Zheljko Panteliç[i]
Matja kryesore e forcave mes ShBA-ve dhe BE-së nuk do të jetë rreth tarifave doganore por për atë nëse BE-ja, në emër të të gjithë anëtarëve, do të negociojë me Uashingtonin apo këtë rol, një nga një, do t’a luajnë shtetet antare. Në biografinë e saj Anxhela Merkel nënvizon se Trampi shumë herë i ka bërë presion për të biseduar bilateralisht me të në lidhje me tarifat doganore dhe arranzhimet e ndryshme tregtare. Çdo herë ajo i është përgjigjur se BE-ja, ose më mirë të themi Komisioni Europian, është adresa kompetente për këtë tip bisedimesh. Tani puna është nëse Fridrih Merci, Xhorxha Meloni, Emanuel Makroni do të jetë po ashtu konseguentë si frau Merkeli.
Bashkimi Europian ka ekseriencë shumë pozitive me Britaninë e Madhe dhe Bregzit-in. Londra, sidomos gjatë mandatit të kryeministrit Boris Xhonson, u përpoq t’a ndajë BE-në, por antarët e Unionit treguan unitet dhe forcë, emëruan negociatorin Mishel Barnije dhe në fund BE-ja doli fitimtare në bisedimet me Mbretërinë e bashkuar.
Akuzat e Trampit për, sipas mendimit të tij, deficitin e stërmadh të ShBA-ve në shkëmbimet me BE-në, nuk i përgjigjen së vërtetës. Shkëmbimi mes dy brigjeve të Atlantikut kap shifrën e afro një mijë e pesëqind miliardë euro dhe suficiti europian në vitin 2023 arriti në shifrën 156,6 miljardë euro. Megjithatë, nëse nga kjo shifër zbresim suficitin amerikan në fushën e shërbimeve në shumën 108,6 miliardë, arrijmë te e dhëna se deficiti amerikan në biznesin me BE-në është vetëm 48 miliardë euro, ose më mirë të themi rreth tre përqind të shkëmbimit të përgjithshëm, shumë e vogël pra: nuk është as sa një e katërta e pasurisë personale që disponon “miku i parë” i presidentit, Elon Masku.
Ironia e fatit është se diga më e madhe për realizimin e ideve futuriste dhe politike të Elon Maskut është aleati i tij më i rëndësishëm: Donald Trampi. Presidenti amerikan ka tejet shumë pak kohë për të realizuar planet e tij, vetëm nëse përpiqet – gjë që nuk mund të përjashtohet- të marrë edhe një mandat duke shkelur kësisoj Kushtetutën e ShBA-ve. Ta bëjmë Amerikën përsëri të madhe në vizionin e Trampit do të thotë në kuptimin e plotë të fjalës të zgjerosh kufinjtë e saj, ose edhe të bazohesh në veçantinë dhe përzgjedhjen amerikane dhe jo te universalizmi dhe multilateralizmi në të cilat ka këmbëngulur Uashingtoni që nga koha e Franklin Ruzveltit e deri më sot.
FRIKË NGA NJË JALTË E RE
Në ditët kur përkujtohet 80 vjetori i Samitit të Jaltës (5 shkurt 1945), BE-ja është në ankth nëse Trampi dhe presidenti rus Vladimir Putin do të mund të vendosin për fatin e Ukrainës dhe me këtë edhe të BE-së, pa Kievin dhe kryeqytetet kryesore europiane. Para tetë dhjetëvjeçarësh, në pallatin perandorak Livadija, në të cilin pati vdekur Cari Aleksandër III, pushtetari më reaksionar i shekullit 19, presidenti Franklin Ruzvelt, vendosi themelet e multilateralizmit, natyrisht nën rregjinë amerikane. Sot, Trampi dëshiron t’i vërë pikat mbi kësaj politike, duke lidhur marrëveshje me Rusinë dhe Kinën, pa europianët. “Në shekullin 21 një Jaltë e re është e papranueshme”, përsëriti Radosav Sikorski, ministër i punëve të jashtme të Polonisë, e cila kryeson Bashkimin Europian këtë semestër.
