Dragan Biseniç [i]
Shumë administrata që kanë paralajmëruar fitore të reja të Amerikës në skenën botërore, përdornin triumfalisht frazën Amerika is Back (Amerika po kthehet). Eduard Snouden këtë parullë e komentoi si braktisje amerikane e Afganistanit, por plotësisht në një drejtim dhe domethënie tjetër- si kthim kaotik, por jo ikje e amerikanëve nga Afganistani, i cili gjysëm shekullin e kaluar ka qënë indikator i ndryshimeve globale, e në këtë rast, duke parë si po zhvillohet situata, nuk ka arësye të jetë ndryshe. Vërtetë rrethanat janë të tjera por edhe ndryshimet janë të dukshme.
Pyetja më e rëndësishme që shtrohet këtyre ditëve është se në cilin drejtim do të ecë radikalizmi islamik kur një prej formave të tij të jetë përsëri në pushtet në Afganistan. Mënyra se si do të sillet ai në Afganistan, ndoshta po ai format, do të ndiqet edhe në rajone të tjera siç ishte rasti gjysëm shekullin e kaluar.
Me tërheqjen amerikane nga Afganistani, bash në prag të 20 vjetorit të 11 shtatorit dhe sulmit kundër Qendrës Botërore të Tregtisë në Nju Jork, Pentagon dhe Uashington, përmbyllen dekadat e intervencionizmit amerikan. Amerika vetëm po vazhdon me politikën e tërheqjes të nisur nga Obama, të vazhduar nga Trampi, e tani të përfunduar nga administrata Bajden. Siç pati thënë Xhorxh Kenani në dëgjimin para Kongresit në vitin 1966, duke shpjeguar kundërshtimin e tij me luftën në Vietnam, “në këtë botë mund të arrihet më shumë respekt nëpërmjet heqjes dorë me vendosmëri dhe kurajo nga lëvizjet e gabuara, sesa me synimin kokëfortë në drejtim të qëllimeve ekstravagante dhe pa perspektivë”, heqja dorë nga pjesëmarrja e mëtejshme amerikane në luftën më të zgjatur, është produkt i kuptimit se Amerika nuk ka as arësye dhe as motive të vërteta për të këmbëngulur më tej në këtë drejtim.
Gjithnjë e më pak vende të cilëve Amerika do tu kushtojë vëmendje.
Tërheqja Amerikës nuk i kushton asgjë, por i kushton qëndrimi në Afganistan dhe në rajone të tjera konflikti. Kjo nuk do të thotë se Amerika do të tërhiqet nga çdo pikë e botës, por do të jetë gjithnjë e më i pakët numuri i vendeve të cilëve Amerika do tu kushtojë vëmendje, duke ulur kësisoj përgjegjësinë globale.
Tërheqja amerikane nga Afganistani nuk është kthim triumfal, por gjithsesi është larg të qënit veprim i pakontrolluar dhe i paplanifikuar. Natyrisht në ShBA, në shikim të parë dominon zhgënjimi për shkak të kësaj “ikje pa nder” të liderit botëror nga gërxhet afgane. Duket sikur amerikanët e futën bishtin nën shalë si dhe perandoritë paraardhëse, Britania e Madhe dhe Bashkimi Sovjetik. Vlerësohet se vendosja e kontrollit nga ana e talibanëve në Afganistan përbën mossukses të shumëfishtë politik, të shërbimeve sekrete, ushtarake dhe diplomatike, në përpjekjet për ndërtimin e institucioneve afgane.
Segmenti kyç i strategjisë amerikane, krijimi i një ushtrie të fortë afganistanase, e cila do të ishte në gjendje të vepronte në mënyrë të pavarur, u shpërbë para syve të të gjithë botës. Qysh para dhjetë vitesh, ndërtimi i aparatit afganistanas të sigurisë ishte një prej pjesëve kyçe të strategjisë së administratës të Obamës, e cila këmbëngulte të gjente mënyrën për t’ia dorëezuar asaj në dorë punët dhe të largohej që andej. Këto përpjekje prodhuan një ushtri sipas modelit të ushtrisë së Shteteve të Bashkuara, institucione afganistanase që do të duhej ti mbijetonin luftës amerikane. Por, duket se dorëzimi ndodhi me po atë shpejtësi që mundën të udhëtonin talibanët.
