Zoran Meter[i]
Le të shohim përreth nesh në vendin tonë, e njëjta gjë mund të shihet edhe gjithandej në Europë dhe në botë dhe le të shtrojmë pyetjen- gjithçka që kemi në shtpitë tona, kush është prodhuesi i tyre? Shumë shpejt kemi për ta kuptuar se aparatet me të cilët jemi të rrethuar janë prodhim kinez. Amerikane nuk kemi, ose kemi shumë pak. Dhe ky është një fakt nga i cili Europa dhe bota nuk ka nga i ikën përballjes me të sado të dëshirojë.
Administrata amerikane, në fillim të muajit prill 2025, vendosi dogana gjithëpërfshirëse ndaj prodhimeve që vinë nga Kina në masën e madhe 145%. Por, sikur të mos ishte e mjafteshmne kjo, këtyre ditëve kërcënon me dogana shtesë për prodhimet e këtij vendi me shifrën marramendëse pre 245%, nëse Pekini nuk kërkon sa më shpejt bisedime mbi tregtinë reciproke, ose më mirë të themi heq dorë nga masat e tij “reciproke” dhe vendosjes së doganave ndaj të gjithë prodhimeve amerikane në masën 125% (mbi kundërmasat e tjera kineze do të flitet disi më shumë më poshtë në tekst).
Megjithatë, me Kinën nuk bisedohet në këtë mënyrë, sëpaku jo në momentin aktual – që është një situatë tejet e ndërlikuar në politikën globale në të cilën çdo “përulje” ose synim për kompromis nën ndikimin e presionit nga ana e kundërt konsideroht shenjë dobësie madje edhe humbje. Por, përceptimi si palë humbëse në luftën doganore të inicuar nga Trumpi, është gjëja më e pakët që i nevojitet Kinës në këtë moment, ndërkohë që dëshiron të zgjidhë konfliktet e lidhura me interesat e saj kombëtare në Juglindje të Azisë. Sepse, sikur dihet mirë nga gjithkush, të gjithë i japin rëndësi vetëm forcës, ndërsa largohen nga i dobëti si djalli nga temjani.
Nuk ka rëndësi sa do të rriten tarifat doganore, sepse tregtia reciproke tashmë është bërë e pamundur.
Pikërisht për këtë, për Kinën është njëlloj sikur tarifat doganore amerikane të jenë 145 ose 500 përqind, sepse edhe një ekonomist me shkollë të mesme e di mirë se në kushtet e tanishme është e pamundur çfarëdolloj tregtie sepse nuk jep përfitime. Për më shumë, Pekini e kupton mjaft mirë edhe pozitën tejet të ndëlikuar në të cilën gjendet edhe vetë Donald Trumpi në kontekstin e tarifave doganore të imponuara të cilat po godasin në mënyrë shkatrrimtare edhe nëpër bursat amerikane, domethënë në ekonomi, edhe nëpër qytete – përfshirë edhe zgjedhësit e tij besnikë të cilëve para zgjedhjeve u thoshte se si ka për ta bërë Amerikën përsëri të madhe dhe të fuqishme – vendin të cilit e tërë bota do t’ia ketë frikën dhe të cilin do ta respektojnë përsëri.
Ndoshta dikur në të ardhmen vërtetë do të jetë kështu, por deri atëherë amerikanët do të përjetojnë inflacion të madh dhe humbje të vendeve të punës si dhe mungesa të disa prodhimeve të caktuara me të cilët, deri në fillimin e luftës doganore me Kinën, ishin mbushur plot e përplot supermarketet amerikane. Sepse reindustralizimi i ShBA-ve, të cilin si objektiv afatgjatëafagjatë e synon Trumpi, gjë e cila do ta bënte Amerikën të vetëmjaftueshme në të gjithë fushat me rëndësi strategjike dhe e cila është gjëja e vetme e cila garanton statusin e superfuqisë – duhet të nisë të thuash nga zeroja. Në ShBA duhet të rikthehen fabrikat prodhuese të një sërë kompanish globale amerikane gjë që nuk do të jetë e lehtë, sepse fuqia punëtore amerikane është me mungesë dhe e shtrenjtë, ndërsa Trumpi urren hyrjen në vend të emigrantëve në mënyrë të pakontrolluar dhe ilegale. Madje edhe dikur ky proces, për ndonjëfarë çudie, do të vazhdojë, problemi për fuqinë punëtore amerikane në kompanitë e teknologjisë së lartë është mungesa e kuadrit profesional. Në mënyrë të veçantë të atij ingjinjerik, sepse amerikanët ka kohë që nuk formojë të tillë në atë masë që e kanë pas bërë dikur – metalurgjia e çelikut është e shkatërruar, në ShBA ka vetëm një kantjer anijesh që prodhon anije, përfshirë edhe ato luftarake etj, etj.
