Damir Piliç*
Ndërsa vazhdon agresioni rus ndaj Ukrainës, herë pas here lexojmë se presidenti ukrainas Volodimir Zelenski po shpreh gatishmërinë që Ukraina të heqë dorë nga antarsimi në NATO- ndër të tjera këtë e tha me 7 mars në një intervistë dhënë televizonit amerikan ABC, pastaj dy javë më vonë edhe në një intervistë të emetuar në televizionin ukrainas – vështirë të evitohet shija e hidhur e pyetjes logjike: përse nuk e shprehu më parë këtë gatishmëri? Përse nuk e deklaroi një gjë të tillë qysh para fillimit të luftës, ndërsa kishte ende kohë dhe mundësi që kjo luftë të mos fillonte?
Kujtojmë se, përveç heqjes dorë nga hyrja në NATO, Moska i kërkonte Kievit të zbatonte Marrëveshjen e Minskut të vitit 2015, gjë të cilën pushteti ukrainas refuzonte ta bënte. Deri diku edhe mund të kuptohet mosgatishmëria e Kievit në këtë rast, meqënëse ajo marrëveshje parashikonte njëfarë lloj federalizimi të Ukrainës, sepse rajonet Donjeck dhe Lugansk fitonin autonomi të madhe, ndërsa çështja e Krimesë konsiderohej e kryer në atë mënyrë që ajo i përkiste pa asnjë dyshim Rusisë.
Është e qartë se vështirë është të gjesh në botë një kryetar shteti i cili do të pranonte lehtë të hiqte dorë nga një pjesë e territorit shtetëror në favor të fqinjit të fuqishëm. Por ka akoma më pak shtete në botë që ndodhen në situatën në të cilën gjendet sot Ukraina, e dënuar gjeografikisht: ose të jetë zonë tampon mes fuqive më të mëdha (formalisht Rusia dhe NATO-ja, por faktikisht Rusi-ShBA), ose përndryshe të rrezikojë shtetin e saj dhe humbje territoresh akoma më të mëdha. Gjeopolitika është e ashpër, ndërsa Ukraina, për shkak të gjeografisë gjendet në zemër të konfliktit global të epokës tonë – atë mes botës njëpolare dhe shumëpolare, ose më mirë të themi mes hegjemonit të deritanishëm dhe Kremlinit, i cili me sulmin në Ukrainë sfidoi në mënyrë direkte këtë hegjemon dhe këtë botë njëpolare.
Përpjekje e dëshpëruar e Olaf Sholcit
Në një situatë të tillë, shumë veta prisnin – po përmendim këtu vetëm kancelarin gjerman Olaf Sholc- që presidenti i Ukrainës do ta vlerësonte në mënyrë më reale dhe të esëllt realitetin gjeopolitik dhe se, nëpërmjet heqjes dorë nga antarsimi në NATO dhe pranimit të marrëveshjes së Minskut do ta kursente vendin e tij nga një e keqe më e madhe dhe do të evitonte atë që po ndodh- se Rusia, me agresionin ndaj Ukrainës dhe shkeljen brutale të së drejtës ndërkombëtare, do të fillonte për të zgjidhur problemet e saj të sigurisë që buronin nga afrimi i Ukrainës në NATO, ose më mirë të themi afrimin e NATO-s në kufijtë rusë.
Konkretisht, sikur shkruante para pak kohësh gazeta amerikane Wall Street Journal (WSJ), kancelari gjerman me 19 shkurt, në konferencën për sigurinë në Mynih, ku ishte i pranishëm edhe Zelenski, i propozoi presidentit ukrainas ta refuzonte hyrjen në NATO dhe të shpallte statusin neutral të vendit të tij. Paraprakisht, Sholci, me 14 dhe 15 shkurt, vizitoi Kievin dhe Moskën, ku bisedoi me Zelenskin dhe Putinin, e kësisoj ky propozim i tij mund të thuhet se ishte përpjekja e fundit e dëshpëruar e elitës europiane për të ndaluar luftën.
“Sholci bëri përpjekje e fundit për një pajtim mes Moskës dhe Kievit. Ai, me 19 shkurt në Mynih, i tha Zelenskit se Ukraina do të duhet të heqë dorë nga synimi për në NATO dhe të shpallë neutralitetin e saj si pjesë e një marrëveshje më të gjërë mes Perëndimit dhe Rusisë. Marrëveshjen, sipas propozimit të tij, do të duhej ta nënëshkruanin presidenti rus Putin dhe presidenti amerikan Bajden, të cilët sëbashku do të garantonin kësisoj sigurinë e Ukrains”, informon WSJ.