Për hir të së vërtetës, ajo që dëshirojnë polakët jo vetëm që ështe e vështirë të realizohet, por do t’a rëndonte akoma më shumë gjetjen e një zgjidhjeje. Sepse, në Bruksel dhe Varshavë do të donin që në tryezën e bisedimeve të ishin, përveç rusëve dhe amerikanëve, të gjithë antarët e mëdhenj G7 (Britania e Madhe, Italia, Gjermania dhe Franca), plus Polonia. Në një format kaq të zgjeruar do të donin të uleshin në tryezë edhe Kina e Brazili, si përfaqësues të “Grupit për paqe” dhe në këtë rast do të ishte e paevitueshme dhe Turqia. Me një fjalë, format i cili me siguri do të shpinte në mossuksesin e bisedimeve.
TË VËRTETA TË PAKËNDSHME PËR EUROPIANËT
Trampi, ndryshe nga presidentët e tjerë amerikanë, i përjeton dhe i trajton aleatët dhe miqtë si klientë dhe vasalë. Në Uashington ka kohë që është vërejtur ky tip devijimi, por gjithsesi e mbështillnin me sukses në paketat e multilateralizmit, organizatave ndërkombëtare dhe aleancave. Shtetet e Bashkuara ishin në gjendje të ishin hegjemon planetar i hapur, por preferuan t’i kryejnë punët planetare duke u fshehur pas organizatave kolektive dhe vendimeve të përbashkëta, por të pilotuara.
“The Donald” bëri një kthesë 180-gradëshe, nuk i trajton miqtë dhe aleatët me doreza por i përdor ato për t’i “fshikulluar”. Presidenti i ri dhe i vjetër po e përball Europën me realitetin në një mënyrë shumë të ashpër të arrogante. Për këtë, te një pjesë e mirë e europianëve nuk gëzon simpati, sidomos në pjesën perëndimore të saj, sepse i përball me faktin se bota mund të rrotullohet edhe pa europianët dhe se ata nuk janë aq qendrorë dhe aq të qënësishëm sa mendojnë se janë.
Sikurse diplomati dhe shtetari austriak Klemens fon Meternih tallej me patriotët italianë në Kongresin e Vjenës duke u kujtuar atyre se “Italia është vetëm një shprehje gjepgrafike”, po kështu edhe sot Trampi e trajton Europën si realitet gjeografik dhe jo politik dhe kësisoj më pak të vlefshme.
Europa kurrë nuk ka qënë subjekt gjeopolitik, madje edhe atëherë kur pushtetarë të veçantë arrinin të nënshtronin një pjesë të mirë të saj, ajo ka qënë objekt për realizimin e synimeve nacionale: herë Francës, herë Gjermanisë ose ndonjë fuqie tjetër. Edhe Europa e sotme shpesh shihet nëpërmjet prizmit të Parisit dhe Brukselit, domethënë si mjet i “grandeur” francez dhe “veçantie” gjermane.
Italianët e përgënjështruan Meternihun shumë më shpejt se sa mundën t’a ëndërronin disa veta në Vjenë, por atyre i’u desh dyfish më shumë kohë që të bëheshin një komb me të vërtetë. Për hir të së vërtetës, liderët italianë e dinin që në fillim se ky qëndronte problemi. Nuk është e rastit që Masimo D’Azeljo ka pas shpikur atë frazën e famshme: “Krijuam Italinë, tani duhet të bëjmë italianët”. BE-ja e sotme ka lindur para tri dekadash e gjysëm, në Mastriht dhe Kopenhagen, por ende nuk ka as shenja se kur mund të nisë ndërtimi i kombit europian.
