Matija Sheriç[i]
Lufta civile siriane e cila shpërtheu në pranverën e vitit 2011, ndryshoi me themel dhe në mënyrë të pakthyeshme pamjen e Sirisë por edhe të gjithë Lindjes së Mesme. Për më shumë, lufta e përgjakshme ndikoi në mënyrë të vazhdueshme edhe nëpër botë, gjë që u pa nga valët e emigrantëve në verën e vitit 2015 dhe sulmet pasuese terroriste në mbarë Europën. Më e rëndësishmja nga të gjitha, megjithëse teknikisht flitet për luftë civile, në Siri, në mënyrë direkte ose indirekte, janë përfshirë edhe shtete të tjera, e kjo e bën luftën në Siri një mini luftë botërore në territor të kufizuar. Lufta në fjalë shpejt do të mbushë katërmbëdhjetë vite që nga fillimi por ende nuk i shihet fundi.
Mundimet e Sirisë nuk kanë fund
Megjithëse në muajin dhjetor të vitit 2024 u përmbys rregjimi i Bashar al-Asadit dhe një pjesë të madhe të Sirisë e morën nën kontroll organizatat islamike fundamentaliste Hayat Tahrir al-Shama (HTS- riemërtimi i Al Kaedës) me në krye Abu Muhamed al-Xhulani (ose Ahmed al-Shaara), çështja siriane është ende larg zgjidhjes. Vendi është i ndarë në disa territore më vete (brenda një territori ekzistojnë edhe ndarje shtesë në fraksione) dhe lufta ende vazhdon po ashtu edhe vuajtjet e popullsisë civile. HTS-istët treguan se “ujku ndoshta lëkurën e ndërron por zakonet kurrë”, kur ushtarët e tij në fillim të muajit mars masakruan me qindra pjestarë të pakicës alavite. Me datë 29 mars al-Shaara emëroi qeverinë e re tranzitore e cila përfshin të krishterët, druzët dhe alavitët, por vështirë që këto ndryshime teknike kanë për të sjellë ndonjëfarë stabilizimi.
Si shkak kryesor i shpërthimit të luftës dhe vrasjeve të disa qindra mijëra njerëzve (ndoshta edhe më shumë se një milion) mediat opinionbërëse në Perëndim duan të imponojnë përshtypjen e kryengritjes së popullit kundër diktatorit të keq dhe të përbuzur Asad. Nuk është nevoja të përmendim se shkaqet e luftës janë tejet të ndërlikuara, por në këtë rast duhet të sjellim në lujtesë se çfarë shteti ishte Siria në prag të vitit 2011. Megjithëse Siria është sot shteti ndoshta më kaotik i botës, para 15 vitesh ishte tejet ndryshe. Republika Arabe e Sirisë ishte, edhe përkundër kufizimeve, shtet i përparuar arab i cili mund t’u shërbente si model shumë vendeve në rajon.
Histori pak e njohur
Bashar al-Assadi erdhi në pushtet në muajin korrik të vitit 2000 duke trashëguar të atin e vdekur presidentin Hafez al-Assad. Protestat e para kundër rregjimit që solli pranvera arabe ndodhën në muajin mars të vitit 2011. Gjatë kësaj periudhe 10-vjeçare Siria kishte ditët e saj të mira dhe të këqija dhe situata ishte larg së qënit ideale, sidomos në kuptimin e demokracisë. Megjithatë, sot, kur analizohet gjendja në Siri para luftës kujtohet se Siria e Assadit ishte shtet multikulturor i paqes, turizmit dhe rritjes ekonomike të qëndrushme. Mund të thuhet pa e tepruar se bëhej fjalë për njëfarë mirëqënie, sidomos po të kemi parasysh tmerret që vijuan më pas. Para vitit 2011, gjendja në vend ishte e qetë, nuk kishte demonstrata të mëdha, greva, kryengritje. Siria ishte pak a shumë një vend i begatë të cilit i’a kishin lakmi shumë shtete dhe këto jo vetëm në Lindjen e Afërt por edhe më gjërë.