Globalizimi dhe fuqia e lirë punëtore në vendet e varfëra e kanë bërë të tyren – kanë shkatërruar prodhimin vendas dhe në vend të tij kanë gjeneraur veprimtari shërbimi dhe “flluska sapuni” financiare – gjëra të cilat nuk bazohen në asgjë reale, me bazë të fortë, por vetëm më pazarlleqet e bursës dhe rregullat e lojës të cilat, “në fushën e luftës”, i imponojnë lojtarët e mëdhenj amerikanë. E gjithë brishtësia, jo vetëm e Amerikës, por edhe në përgjithësi e ekonomisë perëndimore të bazuar në sektorin e shërbimeve i cili është tejet dominues në krahasim me atë primarin – prodhuesin, , është më se e dukshme pikërisht në këto disa vite të fundit. Njëkohësisht fuqitë industriale, si Kina, India, Rusia, sadoqë te ata ky prodhim edhe mund të mos jetë mjaftueshëm i sofistikuar, “sipas modës së fundit” me një fjalë– kanë treguar qëndrueshmëri, rezistencë ndaj krizës dhe rritjes së PBB-së (në rastin e Rusisë madje edhe në kushtet e pamundura të sanksioneve perëndimore të papara historikisht), ndërsa pothuajse të gjithë vendet perëndimore njëkohësisht vallzojnë buzë recesionit ose gjenden tashmë brenda tij- si puna e Gjermanisë, të cilën e kërcënon recesioni për vitin e tretë të njëpasnjëshëm.
Gjithashtu Pekini nuk mund të mos e konstatojë faktin se Trumpi, pas revoltës së paradokohëshme të qytetarëve amerikanë në mbarë vendin, ishte i detyruar të stoponte zbatimin e doganave antikineze në lidhje me disa prodhime të caktuara teknologjike që vinin nga ky vend – si telefonat celularë, llaptopët, çmimet e të cilëve edhe para kësaj shkuan në qiell dhe mungesa e tyre ishte e pamundur të mbushej me prodhimet që vinin nga vende të tjera.
Trumpi nuk filloi kundër Kinës luftë doganore por tregtare
Me fjalë të tjera, dhe duke patur parasysh kushtet e sipërcituara të tarifave tejet të mëdha doganore, tregtia reciproke është thjesht e pamundur. Trumpi kundër Kinës nisi një luftë të vërtetë tregtare dhe jo vetëm doganore. Sepse është e pamundur sesi ai dhe këshilltarët e tij të mos e kuptojnë se në kushtet e situatës gjeopolitike në botë, dhe asgjë më pak, edhe në kushtet e fyerjeve verbale personale të cilat nga Trumpi dhe administrata e tij ka kohë që i dërgohen kundër Kinës dhe udhëheqjes së saj shtetërore pothuajse përditë, është e pamundur të vijë ajo që pritet prej javësh – që udhëheqësi kinez Xi Jinping do të kërkojë negociata për tregtinë reciproke. Trumpi, për mendimin tim, një gjë të tillë edhe nuk është se e dëshiron. Trumpit i nevojitet një luftë tregtare me Kinën që ta izolojë atë nga bota (për këtë do të flasim më poshtë diçka më shumë), dhe nëse kjo strategji nuk ka grat – është i mundur edhe ai tejet më i rrezikshmi- skenari i luftës së armatosur.
Prandaj e gjithë kjo që po bën Trumpi, sipas mendimit tim, është lëvizje e menduar thellë në kuptimin e dëshirës për sendërtimin e synimit përfundimtar – dominim të plotë amerikan në tregti dhe në çdo sferë tjetër të globalizimit në shekullin e 21. Megjithatë, sa është ideuar suksesshëm dhe saktë kjo strategji në kuptimin e parashikimit të pasojave shkatrrimtare dhe sa do ta godasë kjo ekonominë amerikane dhe standartin e qytetarëve të saj, nuk jam fort i sigurtë, dhe kjo shihet edhe nga disa lëvizje të veçanta të Trumpit të karakterit zmbrapsës. Para së gjithash përjashtimi i lartpërmendur i doganimit me mega-tarifat e reja të disa prodhimeve kineze të teknologjisë së lartë të cilët nxitën “revolucion” nëpër rrugët e disa qyteteve amerikane.