BE-ja SI SAGRADA FAMILJA
Në mënyrë që BE-ja të arrijë të përgënjështrojë Trampin, epigonet e tij dhe “kolonën e pestë” në Kontinentin e vjetër, është e nevojshme të zgjidhet edhe problemi i sovranitetit. Më kot presidenti francez bën thirrje për krijimin e sovranitetit europian në një kohë ku shtetet antare të BE-së e ruajnë atë me xhelozi, ndërsa një sërë partish politike e bazojnë qënien e tyre në mbrojtjen e sovranitetit kombëtar. Me fjalë të tjera, nuk mund të kesh sovranitet pa mbartës të sovranitetit dhe një fuqi serioze ushtarake nën një komandë unike.
Bashkimi Europian shpesh herë krahasohet me Kishën Sagrada familja në Barcelonë. Kryevepra e Antonio Gaudit do të duhej, sipas prognozave më optimiste, të përfundonte në vitin 2026, 144 vite pas vendosjes së gurit të themelit të saj. Çështja është nëse BE-së do t’i nevojitet një shekull e gjysëm kohë për t’u bërë shtet federativ me një qeveri, një mbikomb dhe një gjuhë pune. Shumë faktorë të jashtëm dhe të brendshëm preferojnë që BE-së të mbetet një krijesë e papërfundur dhe gjeopolitikisht impotente dhe për pasojë e brishtë ndaj ndikimeve dhe shfrytëzimit të saj për llogari të fuqive të tjera.
Bashkimi Europian dhe antarët e tij vazhdojnë të besojnë se mund t’a evitojnë kthimin prapa në histori. Një pjesë e shoqërive europiane janë ende të mbërhyera në dogma dhe iluzione posthistorike, duke filluar nga fraza se BE-ja është “fuqi rregullatore”. Popujt europianë, me përjashtim të atyre ballkanikë, pas traumave të dy konflikteve botërore dhe përfundimit të Luftës së Ftohtë, u transformuan nga kombe luftarakë në konvertitë të paqes dhe rendit të ri botëror sipas masës dhe shijeve të të gjithëve. Besohej në mënyrë naive se, sëbashku me BE-në, edhe pjesa tjetër e botës do t’a pranonte idologjinë posthistorike: nëse historia është vjetërur, atëherë janë bërë edhe të pakuptimtë debatet mbi përgjegjësinë e asaj që ndodhi.
Një pjesë e europianëve vazhdojnë t’i mbajnë të mbyllur sytë dhe veshët sepse nuk duan ta pranojnë realitetin se nuk janë më udhëheqës të njerzimit dhe as model që duhet ndjekur për të rregulluar shoqëritë dhe shtetet. Parajsën europiane në xhunglën planetare – ish përfaqësuesi i lartë i BE-së Zhozep Borel ipse dixit– nuk dëshiron t’a imitojë askush, në të vërtetë disa duan t’a shohin si atraksion turistik për të bërë selfi, të tjerë për t’a pushtuar dhe shndërruar në atë që e kanë në shtëpinë e tyre, ndërsa të tretët për ta shkretuar, plaçkitur, për t’a kthyer kokëposhte dhe për t’a lënë në atë gjendje.
EUROPIANËT KRIJUAN NË AMERIKË ATË QË NUK E BËNË NË EUROPË
Në anën tjetër të Atlantikut europianët krijuan, për pak më shumë se njëqind vjet, fuqinë më të madhe planetare, por nuk janë në gjendje që të kontinentin e tyre të ndërtojnë sëpaku një bashkësi federative me një mbikomb. Popujt europianë e inkorporuan veten në kombin amerikan për më pak një një shekull – anglezët, gjermanët, irlandezët, italianët, polakët, francezët, serbët, kroatët, pa kurrfarë dallimesh në gjeneratën e dytë u bënë amerikanë – e nuk janë në gjendje të formojnë një mbikomb në kontinentin e tyre, madje as në botë në të cilën janë shndërruar në pakicë dhe ku komandojnë që prej 80 vitesh.