Megjithatë, Zelenski e refuzoi këtë propozim të Sholcit, duke thënë se “Putinit nuk mund ti besohet se do ta respektojë një marrëveshje të tillë”, dhe se “shumica e ukrainasve dëshiron të hyjë në NATO”.
“Përgjigja e tij i la të shqetësuar zyrtarët e lartë gjermanë, dukej qartë se shanset për paqe tashmë ishin zbehur”, nënvizon gazeta amerikane.
Dhe vërtetë, paqja zgjati vetëm pesë ditë: me 24 shkurt nisi lufta.
Sindromi kuban
Pritej që pikërisht Zelenski të ishte i vetëdijshëm për pikpamjen i fituar nga eksperienca e atyre ata që kanë bërë tregti me rusët dhe e cila është: oferta e parë e rusëve zakonisht është më e mira, çdo ofertë pasardhëse është gjithnjë e më e keqe.
Në këtë rast, oferta e parë e rusëve ishte që Ukraina të mos ishte antare e NATO-s, ose të ishte ushtarakisht neutrale. Duke pranuar këtë variant, Ukraina nuk do të ishte e vetmja në Europë: vetëm në BE ka pesë shtete të këtillë – Suedia, Finlanda, Austria, Irlanda dhe Malta. Të gjithë këto vende, për nga madhësia e parametrave ekonomikë, bëjnë pjesë në dhomën e lartë të familjes europiane, kësisoj statusi neutral i Ukrainës nuk do ta dëmtonte këtë vend. Gjithsesi, Ukraina do të bënte pjesë në shoqërinë e shteteve të suksesshme europiane.
Por Zelenski vlerësoi dhe vendosi ndryshe dhe ja ku tani kemi këtë që kemi: luftë të madhe në Lindje të Europs e cila kërcënon të përhapet edhe jashtë kufinjve të Ukrainës. Për këtë, mbi gërmadhat e sigurisë europiane do të qëndrojnë pezull pyetjet: çfarë do të kishte ndodhur sikur Zelenski, në prag të luftës, do të kishte pranuar kërkesën e rusëve mbi neutralitetin ushtarak të Ukrainës? Çfarë do të kishte ndodhur në këtë rast?
Shumë veta mendojnë se Putini gjithsesi do ta kishte filluar pushtimin e Ukrainës, madje edhe sikur Zelenski, si president i Ukrainës, do ti kishte pranuar të gjitha kërkesat e rusëve. Ndoshta kjo është e vërtetë, por në këtë rast pyetja “a mund të ndodhte ndryshe” do të ishte plotësisht e pakuptimtë.
Për këtë, në këtë tekst po shqyrtojmë obsesionin sipas të cilit shpallja e neutralitetit nga ana e Ukrainës do të kishte parandaluar luftën, gjë në të cilën besoi dhe kancelari gjerman, si emisari i fundit i Perëndimit para luftës. Kjo do të thotë se nuk do të ishin vrarë mijëra ushtarë ukrainas dhe rusë, si dhe mijëra civilë ukrainas, nuk do të kishim miliona refugjatë (me 18 prill 2022, Komisari i lartë i OKB-së për refugjatët deklaroi se deri tani Ukrainën e kanë braktisur 5 milionë njerëz).
Ukraina nuk do të ishte shkatërruar, as ekonomia e saj për këtë vit nuk do të kishte rënie me 45%, sikurse parashikon raporti i kësaj jave i bankës Botërore. Për krahasim, kur në vitin 1991 u shpërbë BRSS-ja dhe Kuba komuniste mbeti pa ndihmën sovjetike, PBB-ja kubaneze ra me 35 përqind dhe për këtë qeveria në Havanë vuri në përdorim “tallonat” (gjë që në Kubë ende vazhdon edhe sot e kësaj dite). Ndërsa rënia e parashikuar e PBB-së për Ukrainën është akoma më e madhe se ajo e Kubës.