Forcat afganistanase të sigurisë, nën presionin e sulmeve të talibanëve që filluan në muajin maj, bënë mënjanë në më shumë se 15 qytete. Ofensiva e shpejtë rezultoi me dorëzime masive, zënien e helikopterëve dhe të pajisjeve ushtarake me vlerë miliona dollarë të cilat shumë shpejt filluan të bëjnë paradë para videorregjistruesve të aparateve celularë të talibanëve. Ky implozion ndodhi edhe përkundër asaj që ShBA-të, gjatë dy dekadave, investuan më shumë se 83 miliardë dollarë në armë, pajisje dhe trajnime të forcave të sigurisë së Afganistanit. Këto forca tejet, më të mëdha se ato të talibanëve, që nominalisht ishin në shifrën 300.000, për një kohë të shkurtër u reduktuan në shifrën 50.000 të furnizuara rregullisht me armë dhe ushqime, të cilët u dorëzuan shumë shpejt. Siguritë e vazhdueshme të presidentit Bajden, madje edhe ndërsa talibanët depërtonin në provincat Kandahar, Gazni, Laghman, Logar dhe Paktia, shërbyen vetëm për të gërryer akoma më shumë administratën dhe treguan sesa e rrezikshme është të japësh deklarata kur je jashtë kontakteve me ngjarjet që zhvillohen në trerren.
Bajdeni e kuptoi se çfarë është e mundur dhe çfarë nuk është
Presidenti amerikan Bajden ndërpreu pushimet për të paraqitur publikisht strategjinë e tij në Afganistan. Kishte një logjikë të qartë: ShBA-të nuk e dëshironin më tej luftën në Afganistan, ndërsa “ndërtimi i shtetit” nuk kishte qëënë kurrë strategjia e amerikanëve. Amerikanët thonë për veten e tyre se nuk janë perandori dhe se nuk kanë ndjesi perandorake për të sunduar popujt e tjerë. Bajdeni theksoi se e “ka kuptuar se çfarë është e mundur dhe çfarë nuk është” dhe se ky gjithsesi nuk ky ishte një “konflikt i pafundmë” në të cilin merrte pjesë Amerika, për gëzimin e rivalëve të saj, Kinës dhe Rusisë. “Kina dhe Rusia nuk do të donin asgjë tjetër veçse atë që ne të vazhdonim të shpenzonim edhe në të ardhmen miliarda dollarë në Afganistan”, theksoi Bajdeni.
Mbetet ende pyetje se çfarë do të bëjnë Shtetet e Bashkuara në momentin kur talibanët të kontrollojnë përsëri Afganistanin, gjë që shkakton shqetësimin se mos ndoshta ai vend do të shërbejë si vatër për grupet xhihadiste transnacionale si puna e Al Kaidës. Në një brifing me një grup senatorësh amerikanë gjatë fundjavës, kryesuesi i shtabit të bashkuar të forcave të armatosura, gjenerali Mark Mili, vuri në dukje se grupimet terroriste si puna e Al Kaidës dhe Shtetit Islamik mund të ndërtojnë përsëri rrjetet e tyre në Afganistan ndoshta shumë më shpejt sesa pritej. Duket se administrata e Bajdenit, e zënë në befasi nga suksesi i shpejtë i talibanëve në Afganistan, nuk ishte e përgatitur të kuptonte sesi ku grup militantësh po merrte me kaq shpejtësi nën kontrollin e tij qytetet në mbarë vendin. Në deklaratën e tij, Bajdeni theksoi se parandalimi i ndonjë sulmi terrorist në truallin amerikan është interesi gjthëpërfshirës i Shteteve të Bashkuara me Afganistanin. Përkundër kësaj, shumë analistë besojnë se pikërisht tërheqja e trupave amerikane dhe pushtimi i vendit nga talibanët e bën sulmin akoma më të mundshëm.
Pozita e talibanëve në planin ndërkombëtar është tejet delikate. Si organizatë terroriste ata janë të shenjuar jo vetëm në ShBA, por pothuajse në të gjithë shtetet e Perënndimit dhe në Rusi, si edhe në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, i cili mund të ndryshojë mendim vetëm në rast konsensusi të pesë shteteve anëtare të përherëshme të tij. Madje edhe sikur në politikën e tyre të jashtme të mbizotërojë pragmatizmi deri në cinizëm, vendet perëndimore do ta kenë shumë të vështirë ti rehabilitojnë talibanët për shkak të opinionit publik që kërkon respektimin e të drejtave të grave dhe barazinë reale gjinore. Për këtë do të ekzistojnë paqartësi- raporte de facto me rregjimin, por jo edhe de jure. Të gjithë raportet e tanishme që po ndërtohen me pushtetin taliban janë vetëm adoptim me situatën e ndryshuar kaqë befasisht e kësisoj mund të duken më të afërt dhe miqësore sesa janë në realitet. Çështjet më të rëndësishme pikërisht tani vinë në rendin e ditës.