Në biografinë e saj Anxhela Merkel nënvizon se Trampi shumë herë ka bërë presion për të biseduar bilateralisht me të në lidhje me tarifat doganore dhe arranzhimet e ndryshme tregtare. Çdo herë ajo i është përgjigjur se BE-ja, ose më mirë të themi Komisioni Europian, është adresa kompetente për këtë tip bisedimesh. Tani puna është nëse Fridrih Merci, Xhorxha Meloni, Emanuel Makroni do të jetë konseguentë si frau Merkeli.
Europa, në mënyrë të veçantë pjesa e saj perëndimre, janë brinja nga e cila ka lindur Amerika, por Uashingtoni nuk ka për të bërë asgjë që Europa të federalizohet dhe bashkohet. Përkundrazi, doktrina amerikane bazohet në pengimin e Europës për t’u bashkuar nën një flamur, me një qeveri, me ushtri të përbashkët, një (mbi)komb. Një Europë e tillë do të ioshte rreziku më i madh për hegjemoninë amerikane. Jo vetëm se do të ishte konkurente e Amerikës, duke patur parasyshn prodhimet e saj dhe kapacitetet e tjera, por edhe sepse do të bëhej fuqi ushtarake dhe si e tillë mund të bashkohej nesër me Rusinë apo Kinën kundër ShBA-ve.
Sipas vizionit amerikan, BE-ja duhet të mbetet fuqi ekonomike, por nën çadrën amerikane bërthamore të sigurisë. Të gjithë e kanë të qartë se pa mbrojtjen amerikane ushtarake dhe të sigurisë BE-ja do të përballej me një sërë sfidash dhe me shumë gjasa do të shpërbëhej. Amerika, përderisa të ketë mundësi, nuk do të lejojë që BE-ja të bëhet fuqi ushtarake apo autonome nga pikëpamja gjeostrategjike, por edhe nuk do të shohë qetësisht nëse ndonjë fuqi tjetër e vë nën kontroll.
Paradoksi është se idenë mbi BE-në, praktikisht, e kanë realizuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por sipas masës dhe besimit të vetë shteteve suropiane. Bashkimi Europian, i limituar në tregun e lirë, monedhën e përbashkët, pa kufinj të brendshëm dhe nën krahun mbrojtës amerikan, i shkonte për shtat jo vetëm intreresave amerikane por edhe shteteve europiane kryesore.
MALLKIMI I EUROPËS: NUK I BESOJNË NJËRI TJETRIT
Probemi i madh i europianëve që prej shekujsh është se nuk kanë besim te njëri tjetri, gjë që e dëshmojnë edhe një sërë luftërash që janë bërë. Nga ana tjetër, vendet europiane e kanë nxjerë veten jashtë nga froni planetar duke bërë Luftën e parë dhe të dytë Botërore.
Pakkush në Europë dëshiron që Franca dhe/ose Gjermania të jenë udhëheqës ushtarakisht, ndërsa të tjerët nuk i kanë kapacitetet për këtë rol. Rrëfimet mbi Poloninë si lider potencial ushtarak në Be janë të përshtatshme vetëm për tituj gazetash ose debate televizive, por janë në thelb të pabazuara. Jo vetëm që polakët nuk i kanë cilësitë e nevojshme dhe numurat por edhe sepse atyre nuk u intereson që të jenë lider në Europë por të jenë mjaftueshëm të fortë për të vepruar përballë armikut të tyre kryesor: Rusisë.
Në përgjithësi, për BE-në është e domosdoshme të ketë një hegjemon të jashtëm, por mundësisht të mos jetë tejet i pranishëm dhe intervencionist. Në këtë kontekst Amerika është ideale. Kanë kaluar 70 vite që nga themelimi i së ashtuquajturës doktrina Norstad (e quajtur kështu sipas emrit të themeluesit të saj, gjeneralit Loris Nosstad, komandanti shumëvjeçar i forcave të NATO-s në Europë gjatë viteve pesëdhjetë) dhe deri tani nuk ka ndryshuar asgjë thelbësore.