Kolapsi i industrisë europiane
Pastaj, Perëndimi nuk do ti vinte sanksione Rusisë, e kësisoj çmimet e energjentëve dhe ushqimeve në tregjet botërore nuk do të “çmendeshin” duke kërcënuar me recesion dhe inflacion, si dhe mungesa ushqimesh në shumë vende, veçanërisht në Botën e Tretë. Megjithese edhe Perëndimi i begatë nuk është imun ndaj kësaj katastrofe, e cila në vendet perëndimore ka filluar të ndjehet nëpërmjet shtrenjtimit drastik të një sërë produktesh, përfshirë edhe artikujt i konsumit të gjërë, nga buka dhe vaji e deri te kafja dhe benzina.
Për pasojë tashmë pritet edhe zvoglimi drastik i standartit qytetar në Perëndim, sidomos nëse Britania e Madhe dhe ShBA-të arrijnë të detyrojnë vendet europiane të heqin dorë nga energjentët rusë – gjë e cila do të shkaktonte kolaps të industrisë europiane, siç bënë me dije publikisht kohët e fundit krerët e sindikatave më të mëdha gjermane, kur paralajmëruan se pa energjinë ruse shumë uzina gjermane do të jenë të detyruara në një afat prej disa javësh të ndërpresin prodhimin.
“Do të humbasin shumë vende pune, por do të ndodhë edhe kolapsi i shpejtë i zinxhirëve të prodhimeve industriale në Europë, gjë që do të ketë pasoja globale”, paralajmëroi Michael Vasilidis, kreu i sindikatës së punëtorëve të prodhimeve kimike IGBCE.
Pasoja të ngjashme do të shkaktoheshin edhe nga bojkoti europian i naftës ruse, veçanërisht në situatën kur vendet e OPEC-ut shprehen se nuk mund të zëvendsojnë prodhimin e naftës ruse dhe as kanë ndërmend të rrisin prodhimin e tyre.
Më tej, në një situatë ekonomike postpandemike edhe kështu të vështirë nuk do të ndodhte rritja e buxheteve ushtarake të vendeve perëndimore, gjë që do ta dobësojë akoma më shumë shtetin social të Perëndimit dhe do të vështirësojë rimëkëmbjen e ekonomive të kërcënuara nga lufta dhe sanksionet.
Përve kësaj, nuk do të na duhej të jetonim në një paranojë të vazhdueshme nëse NATO-ja do të përfshihet në mënyrë direkte në luftën ukranase, gjë që do të shkaktonte një konflikt potencialisht armagedonik mes Rusisë (me mundësi edhe e përforcuar nga Kina) dhe komplet Perëndimit. Nuk do të ndodhte që neve të na ofrohej si ilaç pikërisht ajo që solli këtë krizë – forcimi NATO-os në Lindje të Europës. Megjithëse në historinë e njerzimit ende nuk ka ndodhur që ndokush të ketë arritur ta shuajë zjarrin me benzinë.
Kështu foli Bzhezinski
Shumë analistë mendojnë se kjo luftë do të ishte evituar në mënyrën më të lehtë, vetëm sikur Zelenski do të kishte deklaruar në kohën e duhur se Ukraina do të qëndronte ushtarakisht neutrale dhe nuk do të vendoste në territorin e saj raketat e NATO-s. Sot Ukraina ndoshta nuk do të ishte një vend i shkatërruar nëse Zelenski do të kishte lexuar me vëmendje atë që pati thënë mendimtari i madh gjeopolitik amerikan i shekullit 21, i ndjeri Zbignjev Bzhezhinski.
“Rusisë duhet ti garantohet se Ukraina, e lirë dhe demokratike nuk do të synojë hyrjen në NATO”, tha Bzhezhinski në vitin 2015 në Poloni, pasiqë një vit më parë pati propozuar një “kompromis konstruktiv” sipas të cilit politika e brendshme dhe e jashtme ukrainase të jetë të ngjashme me politikën e Finlandës neutrale. E cila, bash si Ukraina, ndan një kufi të përbashkët me Rusinë me një gjatësi prej 1.300 kilometër.
Por Zelenski nuk e dëgjoi Bzhezhinskin. Në vend të kësaj, me 17 shkurt – një javë para fillimit të agresionit rus – deklaroi se për Ukrainën “nuk ka rrugë tjetër përveç asaj të antarsimit në NATO”, në mënyrë që pastaj, pas dy ditësh në Konferencën për sigurinë në Mynih do të deklaronte se Ukraina mund ta braktisë memorandumin e Budapestit të vitit 1994, gjë me të cilën kërcënoi direkt se Kievi ishte i gatshëm të prodhonte armë bërthamore.