Udhëheqja talibane shprehu ditët e fundit dëshirën për të marrë shtetin dhe për të mos i penguar fqinjët. Premtojnë të drejta për gratë, mundësinë që ato të mësojnë dhe të punojnë “në përputhje me sheriatin”. Megjithatë, historia e talibanëve nuk është se ofron shumë baza për të besuar se e ardhmja e Afganistanit do të jetë e qetë dhe e ndritshme. Revolucionarët radikalë, me ideologjinë e tyre ortodokse dhe dogmatike të bindjes dhe ndëshkimit, ndoshta nuk do të mund të shndërrohen menjëherë në kampionë shekullarë.
Por ajo që është me rëndësi për tu mbajtur parasysh-Afganistani është pikë tejet e rrezikshme që mund të shkatërrojë tërë Azinë Qendrore. Ministria ruse e punëve të jashtme thotë se u beson garancive të Pekinit se talibanët nuk do turren drejt Veriut dhe se nuk përbëjnë rrezik për Rusinë, duke nënvizuar se detyra globale e talibanëve në vitet e ardhshme është gjallërimi i infrastrukturës me paratë kineze dhe turke.
Faktori afganistanas ka krijuar një format të ri të situatës, shumë më të ndërlikuar dhe më të rrezikshëm, se më parë. Afganistani mund të shndërrohet në Siria 2.0 dhe është e mundshme të jetohet me një realitet të tillë, pa ëndërruar mbi miqësinë e madhe me ish ekstremistët.
Ndërkohë, vetë talibanët nuk se janë homogjenë, megjithëse bërthamën e tyre e përbëjnë fiset pashtun që janë rreth 60 syresh. Fiset Veriore të Afganistanit- uzbekët, taxhikët dhe hazarët etnikë- gjatë gjithë këtyre viteve kanë marrë pjesë në luftë. Popullsia e Afganistanit pothuajse nuk e di se çfarë do të thotë të jetosh në paqe, atje të gjithë kanë luftuar kundër secilit. Ndërkohë vendi ka një pozitë të përshtatshme në Euorazi. Pikërisht tani do të fillojë të hyjë në funksionim peisazhi i tij politik. Shumë gjëra varen edhe nga ajo se cili nga vendet globale dhe rajonale do të mund të gjejë gjuhë të përbashkët me talibanët, të cilët shpesh kanë funksionuar si mercenarë që nuk mund të drejtohen. Nëse kinezët arrijnë të merren vesh me ata, atëherë problemet do të fillojnë në Indi. Nëse këta do të jenë amerikanët, atëherë problemet do të fillojnë në Kinë dhe në Azinë Qendrore. Britanikët do të arrijnë të bashkëpunojnë me talibanët në sajë të ndikimit të tyre të fuqishëm në radhë të parë në Pakistan e në Turqi.
Më mirë talibani sesa Gani
Komunikimin e tyre me talibanët e kanë edhe Moska e Pekini të cilët tashmë kanë filluar aksionin e tyre për ti ngashnjyer. Diplomacia ruse tani po bën gjithçka për të forcuar raportet e ndërtuara me parë me ata. Madje edhe para fillimit të ofensivës së talibanëve, Rusia fajësonte qeverinë për mossukses në bisedime dhe i rrinte larg kritikës ndaj talibanëve. Përfaqësuesit rusë tani nënvizojnë në çdo rast maturinë dhe arësyenë e talibanëve, duke vepruar kësisoj si njëfarë zëdhënësi publik për ata. Ambasadori rus në Kabul, Dimtrij Zhirnov deklaroi se sipas atyre që po ndodhin ditëve të para të kontrollit të talibanëve në Kabul “përshtypjet janë të mira”. “Situata në Kabul tani është më e mirë sesa ishte në kohën e Ashraf Ganit. Ose më mirë të themi, nën talibanët terroristë është më mirë sesa nën Ganin”, konkludoi mendimin e tij diplomati rus, deklaratë e cila mund të reduktohet në thënien: “Më mirë talibani sesa Gani”. Kinezët nëpërmjet mediave të tyre shtetërore krahasuan, me cinizëm të theksuar, “inaugurimin” e presidentit amerikan në Uashington dhe talibanëve në Kabul. Redaktori i revistës Global Tajms, Hu Ksijin nënëvizoi se kalimi i pushtetit në Afganistan ishte më i lehtë sesa në rastin e presidentit amerikan, duke krahasuar trazirat e janarit në Kapitol me marrjen e Kabulit nga ana e talibanëve.
