Sot 19 vite më parë, bota u gjunjëzua nga sulmet terrroriste të njëpasnjëshme në zemër të Shteteve të Bashkuara të Amerikes.
Sulmet e 11 Shtatorit janë një seri sulmesh të kordinuara terroriste, të udhëhequra nga grupimi terrorist Al Kaeda, kundrejt Shteteve të Bashkuara më 11 Shtator 2001. Objekte të sulmit ishin ndërtesa të rëndësishme në SHBA, si Kullat Binjake ku ishte vendosur Selia e Organizatës Botërore të Tregtisë në Nju Jork, ndërtesa e Pentagonit si dhe Shtëpia e Bardhë.
Terroristët arritën të shkatërrojnë Qendrën Botërore të Tregtisë në Nju Jork dhe të dëmtojnë rëndë Pentagonin në Uashington. Mijëra qytetarë u vranë në sulmin më të rëndë terrorist në historinë e njerëzimit.
Kronologjia e ngjarjeve
- Ora 8:46 e mëngjesit, një aeroplan i rrëmbyer u përplas mbi kullën veriore të Qendrës Botërore të Tregtisë në Nju jork, duke krijuar një çarje të thellë në faqen e ndërtesës dhe duke shkaktuar zjarr. 17 minuta më vonë, në orën 9:03, një aeroplan tjetër pasagjerësh përplaset mbi kullën jugore, duke krijuar një lëmsh të madh zjarri.
- Ora 9:17 e mëngjesit. Administrata Federale e Aviacionit urdhëron mbylljen e të gjitha aeroporteve në New York. Pak minuta më vonë, mbyllen edhe urat dhe tunelet në New York.
- Në orën 9:30 Presidenti Bush që ndodhej në Florida, informon popullin amerikan se vendi ka përjetuar një sulm terrorist. Ndërkohë, Administrata Federale e Aviacionit, ka pezulluar të gjitha fluturimet, hera e parë kjo në historinë amerikane, që pezullohet transporti ajror.
- Ora 9:37 e mëngjesit. Vetëm pak kilometra jashtë Uashingtonit, një aeroplan pasagjerësh përplaset mbi ndërtesën e Pentagonit, duke e mbuluar atë në flakë. Disa qindra vetë vriten ose plagosen.
- Ora 10:05 e mëngjesit. Kulla jugore e Qendrës Botërore të Tregtisë rrëzohet, duke shkaktuar re të dendura pluhuri që mbulojnë qytetin e New Yorkut.
- Ora 10:10 e mëngjesit, Aeroplani i linjës United Airlines numër 93, rrëzohet në shtetin e Pensilvanisë.
- Ora 10:22 e mëngjesit, Departamenti i Shtetit dhe i Drejtësisë evakuohen dhe më pas edhe Banka Botërore dhe ndërtesa e kongresit.
- Ora 10:28 e mëngjesit, Kulla veriore e Qendrës Botërore të Tregtisë, rrëzohet! Kullat e famshme binjake të Nju Jorkut,nuk janë më.
- Ora 10:45 e mëngjesit, të gjitha zyrat kryesore të qeverisë federale evakuohen.
- Ora 11:59 e mëngjesit, agjencia ajrore, United Airlines konfirmon se aeroplani me numër fluturimi 175, i linjës nga Bostoni për në Los Angeles është rrëzuar me 56 pasagjerë dhe 9 pjesëtarë të ekuipazhit. Më pas mësohet se ky ishte aeroplani që u përplas mbi kullën jugore të Qendrës Botërore të Tregtisë.[1]
- Gjatë gjithë kohës, grupe të shpëtimit kërkojnë për persona që mund të kenë mbijetuar. Ndërsa në mbrëmje, Presidenti Bush i drejtohet vendit: “Ne po hetojmë se kush fshihet pas këtyre akteve mizore. Kam urdhëruar të gjitha organet e rendit që të gjejnë personat përgjegjës. Nuk do të bëjmë dallim midis terroristëve që kryen këto akte dhe atyre që i strehojnë ata.“
- Në sulmin e 11 shtatorit 2001 humbën jetën rreth 3 mijë persona. Viktimat në kullat binjake ishin 2 752, mes tyre 343 zjarrfikës dhe 60 policë. Pjesa më e madhe e viktimave ishin civil të 70 kombësive të ndryshme.
Fitorja në të ashtuquajturën “luftë kundër terrorizmit” mbetet gjithsesi disi e turbullt. Zinxhiri i ngjarjeve që pasuan tragjedinë, është larg fundit të kënaqshëm. Në nëntor të vitit 2001, Shtetet e Bashkuara, me sulme të furishme, larguan lëvizjen talibane nga pushteti në Afganistan, por ajo duket të jetë rigjallëruar përsëri. Në Irak, ndërhyrja e Shteteve të Bashkuara rrëzoi Husseinin më 2003, lufta civile që kërcënonte përçarjen e vendit ka nisur të zbehet. Por, qeveria e qëndrueshme dhe siguria për të gjithë qytetarët e vendit mbeten objektiva të largëta. Në vetë Shtetet e Bashkuara, ngushëllimi për asnjë sulm masiv të terrorizmit përgjatë 10 vjetëve, përzihet me hidhërimin për koston e luftës globale kundër armikut në hije.