Jetë si në përrallat e njëmijë e një netëve
Para fillimit të luftës civile, Siria ishte një shtet i gjallëruar dhe plot energji. Popullsia e moshës së re numuronte më shumë 22 milionë veta, ndër të cilët shumë bënin jetë të ngjashme me atë në vendet perëndimore të zhvilluara. Muzika, moda dhe sporti ishin ndër argëtimet më popullore të sirianëve. Në vitin 2010 ndër përshkrimet më të klikuara në internet ishin idhulli arab, bodibilldingu, moda e verës dhe këngëtarja amerikane Miley Cyrus. Shumë popullorë ishin edhe rregjistrimet filmike të klubit të futbollit FC Barcelona në Youtube. Po atë vit grupi muziokar virtual Gorillaz u bënë grupi më popullor perëndimor i cili dha shfaqje në Siri. Në këtë periudhë ishin të gjallëruara tregjet në qytetet e vjetra Damas dhe Alepo, ndërsa shteti kishte industrinë e tij inovative IT edhe përkudnër sanksioneve perëndimore. Ishte qendra e industrisë tekstile në rajon.
Siria ishte vendi i shoqërisë autentike multikulturore dhe multikonfesionale në të cilin për shekuj të tërë jetonin në paqe dhe harmoni fraksione të ndryshme të të krishterëve (katolikë romakë, grekokatolikë, protestantë), muslimanë (sunitë, shiìtë. Alevitë), hebrenjtë dhe bashkësitë e tjera fetare dhe etnike. Përshembull në qytetin e vjetër të Damaskut para luftës ishte shumë e thjeshtë të kaloje nga pjesët muslimane të qytetit deri në ato lagjet ku shuimica ishin të krishterë. Ekzistonin shumë vende ku të krishterët, muslimanët, kurdët dhe arabët ndanin sëbashku kafenetë, restorantët dhe galeritë artistike në të cilat nuk shiheshin ndarje sipas linjave etnike dhe fetare. Madje pesë Papë të Kishës katolike romake ishin me prejardhje siriane.
Toleranca dhe hapja para botës
Siria ka patur gjithmonë një shoqëri të hapur dhe të orientuar nga kultura perëndimore si asnjë shtet tjetër arab. Shteti ishte shekullar, ndërsa ligji i sheriatit antikushtetues. Gratë nuk kishin detyrim të mbuloheshin me vel as të mbanin burka. Gratë siriane kishin të drejtën e arsimimit njëlloj si edhe burrat. Para luftës Siria ishte i vetmi vend në rajon pa probleme të brendshme dhe konflikte etnike. Madje 10% e popullsisë ishte me orientim të krishterë. Të krishterët mund të blinin toka dhe të ndërtonin kisha. Në vendet arabe popullsia e krishterë numuron më pak se 1 përqind.
Ngritje ekonomike
Në periudhën nga viti 2000 deri në vitin 2010, Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB) i Sirisë u dyfishua. Njëkohësisht, pushteti arriti të ulë përmasat e buxhetit publik ndaj PBB-së nga 150% në 30%. Kjo ishte një arritje e jashtëzakonshme. Pikërisht, Siria ishte shtet aq stabël saqë pas shpërthimit të luftës në Irak në vitin 2003, ajo u bë destinaioni nr.1 për refugjatët irakenë të cilët u larguan nga vendi i tyre pas fillimit të invazionit amerikan dhe pasojat e luftës civile. Deri në vitin 2010 në Siri jetonin afro një milionë refugjatë, gjë që është tregues i humanizmit të pushtetit me në krye Assadin. Nuk ishte i detyruar të pranonte refugjatë. Ishte ekskluzivisht shprehje e vullnetit të mirë.