Gjatë në debati të ashpër brenda Aleancës Veriatlantike në fillim të Luftës së Ftohtë mbi përdorimin e armatimit bërthamor në rastin e një sulmi nga ana e BRSS-së se kush duhej t’a merrte vendimin, gjenerali amerikan ishte i qartë si kristali duke i thënë partnerëve europianë: “Ne ju kemi kërkuar një numur të caktuar divizionesh ushtarake për mbrojtjen e Europës. Na thatë se, për shkak të arësyeve ekonomike, financiare dhe politike, nuk jeni në gjendje t’i siguroni. Ne nuk duam të diskutojmë mbi motivet tuaja. I pranojmë. Megjithatë, duhet të keni parasysh se me këtë vendim na keni autorizuar neve (ShBA-të) që të vendosim se kur dhe si do t’a përdorim armatimin bërthamor për mbojtjen e Europës”.
Kështu ka qënë puna në vitet pesëdhjetë, kështu është, pak a shumë edhe sot e kësaj dite: doktrina Norstad është ende në këmbë. Uashingtoni nuk dëshiron që BE-ja të emancipohet ushtarakisht dhe nga ana gjeopolitike më shumë se ShBA-të. Synimi është, pavarësisht nga Trampi, që BE-ja të paguajë çmimin që amerikanët e konsiderojnë të përshtatshëm për mbajtjen e mbrojtjes së sigurisë mbi Kontinentin e Vjetër.
Amerikanët e kanë të qartë se nuk mund ta kontrollojnë të ashtuquajturën masë euroaziatike dhe se për arësye gjeostrategjike është e nevojshme të sigurohet stabiliteti dhe siguria në krahun perëndimor të Euroazisë, domethënë të BE-së, në mënyrë që të kenë mundësi të përqëndrohen në Kinë dhe Pacifik.
NGA KËNDVËSHTRIMI I PENTAGONIT ZGJERIMI I NATO-S ISHTE GABIM
Në Uashington e kuptojnë, me vonesë, se kanë gabuar që kanë implementuar politikë e dyerve të hapura për antarsim në NATO për të gjithë vendet europiane. NATO-ja duhej të mbetej klub ekskluziv për një numur të vogël shtetesh. Sa më shumë të zgjerohet një organizatë, sidomos mbrojtëse, aq më e vështirë të ruhen qëllimet koherente dhe të realizueshme. Sipas mendimit të Pentagonit në Aleancën Veriatlantike, ka shumë shtete europiane që mendojnë se mund të veprojnë të pavaruara dhe pa koordinim me të tjerët, duke mbajtur parasysh se të tjerët gjithsesi do t’i mbrojnë mbi bazën e nenit 5 të Marrëveshjes Veriatlantike. Shteteve europiane, anëtare të NATO-s ka kohë që u është bërë me dije se, fakti që janë pjesë e Aleancës, nuk do të thotë se mund të bëjnë çfarë të duan dhe do t’i drejtohen pastaj nenit 5. Donald Trampi është i ashpër dhe pa guralecë në gojë, sikurse di vetëm ai të jetë, por thelbi është se ShBA-të do të mbrojnë vetëm vendet që do të përballen me invazion. Përshembull, nëse ndokush provokon luftë me Rusinë, me idenë që të realizojë interesat e tij të ngushta kombëtare, nuk mund të presë se ShBA-të kanë për t’a mbrojtur duke respektuar nenin 5.