Këtë Zelenski e deklaroi të shtunën. Të hënën pasardhëse Putini njohu Republikat secesioniste të Donjeckut dhe Luganskut dhe të enjten nisi luftën.
Në analizën e kësaj lufte nuk mund të injorohet një renditje e këtillë e ngjarjeve, sepse ajo lind pyetjen e rëndësishme: çfarë garancish kishte marrë (dhe eventualisht u kishte besuar) Zelenski, i cili në agim të luftës kërcënonte bash me atë që Rusia paraprakisht kishte muaj që e nënvizonte si “vijë të kuqe”, pas së cilës vinin “masat ushtarako-teknike”?
Ndërsa në mediat mainstrim Perëndimore Zelenski, në mënyrë dominante, përshkruhet si lider heroik i cili lufton me duar e këmbë për vendin e tij të sulmuar, jashtë kësaj fushe propagandistike të kuptueshme mendimet ndahen. Disa thonë se Zelenski është naiv politik, i cili besoi se Perëndimi kishte mundësi (me ndihmën e NATO-s) t’ia kthente ushtarakisht Krimenë dhe t’ia çlironte Donbasin, në mënyrë që më në fund të mbyllej lufta, e cila në Ukrainë zien që në vitin 2014, kur shpërtheu kriza ukrainase.
Për këtë dihet edhe çmimi i saktë që pagoi Amerika për shpërthimin e “krizës ukrainase”: pesë miljardë dollarë.
Shkolla e Bobi Fisherit
Këtë shifër e dimë në sajë të nënsekretares aktuale për çështjet politike të ShBA-ve, Viktorija Nuland, e njohur për atë që në vitin 2014, në Euromajdan u ndante biskota protestuesve (të cilët me rrëzimin e presidentit prorus Viktor Janukoviç shkaktuan kryengritjen në Donbas, gjë me të cilën faktikisht filloi edhe lufta ukrainase që shohim sot) dhe për atë të famshmen “Fuck EU” në bisedën telefonike me ambasadorin amerikan në Ukrainë, Xhefrei Pjatt, nga e cila shihet qartë se pas puçit të rrugës në Kiev, ishte Uashingtoni që do ta përcaktonte se cili do të ishte në krye të Ukrainës.
Që ShBA-të investuan pesë miljardë dollarë “për mbështetjen dhe zhvillimin e demokracisë në Ukrainë”- përfshirë edhe rrëzimin nëpërmjet protestave të rrugës të Janukoviçit dhe vendosjen e një qeverie properëndimore në Kiev – bota e mori vesh bash nga Viktorija Nulandi, e cila në muajin prill të vitit 2014 e pranoi këtë fakt në një intervistë dhënë CNN-së (ndërsa në muajin dhjetor të vitit 2013 edhe në National Press Club në Uashington).
Fakti që ky grusht shteti i vitit 2014, të cilin ShBA-të e mbështetën me kaq zjarr dhe haptazi, dhe i cili përbën pikënisjen e krizës ukrainase – sepse çoi në kryengritjen në Donbas dhe në fund të fundit edhe te kjo luftë – flet qartë për atë se Amerika ka ndikuar me të madhe në ngjarjet në Ukrainë, megjithëse e dinte se një përzierje e tillë në një vend kaq thellësisht të ndarë do të përfundonte me katastrofë.
Por kjo katastrofë po del se është fitim për Amerikën – arriti ta izolojë Rusinë nga Perëndimi, ta forcojë NATO-n dhe ta shtrojë Europën, ndërsa nuk viktimizoi asnjë ushtar të sajin (përveç ndonjë instruktori i cili nuk arriti të largohej në kohë nga Ukraina). Në vend të ushtarëve amerikanë, për interesat e ShBA-ve po vriten ushtarët ukrainas. Kjo është tregues se Bobi Fisheri nuk është i vetmi shahist i madh amerikan.
Për këtë mbetet dyshimi se Zelenski, megjithëse edhe mund të mos jetë “njeri i amerikanëve”, në njëfarë mënyre është peng i interesave amerikane. Sikur ti kishte pranuar që më parë propozimet ruse, luftë ndoshta nuk do të kishte, ndërsa Amerika në këtë rast do të humbiste pjesërisht levën për destabilizimin e Rusisë. Por kur në një projekt investohen pesë miljardë dollarë, është e qartë se asgjë nuk i lihet rastësisë.
