Editorial
Vjenezët në mbrëmjen e 2 nëntorit u tronditen nga një sulm i sinkronizuar në gjashtë vende të ndryshme të kryeqyetetit Austriak. Një sulm terrorist sikundër është quajtur nga vete Kancelari austriak Sebastian Kurz goditi zemren e Europës duke lënë pas disa të vdekur, të plagosur, por mbi të gjitha terror dhe pasiguri për gjithë qytetarët europian.
Sipas njoftimit zyrtar Policia austriake tha se nga sulmi me armë në Vjenë, la të vrarë katër persona. Shtatëmbëdhjetë njerëz të tjerë janë plagosur – disa rëndë – pasi persona të armatosur hapën zjarr në gjashtë vende të ndryshme në qendër të qytetit të hënën në mbrëmje. Një sulmues u qëllua për vdekje nga policia, thanë zyrtarët, dhe një u arrestua.
Ministri i Brendshëm, Karl Nehammer, e përshkroi sulmuesin e vrarë nga policia si një “terrorist islamik”. Ndërsa Kancelari austriak Sebastian Kurz e quajti incidentin një “sulm të neveritshëm terrorist”.
E gjithë bota është solidarizuar me Vjenën, mesazhet ngushëllimi dhe solidariteti u dërguan dhe nga liderit e Ballkanit, duke shprehur gatishmërine si aleate e Austrisë në luftën kundër terrorizmit.
Në vetem 24 orë nga ngjarja, shqiptarët do të ishin kryefjala e këtij akti terrorist pasi në media u përfol se njeri prej sulmuesve ishte me origjine shqiptare.
I pari ishte një gazetar i gazetës ditore “Der Falter”, i cili pohoi, se 20-vjeçari i vrarë gjatë sulmeve ka lindur në Vjenë, por prindërit e tij janë me origjinë nga Maqedonia e Veriut. “Personi i vrarë është i njohur për shërbimet sekrete austriake, pasi ishte në grupin e 90 islamistëve austriakë, të cilët donin të shkonin në Siri, për të luftuar në radhët e xhihadistëve të atjeshëm“, shkruan në Twitter gazetari austriak Florian Klenk.
Ky fakt do të konfirmohej nga Ministria e Punëve të Brendshme ne Maeqdoninë e Veriut pas kërkeses nga autoritetet austriake të cilët kanë kërkuar bashkëpunim për zbardhjen e sulmit terrorist që ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në Vjenë.
Nga lista që autoritetet austriake kanë dorëzuar në MPB, është konstatuar se jo një por dhe tre persona të tjerë të përfshirë në sulmin terrorist, përveç shtetësisë austriake, kanë edhe shtetësi maqedonase, respektivisht bëhet fjalë për personat K.F. (i lindur në Modling të Austrisë), A.G. (i lindur në Shën Polet të Austrisë) si dhe U.A. (i lindur në Vjenë të Austrisë.
Megjithate rrënjet shqiptare të të akuzuarve për këtë sulm nuk mund ti japin fytyrë këtij akti terrorist, pavarësisht origjinës dhe kombësisë së tyre.
Të gjithë personat e përfshirë në këtë sulm ishin lindur dhe rritur në një nga Kryeqytetet më të bukura në Europë. Fatkeqësisht ata nuk arriten të merrnin dhe te jepnin më të miren në atë vend që familjet e tyre zgjodhen për një jetë më të mirë.
Fakti që sulmuesit janë me origjinë shqiptare, duket se ka kthyer gjithë vemëndjen ndërkombëtare në rajonin tonë. Më shumë se sa vetë akti rëndë, fatkeqësisht i përsëritur në kohë të ndryshme në Europë, tronditja është tek origjina e tyre.
Padiskutim akti i tyre është çnjerzor dhe i pajustifikueshëm, sikundër nuk mund të justifikohet kjo ngjarje duke nënvizuar faktin se ata janë shqiptarë myslimanë nga Maqedonia e Veriut(!)
Vertetë, shqiptarët ishin protagonistët e kësaj lufte që po terrorizon mbarë shoqerinë, por në këtë skene krimi ishin po shqiptarët Heronjtë që luftuan me të keqen.
E pra, tre policë që luftuan dje me terroristët ishin shqiptarë nga Kosova.
Ministrja e jashtme e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla e konfirmoi në Berlin, para takimit me Ministrin e jashtëm të Gjermanisë, Heiko Maas.
“Kosova dënon njëzëri sulmet e natës së shkuar në Vjenë. Nuk do të jap komente mbi burime të pakonfirmuara, por do të doja të nenvijëzoja disa fakte të rëndësishme mbi atë çfarë ka ndodhur dje. Tre prej efektivëve të policisë që iu përgjigjën sulmeve të mbrëmshme ishin shqipëtarë, shtetas të Kosovës, të cilët jetojnë të mirëintegruar në Vjenë dhe punojnë e luftojnë krahas qytetarëve austriakë për të mbrojtur vlerat dhe qëllimet që ne ndajmë me popullin austriak”, tha ministrja e Jashtme e Kosovës.
Po ashtu shqiptaret ishin dhe viktima te pafajshëm. Në mesin e personave të vrarë në sulmin e përgjakshëm në Vjenë të Austrisë është edhe një 21 vjeçar nga Veleshta e Strugës, do të raportonin mediat.
Ngjarja e Vjenës tregon më së miri të gjitha “hijet” që ka qenia njerëzore pavarësisht origjinës. Ndaj ky akt terrorist nuk ka ngjyrë nuk ka fe nuk ka kombësi. Duhet dënuar dhe luftuar si e keqja më e madhe që sot është prezent në shoqërinë tonë, por që mund ta mundim duke u bërë të gjithë BASHKË./d.m
© Argumentum