Dragan Biseniç[i]
Sot nuk mund ti besosh asgjëje, veçanërisht lajmeve që përhapen në internet dhe në rrjetet sociale. Dhe në mënyrë të veçantë nëse këto janë të lidhura me konfliktin ruso-ukrainas – duke filluar nga gjendja në fushën e luftës e deri te përdorimi i armëve bërthamore.
Një prej këtyre lajmeve ishte edhe sensacioni i çuditshëm nga bota artistike. Në rrjetet shoqërore u shfaq një video e montuar si lajm i Euronjuz-it, në të cilën lajmërohej se galeria e arteve nga Bremeni Rolland & Marotz organizonte shitjen në ankand të veprave artistike ruse, ku blerësit, menjëherë pas ankandit, do të munden ti shkatërrojnë këto vepra, sepse Rusia e ka komprometuar vetveten, dhe kësisoj vlera e kulturës ruse vetëm rrënohet. Natyrisht, galeria në fjalë e mohoi ekzistencën e çfarëdo ideje mbi ndonjë ankand të këtij lloji. Por, entuziazmi dhe egërsimi me këtë barbari, në mënyrë të veçantë në Gjermani, së cilës nazizmi i ka siguruar aureolën e djegijes së librave, në vend të kulturës së madhe dhe mbresëlënëse europiane, tashmë kishte prodhuar mjaft efekt, saqë në fund të fundit, e vërteta edhe nuk kishte më rëndësi.
DOBËSOHET “PARTIA E LUFTËS”
Nevoja për indoktrinim po rritet e për pasojë ka mjaftueshëm vend për surogate iracionale të propagandës dhe simulime konstruksionesh fantazie. Në mënyrë të ngjashme këtu ndërthuret edhe skandali mediatik në të cilën u përzie edhe media Rasha Tudej dhe drejtuesi i saj Anton Krasovski. Thirrja e tij për “vrasjen e fëmijëve ukrainas” shpuri deri në largimin e tij nga ekrani dhe ndërhyrjen e organeve mbikqyrëse.
Por, kjo ishte e mjaftueshme që të hapej, dhe madje ende vazhdon, diskutimi mbi atë nëse Krasovski kishte “thënë gjithçka saktë” dhe bëjnë thirrje që të mos ndërmerren sanksione kundër tij. Disa të tjerë ndërkohë besojnë se Krasovski ka vepruar si “agjent ndikimi” meqënëse deklarata e tij radikale shkoi në favor të palës së kundërt. E gjithë kjo shtroi përsëri çështjen e synimeve ruse në Ukrainë, ndërsa deklaratat kanibaleske si puna e asaj të Krasovskit, ashpërsuan përsëri çështjen në lidhje me këto synime siç është “denazifikimi”.
Shoqëria ruse vazhdon të shfaqë shqetësime serioze në lidhje me atë që po ngjet në Ukrainë. Sipas rezultateve të anketimit të fundit të qendrës Levada mbi atë sesi shoqëria ruse e vlerëson ecurinë e operacionit special të Forcave të armatosura ruse në Ukrainë, 88 përqind e të anketuarve deklarohen të shqetësuar në lidhje me atë që po ngjet në vendin fqinjë, ndërsa 73 përqind e të anketuarve mbështet aksionet e ushtrisë ruse.
Dallimi më i madh qëndron mes atyre që janë për vazhdimin e operacioneve luftarake dhe atyre që janë për bisedime. Për vazhdimin e luftës janë 36 përqind e të anketuarve, ndërsa 57 përqind mendojnë se duhet të fillojnë bisedimet paqesore. Një dallim kaq i madh nuk është shënuar që nga fillimi i konfliktit. Në këtë kontekst, jo vetëm dallimet mes “partisë së paqes” dhe “partisë së luftës” janë të dukshme, por vihen re edhe gradacione të ndryshme në radhët e pasuesve të vazhdimit të operacioneve, nga ata më të ashprit te ata më të maturit.
Krahas ideologjisë, ekzistojnë ndryshime të dukshme edhe në vlerësimin e mjeteve të pranueshme të luftës, sëpaku nga pikëpamja e pranueshmërisë ose mospranueshmërisë së përdorimit të armëve bërthamore dhe pasojave të mundshme të një vendimi të këtillë. Njëkohësisht, krahas shfaqjes së viktimave të para nga radhët e civilëve të rekrutuar, po shfaqet edhe një raport i ri ndaj vetë procesit të mobilizimit. Kësisoj, përgjatë dy javëve niveli i ankthit që matet sociologjikisht, vazhdon të luhatet ndërmjet 60 deri në 70 përqind. Sikurse shihet, megjithëse ende nuk janë formuar linja të qarta, ideologjike dhe ekonomiko-shoqërore, është dobësuar tashmë dominimi i “partisë së luftës”.