Por nuk pushojnë këtu telashet e Trumpit, sepse Kina vendosi edhe një sërë kundërmasash të tjera për ShBA-të të dhimbshme. Përveç doganave me 125% ndaj të gjithë eksporteve amerikane në Kinës dhe me këtë, i’a ktheu plotësisht borxhin Trumpit, nuk i stopoi doganat e saj për disa prodhime amerikane që janë popullore në Kinë, Pekini kufizoi ose ndaloi eksportin e metaleve të tokave të rralla të nevojshëm për prodhimet e teknologjisë së lartë, në një kohë që Kina disponon madje 90% të të gjithë pasurisë botërore të metaleve të tokave të rralla; më parë kishte kufizuar edhe importin e gazit të lëngshëm amerian (LNG); ua ndaloi transportuesve ndërkombëtarë kinezë blerjen e avionëve për transport interkontinental udhëtarësh Boeing si dhe komponentëve për remontin e tyre (Kina është blerësja tejet më e madhe e avionëve të kësaj mega-kompanie amerikane) e kësisoj nuk mund të përjashtohet mundësia që Kina mund të riorientohet në blerjen e Airbus-it francez, konkurenti global më i madh i Boeing-ut; Kina tani po godet fort edhe në sektorin bujqësor amerikan duke patur parasysh se është importuesja më e madhe e prodhimeve bujqësore amerikane – sojë, misër, grurë, por edhe mish pule e mish viçi. Të gjitha këto momentalisht janë stopuar ose ulur ndjeshëm.
Që Pekini është përgatitur seriozisht për luftën tregtare të Trumpit, dëshmon edhe e dhëna e Financial Times-it britanik se qysh në vitin 2023, Kina, prodhimet e lartpërmendura filloi t’i eksportojë nga Brazili, ndërsa importi i po këtyre prodhimeve që vinte nga ShBA-të, filloi të bjerë me një dinamikë të përshpejtuar. Lëvizjet më të reja të Trumpit mund të shpien deri te ndërprerja e plotë e eksporteve që do të ishte një goditje e re dhe e rëndë për fermerët amerikanë, para së gjithash të atyre nga Perëndimi i Mesëm të cilët janë tradicionalisht zgjedhës të Trumpit.
Edhe një lajm që sapo më erdhi në kohën kur po shkruaja këtë tekst: Kina zvogloi importin e naftës amerikanë në masën 90%! Por, është më interesante të dihet se ku e ka gjetur alternativën për të dhe drejt cilit vend i ka nisur tankerët e saj – në Kanada! Po atë Kanada e cila, e gjendur nën goditjen e presionit doganor të Trumpit, ishte detyruar të ndalonte eksportin e naftës në ShBA.
Është e qartë pra se Kina, në ndryshim nga mandati i parë i Trumpit (2017-2021), kur ishte e shokuar nga lufta doganore e nisur prej tij atëbotë – madje shumë më e butë se kjo e tanishmja – kësaj here është përgatitur seriozisht, do të shprehesha për një mbrojtje aktive, sepse në të vërtëtë Pekni as që e dëshiron një luftë të tillë. Për më shumë Xi Jinpungu deri në kohën e lajmërimit të këtyre doganave të Trumpit i bënte thirrje publike palës amerikane për fillimin e dialogut – por nga pozitat e respektimit të interesave të të dyja palëve dhe atmosferës pozitive pa fyerje publike dhe baltosje të palës kundërshtare. Tani nisja e këtyre bisedimeve është bërë ku e ku më e vështirë.
Trumpi u bën thirje amerikanëve për durim
Ndërkohë, dhimbjet të cilat tani po i mundojnë amerikanët për shkak të doganave, Trumpi i krahason me shimbjet e lindjes pas të cilave ShBA-ve do tu sigurohet e ardhmja e ndritshme. Për këtë qytetarët duhet të jenë të durueshëm dhe të shtërngojnë dhëmbët.