Oaz turistik
Para vitit 2011, Siria kishte një turizëm me rritje të shpejtë. Vendi ishte destinacioni më i dashur për masat e gjëra të turistëve, shteti më i sigurtë dhe më liberal në rajonin e Lindjes së Afërt, megjithëse për dhjetëvjeçarë të tërë kishte qënë nën hijen e divave turistikë në Mesdhe: Egjypti, Tunizia, Turqia dhe Qipro. Në vitin 2011, gazeta “The New York Times” e shpalli Sirinë ndër shtatë vendet më të mira në botë për turizëm. Siria jo vetëm që ka plazhe tejet të bukura si Tartus dhe Latakija, por ka edhe një numur të madh qyetetsh të lashtë përfshirë edhe ata nën mbrojtjen e UNESCO-s. Kryeqyteti Damask me historinë e tij të gjatë është i njohur edhe si qytet tolerant dhe argëtues në të cilin mund të mësosh në mënyrë të thjeshtë gjuhën arabe. Damasku është shpallur qyteti arab i kulturës në vitin 2008. Ushqimi sirian, sidomos ai që mund të konsumoje në Alepo, konsiderohej më i miri në Lindjen e Mesme. Dyqanet e bukës dhe dyqanet e ëmbëlsirave gjendeshin gjithandaj në çdo hap që të hidhje. Turistët vinin për të vizituar gërmadhat e qytetit të kohës romake, shkretëtirë tejet e gjërë, panaire të zhurmshme qytetare, plazhe tejet të bukura dhe xhami të ndërtuara që në kohët e hershme të islamit. Siria u bë qendër e arteve dhe e kulturës që në vitet 3.000 para Krishtit, dhe asaj i kanë dhënë formë një numur i madh qytetërimesh, si ai grek romak, bizantin, otoman dhe islamik.
Ofertat turistike mbushnin buxhetin e shtetit, por edhe buxhetet e firmave private turistike dhe hotelerive. Sipas statistikave të Ministrisë siriane të turizmit, në vitin 2010 e vizituan Sirnë afro 8,5 milionë turistë, gjë që rriti të ardhurat me 40% në krahasim me vitin 2009. Pra, vetëm një vit para shpërthimit të luftës, 5,8 milionë turistë më shumë vizituan Sirinë sesa Australinë. Sirianët në vitin 2010, në sajë të ardhjes së turistëve patën të ardhura afro 8,4 miliardë dollarë. Turizmi dha kontribut me shifrën rreth 13,5% në PBB-në e vendit dhe siguroi 13% të vendeve të punës në vend. Njëkohësisht, shteti investoi miliarda në ofertat e larmishme turistike. Në vitin në vijim, 2011, kur filloi lufta, Siria fitoi vetëm 1,8 miliardë dollarë.
Asadi – udhëheqësi më popullor arab
Rezultatet e mrekullueshme para fillimit të luftës atëbotë i’u faturuan përmirësimit të pozitës ndërkombëtare të Sirisë, ose më mirë të themi afrimit te Damaskut me Perëndimin. Në vitet para luftës Sirinë e vizituan shumë njerëz të njohur të botës si Papa Gjon Pali II, Toni Bleri, Nikolas Sarkozi, Xhimi Karter, Nensi Pelozi, Xhon Keri etj. E gjithë kjo sot duket ironike, por atëherë ky ishte realitet. Duhet nënvizuar se miliona turistë që e vizitonin Sirinë çdo vit kishih liri të pakufizuar lëvizje gjë që tregon se në vend mbretëronte qetësia dhe se sirianët në shumicë ishin të kënaqur me pushtetin. Sikur Asadi të ishte diktator jopopullor sikurse duan të tregojnë shumë veta ditët e sotme, ai nuk do t’u lejonte të huajve të lëviznin lirisht nëpër territorin shtetëror. Këtë e tregojnë edhe anketat. CNN në vitin 2009 zhvilloi një anketë që mbuloi shumë shtete të Lindjes së Mesme dhe, sipas saj, Assadi fitoi titullin e personit të vitit me shumicë 60%. Qendra kërkimore Zogby Analytics po atë vit kreu një anketim për të zbulluar se cilin lider, jashtë vendit të tyre, duan më shumë arabët dhe Assadi fitoi vendin e parë megjithëse sirianët sipas kushtit të anketës nuk kishin të drejtë të shpreheshin.