Por gjërat nuk kanë përfunduar akoma. Pas dorëheqjes nga posti i presidenti Ashraf Gani, zëvendëspresidenti i tij Saleh e shpalli veten “ekzekutues legal i detyrës së presidentit të Afganistanit”. Ish presidenti Hamid Karzai, i cili udhëheq Këshillin për paqe, po formon gjithashtu qeverinë e tij, në të cilën janë përfshirë edhe luftëtarët veteranë si puna e Hekmatjarit, e kësisoj formësimi i pushtetit në Afganistan është akoma larg përfundimit. Nëse nuk arrihet të bëhet kjo, atëherë lufta e re civile troket në derë. E kjo do të thotë kthim i Afganistanit të vjetër dhe të rrëzikshëm.
Në fund të muajit korrik, kur duke gjykuar nga të gjitha gjasat parashikohej se do të ndodhte diçka në Afganistan, ministri kinez i punëve të jashtne Vang Ji priti delegacionijn e talibanëve të cilin e udhëhiqte zyrtari i tyre numur 2 Abdul Gani Baradari. Ai me këtë rast deklaroi se “talibanët nuk do të lejojnë përdorimin e truallit afganistanas kundër Kinës”, me të cilën Afganistani ka një kufi të përbashkët prej 70 kilometrash që është shumë i ndjeshëm.
E tërë Azia Qendrore është e ndjeshme. Në radhët e formacioneve të armatosura ka shumë taxhikë dhe uzbekë etnikë, që nuk janë kundër formimit të shteteve teologjike në atdhetë e tyre historikë. Përveç kësaj liderët e opozitës taxhikistanase, të cilët kanë kaluar nëpër luftëra, fshihen në Afganistan. Ka edhe njerëz si puna e komandantit të forcave speciale të Ministrisë së punëve të brendshme të Taxhikistanit Gulmurod Halimov, i cili para disa vitesh pati shkuar në Siri dhe premtonte se do të kthehej në atdheun e tij për të luftuar kundër rregjimit të Emomali Rahmonit. Shtojmë këtu edhe disa mijëra xhihadistë me eksperiencë nga Siria që vitin e kaluar janë kthyer në Afganistan.
Konfliktet kufitare mes Kirgistanit dhe Taxhikistanit që u zhvilluan në fund të muajit prill të këtij viti, mund të konsiderohen uverturë e skenarit destruktiv që po përgatitet. Në anën e Taxhikistanit, sipas mendimit të disa vëzhguesve kanë marrë pjesë edhe shumë muxhahidinë afganë. Muxhahidinët afganë, të përzierë me popullsinë lokale, kanë qënë në gjendje të kryejnë vëzhgime dhe të mësojnë taktikën e forcave të armatosura të Kirgistanit dhe të vlerësojnë shkallën e gatishmërisë luftarake.
Situata me talibanët është tashmë unike, sepse kanë mundësi veprimi në shumë drejtime. Ekziston edhe kërkesë e shumë faktorëve botërorë për ata si fuqi reale luftarake, e aftë jo vetëm për të shpallur diçka por për ta zgjidhur atë realisht. Në çdo rast talibanët tani kanë shansin të vendosin për formësimin e hartës të ardhshme rajonale dhe ti ofrojnë shërbimet e tyre vendeve të interesuara. Në fund të fundit lufta nuk është bërë vetëm puna e tyre, por është vetë jeta e tyre. Si rezultat i gjithçkaje marrim, në këmbim të mjeteve, ndihmës financiare apo ideve për ndërtimin e kalifdatit botëror, talibanët që mund të lëvizin në cilindo drejtim dhe për çfarëdo arësyeje.
Përktheu për Argumentum.al: Xhelal FEJZA
[i]https://www.danas.rs/nedelja/povlacenje-koje-ne-kosta-ameriku/