Megjithatë, sa amerikanët e llastuar, të cilët e kuptojnë pak ose aspak gjeopolitikën e fuqive të mëdha, madje disave syresh as u intereson fare, por janë të interesuar ekskluzivisht për gjendjen në portofolet e tyre, do të jenë të aftë të shfaqin fortësinë e nevojshme – dhe këtë për një kohë të gjatë – po ua lë ta gjykoni ju vetë.
Me kinezët gjithsesi puna qëndron ndryshe dhe, si pushteti ashtu edhe opinioni publik në Pekin e kanë tejet më të thjeshtë. Qyetarët kinezë në një masë të madhe janë të përgatitur psikologjikisht për telashe afatgjata dhe janë të homogjenizuar plotësisht rreth udhëheqësit të tyre Xi Jinping duke i dhënë mbështetje të plotë. Njëkohësisht qeveria në kuptimin propagandistik i kalon me shkathtësi fajet për të gjithë telashet e ekonomisë kineze, të cilat ishin të pranishme edhe para vendosjes së tarifave doganore të Trumpit, të Shtetet e Bashkuara, gjë që gjithsesi përforcon antiamerikanizmin mjaftueshëm të pranishëm te qytetarët kinezë. Sikurse i bind kreu shtetëror, kinezët sot- ndoshta më shumë se kurrë më parë – janë të bindur se vendi i tyre është “në anën e duhur të historisë” – e në mënyrë të veçantë në raport me luftën doganore të Trumpit të cilën e dënon tërë bota sepse shkakton situatë kaotike dhe pasiguri. Dhe këtu shihet më së miri gatishmëria për durim afatgjatë, në ndryshim nga qytetarët amerikanë – të mësuar me standart të lartë dhe siguri.
Pra, në tërë këtë situatë, pozita e Trumpit, të cilën e “gatoi” vetë ai – nuk duket aspak e këndshme. Megjithatë, qeverisja kaotike ndoshta nuk është detyrimisht produkt i padëshiruar, por i ideuar. Politika e krijimit të kaosit i shqetëson rivalët, por edhe u mundëson udhëheqësve të cilët përdorin politikën e kaosit për të kërkuar kompetenca të cilat në një situatë tjetër ndoshta nuk mund t’i marrin. Sepse kohët e vështira thjesht kërkojnë pikërisht këto kompetenca. Njerëzit atëherë kërkojnë zgjidhje të shpejta dhe të vendosura nga udhëheqësit e tyre, pa nevojën e diskutimeve të përjetëshme nga ana e pushetit ligjvënës gjë e cila mund të zgjatë pafundsisht dhe ky është rregull pothuajse i gjithmonshëm në shoqëritë demokratike dhe pluraliste. Në këtë kuptim Xi Jinpingu e ka tejet më të lehtë të veprojë dhe të marrë vendime kyçe sesa Dobald Trumpi të cilit, për më tepër, po i bie në mënyrë të përshpejtuar edhe popullariteti, gjë për të cilën duhet të mbajë parasysh edhe retjingun e partisë së tij republikane, e cila që në vjeshtën e ardhshme ka përpara zgjedhjet për Kongresin. Nëse do të munden, Trumpi do ta ketë shumë më të vështirë të projektojë dhe drejtojë politikate tij.
Trumpi e ndan botën në Kinë dhe “të tjerët“
Mendoj se ekziston mundësia që të këtë lojë kaotike me doganat Trumpi e ka shkaktuar me qëllim. Tani ky kaos duket pak a shumë kështu: Trumpi sot shpall një vendimin të tijin (p.sh. për lartësinë e tarifave”), ndërsa të nesërmen bën me dije se vendimi paraardhës është ndryshuar dhe është marrë një vendim i ri. Mëngjezin pasardhës dikush nga Shtëpia e Bardhë ngrihet më heret në mëngjez dhe shpall verisonin e tij të vendimit të parë e kështu deri në pafundsi. Në një kaos të tillë i cili vjen nga kreu i fuqisë më të madhe në botë nuk mund të gjesh rregull dhe as të parashikosh ecurinë e mëtejshme të ngjarjeve. Kjo atëherë krijon telashe dhe pafuqi për gjetjen e përgjigjeve, ndërsa në fund madje edhe frikë nga ajo se çfarë mund të rezultojë nga i tërë ky kaos. Pikërisht frika është emocioni që përdor Trumpi kur bëhet fjalë për udhëheqësit e vendeve të botës. Pasiqë në fillim i paralizoi me deklaratën për vendosjen e tarifave doganore në nivel global, ku përfshiheshin edhe aleatët më të afërt të amerikanëve, Trumpi pas dy ditësh ofroi një “aspirinë” duke stopuar zbatimin e tarifave të larta edhe për dy a tre muaj, ndërkohë që la në fuqi ato të parat, minimalet – prej 10 përqind. Këtë e bëri për të gjithë vendet e botës me përjashtim të Kinës!