Pavarësi monetare
Siria ishte një nga ato shtete banka qendrore e të cilit zotërohej dhe në realitet kontrollohej nga qeveria kombëtare. Me fjalë të tjera, Siria drejtonte valutën e saj nacionale, funtën siriane, në mënyrë të tillë që t’i shërbente popullit sirain dhe jo bankave globale që veprojnë në Nju Jork, Tel Aviv etj. Kjo do të thotë se sasia e valutës që shtypte banka qendrore ishte në harmoni me kërkesat e vërteta të ekonomisë, punës dhe prodhimit në përfitim të popullit sirian. Siria nuk kishte asnjë borxh ndaj Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) as Bankës Botërore (BB). FMN-ja e cila kontrollohet nga mega bankierët globalë, vepron si auditor dhe polici e tyre që jep borxhe në mënyrë që shtetet e dobëta të hyjnë në probleme huaje. Siria e Assadit dhe Libia e Kadafit hodhën poshtë këtë praktikë si jonormale. Të dy këto fakte tregojnë se pikërisht kjo ishte një prej arësyeve përse fuqitë e jashtme kishin si prioritet ndryshimin e rregjimit.
Siria ishte ndër shtetet e rralla që ndaluan me ligj ushqimet e modifikuara gjenetikisht. Assadi ndaloi ushqimin e modifikuar në mënyrë që të “ruante shëndetin e njerëzve” duke e ditur mirë se korporata shumëkombëshe bujqësore Monsanto kontrollonte një pjesë të madhe të tregut të ushqimeve dhe për këtë përdorte praktike të dyshimta. Më Monsant e dinë se në të ardhmen luftërat do të bëhen për ushqimet, por edhe për ujin e pishëm e për këtë duan të kontrollojnë pjesë sa më të mëdha të furnizimeve. Kombi sirian është i pasur me resurse natyrore naftëmbajtëse (rezervat e naftës ishin rreth 2,5 miliardë barella nbë vitin 2011) dhe gazin natyror (8,5 bilionë metër kub në vitin 2011). Të dy këta energjentë mund të shfrytëzoheshin vetëm nga kompanitë shtetërore,. Kjo ishte ajo që e pati bërë Sirinë një vend të tillë në Mesdhe.
Histori e bukur dhe e tanishme e zezë
Mund të konkludojmë se, para vitit 2011, Siria ishte një shtet i qëndrueshëm që kishte një ekonomi funksionale dhe të qëndrueshme e kësisoj edhe një begati të sigurtë në të ardhmen. Shoqëria multikulturore funksiononte shumë mirë. Por kishte edhe probleme, në radhë të parë për shkak të mungesës së demokracisë, gjë që kontribuoi në shpërthimin e protestave dhe luftës dhe këtu luajtën rolin e tyre edhe faktorët e jashtëm gjeopolitikë. Rreshtat e mësipërm tregojnë se realiteti nuk ishte bardh e zi dhe kjo duhet mbajtur parasysh sa herë që shqyrtohen shkaqet e luftës civile në Siri. Lufta shkatërroi ekonominë, sistemet infrastrukturore dhe indin shoqëror të vendit, duke i detyruar miliona sirianë të emigrojnë në mbarë botën. Edhe përkundër përpjekjeve për rinovim dhe stabilizim, Siria vazhdon të mbetet vatër e konflikteve gjeopolitike të fuqive të mëdha, dhe e ardhmja është gjithçka vetëm jo e njohur.
E gjitha kjo mund të evitohej sikur të kishte pak më shumë mençuri në Siri dhe jashtë saj.
[i] https://www.geopolitika.news/analize/sirija-prije-rata-drzava-mira-prosperiteta-turizma-i-neovisnoga-gospodarstva/
/Përktheu për Argumentum Xhelal FEJZA