Në mesin e viteve nëntëdhjetë të shekullit të kaluar, Pentagoni dhe gjeneralët amerikanë kundërshtonin fuqishëm zgjerimin e NATO-s, por në fund fitoi politika dhe drejtimi i dyshesh Klinton-Ollbrajt i cili mbështeste të ashtuquajturën teori e paqes demokratike. Në mënyrë të veçantë ishte problematik zgjerimi i NATO-s në vitin 2004, sepse ShBA-të dhe NATO-ja, në rast të një invazioni rus, kishin vështirësi të mëdha për të mbrojtur republikat Ballatike. Jo aq për armatimet sesa për mosgatishëmrinë e opnionit publik amerikan dhe europianoperëndimor për të pranuar mundësinë e viktimave njerzore në mbrojtje të Estoninë, Letoni dhe Lituanisë.
Në kundërshtim me idetë që hidhnin dhe rrënjosën ish funksionarët shumë me ndikim dhe këshilltarët në Shtëpinë e Bardhë e Pentagon, amerikanët nuk ishin shumë të interesuar për Europën Lindore. Opinioni publik amerikan mund të interesohet dhe motivohet vetëm për mbrojtjen e kryeqyteteve europianoperëndimore, që nga Roma, Parisi e Londra, por nuk do të ishte i gatshëm që të viktimizoheshin për Talinin, Vilnjusin apo Kievin.
HIERARKIA E NATO-s DHE GROENLANDA
Anëtarët e NATO- nuk janë të barabartë mes tyre. Ekzistojnë disa nivele në aleancë. ShBA-të janë, pa dyshim, antari më i rëndësishëm dhe askush nuk është i barabartë me të. nën të vinë vendet europianoperëndimore, më pas europianoqendrore, ku bën pjesë edhe Polonia, e atëherë në fund ato europianolindore. Aleanca veriatlantike, megjithëse është themeluar pas vdekjes së Ruzveltit, shembulli më i mirë dhe banori me afatgjatë i Shtëpisë së Bardhë që ideoi politikën multilaterlae nën rregjinë amerikane: në letër antërët e NATO-s janë të barabartë, por në këtë klub të tyrin ata e dinë se cili është “pronari” dhe se nuk bëhet fjalë për një organizatë kolektive por për një shumë raportesh reciproke të antarëve të saj me ShBA-të.
NATO-ja funksionoi shkëlqyeshëm derisa ishte aleancë mbrojtëse dhe jo instriument amerikan për përzierjen në çështjet europiane. Ky qëndrim i’u kthye amerikanëve si bumerang. Uashingtoni nuk arriti ta vërë kontinentin nën kontroll duke lejuar, njëkohësisht, që politikanë lokalë dhe mini-liderë nga shtete të vogla europiane “t’a tërheqin për hunde”, ndërsa antarët europianë të NATO-s ndikonin deri diku në politikën e jashtme amerikane. Në thelb Uashingtoni nuk do të duhej të interesohej se çfarë qeverie kanë shtetet europiane dhe çfarë politike ndjekin ato, gjithnjë përderisa janë në linjë me politikën e jashtme amerikane.
Amerika, de fakto, e kontrollon Gorenlandën që nga viti 1940, domethënë që nga momenti kur Gjermania naziste pushtoi Danimarkën, kësisoj parë formalisht, Groenlanda i përkiste Rajhut të Tretë. Megjithatë, presidenti amerikan Ruzvelt, edhe krahas faktit se Uashingtoni në atë kohë ende nuk ishte në luftë me Berlinin, i’u përgjigj pushtimit nazist me shpalljen e Groenlandës pjesë të kontinentit amerikan dhe me këtë nën “mbrojtjen” e ShBA-ve. Atëbotë amerikanët në ishull ndërtuan infrastrukturë, baza ushtarake dhe praktikisht e vendosën nën çadrën e tyre.
