Boshko Jakshiç[i]
Ka kohë që në Serbi janë hedhur themelet e një ndërtese potemkiniane, e tani po del se ajo është e fortë sa edhe tarraca e stacionit hekurudhor në Novi Sad.
Filloi në Novi Sad, Beograd dhe Nish, shkoi deri në Kragujevac, Kraljevë, Çaçak dhe Valjevë. Arriti deri në Malli Zvornik, Babushnicë, dhe Zubin Potok, por edhe deri në Paris, Londër, Barcelonë, Amsterdam, Vjenë, Selanik dhe Nju Jork. Kryengritja e studentëve ndërkohë fitoi mbështetjen e nxënësve të shkollave te mesme, mësuesve dhe profesorëve, aktorëve, avokatëve, një pjese të rëndësishme të publikut.
Politika e pushtetit i cili nuk po gjen dot një zgjidhje është përgjegjëse për përhapjen kapilare të protestave dhe krizës më serioze shoqërore në dekadat e fundit. Presidenti bredh gjithnjë e më nervoz nga një televizion kombëtar te tjetri duke u mbështetur në teknikën populiste të sundimit e cila bazohet në lidhjen e udhëheqësit dhe masës, në të cilën përfiken çfarëdolloj elementësh ndërmjetësues, sikurse janë institucionet, rregullat dhe procedurat.
Presidenti, i cili e ka polarizuar Serbisë si askush tjetër para tij, ka besimin se funksionon më mirë në atmosferën e antagonizmit, gjë që edhe për atë vetë është shumë e rrezikshme. Vlerëson se është i mbrojtur në parlament, ka besimin se është i siguruar në gjykata, se institucionet e shtetit nuk i bëjnë pengesë sepse janë asgjësuar, se kontrollon me dorë të fortë kreun e ushtrisë dhe policisë. Historia na mëson se problem nuk janë gjeneralët, por kapitenët. Gradën e kapitenit sot e mbajnë studentët.
Presidenti e pranon se nuk e kupton se çfarë dëshirojnë të rinjtë. E kuptoj përse ai nuk e kupton. Kërkesat për liri, drejtësi, të vërtetën, barazinë ose përgjegjësinë janë jashtë fushëpamjes së politike të mëzit të Vojisllav Sheshelit. Sikurse të deshte, Aleksandër Vuçiçi do t’a kishte ndërtuar atë shoqëri që e kërkojnë të rinjtë. Sikur te deshte, do t’a kishte afruar Serbinë me vlerat demokratike të BE-së.
Në vitin 2019, ai deklaroi se e përbuz elitën e trupëzuar atëbotë në “Apeli 100”. Sot flet kështu për ProGllasin e po ashtu do të jetë, por nuk guxon t’a thotë publikisht, se përbuz edhe elitën e rinisë së këtij vendi, studentët, të cilët, nuk kërkojnë largimin e tij nga pushteti, por kërkojnë fillimin e funksionimit të institucioeneve të shtetit të robëruar, kërkojnë korrektimin e sistemit.
Presidenti ka qejf t’a paraqesë veten si viktimë, si dikush që punon aq shumë saqë merr pesë serume në tri ditë, por nuk është në gjendje t’u besojë dhjetra të rinjve që deklarojnë se ndjehen si viktima të një sistemi përbindësh.
Vuçiçi e përmend vazhdimisht popullin, dhe kur një pjesë e këtij populli, e ardhmja e tij, jep mesazh nëpërmjet protestave se gjërat nuk vlejnë, atëherë ai është fajtor, fajtor është kasneci dhe jo lajmi. Me këtë mund të shpjegohet përse përpiqet të bëjë asgjë zhurmën dhe heshtjen e rrugëve të qyteteve serbe. Kjo zhurmë dhe heshtje gjithsesi e prek edhe atë vetë sepse ndryshk imazhin e të lartit suprem, e ai nuk di çfarë të bëjë. Nuk e ndihmuan as izraelitët dhe kush e di tjetër nga këshilltarët e tij.
I shtypur nga një mendim tipik autokratik sipas të cilit çdo kompromis është shenjë e dobësisë, presidenti përpiqet të nxjerrë nga mënga truke të reja, por gjithsesi kanë dështuar përpjekjet e tij për të korruptuar të rinjtë me banesa të lira, frikësimi nëpërmjet “revolucionit me ngjyrë” sipas recetës ruse të diversantit të tij në koalicion ose me akuza se pas studnetëve qëndron opozita. Presidenti atëherë ofron referendum këshillues dhe premton se do të largohet nëse humbet.
Së pari. Juristët shprehen se presidenti mundet ose të japë dorëheqjen ose të shkarkohet nëpërmjet parlamentit. Vuçiçi, si student i shkëlqyer në drejtësi, gjë që nuk humbet asnjë rast t’a potencojë, duhet ta dijë patjetër një gjë të tillë. E dyta. Referendumet si rregull shpallen nga ata që kanë besim te fitorja. Vuçiçi dhje të tijët besojnë se Zoti-Njeri nuk mund të humbasë por vetëm të vërtetojë bindshëm dominimin e tij.