NË FAVOR TË PAQËS
Nëse “partia e paqes” deri tani mund ta zhvillonte iniciativën e saj në kushte tejet të kufizuara, duket se fjalimi prej katër orësh i presidentit rus Vladimir Putin në konferencën Valdaj të këtij viti ka dhënë nxitje të rëndësishme në favor të bisedimeve, paqes dhe zgjidhjes paqesore. Komentatorët britanikë vërejnë se “kishte momente kur Putini i ofronte botës degën e ullirit – në mënyrë të veçantë kur tha se Rusia ‘nuk është armike e Perëndimit’ dhe se vetëm mbron ‘të drejtën për zhvillim të lirë’”, por ata nënvizojnë se presidenti rus “bëri qartë me dije se çdo bisedim mbi ‘rendin e ri’ do të mbahet nën kushtet e Moskës”.
Ata paralajmërojnë në mënyrë të veçantë liderët perëndimorë të dëgjojnë dhe të studiojnë mesazhet e Putinit mbi gjendjen e botës e cila, sipas tij, në këtë moment është më e rrezikshmja që nga Lufta e Dytë Botërore. Putini sugjeroi që sistemi i marrëdhënieve ndërkombëtare “të harmonizohet me rendin botëror i cili po ndryshon”. Njëkohësisht, ai sqaroi se Rusia nuk e konsideron veten armike e Perëndimit. Sipas fjalëve të tij, kuptimi i momentit aktual historik është i tillë që para të gjithë shteteve hapen mundësi për rrugë origjinale dhe demokratike të zhvillimit.
Rendi i ri duhet të jetë origjinal, i lirë dhe i drejtë, tha Putini. Procesi i formimit të platformave të reja financiare është i paevitueshëm, ato nuk duhet të varen nga një qendër e vetme kontrolli. Kjo do të kërkojë mjaft përpjekje nga shumë vende, por kjo mund të bëhet, shprehet i sigurtë Putini, duke nënvizuar se Perëndimi po e përdor dollarin “si armë”. Qendrat e reja botërore të zhvillimit kanë teknologji të njejta në fusha të ndryshme dhe janë në gjendje të konkurojnë me kompanitë transnacionale të Perëndimit. Sëbashku të gjithë do të kemi më shumë përfitime sesa secili veçmas, tha Putini duke nënvizuar si shembull Perëndimin dhe politikën e tij “të shkatërrimit të kompanive nacionale dhe prodhuesve lokalë”.
Presidenti rus sugjeron gjithashtu se është e domosdoshme të mendohet edhe për strukturën e OKB-së e cila duhet të shprehë larminë e rajoneve botërore. “Shumë liderë europianë janë të tejmbushur me besimin se janë Europianë dhe, si të tillë, më të mirë se të tjerët. Pas kësaj arrogance ata nuk vërejnë se janë bërë edhe vetë vasalë, shpeh herë pa të drejtë vote”, tha Putini. Ai përsëriti se dominimi perëndimor po përfundon dhe se bota njëpolare është çështje e së kaluarës. Putini e mbylli fjalimin e tij me fjalët se “vetëm sëbashku” është e mundur të ndërtohet “simfonia e civilizimit botëror”.
Ekspertët rusë saktësojnë se, nëse vendimet e brendshme të cilët formohen në Pedrëndim, kërkojnë jo vetëm pranim nga të tjerët por edhe zgjerimin, si puna e Francës revolucionare, rregjimit bolshevik, apo Gjermanisë naziste, e ardhmja do të bëhet mjaft shqetësuese. Konflikti mes vlerës ekspansive të Perëndimit dhe themelit të legjitimitetit të brendshëm në një sërë vendesh është bërë themel për ashpërsimin e marrëdhënieve. Pyetjes nëse e identifikon vetveten me ata “në majë” apo me ata “në fund”, duke iu referuar frazës së tij “majat nuk munden, e fundi nuk dëshiron”, Putini iu përgjigj se solidarizohet me “shtresat e ulëta”, sepse e kupton sesi ndjehet njeriu i zakonshëm.
GATISHMËRIA PËR BISEDIME
Putini shpjegoi se këto ndryshime ka kohë që po ndodhin, por puna është se dikush e ka patur në vëmendje e dikush jo. Këto janë ndryshime në tërë rendin botëror, po shfaqen qendra të reja të fuqisë – në Azi përshembull e në Afrikë të cilët kanë potencial të madh, shpjegoi ai.
