Nga Ardit Gjinali
Politika e jashtme e Shqipërisë është në ditët e saj më të vështira, tërësisht pa ide, risi, strategji dhe bilanc; e njëjta është përfshirë në një qerthull të llogarive të vogla të kontekstit gjeopolitik në vizionin dritëshkurtër të një individi politik që parasheh interesin politik përpara të tillit kombëtar; e tilla…politika e jashtme ka përjetuar deri më tani një krizë të theksuar përfaqësimi ku endeshim mes gjeniut de-fakto nën hijen e KryeKreut de-jure. Vizitat e rëndësishme zyrtare të munguara jashtë vendit, protokolli shtetëror i pluhurosur për shkakun që Tirana zyrtare është kthyer në referencën diplomatike të harruar përfshirë dhe rajonin, dështimi sistemik në përmbushjen e kushteve të vendosura nga Bashkimi Europian mbi ecurinë e mëtejshme të proçesit të Integrimit përbëjnë pjesë të një mozaiku keqqeverisës në secilin sektor.
Enumeracioni negativ i sukseseve të munguara ka angazhuar propagandën zhurmë-madhe të keqqeverisjes në turravrapin mediatik të prezantimit të rrugëtimit kronologjik Ankara-Athinë si dëshmi e rolit paqtues dhe ndërmjetësues të Shqipërisë në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të mëdha….tallja vijon me qytetarin dhe shtetin…shtetin nëse ka mbetur një nocion i tillë në tërësinë kuptimore të të tillit. Shteti ka humbur pushtetin për faktin që i dyti ka uzurpuar të parin….,por pasqyra e Shqipërisë së këtyre ditëve dëshmon që “UJI” i ka rrëmbyer pushtetin shtetit duke e treguar cullak përpara hamendësimit të sukseseve të mëdha të mundësuara nga pushteti. Shiu stinor ….fenomen metereologjik normal në koherencë me stinën që kalojmë është kthyer në breshërin vrastar për qytetarin si shkak i shurdhërisë së keqqeverisjes për të dëgjuar apelet e vazhdueshme për kujdes të shtuar për shkak të përkeqësimit të situatës metereologjike.
“Shqipëria në Ujë” nuk është mesazhi i propagandës së pushtetit për të zhvilluar ndonjë aktivitet festiv që prezanton Shqipërinë që po gëzon nën hyqmin e pushtet-ushtruesve që imagjinojnë ftohtin e përjetuar nga qytetari halleshumë i përmbytyr si një fllad i lehtë pas nxehtësisë së tepërt që lëshon kondicioneri i zyrave të luksit që ngjizin padrejtësinë pushtetore; -“Shqipëria në Ujë” nuk është ndonjë nismë propagandistike e ndërmarrë për të pastruar përmes ujit mëkatet e vazhdueshme të ansamblit të mëkatarëve; e tilla është dëshmia ulëritëse e mëkatit keqqeverisës që ka dalë mbi ujë dhe po shkakton vuajtjen e rradhës mbi shqiptarin e zakonshëm halleshumë, i tilli që duhet të ishte furnizuar rregullisht me ujë nga keqqeverisja e pakursyer premtim-lëshuese dhe tejet e kursyer në mbajtjen e të njëjtëve.
Drama shqiptare vijon përmes kartolinës së përmbytjes në ditët e para të një “Viti të Ri”; kartolinë tragjike që dëshmon Shqipërinë e vajtueshme për shkak të medet-qeverisjes që vijon të rendë pas llogarive të vogla gjeopolitike duke harruar qëllimisht misionin e qeverisjes dhe garantimit të jetës së qytetarëve, gjithashtu. Qeveria duhet të ishte çadra e munguar për zonat e banimit të pushtuara nga uji; për qytetarin që do ti nevojiteshin shumë e shumë netë për të dëshmuar sagën e një të përditshmeje drobitëse ku arbitrariteti ngre krye për shkak të instalimit të mendësisë së sundimit në secilin segment qeverisjeje.
Shqiptari i lagur dhe Shqipëria e përmbytur nuk mbrohen dot nga çadra e gjeopolitikës!
© Argumentum