. Çdo përpjekje për të bërë një bilanc të viteve nëntëdhjetë përfundon me viktimat e LDB. Madje është inicuar procesi për grumbullimin e të dhënave mbi viktimat e LDB. Me kërkesën e Shoqatës për ngritjen e memorialeve serbe, Sinodi i KOS-it u ka bërë thirrje të gjithë priftërinjve që të mbledhin të dhëna mbi serbët e vrarë në luftë. Sikurse nënvizohet, qëllimi është të përdoren librat kishtarë, atje ku i janë kthyer kishave pasi u janë marrë pas LDB.
Kthimi vazhdimisht te LDB ka si qëllim relativizimin e përgjegjësisë për luftën e viteve nëntëdhjetë, si dhe, nëpërmjet bërjes së bilancit të viktimave për tërë shekullin XX të demonstrohet se serbët kanë qënë viktimat më të mëdha të të dy shteteve jugosllave (1918-1941 dhe 1945-1991). Përveç kësaj maipulohet edhe me antifashizmin. Rehabilitimi i çetnikëve, përveç të tjerave, ka si qëllim promovimin e lëvizjes antifashiste “nga ana e djathtë e politikës”. Kjo lëvizje është pranuar gjërësisht në Serbi. Promovohet teza se serbët kanë qënë më të shumtët në lëvizjen partizane dhe në atë antifashiste në rajon dhe në Europë. Por, në territorin e Serbisë, lëvizja partizane ishte e dobët dhe nuk kishte rezonancë në opinionin publik, edhe përkundër faktit se ekzistojnë grupe dhe individë që janë për (ri)afirmimin si vlerë e cila është e pandashme nga integrimi europian.
Rehabilitimi i kriminelëve të luftës.
Të dënuarit për krime lufte si puna e Vojisllav Sheshelit, Vladimir Llazareviçit, Veselin Shlivançaniit, Nikolla Shainoviçit pas daljes nga burgu patën një promocion shumë të madh mediatik dhe mundësi pothuajse çdoditore për të qënë interpretes të luftërave të viteve nëntëdhjetë të cilët në thelb reduktohen në pohimet me të cilat edhe kanë filluar ato luftëra, motive të cilët tani promovohen si zyrtare, gjë që pak a shumë publiku i gjërë i pranon.
Vojisllav Shesheli është pothuajse përditë në ekranet e televizorëve, ku analizon situatën në vend duke folur atë që pushteti nuk guxon ta thotë apo nuk ka dëshirë ta thotë. Ai është shndëruar si të thuash në një alter ego e presidentit Vuçiç dhe partisë së tij.
Në diskutimet aktuale mbi të kaluarën roli i Sllobodan Millosheviçit relativizohet dhe përgjegjësia u hidhet të tjerëve (Kroacisë, Sllovenisë, boshjakëve dhe Perëndimit)
Pushteti aktual bën gjithçka për të “normalizuar” Sllobodan Millosheviçin. Për të dhe për politikën e tij thuren lëvdata sepse e ka shpëtuar Serbinë nga lufta. Gjykimi i Radovan Karaxhiçit shërbeu si tregues se Sllobodan Millosheviçi nuk ka qënë inspiruesi i luftës në Bosnjë. Citiohet akti i gjykimit vetëm në atë pjesë ku flitet se Gjykata e Hagës nuk ka gjetur fakte se Millosheviçi ishte dakord me planin për krijimin e territorit etnikisht të pastër serb në Bosnjë. Për ministrat Ivic Daçiç dhe Aleksandër Vulin, të cilët gjatë viteve nëntëdhjetë të shekullit të kaluar ishin pjesë e rregjimit të Millosheviçit, kjo ishte më se e mjaftueshme të konstatonin se Millosheviçi nuk është fajtor, se duhet çliruar nga çdo fajësi, dhe se ajo pjesë tregon se politika e tij luftarake ishte e drejtë.
Megjithëse pranohen disa nga krimet, diskutimi reduktohet në akuza për numurin e të akuzuarve nga Gjykata e Hagës dhe se ai numur nuk është i balancuar, ose sepse ka disproporcionalisht shumë të tepër serbë që kanë dalë para kësaj Gjykate. Bëhen diskutime dhe publikohen libra gjoja me përmbajtje shkencore që kanë si qëllim diskretitimin e gjykatës si e anshme (kundër serbëve). Nënvizohen të gjithë gabimet (që në të vërtetë ka patur), por gjithçka reduktohet në detaje teknike pa hyrje në thelbin e problemit të konfliktet në territorin e ish Jugosllavisë.