Problemi neonazist
Përveç Amerikës, Zelenskit nuk do t’ia lejonin kompromisin me Rusinë edhe neonazistët ukrainas. Për këtë u bind personalisht paraardhësi i tij Petro Poroshenko: kur në vitin 2015 u përpoq të vinte në jetë Marrëveshjen e Minskut – madje parlamenti ukrainas kaloi edhe leximin e parë të Ligjit për ndryshimin e Kushtetutës me synim implementimin e Marrëveshjes – radikalët e djathtë zhvilluan demonstrata të dhunshme para parlamentit gjatë të cilave u vranë dy policë. Më vonë Poroshenkoja hoqi dorë nga realizimi i Marrëveshjes në fjalë, ndërsa Zelenski as që tentoi.
Në një botë më të lumtur, Zelenski nuk do të ishte i detyruar të ishte njëkohësisht nën ndikimin e ShBA-ve dhe të frikësohej nga neonazistët e tij, sepse Amerika e fuqishme antifashiste do të përkudjesej që këta radikalë të mos ekzistonin, ose të reduktoheshin në masën periferike, si në vendet e tjera të Perëndimit. Në rastin më të mirë do ta pengonte bataljonin neonazist Azov që në vitin 2014 që të bëhej pjesë e forcave të armatosura të Ukrainës.
Por në këtë botë ishte pikërisht Amerika e cila për vite me radhë financoi Azovin dhe këtë e bëri praktikisht që nga momenti i formimit të kësaj njësie ushtarake. Natyrisht jo sepse Uashingtoni i do neonazistët ukrainas, por sepse këta neonazistë janë më të gatshmit dhe të eturit për të luftuar kundër rusëve (gjë që prej javësh po e tregojnë në Mariupol).
Duhet thënë edhe kjo: pasiqë Kongresi amerikan në fund të vitit 2014 miratoi Ligjin për financimin e programit që lidhej me Pentagonin – i cili përfshinte edhe trajnimin luftarak të batalionit Azov – nisi beteja shumëvjeçare e një pjese të kongresmenëve të arësyeshëm që ky vendim të shfuqizohej.
Ndihmësit e fuqishëm të Azovit
Kështu, në muajin qershor të vitit 2015, përfaqësuesi demokrat Xhon Koniers dhe kolegu i tij republikan Ted Yoho ofruan amendamente dypartiake nëpëremjet të cilëve ndalohej ndihma ushtarake amerikane për Azovin, të cilën ata e quanin “milici paramilitare neonaziste”. Dhoma e përfaqësuesve në fillim i miratoi amendamentet e tyre dhe ndaloi bashkëpunimin me Azovin, por nën presionin e Pentagonit ky ndalim u hoq.
Ndaj këtij ndalimi protestoi Qendra “Simon Viesental”, e cila deklaroi se heqja e ndalimit potencon rrezikun e shtrembërimit të Holokaustit në Ukrainë. Por kjo nuk e pengoi delegacionin amerikan- senatoren demokrate Emi Kllobuçar dhe senatorët republikanë XhonMekein dhe Lindsej Graham- që gjatë vizitës në Ukrainë, në muajin dhjetor 20126, të fotografoheshin me pjestarë të Azovit.
Vetëm në vitin 2018, Kongresi i ShhBA-ve bllokoi ndihmën ushtarake për Azovin, me argumentin kjo njësi mëkon “ideologjinë e supremacisë së racës së bardhë”. Në muajin tetor të vitit 2019, një grup prej 40 pjestarësh të Kongresit amerikan i kërkoi Departamentit të Shtetit ta shpallte Azovin “organizatë e huaj terroriste”, por Departamneti i Shtetit nuk e mori parasysh kërkesën e tyre. Në muajin prill të vitit 2021, kongresmenja demokrate Elisa Slotkin ia përsëriti këtë kërkesë edhe kreut të ShBA-ve, Xhon Bajdenit, por edhe ai nuk e mori parasysh.
Kësisoj, në tri administrata të nëpasnjëshme amerikane, batalioni Azov ka mbrojtës në nivel të lartë, gjë që është e qartë edhe për Zelenskin. Edhe sikur të dëshironte të evitonte luftën nuk do ta lejonin. Me sa duket janë të shumtë aktorët që e deshën këtë luftë dhe nuk janë të gjithë nga Rusia. Por gjithsesi, kjo nuk e amniston përgjegjësinë e agresorit.
Përktheu për Argumentum Xhelal FEJZA