Natyrisht, nuk kaluan as disa orë nga “aspirina” e marrë dhe në Shtëpinë e Bardhë shpërthyen telefonatat nga të gjithë anët e botës (natyrisht përveçse nga Kina, por edhe nga Rusia, së cilës Trumpi as nuk i vendosi kurrfarë tarifash shtesë doganore, duke e argumentuar këtë me fjalët se gjithsesi ShBA-të nuk bëjnë tregti me Rusinë për shkak të sanksioneve të vendosura më parë, e kësisoj nuk ka se çfarë të doganohet, gjë që nuk është krejtësisht e vërtetë, por ama ka një grimë të vërtete). Në këto thirrje telefonike shprehej gatishmëria e zgjuar befas, e gjoja 75 shteteve (nga gjithsesjt 193 sa ekzistojnë në botë, sipas të dhënave të OKB-së), për fillimin e bisedimeve dypalëshe me ShBA-të për rregullimin e tregtisë reciprtoke. Sikurse shpjegoi vetë Trumpi më vonë në mënyrë fitimtare, të gjithë ata tani presin në radhë për fillimin e bisedimeve, gjë që mund të fillojë pas disa muajsh – diku në kuajin korrik të këtij viti.
Një nga vendet që tani për tani ka nisur bisedimet për tregtinë më ShBA-të është aleatja më e madhe aziatike amerikane – Japonia, paraprakisht e tmerruar për vdekje nga tarifat e larta doganore amerikane, dhe në mënyrë të veçantë ato të cilat do ta shkatërronin industrinë japoneze të automobilëve – e orientuar kryesisht në eksport për tregun amerikan duke patur parasysh se shumë fabrika prodhimi të uzinave të dëgjuara japoneze janë të dislokuara në Meksikë (prodhimi më i lirë, afërsia me tregun amerikan). Raundi i parë i këtyre bisedimeve përfundoi javën e kaluar dhe shumë shpejt do të fillojë i dyti.
Sidoqë të jetë një gjë është e sigurtë: Trumpi do të marrë nga Japonia gjithçka ka kërkuar Dhe jo vetëm nga ajo! Mendoj se në mënyrë identike si me Japoninë do të veprojë edhe me Bashkimin Europian dhe punët do të rrjedhin njësoj. Sepse, menjëherë me të marrë “aspirinën” e përmendur të Trumpit, “fryma luftarake” në Europë kundër Trumpit u ul – madje pothuajse u zhduk. Në fund Europa ka për të pranuar nga Trump gjithçka që të kërkojë ai jo vetëm në lidhje me tregtinë reciproke, por edhe për përfundimin e luftës ukrainase gjë për të cilën aktualisht me merret vesh me udhëheqësin rus Vladimir Putin.
Me fjalë të tjera, duke i futur frikën në palcë të gjithëve në nivel global, Trumpi synon ta ndajë botën në Kinë dhe “pjesa tjetër e botës”. Me këtë të fundit jo vetëm që synon të rregullojë tregtinë reciproke, por edhe vendet kryesore ti detyrojë të heqin dorë nga blerja e prodhimeve kineze me synin përpjekjet e izolimit tregtar të Kinës në nivel ndërkombëtar. Për këtë jam shumë skeptik që një Francë do të guxojë nëpërmjet Airbus-t të saj t’ zëvendësojë Kinës heqjen dorë nga blerja e Boing-ve sado që kjo është një shans qiellor për mega kompaninë franceze.
Por le të presim edhe pak për të dhënë konkluzione përfundimtare. Sepse koha është gjithçka por jo e përshtatshme për parashikime afatgjata. Aq më tepër që askush nuk është më në gjendje të parashikojë as atë se çfarë do të ndodhë nesër në skenën gjeopolitike botërore.