Ndoshta kanë të drejtë, duke patur parasysh propagandën e fuqishme të makinerisë e cila artin e saj e ka treguar në zgjedhjet e deritanishme. Përzierja fituese është diçka mbështetje e sinqertë, diçka me korruptim, diçka me demogagji teatrale populiste dhe diçka nëpërmjet përhapjes së frikës. I përmbahet mantrës së Donald Trampit: fuqia reale qëndron në aftësinë për të mbjellë frikë.
Referendumi, i cili nuk do të mbahet, mund edhe të falsifikohet, por kjo ftesë është një rrjetë kamuflazhi e shpuar e cila mund të gënjejë vetëm naivët. Vuçiçi është takticien i mirë, por strateg i keq. Nuk arriti të njohë faktin se predispozicioni i studentëve është më i rëndësishëm se çdo paragraf. Humbi rastin që të mbështesë në mënyrë të qartë studentët, energjinë e freskët të tyre dhe të përpiqej t’a përdorte sëpaku për demokratizim minimalist të shoqërisë.
Pushteti është mbyllur në botën virtuale sëbashku me pretorianët e tij. Është i vendosur të mbrohet me besnikët të cilët janë betuar me gjak, formacion i cili në mënyrë të pashmangshme të kujton Koza Nostrën. Gjatë diskutimeve rreth ndëprerjes së punës së arsimtarëve studentët bënë publik një poster të ministres së arsimit me nënshkrimin “Fli e qetë nënë, gjithçka është nën çelës” (titulli i një kënge popullore serbe. Shën. i përkth.). Pushteti me një shaka beninje dhe dorë të përgjakur, e cila është bërë simbol i protestave, i’a ktheu në mënyrë primitive dhe agresive – me gishtin e mesit të ngritur.
Studentët shprehen në mënyrë solidare se çfarë duhet të ndryshojë. Vuçiçin e injorojnë me mençuri, sepse kërkesat e tyre janë jashtë kompetencave të presidentit. Fuqia e këtyre kërkesave për normalitet zotëron fuqi tërheqëse edhe për gjeneratat e vjetra të cilëve kurrë nuk u shkoi në mëndje greva e përgjithshme.
Epo çfarë, do të thoshte presidenti, kur ata nuk janë shumica, e pushteti fitohet vetëm me shumicën në zgjedhje? Nuk është politika kaq e thjeshtë, vetëm shumë votash arithmetike. Politika para së gjithash është proces. Funskion kumulativ i kënaqësisë – kur zgjedhjet fitohen, ose pakënaqësisë – kur humben.
A munden Vuçiçi dhe Partia përparimtare të mbështeten te shumica, ndërsa nuk dëgjojnë se çfarë u kërkojnë të rinjtë? A nuk janë në gjendje t’a konstatojnë erozionin e tyre? Ndoshta edhe e shohin, por të kyçur në epokën e artë të Serbisë gjysëm të lirë nuk janë në gjendje t’ia pranojnë vetes.
I mbyllur në inkubatorin e përparimtarëve, pushteti refuzon çdo ide për të menduar seriozisht sesi erdhi puna që u gjend në shënjestër të gjeneratës të të rinjve që kurrsesi nuk duan ta braktisin këtë vend, por nuk duan të jetojnë në të kur është i korruptuar, i shtypur nga pabarazitë para gjykatave dhe ligjeve, me liri mediatike të kufizuar.
Pushteti duhet t’a vërë gishtin në kokë, por duket se ka gishta, por nuk ka kokë. Në mungesë të obsioneve racionale, ai po e shtyn veten buzë dështimit. Ndoshta protestat do të ndalin, por pakënaqësia nuk do të fashitet. Zjarri do të vazhdojë të jetë i ndezur në mbarë këtë vend. Përderisa pushteti nuk e kupton se kryengritjen autentike të të rinjve nuk është në gjendje t’a mundë dhe se vetëm me normalizimin e sistemit mund t’i sigurojë vetes kohë të qetë deri në zgjedhjet e radhës, flaka e ndezur do të shndërrohet në zjarr pylli.
Është hapur procesi i pastrimit të shoqërisë. Sa do të vazhdojë? Varet nga ajo nëse pushteti do t’a kuptojë se koha për t’a kuptuar rininë e këtij vendi dhe gjeneratat e tjera që i janë bashkuar asaj. Tani për tani është në pozicion pat, por presidenti, në sajë të vetvetes ka humbur tashmë. Çdo fjalim i tij, e ata janë të përditshëm, ngjall protesta të reja.
Disa njerëz mund t’i gënjeni për njfarë kohe, por kurrë nuk do t’i gënjeni të gjithë njerëzit gjatë gjithë kohës, thonë amerikanët. Ndoshta gjithçka do të duket si më parë, por ky do të jetë vetëm mirazhi i së kaluarës kur presidenti mendonte se mund të bënte çfarë të donte, kur ta donte dhe kujt të donte. Tempi pasati.
/Përktheu për Argumentum Xhelal FEJZA
[i] https://www.politika.rs/sr/clanak/657636/pogledi/temelji-i-nadstresnice-potemkinovske-srbije