Konkluzione dhe rekomandime
- Përfytyrimi ambicioz i Serbisë për rëndësinë e saj në rajon nuk merr në konsideratë intreresat e të tjerëve në këtë rajon dhe veçanërisht interesat e aktorëve të jashtëm. Serbia gjithnjë e më shumë po mbështetet te Rusia dhe Kina interesat e të cilëve nuk janë identike me të sajat.
- Në konfrontimin aktual të ashpërsuar mes Perëndimit dhe Lindjes Serbia, megjithëse nënvizon neutralitetin e saj, në thelb është rreshtuar përkrah Rusisë dhe Kinës. Shkaku kryesor i këtij rreshtimi është paaftësia për reforma dhe për pranimin e vlerave demokratike, por edhe mos heqja dorë nga aspiratat territoriale.
- Duke patur parasysh sa më sipër, ambicjet e Perëndimit për të nxitur normalizimin dhe objektivizimin e së kaluarës në rajon, nuk gjejnë rezonancë në Serbi.
- Shtrohet pyetja: a ekziston konsensusi politik i elitave, ose më mirë të themi a kanë ato fuqi, vullnet dhe besim se është e domosdoshme që të bëjnë ndryshime radikale të shoqërive tona. Gjithashtu, a është e mundur, në cilindo mjedis të kryhen transformimet radikale të shoqërive pa historizimin dhe specifikimin e çdo shoqërie marrë në veçanti. A ekzistojnë ide për atë se në cilën mënyrë dhe në çfarë përmasash është e mundur të mendohet për programe të drejtësisë tranzicionale, ose mbi metodat që ekzistojnë, apo ato që ende nuk ekzistojnë, të cilat në këto shoqëri do të ishin efikase.
- Nëepërmjet radikalizimit të lëvizjeve radikale të Luftës së Dytë Botërore dhe udhëheqësve të tyre, Serbia është identifikuar me palën e mundur në këtë luftë dhe ka legjitimuar politikat e genocidit kundër joserbëve të këtyre lëvizjeve dhe praktikisht ka hequr dorë nga antifashizmi. Me një raport të tillë Serbia tregon edhe një raport të qartë ndaj luftërave dhe krimeve të viteve nëntëdhjetë të shekullit të kaluar, luftëra që janë zhvilluar mbi platformën e ideologjisë çetnike të Luftës së Dytë Botërore. Me këtë Serbia i ka dërguar mesazhe edhe rajonit dhe Europës demokratike se nuk heq dorë nga politika e konfliktit me fqinjët dhe pretendimet për territoret e tjetërkujt.
- Kur bëhet fjalë për opinionin e gjërë publik shkak për keqkuptime nuk është mungesa e informacionet dhe e dijeve. Më së pari është fjala për intrerpretime, emocione, eksperienca dhe bindje- për bindjet, që të dihet se çfarë është e drejtë e çfarë e gabuar, çfarë është e drejtë dhe çfarë është e padrejtë, e vërtetë apo jo e vërtetë.
- Problemi më i madh janë gjeneratat e reja që rriten me interpretime që i largojnë vazhdimisht nga vlerat civiluese dhe europiane. Për këtë, gjatë kohës së pandemisë të binte në sy forcimi i organizatave dhe lëvizjeve, të cilat agjendat e tyre djathtisto-ekstreme i fshihnin pas parullave “luftë për liri”. Ato tërheqin një numur të madh të rinjsh dhe ndikojnë në qëndrimet dhe bindjet e tyre.
- Nëse SHBA-të, BE-ja dhe NATO-ja nuk rinovojnë në kohën e duhur premtimin e tyre për angazhim në Ballkan, Serbia dhe liderët e tjerë rajonalë do të vazhdojnë politikën e tyre që ka për ta destabilizuar përfundimisht Ballkanin dhe të gjitha përpjekjet për ta mposhtur të kaluarën dhe për të nisur rrugën e europianizimit do të bien në ujë.
© Argumentum