Rrëfim i tejfryrë mbi kaosin global tregtar
Në të vërtetë mendoj se i tërë ky rrëfimi mbi luftën tregtare amerikano-kineze dhe për pasojë kaosin global dhe apokalipsin tregtar është tejet i zmadhuar dhe si i tillë paraqitet me synim.
Ja përse!
Tregtia amerikano-kineze vitin e kaluar ishte në shifrën 600 miliardë dollarë, nga e cila Kina ka suficit rreth dy të tretave gjë që nuk ka rëndëi për atë që dua të tregoj. Shkëmbimi i përmendur, sadoqë i madh, gjithsesi përbën gjithsejt 2% të shkëmbimeve tregtare botërore. Përveç kësaj, shkëmbimi i mallrave mes ShBA-ve dhe Kinës është zvogluar në mënyrë të përshpejtuar vitin e kaluar e kësisoj tani partneri i parë tregtar i amerikanëve është bërë Meksika dhe pas tyre vendet e ASEAN-it (Bashkësia ekonomike e vendeve të Azisë Juglindore). Për më shumë, Kina, që në mandatin e parë të Trumpit e ka diversifikuar eksportin e saj, por edhe importin i cili nuk është më ai që vjen nga ShBA-të, gjë që është dëshmuar edhe më lartë në këtë tekst nëpërmjet rritjes së madhe të importit të prodhimeve bujqësore nga Brazili. Importi kinez nga ShBA-të tani është zvogluar nga 25% pak kohë më parë, në 15% të të gjithë importit kinez, gjë që përbën gjithsejt 5% të PBB-së kineze, gjë që është e pamjaftueshme për çfarëdolloj skenari katastrofik në rast të ndërprejes së tregtisë reciproke.
Pra, tregtia globale do të vazhdojë edhe në të ardhmen pavarësisht nga zhvillimi i marrëdhënieve tregtare amerikano-kineze. Përveçse në një rast: që Trumpi të fillojë ta zgjidhë në mënyrë radikale “problemin kinez” – dhe këtë me rrugë luftarake, si puna e bllokadës detare për anijet tregtare kineze të ngushticave kryesore detare nëpërmjet të cilave zhvillohet shumica e tregtisë botërore. Por kjo është tashmë një temë krejt tjetër sepse nuk ka të bëjë më me luftën doganore apo me luftën tregtare, temë të cilën mund ta trajtojmë herën tjetër.
Trampi nuk mund ta evitojë një çështje tejet të rëndësishme
Sadoqë shtetet e botës të qëndrojnë në radhë për bisedime me Trumpin për rregullimin e tregtisë reciproke, ekziston një çështje kyçe së cilës as Trumpi nuk mund t’i ikë. Cili është ai vend i botës i cili tani, sëpaku edhe për një afat të mesëm, është në gjendje të zëvendësojë prodhimet kineze, në mënyrë që ShBA-të dhe “pjesa tjetër e botës” të jenë në gjendje të heqin dorë nga ato? Një vend i tillë nuk ekziston dhe nuk ka për të ekzistuar edhe për një kohë të gjatë, qoftë ky India e madhe, Vjetnami i madh dhe i lirë, Koreja produktive dhe sipërmrrëse.
Me një fjalë: Ti ia lëmë Trumpit atë që i takon Trumpit, po bota do të hajë.
Kinofobija e çmendur nuk do të ndihmojë për asgjë në këtë rast dhe as është e ndershme. Kinezët thjesht bëjnë atë që dinë më mirë – prodhojnë dhe tregtojnë! Kush është ai nga “pjesa tjetër e botës”- mbi të gjitha në Perëndim, që mund t’ia ndalojë ta bëjë këtë gjë? Perëndimi e ka gatuar vetë gjithë këtë çorbë kryesisht si pasojë e grykësisë së elitave të tij sipërmarrëse dhe rendit globalist që kanë ndërtuar me qëllim rritjen e stërmadhe të fitimeve për vete për llogari të varfërisë së të tjerëve, pasurive natyrore dhe krahun e lirë të punës të tjetërkujt. Heret ao vonë fatura do të vinte për t’u paguar, sepse zhvillimi i shoqërive është i papërmbajtshëm, e këtu përfshijmë edhe të varfërit. Diku ai është më i shpejtë për shkak të zhvillimit teknologjik, e diku më i ngadalshëm. Përparimi i njerzimit si edhe vetë jeta – kanë për ta gjetur gjithmonë rrugën e tyre.