Amerika u përpoq t’a blinte ishullin menjëherë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, por danezët e refuzuan ofertën. E tërë puna u zgjidh me hyrjen e Danimarkës në NATO si dhe me refuzimin më të vonshëm të Groenlandës për të qënë jesë e BE-së edhe pse formalisht ishte nën administrimin e Kopenhagenit. Çështja e Groenlandës nuk është thelbësore por vetëm formalitet, domethënë kur do të njihet gjendja faktike e vitit 1940.
A VAZHDON T’A MBROJË AMERIKA PERËNDIMIN
Ideja udhëheqëse pas Luftës së Dytë Botërore ishte garancia e sigurisë së Perëndimit, jo për altruizëm, por sepse kjo ishte në interes të Uashingtonit. Korrektimi i ploltikës së jashtme të ShBA-ve erdhi në dhjetëvjeçarin e fundit të shekullit të kaluar, me fundin e Luftës së Ftohtë dhe dorëzimin e Kanalit të Panamasë pushtetit lokal. Ky ishte një moment kur në Uashington besonin se ishte ardhur koha që në vend të gjeografisë dhe politikës i duhej dhënë përparësi ideologjisë së rendit ndërkombëtar liberal.
Pasoja të këtyre ndryshimeve ishin ndërhyrjet ushtarake në ish Jugosllavi, zgjerimi i NATO-s në Europë dhe zhytja e Uashingtonit në teatrot e Lindjes së Afërt dhe Lindjes së Mesme, të cilat i kushtuan shtrenjtë Amerikës dhe vunë në pikëpyetje rolin e saj hegjemon në planet.
Në vitet e fundit ndodhën ndryshime tektonike. Në teatrin planetar nxorrën krye fuqi planetare dhe rajonale, amerikanët e kuptuan se nuk mund të qeverisnin tërë botën dhe se disa popuj dhe disa shoqëri nuk kanë kapacitete dhe as dëshira për të adoptuar parimet liberal-demokratike. Gjithashtu, mbajtja e perandorisë kushtonte shumë dhe në mënyrë të paevitueshme prodhonte dallgë emigracioni që krijon tensione të brendshme. Çështja e emigrantëve ilegalë është prej vitesh kyçe dhe me të humben ose fitohen zgjedhje, jo vetëm në ShBA por edhe në shtetet europiane.
Ngritja e Kinës e lëkundi ekuilibrin që ekzistonte gjatë Luftës së Ftohtë dhe menjëherë pas përfundimit të saj. Pekini me tri lëvizje tregoi qartë se dëshiron të marrë rolin hegjemon nga ShBA-të: ndërton në mënyrë të përshpejtuar fotën detare me synimin t’ia kalojë asaj amerikane, akumulon dhe vendos nën kontroll ku mundet metale të rralla dhe rrit rezervat e arit me synimin për të vepruar në mënyrë preventive ndaj sanksioneve eventuale të ShBA-ve dhe Perëndimit në tërësi.
Një zhvillim i tillë i ngjarjeve shkaktoi kthimin e politikës së jashtme amerikane në rrënjët e saj: mbrojtjen e pjesës perëndimore të botës, konsolidimin e së ashtuquajturës anglo-sferë, sigurimin e rrugëve detare, vënien nën kontroll të fortë të Groenlandës dhe dhënie e sinjaleve Panamasë se duhet të ndjekë politikën e hegjemonit kontinental.
Amerika është e detyruar të demonstrojë dimensionin e saj imperial sepse rivalët e saj, që nga Kina e Rusia deri te fuqitë rajonale, njohin dhe pranojnë vetëm një gjuhë, atë të forcës. Edhe sikur të ishte dikush tjetër në Shtëpinë e Bardhë, e jo Donald Trampi, ShBA-të do të mbronin dhe realizonin në mënyrë më të hapur interesat e tyre. Dallimi është se Trampi, meqënëse nuk di ndryshe, bën gjithçka në mënyrë teatrale, si Cezar i kohës tonë duke pritur Brutin e tij.
[i] https://velikeprice.com/svet/tramp-i-mask-protiv-evrope/