“Nuk ishim ne, por Perëndimi ai që ushtroi presion për atë që ndodhi në Ukrainë”, theksoi Putini. “Të gjithë i harruan plotësisht problemet tona të sigurisë, kësisoj thjesht humbëm vite të tëra. Na injoruan. Ka rëndësi që edhe pushteti ukrainas ka hequr dorë publikisht nga Marrëveshja e Minskut. Zyrtarët e tjerë perëndimorë deklaruan se nuk kanë ndërmend ti vënë në jetë, ndërsa ish presidenti ukrainas tha se vërtetë e ka nënëshkruar Marrëveshjen, porse mendon se ajo kurrë nuk do të vihet në jetë. Për ne kjo do të thoshte se duhej të bënim diçka me Donbasin”, shpjegoi Putini arësyet e fillimit të operacionit ushtarak. Pyetjes nëse “ka ndjesinë” se “armiku është nënvlerësuar”, Putini iu përgjigj se e kanë parë çfarë ka ndodhur.
“Për krijimin e territorit të fortifikuar të Donbasit ishin të nevojshme tetë vite. Ti sulmoje duke shkaktuar vazhdimisht humbje ishte e pakuptimtë”, tha Putini duke shtuar se kanë qënë të vetëdijshëm se ky proces do të vazhdonte, dhe sa më larg të shkonte, aq më keq dhe e rrezikshme ishte.
“Kemi bërë analiza të tilla, por zhvillimi i territoreve të NATO-s ishte në kulm, ata ishin gjithandej. Ajo që shohim tani, kur trupat tona po rrethojnë Donbasin nga Jugu dhe Veriu është një gjë, tjetër gjë është sikur të kishim krijuar territore të fortifikuara në vend dhe të kishim grumbulluar armë, atëherë situata do të ishte plotësisht ndryshe për Rusinë”, shpjegoi ai. Në çdo rast, presidenti rus u përpoq të gjente përgjigje për gjendjen në të cilën gjendet shoqëria ruse dhe për problemet që shqetësojnë qytetarët. Me siguri, pikërisht për këtë, ai shprehu disa herë gatishmërinë për bisedime paqesore në çdo moment.
Rasti i ardhshëm për njëfarë takimi të tillë është samiti G 20 i muajit të ardhshëm në Bali, por të gjitha palët deri tani shprehen të rezervuara dhe refuzojnë mundësinë e çfarëdo takimi. Presidenti amerikan Bajden ka thënë disa herë publikisht se e hedh poshtë mundësinë e takimit me presidentin rus, e tani këtu shtoi edhe trashëgimtarin saudit të fronit Mohamed bin Salmanin, i cili në çështjen me rëndësi të prodhimit të naftës mbështeti Moskën dhe i ktheu shpinën presidentit amerikan.
Putini u shpreh se ende nuk e ka vendosur nëse do të marrë pjesë në këtë samit, por në këtë vendim të tij me siguri do të vendosë fakti nëse atje do të ketë hapa diplomatikë ose jo. Janë shfaqur lajme sikur madje edhe presidenti i Guinesë Bisao, Umaru Shisoku Embalo i ka përcjellë presidentit ukrainas, Vladimir Zelenski mesazhin e presidentit rus mbi mundësinë e dialogut mes Moskës dhe Kievit, gjë të cilën e bënë me dije mediat ruse. Zelenski tha me këtë rast se gatishmëria e Putinit për bisedime është retorikë e planifikuar për qytetarët e Federatës Ruse dhe qytetarët e shteteve që mbështesin Rusinë.
Shanset për një zgjidhje diplomatike nuk duken të shkëlqyera, gjë që e vërtetoi disa ditë më parë edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg. Ai tha se suksesi i Ukrainës në bisedimet e mundshme me Rusinë do të varet nga suksesi i Kievit në fushën e betejës. Këtë ai e deklaroi në konferencën për shtyp pas takimit me kryeministrin rumun Nukollaj Çuk. Sipas fjalëve të tij, pikërisht për këtë NATO-ja vazhdon ta ndihmojë Kievin. Ai theksoi se aleanca nuk duhet të lejojë që të fitojë presidenti rus Putin, “sepse kjo do të ishte tragjedi për ukrainasit”.
*Përktheu për Argumentum Xhelal FEJZA
[i] https://www.danas.rs/svet/rusko-raskrsce-izmedju-rata-i-mira-koliko-je-putin-zaista-spreman-na-pregovore