Michael Mandelbaum, profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin Johns Hopkins, thotë se pasojat më serioze të 11 shtatorit kanë të bëjnë me shpërqendrimin e vëmendjes së liderëve amerikanë nga prioritetet e brendshme urgjente.
“ Një nga sfidat më të mëdha janë deficitet, me të cilat po përballet qeveria federale. Ato janë përkeqësuar nga luftërat në Afganistan dhe Irak, për të cilat vendi nuk ka paguar. Ne kemi huazuar për t’i financuar këto luftëra ” — Mandelbaum Disa ekspertë thonë se vitet pas 11 shtatorit kanë parë rënie të ndikimit global të Shteteve të Bashkuara. Të tjerët vënë në dukje se SHBA-të mburren si ekonomia më e madhe në botë, edhe pas krizës financiare të 2008-ës. Ndërsa, epërsia e saj ushtarake mbetet e pasfidueshme. Kjo e fundit sigurisht nuk është e çuditshme, marrë parasysh zgjerimin masiv të mekanizmit të sigurisë kombëtare që nga viti 2001. Sipas disa të dhënave, vetëm gjatë dekadës së fundit, Qeveria e Shteteve të Bashkuara ka shpenzuar rreth 7 trilionë dollarë për mbrojtjen kombëtare, sigurinë e vendit dhe shërbimet e inteligjencës.
Krijimi i Departamentit të Sigurisë Kombëtare dhe i Zyrës së Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare pas sulmeve të 11 shtatorit, dëshmuan për riorganizimin më të madh të burokracisë federale që nga Lufta e Dytë Botërore.
Sot, Shtetet e Bashkuara përbëjnë rreth 46 për qind të shpenzimeve ushtarake të të gjithë botës, ndërsa buxheti i inteligjencës është dyfishuar gjatë 10 vjetëve të kaluar.
- Obsesioni për të parandaluar sulme të tjera terroriste ka bërë administratën e George W. Bushit të ndërmarrë një sërë masash të rënda, përfshirë “metodën e ashpër të hetimit të të burgosurve” – taktikë që nga disa është përshkruar si torturë – dhe programet për vëzhgimin e brendshëm të qytetarëve amerikanë.
Debati për efikasitetin e këtyre masave vazhdon ende. Mbrojtësit e tyre – si ish-zyrtari i Departamentit të Drejtësisë, John Yoo – argumentojnë se ato kanë luajtur një rol vendimtar në shmangien e sulmeve të reja. Profesori i së drejtës në Universitetin Georgetown, David Cole, nuk pajtohet. Ai thotë se fakti që administrata e Bushit ka dhënë dritën e gjelbër për metoda të jashtëligjshme të hetimit. Obama ka intensifikuar përdorimin e operacioneve të fshehta antiterroriste nga ana e CIA-s dhe njësiteve elite të Pentagonit kundër terrorizmit. Ai ka zgjeruar fushatën e sulmeve me telekomandë të CIA-s, që kanë në shënjestër caqet xhihadiste. Kritikët thonë se sulmet e tilla kanë vrarë operuesit terroristë, por edhe kanë destabilizuar Pakistanin dhe fuqizuar ekstremistët islamikë. Shifrat e zyrtarëve lokalë flasin për mbi 33 mijë pakistanezë të vrarë në luftën kundër terrorizmit, që nga 11 shtatori 2001. Ndërsa, mbi 6 mijë pjesëtarë të ushtrisë amerikane kanë vdekur në Irak dhe Afganistan.
Michael Mandelbaum thotë se rritja e Kinës dhe e ekonomive të tjera aziatike gjatë dekadës së fundit, paraqet sfida më të mëdha – sesa çfarëdo që ndodhë në Lindjen e Mesme – për vendin e Amerikës në botë. “Lindja e Mesme është e rëndësishme për një sërë arsyesh, por jo se është qendër e rritjes ekonomike dhe fuqi e mundshme ushtarake” , thotë Mandelbaum. Shumë gjëra kanë ndodhur në dhjetë vjetët e fundit, por historia e epokës së pas 11 shtatorit thuhet të jetë ende larg fundit.[2]
Pas ngjarjeve të 11 shtatorit 2001, forcat amerikane kanë vrarë Osama Bin Ladenin. Sadam Huseini dhe regjimi i tij diktatorial tashmë janë histori. Apeli për luftë të shenjtë kundër Perëndimit është venitur./wikipedia
© Argumentum