A duhet ta shkatërrojmë urën e Peljeshacit sepse e kanë ndërtuar kinezët?
Si njëfarë konkluzioni për temën e sotme: çfarë duhet të bëjmë neve tani në këto kushte? A mos duhet që neve në Kroaci ta shkatërrojmë urën madhështore të Peljeshacit (urë në bregdetin dalmat e ndërtuar nga firma kineze “China Road and Bridge Corporation- shën. i përkth.) sepse më shpejt, më lirë dhe në mënyrë më të përshtatshme se të tjerët që morën pjesë në tender e kanë ndërtuar pikërisht firmat kineze? Epo nëse u dashka të ndreqim plotësisht „padrejtësinë historike“ e kësisoj në të ndërtojmë një urë të re në vend të kësaj të tanishme edhe këtë t’ia ofrojmë për ndërtim amerikanëve? Pikërisht atyre që ende nuk janë në gjendje, pas më shumë se një viti, të eleminojë urën e vjetër të shembur- dhe jo më të ndërtojnë një të re – në qytetin amerikan në Baltimorë. Në një shtyllë të sajën, në fund të muajit mars të vitit të kaluar ndeshi anija e mallrave “Dali“ dhe e shkatërroi plotësisht. Ura e rrënuar vazhdon edhe sot e kësaj ditë të vështirësojë lundrimin nga njëri prej porteve amerikane më të rëndësishme për eksportin.
Në përgjithësi, infrastruktura amerikane e transportit, sidomos ajo hekurudhore, është në gjendje katastrofike, kështu informoi javën e kaluar zyra përkatëse në Shtëpinë e Bardhë, duke konkluduar se ajo është më e keqe se në një sërë vendesh të botës, gjë që është e palejueshme duke patur parasysh teknologjinë e lartë që kanë në dispozicion ShBA-të me të cilën “mund të ndryshojnë kohën dhe vendin”- sikurse thuhet.
Pra, është e lehtë të pështysh atë të tjetrit nëse ke për vete se me çfarë të mburresh. Në rastin e pështyrjes aktuale të Trumpit mbi Kinën mendoj se ky konstatim nuk mund të vërtetojë drejtësinë e kësaj pështyrje. Dhe për këtë nuk është, e përsëris, as fajtor Pekini dhe as komunizmi, as ndonjë gjë tjetër e dhjetë, por faji qëndron të pangopsia e elitave perëndimore të cilat me grykësinë e tyre kanë shkatërruar shoqëritë e vendeve të tyre – në kuptimin moral dhe ekonomik.
Dhe si përfundim po marr një shembull të përshtatshëm. Le të shohim përreth në vendin tonë, e kjo mund të shihet gjithandej nëpër botë – gjithçka që kemi në shtëpitë tona dhe çfarë prodhimi janë këto? Shumë shpejt keni për ta kuptuar se një sërë pajisjesh që përdorim dhe jemi të rrethuar janë pikërisht kineze. Amerikane nuk kemi, ose kemi fare pak. Dhe ky është një fakt nga i cili Europa dhe bota nuk ka nga i ikën sadoqë të duan.
Natyrisht, me kalimin e kohës kjo situatë ndoshta edhe mund të ndryshojë – ose më mirë të themi të ekuilibrohen disi numurat që tani për tani janë në favor të kinezëve. Edhe vetë Kina gjithnjë e më shumë po llogarit zhvillimin e tregut të saj të konsumit të brendshëm, treg i stërmadh dhe për të cilin askush nuk mund ta dënojë. Kjo natyrisht nuk do të thotë se ajo do të heqë dorë pa luftë nga ai ndërkombëtari. Por ta bësh një gjë të tillë në mënyrën siç po bëhet tani është e kotë edhe nga pozitat e shkencave ekonomike.
Sepse mallrat janë tregtuar gjithmonë, dhe si i thonë fjalës – çdo mall gjen blerësin e vet. Ka rëndësi ta kesh mallin.
[i] https://www.geopolitika.news/analize/tjedna-analiza-zorana-metera-hocemo-li-rusiti-peljeski-most-jer-su-ga-izgradili-kinezi/
/Përktheu për Argumentum Xhelal FEJZA